Faleminderit
Nuri Plaku: Fatmir Agalliu – ‘’agai’’ i gjuhësisë shqiptare
E marte, 11.01.2011, 07:59 PM
FATMIR AGALLIU – “AGAI” I GJUHËSISË SHQIPTARE
Nga Nuri PLAKU
Me Fatmir Agalliun Universiteti i Tiranës njohu një nga kulmet e arritjeve të tij më të larta të nivelit studentor, jo vetëm për periudhën 1954 –’58 kur vazhdoi studimet djaloshi imcak nga Patosi Fshat i Fierit, por edhe për më parë edhe për shumë e shumë vite pas mbarimit të studimeve të tij në fakultetin e filologjisë. Rektori i athershëm i këtij Universiteti z. Hasan Duma i është drejtuar me këto fjalë vlerësuese profesorit të nderuar Sheri Minxalli për të; “S’kemi patur, s’kemi, as do të kemi student më të shquar se Fatmir Agalliu.”[1]
Kjo dhunti është një ndër karakteristikat e njerëzve të rrallë, të atyre krijesave që lindin si të “komanduar” nga fryma e shenjtë e zhvillimit jetik. Fatmir Agalliu është jo vetëm shkencëtari i spikatur i fushës sonë gjuhësore por edhe njeriu i prerë korrekt dhe i gjithëpushtetshëm brenda vetes, me një karakter të fortë, personalitet të kompletuar dhe plot vitalitet. Nëpërmjet figurës së tij shfaqet edhe zhgënjimi i individit përball moralit të shoqërisë dhe rregullave strikte të fantazisë së saj donkishoteske. Gjithë jeta e këtij shkencëtari është ndërkohë edhe një pikë referimi për të vlerësar luftën e së mirës me të keqen dhe filozofinë e “ujqëve të bardhë” të kësaj shoqërie. Ky është shembulli. Nëse do të ishte në një shoqëri tjetër më të emancipuar Fatmiri do ishte më i vlerësuar së paku në kushtet e punës dhe shoqëria do kishte sot prej tij më shumë vepra gjuhësore sa ka realisht, pasi gjithë rruga e këtij studjuesi dëshmohet për një odise të gjatë mundimesh e sakrificash pafund. Pikërisht mbi këtë odise duket edhe paranoja e sjelljes së shoqërisë ndaj një intelektuali të tillë gjatë viteve të diktaturës dhe postdiktaturës, vlera e një intelektuali të vërtetë në relacion me shoqërinë dhe viktimizimi i tij për shkak të saj.
Fatmiri u lind më 19 qershor të vitit 1933 në fisin e Agallinjve të Patosit fshat të Mallakastrës së poshme. Ishte djali i Ganiut dhe Afifes. Ky fis njihet tepër prioritar në këtë krahinë për pasuri, rrethe të ngritura miqësore dhe kontribute të larta patriotike që shkonin deri ntek pjesëmarrja në lëvizjet kryengritëse të Rrapo Hekalit e të Alush bej Frakullës. Nëna e tij, Afija nga Klosi ishte e mbesa e Rrapo Hekalit. “Gjyshërit qenë pjesëmarrës në ngjarjet që çuan në ngritjen e flamurit më 1812 në Vlorë”[2] Burrat e këtij fisi kan marr pjesë në luftën për mbrojtjen e Janinës më 1913, në luftën e Vlorës më 1920-ën dhe kan qenë përkrahës të politikave qeveritare kombëtare. Gjatë Luftës Antifashistenaçionalçlirimtare ata ishin gjithashtu në përkrahje të saj. Gjithë kandidatët për deputet në fushatat e ndryshme zgjedhore që zhvilloheshin në krahinë e kishin lakmi përkrahjen e agallinjve. Edhe vet mbiemri i tyre shpreh gradën që zotëronin në këtë fis që nga periudha osmane. Agallinjtë njihen edhe si “agallarë” të vlerave morale plot dinjitet e mirësi fisnore ku geni i njerëzve që rrjedhin nga familje të tilla të mëdha, shfaqej që në fjalët e para të bisedës. Nga ky fis dhe ky gen doli gjuhëtari i ardhshëm i shqipes.
Në fëmininë e tij të hershme Fatmiri shprehu reflekse jo të zakonshëme. Ishte aq vëzhgues, aq i heshtur dhe aq i zgjuar sa tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. I ati ishte i dhënë pas arsimimit të të birit. Vet ai kishte qenë ndër nxënësit e parë të shkollës së Cakranit me mësues Thanas Floqin. Shkollën fillore Fatmiri e mbaron në fshat, ndërsa 7 vjeçaren në Fier. Rrinte në fshatin Radostinë tek një kushërir i tyre dhe që andej e bënte rrugën herë-herë në këmbë, gati 15 km. vajtje-ardhje. E mbaroi në vitin 1950 me të gjitha notat 5, nota maksimale e sistemit të atherëshëm arsimor. Ky rezultat ishte treguesi më i mirë i të ardhmes së tij. Prindërit dëshironin të vazhdonte mjekësoren por ai ngulmonte tek filologjiku. Vajti në Shkodër në shkollën e mesme pedagogjike “Shenaze Juka”, të cilën edhe atë e mbaroi shkëlqyeshëm. Madje gjurmët e këtij rezultati kan mbetur të pashlyeshme edhe sot në kujtesën e shokëve të tij bashkënxënës. Në mjaft biseda të tyre, Fatmiri kujtohet për nivelin e lartë të përgatitjes aq sa herë-herë mësuesit i kërkonin mendim për trajtimin e temave të vështira. Fatmiri nxënës u shfaq në ato vite si një talent me premtim të padiskutueshëm.
