E enjte, 14.11.2024, 11:18 PM (GMT)

Kulturë

Nexhmije Çerkezi: Ngjyrat që flasin mbi pikturat e Esat Vallës

E hene, 10.01.2011, 07:36 PM


Ngjyrat që flasin mbi pikturat e Esat Vallës

 

Nga Nexhmije Çerkezi

 

Ngjyrat e gjalla në pikturat e Esat Vallës, mbase janë ato që ngërthejnë dhe e gërryejnë autorin nga brenda , që kundrojnë e flasin ndoshta më shume se një figurë, apo element, që vjen nga presioni i së cilës shpërthen bota e brendshme e autorit, duke e personifikuar atë edhe më shumë. Natyra e butë prej shpirtit të krijuesit nuk e lejon autorin për t’u shkoqitur nga e kaluara, nga tmerret e luftës, ku autori si simbol ka marrë demin, në shumë piktura të tij.

 

Në njërën nga pikturat e tij të quajtur Dashi, ku shihet koka e dashit ose e demit prapa kërcitjeve të xhamave, që jo vetëm që e bëjnë të qartë rrëfimin, por edhe aty përmblidhen një tërësi refleksesh, vijash, formash, të cilat gërshetohen aq mirë, pleksen, pajtohen, apo edhe kundërshtohen sipas impulseve të përplasura në botën e autorit. Brenda kornizave të mendimeve të tij, autori e sendërton ngjarjen , i jep kuptim pikturës dhe mënyra e lojës me ngjyra e vija mbase e rrit ekskluzivitetin e rrëfimit, dramacitetin e ngjarjes dhe e shndërron atë në vepër kreative, që të ngjalle emocion, sidomos ai vështrimi i demit me aq mprehtësi që të bën aq përshtypje thuajse ta përcjellë ngjarjen drejtpërdrejt.

 

Ndërkaq, mbase e zbut ngjarjen ajo ngjyra e gjelbër, që autori e vë si theksim të valëzuar me vija, ku edhe i shton kreativitetin veprës dhe e bën disi më të gjallëruar.

 

Loja e demave vazhdon edhe në pikturën “Kurthi”, ku autori mbase disponon intensitetin e një force që synon pikësynimin e kurthit ku vërehen dy linja balancimi, ajo në tërësinë kuptimore dhe ajo poetike që i jep qasje kreative veprës.

 

Prapë ndeshim demin në pikturat “Thyerja e qetësisë”, “Shkëputja”, “ Sulmi i kokëboshëve, ”Zërat e brinjëve” , “Koka e kaltër”, “Fundi i demave”, pastaj “Demi i lënduar” , ku në këtë të fundit autori mbase paraqet tronditjet e kohës ku shohim trupin e stërmunduar nga dhimbja, ku vërehet qartë një shpërthim i ngjyrave që vijnë si vullkan nga shpirti trazues i autorit. Dhe në ato vija e ngjyra, mbetet dhimbja, përjetimi apo kujtimi për truallin, e shndërruar tash në rrëfim, me reflekse të realitetit të fiksuar në këtë përqasje mes të mirës e të keqes.

 

Tutje autori sendërton mistecitetin e tij artistik mbi interierin e odave dhe mindereve gjakovare. Kështu autori synon të paraqes thyerjen e këtij kompleksi ku një grua ose një figurë e heshtur mbyll perspektiven e shikimit, ku autori synon të njohë me një kërshëri aq të fuqishme për ngjyrat e botës së brendshme të femrës të asaj kohe, edhe pse autori mbase është ndalur me shumë tek bukuria magjepsëse e hasjaneve.

 

Në një nga pikturat e tij ”Hasjania me përfytyrim të Mona Lizës” autori bukurinë e

 

hasjanes, e krahason me vështrimin e Mona Lizës, një vështrim magjeps, që të bën për vete, të cilën autori e reflekton në pasqyrë. Ndërkaq brenda sfondit të gjerë të pikturës kemi për bazë veshjen e hasjanes nga prapa, një veshje e materializuar aq mirë, me lojën e ngjyrave dhe vijave, që aspiron ngërthimin e teksturave në pikturë, ku e fikson artistikisht tiparet tipike të një hasjane, me atë shallin e ndërtuar aq mire duke u gërshetuar, që nga forma e derdhur , tonaliteti i vijave e deri tek tekstura e valëzuar me një laramani vijash.

 

Një krahasim aq interesant të një figure të hasjanes, duke e fiksuar atë me Mona Lizën, ku mund te thuhet se zotëron mjeshtërinë e autorit, i cili këtë pasqyrim në iluzion e shndërron në realitet, vetëm me një qëllim duke u munduar që të vërë në pah të bukurën. Dhe këto nuanca, të kësaj bukurie të hasjanes, autori i ndjen, i përjeton aq shumë sa arrin të depërtojë në refleksin karakteristik të Mona Lizës duke synuar kështu të balancojë këto dy bukuri, duke i thjeshtësuar dhe ngritë njëkohësisht, që në fakt aq sa duket e pakapshme, aq edhe duket interesante, reale.

 

Pastaj piktura “Hasjania në dritare”, ku autori arrin të shkrijë ngjyrat në pikturë, duke vërë të kuqen si theksim, e cila edhe simbolizon veshjen e hasjanes. Këtë pikturë mund të thuhet se autori e ka ndarë në mes të dy bukurive , bukuria e hasjanes që është në sfond të dytë dhe bukuria e peizazhit (ajo e Hasit) të cilën autori e vë në mes të pikturës. Ndërmjet këtyre dy bukurive kornizat e dritares flasin diçka më shumë për figurën e mbyllur të hasjanes, duke synuar kështu që të akumulohet nga një botë e tërë ngjyrash, duke u liruar kështu nga vorbulla e komplekseve të asaj kohe.

 

Nga portreti, peizazhi, pastaj simbolet e detajuara si demi, dashi, shqiponja etj, të cilat i sendërtojnë pikturat e Esat Vallës, si duket autori secilën herë i përjeton ndryshe në pikturat e tij. Andaj do ta ndërlidhë me një thënie të Zhorzh Brakut. Kur e kanë pyetur Zhorzh Brakun (Georges Braque) në vitet e tij të vonshme për metodën e tij të pikturimit, ai kishte thënë: “Piktura është secilën herë përjetim”.

 

"Kur filloj punën në pëlhurën e bardhë, unë kurrë nuk e di se si do të përfundojë ajo. Ky është rrezik të cilin njeriu duhet ta marrë. Kurrë nuk e përfytyroj pikturën para se të filloj ta pikturoj”.

 

Autori pra na sjell një përvojë, nëpër të cilën rrugëton me sukses vite me radhë, ku lirisht mund të thuhet se Esat Valla radhitet përkrah krijuesve më të mirë të modernitetit artistik shqiptar.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora