| E diele, 09.01.2011, 04:38 PM |
Kryetari i Partisë Demokratike opozitare Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, parashikon se edhe gjatë këtij viti qeveria në Shkup nuk do të bëjë përparime në procesin e afrimit të vendit në integrimet euroatlantike. Arsye për këtë ai përmend refuzimin e gjetjes së zgjidhjes me Greqinë, për çështjen e emrit si dhe të kërkesave të shqiptarëve për barazi. Sipas tij, këto probleme mund të kapërcehen me atë që ai e quajti ndërrim i konceptit për shtetin dhe përkufizimin e Maqedonisë si shtet të maqedonasve dhe shqiptarëve.
Cilat do të jenë sfidat e Maqedonisë këtë vit?
Është çështja e jashtme e këtij shteti që tashmë është legalizuar dhe legjitimuar si problem esencial, proceset integruese drejt Unionit Evropian dhe NATO-s. Këtë vit Maqedonia mori vulën e vërtetë se tani e tutje procesi do të jetë i bllokuar. Nuk jam optimist për shkak se gatishmëria e qeverisë mungon që të jetë kooperative në lidhje me çështjen e emrit apo problemit që ka me Greqinë. Është çështja e dytë e brendshme e këtij eksperimenti të vetëm në Evropë, kinse të shtetit multietnik, eksperiment ky i cili si duket do dalë i pasuksesshëm. Vazhdohet që shqiptarët të trajtohen nën nivelin pakicave kombëtare, të shteteve të tjera që janë në Evropë, dhe ky problem i këtij moskohezioni të brendshëm mendoj se në mënyrë të drejtpërdrejtë shkon bashkë edhe me atë mungesën e përparimit drejt procesit integrues. Unë mendoj se këto janë dy çështjet më madhore për Maqedoninë, por fatkeqësisht nuk ka ndonjë gatishmëri, nuk vërej as ndonjë brengë tek qeveria e tanishme se këto janë dy procese themelore për të ardhmen e Maqedonisë.
A mendoni se qeveria në Shkup do t'ia dalë të gjejë një zgjidhje kompromisi me qëllim të përshpejtimit të integrimit euroatlantik të vendit?
Shenjat janë negative, domethënë alarmante. Nuk ka gatishmëri nga ana e qeverisë për shkak se ajo ose nuk do të kuptojë ose manipulon me një të vërtetë madhore në Maqedoni. Tentimi i qeverisë së Maqedonisë, kuptohet i atyre maqedonasve që drejtojnë atë, është që në shekullin XXI të instalojnë shtetin etnik të maqedonasve. Kjo vetëm në sipërfaqe apo si të them kajmaku i këtij problemi duket se është vetëm me Greqinë. Po të analizojmë pak më në thellësi, rezulton se problemi është pak më i rëndë. Maqedonasit vazhdojnë tendencën e tyre, herë pas here publike e herë pas here të fshehur, për ngritjen e shtetit të tyre etnik maqedonas. Nuk kam ndonjë shpresë se ky proces do të çohet përpara. Ata vazhdojnë të hedhin poshtë çdo marrëveshje paraprake politike me shqiptarët, qoftë ajo edhe marrëveshja e Ohrit, duke tentuar në mënyrë shumë banale, do të kisha thënë, që të ngritin shtetin e tyre etnik. Enciklopedia, detyrimi i shqiptarëve që të mësojnë maqedonishten dhe shumë çështje të tjera, flasin se ata nuk e kanë ndërmend që të punojnë për ngritjen e shtetit multietnik.
Jeni i pranishëm në skenën politike të Maqedonisë që prej 20 vitesh. Pse gjërat janë kështu në këtë vend?
Është kështu për shkak se problem është koncepti i shtetit. Fillimisht, koncepti i shtetit është vendosur në mënyrë të gabuar dhe fatkeqësisht as shqiptarët nuk arritën ta ndërrojnë këtë koncept të shtetit. Maqedonia duhet të ndërrojë konceptin e shtetit. Duhet të jetë shtet i dy popujve. Pavarësisht zgjidhjeve juridiko-kushtetuese që do të jenë, duhet të jetë shtet i dy popujve dhe besoni unë kam një bindje të plotë se ndërrimi i konceptit të shtetit do të lehtësojë edhe zgjidhjen e problemit në politikën e jashtme, në radhë të parë të problemit me Greqinë.
Mund të jetë ky vit një sfidë për partinë që ju drejtoni që të ktheheni në jetën parlamentare të Maqedonisë?
Do të jetë vështirë. Me plot përgjegjësi dhe seriozitet i pranoj të gjitha sugjerimet, edhe të bashkësisë ndërkombëtare, që të kthehemi në parlament. Do të jetë vështirë të na bindin për shkak se derisa nuk ka gatishmëri që të shqyrtohen dhe dëgjohen me seriozitet vërejtjet tona. Ne e shohim të panevojshme që të kthehemi në parlament, tek e fundit, kthimi është një çështje teknike.