Mbas pedagogjikes Fatmiri fillon studimet e larta në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës të cilat i mbaroi gjithashtu shkëlqyeshëm. Gjatë kësaj periudhe studentët e filologjikut bënin punën praktike në shkolla të ndryshme të qytetit. Fatmiri u caktua në Gjimnazin “Qemal Stafa”. Ky gjimnaz do të ngelej për të shkolla më e dashur sepse i dhuroi ditët më të bukura të jetës, njohjen me Artën. Arta Minxolli ishte nga një familje delvinjote me genë të trashëguar prej klasash të ngritura shoqërore. Fisi i saj ishte i njohur në Delvinë dhe familja e saj ishte një nga katër familjet e mëdha të bejlerëve të këtij qyteti. Kariera e tyre kishte qenë e lartë që në administratën osmane e deri në atë të Mbretërisë Shqiptare. Ishte e bija e Ziadinit me profesionin agranom dhe mbesë e profesorit të ekonomisë Sheri Minxollit. Halla e saj, Faika ishte martuar me Xhelal Zogun, vëllanë e mbretit Zog. Fatmirit i bëri përshtypje që në fillim kjo vajzë. Ishte e bukur dhe vishej aq lehtë e me gusto sa përngjasonte me artistet e filmave rusë të kohës. Çifti i ri vuri kurorën e martesës në vitin 1960. Mbas mbarimit të gjimnazit ajo vazhdoi studimet e larta për matematikë dhe Fatmiri ju bë edhe bashkëshort edhe mësues edhe konsulent. Gjuhëtarit i duhet edhe matematika, i thoshte së shoqes shpesh ai dhe dikur e pyeti vërtetë për rrënjën katrore sepse i hynte në punët e veta gjuhësore.
Mbas mbarimit të studimeve në vitin 1958, Fatmiri kërkon të emërohet në Mallakastër për të qenë sa më afër prindërve. Por po këtë vit hapet Instituti Pedagogjik Dyvjeçar i Shkodrës dhe Fatmirin e emërojnë atje. Jepte lëndën e morfologjisë së gjuhës së sotme shqipe, leksikologji, hyrje në gjuhësi, hyrje në letërsi, metodikë të gjuhës shqipe dhe të leximit letrar duke u profiluar veçanërisht në morfologji. Të kësaj periudhe janë edhe hartimet prej tij të dy teksteve mësimore të gjuhës për shkollën 8 vjeçare të cilat u përdorën për 10 vjetë.
Në vitin 1963 çiftit të ri i lindi djali, Tritani ndërsa në vitin 1969 vajza, Entela. Jeta e tyre familjare rridhte e ngrohtë dhe e qetë. Fatmiri ishte jo vetëm një shkencëtar në gjuhësi por edhe një bashkëshort shembullor dhe një prind shembullor. Ai nuk hyri kurrë në “kullën e fildishtë” të studimeve. Mbi të gjitha ai ishte njeri me zemër të madhe dhe punëtor i palodhur për të gjitha nevojat shtëpiake. Veç kompletimit të bibliotekës me libra ai blinte edhe veglat e punës që nga kaçavida, pincat, sharra e hekurit e deri te gozhda e çekani. Të gjitha riparimet e nevojshme i bënte vetë si një mjeshtër i vërtetë. Kishte ndodhur të dilte edhe jashtë derës për të riparuar difektet e linjës elektrike të pallatit.
Shtëpia e tyre ishte e hapur për gjithë të njohurit të cilët përballë zemërgjerësisë dhe mikëpritjes tradicionale e konsideronin atë si shtëpinë e tyre. Ishte kjo mirësi që e bëri shtëpinë e tij një derë të madhe siç e kishin trashëguar prej gjyshërve dhe prindërve të tyre fisnor. Por ndodhte të trokiste edhe ndonjë lypës dhe Fatmiri i jepte më shumë se çkërkonte. Madje kur e shihte të zhveshur i jepte edhe rroba. “Pati dhënë edhe kostumin e tij, thotë Arta dhe kur i thashë përse e bëre këtë ai m’u përgjegj fare thjeshtë, “Nuk është e drejtë që unë të kem tre kostume dhe ai asnjë”.
Fatmiri organizonte me përkushtim edhe orët e lira të ditës. Hobi i tij ishte shahu dhe në këtë lojë ai ishte aq i pasionuar dhe i aftë sa arrinte të mundëte edhe kompjuterin. Shpesh luante me djalin dhe “harroheshin” të dy me orë të tëra pas tij.
