E enjte, 26.12.2024, 09:52 PM (GMT)

Speciale

Sabile Keçmezi- Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim

E diele, 09.01.2011, 07:59 PM


PËRPJEKJET E GAZETËS  “PËRPJEKJA KOSOVARE” NË MËRGIM

 

Organi kryesor i Lidhjes Kosovare “Përpjekja Kosovare”, bënë përpjekje të shumta për të sensibilizuar situatën e rëndë politike ndaj shqiptarëve në Kosovë

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha

 

Gazeta “Përpjekja Kosovare” ishte organi kryesor i organizatës politike “Lidhja Kosovare”, që botohej në Paris të Francës. Numri i saj i parë u botua më 31 maj 1957. Në të, kryesisht trajtoheshin tema të ndryshme nga jeta e mërgimtarëve shqiptar, por që kryesisht vinin nga trojet e okupuara shqiptare që kishin ngelur nën okupimin e shtetit të Jugosllavisë. Edhe në vetë gazetën në shumë editoriale dhe në shumë fjalime të udhëheqësve të saj thuhej se qëllimi i botimit të kësaj gazete, ka qenë dhe ishte që në kancelarit evropiane e botërore të futej, të depërtojë dhe të sensibilizohej çështja e pazgjidhur shqiptare në përgjithësi dhe okupimi i Kosovës në veçanti.

            Numri i parë i gazetës doli më 1957, dhe kryesisht, të gjithë numrat që kam pasur rastin ti shfletojë, janë të shtypur në fletë A-4, dhe nuk bien në sy me ndonjë përgatitje të lartë teknike. Janë të shtypura në makina shkrimi dhe të shaptilografuara në shumë ekzemplar.

            Qysh në faqen e parë apo ballinë, bije në sy një hartë e Shqipërisë e copëtuar etnike dhe shqiponja dy krenare. Veç emërtimit “Përpjekja Kosovare” që është një simbolik e llojit të vet, në ballin shkruan edhe “Drejtimi” i saj, se ku botohej kjo gazetë: 85 Rue de la Solidariete Montreuil-sous- Bois Seine- France; 2525 Minesota Avenue, S.E., Washington 20, D.C., U.S. America; dhe Tarlabasi Caddesi 16, Taksim ISTAMBUL-TURQUIE.

            Nga këto të dhëna del se kjo gazetë është botuar në Francë dhe është shpërndar në SHBA dhe në Turqi. Ngase edhe Organizata Politike “Lidhja Kosovare”, kishte degët e veta gati në të gjithë globin, aty ku jetonin dhe vepronin mërgimtarët tanë që kishin ikur nga trojet shqiptare që kishin ngelur nën okupimin jugosllav.

           

Përmbajtja e numrit të parë ( I ) të gazetës “Përpjekja Kosovare”

           

            Numri i parë ( I ) i gazetës ka gjithsej gjashtë ( 6 ) faqe dhe qysh në fillim vëmendjen të tërheqin shkrimet e shkurtra që trajtojnë tema të ndryshme nga jeta e kosovarëve që jetojnë dhe veprojnë në mërgim. Si një lloj editoriali, gazetës i prinë shkrimi “Thirrje Kosovarëve”, që iu bëhet një  apel të gjithë atyre që të kenë kujdes dhe të jenë vigjilent për çdo ngjarje dhe për çdo dhunë që përdorët ndaj vëllezërve dhe familjarëve të tyre në Kosovë dhe në mënyrën më të shpejt të njoftohen dhe të ngritin zërin kundër padrejtësive të shumta që ndodhin në vendin e tyre prej nga vijnë.

            Shkrimet e kësaj gazete, sikurse në të gjitha gazetat ilegale që janë botuar gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, bie në sy se të gjitha shkrimet janë pa emër të autorit, por është edhe më e çuditshme se këto shkrime nuk kanë as pseudonime, që zakonisht gazetat që botoheshin në ilegalitet të thellë brenda vendit ato i kishin dhe herë-herë në disa gazeta të tjera shkruheshin vetëm nismëtoret e emrit e të mbiemrit.

 

            Thirrje Kosovarëve

           

Shkrimi i parë “Thirrje kosovarëve”, fillon: 

Kosovarë,

Ndjekjet dhe gjyqet që u banë në Kosovë vitin që kaloi, i rrëfyen edhe njëherë botës se në Jugosllavi gjendet gjysma e tokës dhe e popullit shqiptarë. Një popull që dallohet nga gjuha, zakonet dhe historia, nuk mund të shkrihen në kazanin e një kombi të huaj për shkak të traktateve  të padrejta, prandaj qon zërin për me kërkua drejtësi kundër përjetësimit të shtypjeve. Por, “Drejtësia” që i fali regjimi komunist Kosovës, u pa në sallën e gjyqeve të Prishtinës, të Shkupit dhe të Prizrenit, ku u dënuan si fajtorë pse ishin shqiptarë[1] thuhej në editorial.