Në vitin 1965 Fatmirin e trasferojnë në Universitetin e Tiranës. Edhe këtu jepte lëndët e morfologjisë së gjuhës shqipe, hyrjes në gjuhësi, metodikës së gjuhës shqipe dhe një kurs special pasuniversitar të morfologjisë me arsimtarët e sjellë për specializim pranë katedrës në kursin njëvjeçar. Po këtë vitë ai fillon punën studimore të mirëfilltë duke e nisur atë me një seri të gjatë artikujsh shkencorë dhe njëherazi duke bashkëpunuar për hartimin e gramatikës së Akademisë së Shkencave, si autor i njërit nga krerët kryesor të saj. Ky libër doli në dritë 11 vjet më vonë, në vitin 1976. Në po këtë vit ndodh edhe një paradoks. Sipas kriterit të qarkullimit të kuadrit Fatmirin e largojnë nga Universiteti i Tiranës dhe e trasferojnë në shkollën 8 vjeçare të fshatit Symizë, në Mallakastër, në kufi me Tepelenën për të dhënë rusisht. Ky “qarkullim” ishte preteksti. Thelbi i vërtet i kësaj lëvizjeje ishte prejardhja familjare e tij dhe e gruas prej klasash të pasura. Kjo prejardhje do ta shoqëronte atë gjatë gjithë jetës si një etiketë e fshehtë duke e bërë “delen e zezë” të kolektivit. Organizatat e partisë do ta diskutonin shpesh prezencën e tij dhe do ta mbanin në mbikqyrje. Por puna prej murgu dhe kapaciteti i jashtëzakonshëm e këtij shkencëtari përbënin një prag të përhershëm që ata e kishin shumë të vështirë ta kalonin. Arësyet e një lëvizjeje të tillë duhej të ishin tepër të kamufluara. Dhe ai akuzohet për mosshkrirje me masën e studentëve. Ndërkohë Fatmiri ishte i ndërgjegjshëm për situatën e vështirë që i krijohej herë pas here. “Jam pjesëmarrës i tetë aksioneve të rinisë, shkruan ai i pakënaqur në biografinë e tij, duke filluar nga viti 1949 e duke mbaruar me punën në kombinatin metalurgjik më 1975, pa u dalluar për rendiment më të ulët nga studentët e mi. Për gjithë këtë ndihmesë brenda e jashtë proçesit mësimor si dhe në punën shkencore jam dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”, në një kohë që ish-studentët e mi pedagogë merrnin urdhrin “Naim Frashëri”. I kam kapërcyer kufijtë shtetërorë vetëm një herë, më 1974, kur shkova në Maqedoni e në Kosovë për të dhënë mësim në degët e gjuhës në Shkup e Prishtinë.” [3]
Kjo ishte gjendja më frenetive që ju imponua këtij shkencëtari, pragu i tij i ndalimit. Qarkullimi nga rrethet shkencore të Tiranës për hir të “edukimit” me frymën “jetëdhënëse” të bazës ishte fatalitet dhe keqtrajtim i hapur. “Në gjithë punën time jam munduar të jem korrekt me rregulloret dhe të nderoj vetëm ligjet, vazhdon ai në shënimet e tia autobiografike, duke u qendruar larg euforisë, konformizmit dhe dyfytyrësisë. Me aq sa kam mundur, në fushën ku kam punuar, jam munduar për të mbajtur gjallë frymën e trasparencës dhe të kritikës konstruktive, gjë që ka ngjallur pakënaqësi dhe hakmarrje në individë dhe qarqe të caktuara në Universitet.”[4] Dhe profesori kurrë nuk u pajtua me situata të tilla dhe kurrë nuk u pëlqye nga nivele të tilla sociale. Por kurrë nuk u nënshtrua dhe mbeti gjithë jetën krenar sipas meritave të tij. “Tregohu krenar sipas meritave të tua”, thoshte Horaci. Kjo krenari nuk e lejoi profesorin t’ju pëlqente disave, sepse ai nuk ishte si ata. “Në një shoqëri të tillë ne duhet të heqim dorë, me përpjekje të dhimbshme, nga tre të katërtat e personalitetit tonë, për t’u bërë të ngjajshëm me të tjerët”[5] thotë Artur Shopenhaueri. Por profesor Agalliu nuk cënoi as një fije floku nga personaliteti i tij. Duke u ndodhur përball një shoqërie të tillë, ai vetëm kultivoi në heshtje prirjen e vetmisë. Sepse edhe vetë shpirti i tij e kërkonte natyrshëm këtë gjendje të lartë, sepse ishte i tillë, shpirt aristokrati. “Është me të vërtetë një shpirt aristokratik cilido që ushqen prirjen ndaj veçimit dhe vetmisë”[6]. Por Arta revoltohet. E quante një padrejtësi skandaloze ndërprerjen e punës së tij studimore e cila arrinte edhe deri në 16 orë në ditë. Dhe motivimi kishte qenë tepër optimist. Për hir të kulturës, për hir të gjuhës, për hir të vlerave të kombit. Ndërsa vet “kultura” shqiptare e shkëpuste tani barbarisht dhe e çonte në një fshat aq të largët e aq të humbur sa nuk mund të mendoje më për punë shkencore por për një internim të vërtetë nga më barbarët. Ky paradoks e ngjyroste në zi moralin e kësaj shoqërie dhe Arta troket e revoltuar në derën e ministres së arsimit të athershëm, Tefta Cami një ish studente e Fatmirit. Ministrja i toleron një takim profesorit por ai nuk shkon. Nuk mund të shkonte për mëshirë një shkencëtar që i bëhej një padrejtësi e tillë në emër të edukimit që fare lehtë mund të përkthehej në emër të “shkatërrimit”. Me interesimin e ministres, Fatmirit ja anulluan “Symizën” dhe e çojnë në gjimnazin e Fierit. Këtu ishte disi më ndryshe. Së paku nuk u ndje krejt i vetmuar. Miqtë e tij në këtë qytet, drejtori i athershëm i gjimnazit i ndjeri Llazar Moja dhe Drejtori i Seksionit të Arsimit i ndjeri Sokrat Plaku, bënin përpjekje dashamirëse për ta transferuar në Kabinetin Pedagogjik të rrethit. Ndërkohë, me ndërhyrjen e Akademisë së Shkencave i sigurohet leje e veçantë krijuese për botimin kritik të veprës së Naim Frashërit në dy vëllime, punë e cila nga pikëpamja tekstologjike sjell një ndihmesë të vyer në botimin e veprave të këtij autori. Mbas tre vitesh i emëruar në Fier, rikthehet përsëri në fakultet.
Tashmë Fatmiri kishte krijuar një emër të nderuar në rrethet e gjera shkencore. Ai kishte përvetësuar shtatë gjuhë të huaja, 5 prej të cilave; rusisht, italisht, spanjisht, rumanisht dhe frëngjisht, i dinte shumë mirë në të shkruar e të folur, ndërsa në anglisht dhe gjermanisht kishte njohuri më të pakta dhe komunikonte për nevoja pune. Fokusi i tij shkencor ishte gjithashtu tepër i gjerë. Ai referonte në konferenca shkencore kombëtare dhe botonte në organe më prestigjoze të kohës si; Studime filologjike dhe Gjuha jonë. Në këto organe janë botuar një numër i madh artikujsh studimorë nga 40 që është numri i tyre i përgjithshëm. “Çështjet e sintaksës”, “Vështrime mbi kuptimet e disa trajtave kohore”, “Emrat që përdoren vetëm në shumës në gjuhën shqipe”, “Rreth problemit të klasifikimit të foljeve në zgjedhime”, “Gjuha dhe mendimi, kategoritë logjike dhe kategoritë gjuhësore”, “Pjesorja e gjuhës shqipe”, “...parimi morfologjik në drejtëshkrimin e shqipes”, “Mbi drejtëshkrimin e foljeve”, “Vështrim sinkronik apo diakronik”, “Tema e eptimit”, “Rrjedhore e shquar apo rrjedhore e pashquar”, “Nyjë apo morfemë eptimi”, etj.
Ndërkohë në fokusin e tij vëzhgues jan futur edhe personalitete të ndryshme gjuhëtarësh me veprat e tyre. Diskutime rreth kumtesave të Sh. Demirajt, J. Dodit, “Shkronjëtorja e gjuhës shqipe” e S. Frashërit, “A. Xhuvani dhe gjuha letrare”. Veç shkrimeve janë edhe 7 reçensione për vepra të ndryshme gjuhësore dhe 5 vepra të redaktuara midis të cilave “Vepra të zgjedhura”, vëllimi i parë dhe i dytë e N. Frashërit, zgjedhur, redaktuar dhe paisur me shënime tekstologjike dhe kultur-historike, “Shkronjëtore e gjuhës shqip” e S. Frashërit edhe kjo paisur me shënime e komentarë linguistikë si dhe “Krestomaci me artikuj gjuhësorë” në dy pjesë, botuar më 1971 mbledhur e redaktuar nga autori.
Dihet që proçesi i evoluimit të gjuhës së një vendi shoqërohet nga studimet interpretuese të gjuhëtarëve të ndryshëm që merren me këtë disiplinë shkencore. “Si shkencëtar, ai u shqua për ndihmesat e shumta në fushën e morfologjisë, ku spikatin intuita e thellë gjuhësore dhe mprehtësia në trajtimin e problemeve, mendimi i tij analitik dhe kritik, si dhe përpjekjet për të zbatuar koncepte të gjuhësisë moderne. Me metodën e tij të punës dhe me erudicionin e thellë, ai la gjurmë të pashlyera në formimin shkencor të gjuhëtarëve të rinj të viteve ‘70-’80.” [7]
Parë në këtë vështrim studimet e Agalliut formuan një realitet që kishte vulën e tij individuale. Shumë nga figurat e shquara të kësaj fushe jan shprehur me një konsiderata të larta për kontributin e tij shkencor. Prof. Selman Riza thoshte për të, “Shumë i talentuar ky djal”. Ndërsa studjuesja gjermane Oda Buçhholz është shprehur se; “Vetëm shkrimet e Fatmir Agalliut në gjuhësinë shqiptare, ngrihen deri në nivelin teorik ballkanik”. Në gramatikën e madhe të gjuhës shqip-gjermanisht, kjo studjuese ka përdorur 10 punime shkencore të Prof. Fatmirit si: Vëzhgime mbi kuptimet e disa trajtave kohore, emrat që përdoren vetëm në shumës, pjesët e ligjëratës, analizën e kategorive të pjesores në gjuhën shqipe, nyja, rasat, pjesëzën po, etj. Profesori i nderuar Shaban Demiri e quante atë; “... minierë, që sa më shumë ta gërmosh, aq më shumë mineral me vlerë nxjerr”.
Por gjithë jetën Prof. Agalliu ka qenë “uni” i tij profesional. Një un i fuqishëm dhe i pakorruptueshëm. Ai nuk e lejoi kurrë emocionin të udhëzonte logjikën e ftohtë të pedagogut dhe studjuesit. Njëherazi ky element korrektësie tek ai është shfaqur edhe në kontaktet me studentët. Me ta ka qenë gjithmonë i drejtë por absolutisht i pa tolerueshëm. “Edhe njeriun e tij ta kishte ai nuk toleronte” thonë ish studentët për të. Ndërsa të tjerët stisnin akuza për të formuar opinione parafabrikat. Kjo është natyra e shkencëtarit që shpesh keqkuptohet për mungesë sedimenti. Tek ai gjallonte vazhdimisht instikti i unit profesional. Aq korrekt e skrupuloz ka qenë ky njeri sa është çuar pa ngurim në Kongresin e Drejtëshkrimit në vitin 1973 dhe ka bërë vërejtje drejtëshkrimore për Rezolucionin përfundimtar që u hartua pas mbarimit të tij. Delegatëve ju bëri përshtypje të dyfishtë kjo ndërhyrje, për saktësinë shkencore dhe guximin e treguar nga Agalliu.
Ndërkohë te ai shfaqet edhe një veti tepër e çuditshme, thjeshtësia e tepruar. Ai nuk u jep rëndësi titujve dhe gradave. Të gjitha lëndët që dha në provimet pasuniversitare i mori me notën 10. Por ndërkohë e vë re heshtjen e të tjerëve ndaj këtij angazhimi. Gjithë karierën e tij vlerësuese e bëri pa “spaleta.” Vetëm në vitin 1986 mori gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, dy vjet më vonë i jepet titulli shkencor “Docent” dhe në vitin 1992 merr gradën “Doktor”. Mbas përgjigjes së shkëlqyer që dha para komisionit të ministrisë, në vitin 1995 kur mori titullin profesor, njëri prej anëtarëve të tij i tha: “E ke nënvleftësuar veten profesor, ti duhej të na merrje ne në provim jo ne ty”! Profesori e kishte parë i heshtur dhe kishte nënqeshur hidhur. Etiketat për të s’kishin patur kurrë rëndësi por të tjerët i kishin “kyçur” me qellim të caktuar. Ndërsa tani ishte tepër vonë. Madje ai ishte edhe tejet i vrarë. I vrarë dhe i fyer. Ai që rridhte nga një shtresë e mesme sociale dhe e kishte ndjerë herë pas here “inferioritetin” e kësaj shtrese në socializëm, përkrahu fuqishëm ndryshimet demokratike të vendit. Por me këtë përkrahje pësoi zhgënjimin më të madh të jetës nga i cili u detyrua të bënte xhestin më të vështirë e më të guximshëm të njeriut në karrierë, të japë dorëheqjen nga mësimdhënia në fakultet. Dorëheqja ishte kundërvënëse dhe e parevokueshme. Ishte një klithmë dëshpëruese. Klithma më e thekshme e tij përball padrejtësisë. Diskutohej për të marr pedagog një student të gjuhësisë dhe kandidati më serioz ishte një vajzë e kompletuar që kishte mbaruar shkëlqyshëm dhe dinte të fliste e të shkruante 8 gjuhë të huaja. Por kolegët e tij vendosën për një djalë i cili kishte mbaruar mesatar por që ishte i biri i kryetarit të partisë në fakultet. Profesor Fatmiri këmbëngul aq shumë për vajzën sa kërcënon me dorëheqje nëse nuk vlerësohet niveli shkencor i saj. Dhe kështu u bë. Vajza u refuzua ndërsa profesori iku duke protestuar me shprehjen, “Dua të punoj me studenten time që ka merituar 10 tën dhe jo me studentin tim që ka merituar 7-tën.”
Ikja e profesorit nga katedra e Universitetit ishte një shuplakë e fortë për atë staf që moralizonte de juro për meritokracinë dhe i nënshtrohej de fakto korrupsionit. Dhe profesori pati fatin të përballej dhëmb për dhëmbë me këtë element social në shoqërinë e re demokratike.Tashmë i thyer, i pikëlluar por i panënshtruar e i pa përulur ai u mbyll brenda katër mureve të shtëpisë me një pension të parakohshëm dhe me një barrë të madhe dëshpërimi në shpirt. Paradoksi social po shfaqej sërish më i ashpër se më parë. Ndryshonte vetëm etika e prezantimit. Në kulm të këtij dëshpërimi Fatmir Agalliu bën xhestin tjetër revoltues, braktis studimet shkencore të gjuhësisë dhe merret me shkrime politike të tipit analitik. Braktisja e shkencës ishte klithma e tij e dytë dëshpëruese. Më pasë, kjo klithmë u shoqërua edhe me fatkeqësinë më të madhe familjare, vdekjen e djalit të vetëm në mënyrë aksidentale. Tashmë profesori “burgoset” brenda vetes. Vetëm shkruan. Shkruan analiza të ndryshme politike dhe boton 78 artikuj të tillë në organe të shumta të medias. Në çdo shkrim të tij, ndihet vështrimi i thellë dhe tepër meditativ prej njeriu erudit dhe largpamës. Një nga shkrimet më të rëndësishëm të këaj periudhe ka qenë ai “Mbi spektrin politik”, botuar në gazetën “Zëri i rinisë” në korrik 1993. Shumë shkrime të tjera i kan bërë jehonë këtij artikulli dhe Fatmirin e kan etiketuar “profet” në parashikimet e tija për politikën shqiptare.
Tashmë dilte shumë rrallë, vetëm për në vorreza tek djali. Në Fier ato vite vajti vetëm një herë, kur i vdiq i vëllai. Veç shkrimeve merrej edhe me vaditjen e një trëndafili që ja kishte sjell një shoqe e djalit nga Franca për ta mbjell tek varri i të birit. “Jo, kishte thënë Fatmiri të shoqes, ta mbjellim në ballkon dhe ta rrisim me kujdes që kur ti çojmë trëndafilat e çelur te djali, petalet e tij të kenë aromën e shtëpisë.”
Dhe trëndafili, thotë Arta, rritej e lulëzonte gjithmonë e më shumë. Kishte hapur degë të gjera e çelte gonxhe pafund. Fatmiri nuk linte askënd ta prekte e t’i shërbente. I bënte të gjitha vetë. Megjithëse ishte i sëmurë e sa vinte rëndohej, prapseprapë, trëndafilit i gëzohej si fëmijë, sikur nëpërmjet tij të komunikonte me të birin.
Më 5 qershor 1998 Fatmiri ndahet nga jeta. I pikëlluar për të gjitha ato ndodhi të mbrapështa që i erdhën nga njerëzit dhe nga fati, në pragun e ndarjes nga kjo botë, ai bën aktin e tretë të revoltës individuale, i kërkon të shoqes t’i djegi të gjitha dorëshkrimet e tij. Dhe nuk ishin pakë por 3000 faqe. Ishte një pjesë e madhe e asaj pune që kishte bër pa ndërprerje deri dhe 16 orë në ditë. Disa herë harronte të hante edhe drekë. Tashmë zjarri i jetës duhej ta kthente atë në hirin e vdekjes dhe ai kërkonte që së bashku me veten të kthente në hi edhe gjithë punën e tij të vyer. Sepse atë nuk e meritonte askush nga kjo shoqëri paradoksale që mbetej pas tij. Njeriu aq i ndershëm, shkencëtari skrupuloz Fatmir Agalliu me unin e tij profesional, tashmë të çelnikosur, ende nuk pranonte të heshtëte. Ai shpërthen, ai flet, ai revoltohet, ai akuzon dhe ai dënon edhe në pragun e fundit të jetës. Kjo ishte akuza më e madhe që i bëhej shoqërisë së kohës.
Arta e ndodhur midis djersës dhe zjarrit preferoi të parën. Djersa nuk digjet. Djersa është ajka e jetës dhe kjo djersë nuk do ta tradhëtonte kurrë të shoqin. Prandaj ajo nuk e lejoi as të shoqin ta tradhëtonte djersën e tij. Me mençurinë e një femre që njeh mirë peshën e një çasti të dhënë dhe të ardhmen e një pune të tillë shkencore, ajo i ruan ato me fanatizëm duke ju kundërvenë fanatizmit të fjalës së thënë. Ky akt do ta kthente atë në një luaneshë të vërtetë në mbrojtje të dinjitetit të tij. Dhe ajo fillon menjëherë nga puna për të përmbushur atë që mbeti mangut nga i shoqi. Mbledh gjithandej përshtypjet, vlerësimet, konsideratat e gjithë të interesuarëve për veprën e të shoqit dhe vazhdon parreshtur interesimin, luftën ndaj harresës dhe mediokritetit dhe dashakeqësisë së dikujt me qellimin e vetëm të vendosjes në vëndin e vet të vlerave të tij të merituara. Dhe vërtet, mbas vdekjes Fatmiri pati një tjetër ridimensionim në vlerësimin e figurës së tij.
Për vdekjen e tij shkruan shumë gazeta. Profesori etiketohej “I madh”, “shkencëtar” “I pazëvendësueshëm”, “humbje e madhe” e deri te “gjeni”. Pati edhe mjaft prononcime nga personalitete të ndryshme jashtë kufijve të vendit. Të nesërmen, më 6 qershor Isuf Luzaj, personalitet i shquar shqiptar në ShBA, i dekoruar nga vet presidenti Regan shkruante: “Më plasi si bombë në duar lajmi trishtonjës i ikjes së Fatmirit… Është fatkeqësi dyfishe vdekja e ti sepse veçse ish mik e shoku im, ai ish më i miri linguist gramatike e sintakse që ka patur gjuha jonë… Fatmiri është i pazëvendësueshëm në shekullin tonë. Këtë mungesë do ta ndjej letërsia shqiptare. Mjerim. Ikja e një miku më errëson shpirtin, sa më bjen lotë. Fatmirin do ta kujtojë në shkrimet e mi.” Kurse më vonë ai i shkruan sërish. “Po të ngrihen nga varri Buzuku, Naimi, Samiu, Lasgushi, Xhuvani, Ali Asllani etj., do ta falenderonin e përqafonin Fatmirin për kontributin e tij dhënë gjuhës sonë.” Ndërsa tek “Universi shqiptar i librit”, Prof. Luzaj duke analizuar monografinë e Fatmirit për gjuhën e Nolit në veprat e tij origjinale shkruan: ”Fatmiri është kujdesur dhe i shkon fill e për pe, si ruaza në fillin e nuses, karakteristikat dhe evolucionin e fonetikës, morfologjisë, etimologjisë dhe sintaksën e gjuhës së Nolit dhe të gjuhës së përgjithshme të sotme, me maturi, përvojë e njohuri të sigurta porse dhe talent... Studimet serioze të Fatmirit mund të krahasohen me teknikët e mëdhenj frengj dhe italianë. Fatmiri mjeshtërinë e këmben në mision sepse stili i tij është kopia e shpirtit të vet.”
Punimi mbi gjuhën e Nolit me të cilin Fatmir Agalliu mbrojti titullin profesor është cilësuar nga kritika si unikal në lloin e vetë.
Kapllan Resuli shkruan për të në revistën “Ylberi” në Gjenevë duke e quajtur “analist të rrallë, gjuhëtar të rrallë,.. për të cilin duhet shkruar periodikisht.”
Më 1999, një vit pas vdekjes ai vlerësohet si “Gjuhëtari i Millenniumm-it” nga International Biographical Centre Cambridge. Për këtë vlerësim të lartë, Profesor Luzaj do të shkruante përsëri: “Fatmiri është i pari shqiptar që vlerësohet nga IBC për njerëzit më të shquar nga 80 vende të botës, për arritje të cilësisë së lartë dhe veprimtari të dendur shkencore.”
Arta vazhdon ta mbulojë punën e të shoqit me përkujdesjet e saj më të mëdha duke u munduar të bëj gjithëshka që mundet për të dhe kujtimin e tij të çmuar. Në vitin 1999 ajo boton monografinë “Gjuha e Nolit në veprat origjinale të tij”
Por shumë gjera kan ngelur pezull, shumë të tjera u realizuan, ndërsa dikush midis tyre edhe e tradhëtoi kujtimin e tij. Ky ishte trëndafili i ballkonit. Megjithëse gruaja e përvuajtur i bënte shërbimet me të njëjtën korrektësi si dhe i shoqi, e vadiste, e punonte, e plehronte ai gjithsesi u tha menjëherë mbas vdekjes së Fatmirit. “Zot, mendoi Arta paksa superstiçioze, trëndafili i tyre aq i shëndetshëm nuk qënkej rritur me shërbimet e nevojshme por me frymën e të zotit.”
Tashmë ajo çapitet e rënduar në rrugën e varrezave duke çuar trëndafila te varri i dy njerëzve të saj më të shtrenjtë. Sepse të dy ata at e bit, Fatmiri me Tritanin prehen në të njëjtin varr. Çapitet e rënduar por disi më e qetë për kompensimin që po ju bëhet vlerave të të shoqit pas vdekjes.
Në vitin 2003 fakulteti histori-filologji organizoi aktivitetin kushtuar figurës së Fatmir Agalliut me rastin e 5 vjetorit të vdekjes dhe 75 vjetorit të lindjes. Por Arta refuzoi të vinte. Refuzoi e revoltuar duke ju thënë se, “nuk kam nevojë të dëgjojë lëvdatat tuaja për Fatmirin. Fatmiri ka nevojë ti botohet vepra.”
Më 15 qershor 2007 Shoqata Mbarëkombëtare “Ismail Qemali” i akordon titullin “Nderi i shoqatës” me motivacionin; “Pedagog dhe shkencëtar i shquar i gjuhës shqipe.” Në po këtë datë, Shoqata Atdhetare Kulturore “Cakrani” i jep titullin “Nderi i shoqatës” me motivacionin, “Për kontributin e dhënë në morfologjinë e gjuhës së sotme shqipe, leksikologji, në letërsi, gjuhësi, metodikën e gjuhës shqipe dhe leximit letrar.” Në dhjetor të vitit 2008 nderohet me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Qarkut Fier me motivacionin “Për kontribut të shquar në fushën e gjuhësisë shqiptare.” Ndërsa më 12 tetor 2009 Universiteti i Tiranës organizon ceremoninë e dhënies së urdhërit “Mjeshtër i madh” akorduar nga Presidenti i Republikës me motivacionin: “Për kontribut të shquar në zhvillimin e arsimit kombëtar, për merita të veçanta në fushën e gjuhësisë e të publicistikës si dhe në përgatitjen e brezave të mësuesve dhe studiuesve të rinj”. Në këtë ceremoni fjalën e hapjes e mbajti Profesor dr. Rami Memushaj e cili e titullonte: “U vlerësua gjuhëtari të cilit i kishim mbetur borxh”.
“I vetëdijshëm për rolin që kishte luajtur në dy universitete, tha ai, Fatmir Agalliu e ndiente që ndihmesat e tij në fushën e mësimdhënies dhe të gjuhësisë nuk ishin vlerësuar. Duke punuar krahas profesorëve të shquar Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari etj., ai e konsolidoi formimin e vet shkencor dhe shpejt u bë një nga zërat më autoritarë të gjuhësisë shqiptare. Profesor Agalliu ka lënë një trashëgimi të pasur shkencore, që përfshin shtatë tekste mësimore për shkollën e lartë dhe 8-vjeçaren, tri monografi, mbi 40 artikuj e studime, përveç reçensioneve, kumtimeve në tubime shkencore e redaktimit të disa veprave, si dhe 78 shkrimeve publicistike të botuara në shtypin e përditshëm të viteve 1991–1998. Një veprimtari e vyer, por e shpërndarë andej-këndej nëpër revista e gazeta, sistemimi dhe botimi i së cilës nga Departamenti i Gjuhës Shqipe do të ishte një ndihmesë me vlerë të madhe për gjuhësinë shqiptare.
Si pedagog, Profesor Agalliu u dallua për punën e tij të palodhur dhe për qëndrimet ekzigjente e parimore, duke u bërë shembull për kolegët më të rinj dhe model për studentët e tij, që e çmonin për korrektesën, për pasionin me të cilin punonte, për çiltërinë dhe karakterin e fortë. Në vitet kur punoi ai, katedra e gjuhës ishte një nga më të dalluarat në Universitetin e Tiranës për prodhimtarinë shkencore dhe për cilësinë e lartë të formimit shkencor e profesional të studentëve. Edhe unë (R.M) pata fatin që për vite me radhë të bashkëpunoja ngushtë me të, qoftë për hartim tekstesh, qoftë për të marrë në provime dhe të shihja me sy se ai nuk pyeste për fëmijë kushërinjsh, miqsh a kolegësh. I vlerësonte me korrektesë njëlloj të gjithë, si ata që nuk kishin taraf, edhe ata që ndërhynin. Ky qëndrim në vlerësimin e studentëve qe për ne më të rinjtë e katedrës një shembull, por edhe një mbështetje për të mbajtur qëndrime korrekte. Me gjithë kritikat nga organizata-bazë e Partisë, komitetet e rinisë në fakultet dhe në universitet apo nga bashkimet profesionale, që e etiketonin si një nga pedagogët që “nuk shkrihej me studentët”, të cilët synonin ta kthenin në një pedagog liberal e dorëlëshuar, ai, thellësisht i vetëdijshëm se kjo do të ishte në dëm të cilësisë së formimit shkencor të studentëve, përdori deri në fund të njëjtin metër në vlerësimin e tyre. Akuzat se nuk ishte i shkrirë me studentët, ishin të pavërteta. Edhe pse një studiues i dhënë pas librave dhe kërkimit shkencor, profesor Agalliu mori pjesë aktive në jetën shoqërore. Ai qe pjesëmarrës i 8 aksioneve, duke punuar njëlloj si studentët edhe kur i kishte kaluar të dyzetat…. Të gjitha këto trajtime shpërfillëse, që kulmuan me nxjerrjen e tij para kohe në pension, ndërkohë që bashkëmoshatarët e tij e vijuan edhe për shumë vite punën, qenë shkaku i brengës së profesor Agalliut. Prandaj sot ndihemi disi të lehtësuar, pasi kemi shlyer, ndonëse me vonesë, një borxh ndaj veprës së profesorit të nderuar”.[8]
Këto çaste Arta i përjetoi me lotë në faqe e ngushëlluar për vendosjen në piedestalin të nderit të humbur të profesor Fatmirit. Por në thellësi të shpirtit të saj ajo ende nuk është e qetë, sepse Fatmiri iku pa ju bër asgjë e tillë me gjallje dhe se vepra e tij “dergjet” ende e pabotuar.
Viti 2010 solli përsëri nderime të tjera për profesor Fatmirin. Një rruge në veri të Tiranës ju vu emri i tij. Edhe në Fier po këtë vit me emrin e tij u emërtua një rrugë.
Ky është profesor Fatmir Agalliu, njeriu që la mbrapa një trashëgimi të pasur shkencore
njeriu i paepur në mbrojtjen e vlerave, njeriu i shembullit të lartë të moralit dhe karakterit të pamposhtur, njeriu që arriti të bëhej një “aga” i vërtetë i gjuhësisë shqiptare.
[1] Ana Agalliu, Në kujtim të bashkëshortit tim, Arkivi familjar, fq,1.
[2] Asqeri Llanaj, Vdekja nuk di të trokasë. Tiranë, “NERAIDA” 2007, fq. 100
[3] Fatmir Agalliu, Autobiografi, Tiranë, më 8/1/1992, fq.2.
[4] F. Agalliu, po aty, fq.3.
[5] Arthur Sçhopenhauer, këshilla për jetën, Tiranë, “IDEART”, 2003, fq.120.
[6] A. Schopenhauer, po aty, fq.126.
[7] Prof. dr. Rami Memushaj, “U vlerësua gjuhëtari të çilit i kishim mbetur borxh”, fjala e hapjes në çeremoninë e dhënies së titullit “Mjeshtër madh” Prof. F. Agalliut. Tiranë, 12/10/2009
[8] Prof. dr. Rami Memushaj, po aty.