Në vazhdim të shkrimit thuhej se këto dënime ishin shumë të rëndësishme ngase dëshmuan edhe njëherë  se regjimi komunist i Jugosllavisë dhe ai i Shqipërisë nuk janë kundër njëri tjetrit sa herë që vriten,  dënohen ose nxirren jashtë kosovaret nga trualli i tyre.

Artikullshkruesi dëshmon se mu kjo kohë na bënë të vetëdijshëm se ne si demokrat që jemi duhet të angazhohemi me mish e me shpirt për ti dal zot tokës së robëruar dhe vëllezërve tanë që bëjnë jetë prej robi në Jugosllavi.

Po ashtu mu në këtë kohë filluam të mendojmë se në qoftëse përpjekja për Kosovën  është detyrë e të gjithë shqiptarëve, kjo detyrë u përket së pari kosovarëve. Prandaj, filluam të kërkojmë njëri tjetrin në mërgim, të bashkohemi dhe ti vihemi punës për me u bë edhe na, më të organizuar detyrën tonë[2] thuhej më tej.

Suksesi dhe nderi që pat “Lidhja Kosovare” me u pranua si anëtare e “Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane”, është hapi më i rëndësishëm  që është bë deri më tani. Tani e mbrapa duhet ti bëjmë më të dendura përpjekjet tona me mbledhje, me shtyp, me gojë, në çdo rast duhet qua zërin e Kosovës Shqiptare.

Në shkrim jepen edhe qëllimet që janë paraparë të përfshihen në statutin e kësaj organizate:

1. Me i bashkua kosovaret në mërgim dhe me i rëndua përpjekjet e tyre duke pasur parasysh mbrojtjen e të drejtave të Kosovës.

2. Me i dhënë mbrojtje qëndresës  së grumbullit etnik shqiptar në Jugosllavi kundër shtypjeve të autoriteteve jugosllave, kështu që të mundin me e ruajt dhe me e mbrojt të drejtat fillestare duke shpresua në një ndryshim të fatit të tanishëm të tyre.

3. Me e lajmërua botën e lirë për padrejtësitë, shtypjet, dallimet që po pëson populli shqiptarë në Jugosllavi.

4. Me luftua për çlirimin e Kosovës, domethënë për zbatimin e vetëvendosjes së popujve  sipas frymës së Kartës së Atlantikut dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

5. Me luftua që Kombi Shqiptar, i liruam dhe i bashkuam, të gjejë pavarësinë  e tij nën një regjim  demokratik të zgjedhur lirisht dhe të bëhej faktor paqe në Ballkan në bashkëpunim të harmonishëm me shtetet fqinje.

Harta etnike e Lidhjes Kosovare

Dhe krejt në fund autori e mbyll shkrimin po me të njëjtën thirrje që e bënë edhe në fillim:

 

Kosovar,

Në një kohë kur qeveria e Beogradit fletë me aq guxim në favor të lirisë së popujve të kolonizuam  të Afrikës dhe të Azisë, kishte me qenë një dobësi për ne mos me e qua zërin e me i thënë pa frikë Evropës se Kosova nuk ka dashur dhe as nuk donë në asnjë mënyrë të jetë koloni  e Jugosllavisë. Duke kërkua të drejtat tona me këmbëngulje dhe pa u zmbrapsur para asnjë pengese, kemi arsye me shpresua që një ditë Kombi Shqiptar të bëhej një, i lirë dhe vet sundues. Ky shkrim mban firmën e Komiteti “Lidhja Kosovare”

 

Çështja e Kosovës prezantohet në Kongresin e 7-të të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane

 

Në faqet e gazetës, në numrin e parë, rëndësi e veçanti iu kushtua mbajtjes së Kongresit të shtatë të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane, dhe ndër qëllimet e para që i kishte para vetes  Lidhja Kosovare, ishte, që kjo organizatë politike të pranohej në radhët e saja. Ky kongres sipas të dhënave që na iu ofron kjo gazetë, thuhej se  u mbajt në qytetin Westerland të Gjermanisë Perëndimore, më 6- 8 qershor të këtij viti (1957). Në këtë kongres, njoftohej opinioni i gjerë se do të marri pjesë edhe një përfaqësues i Komitetit nga ”Lidhja Kosovare”, që në të njëjtën kohë do të paraqitet para të pranishmëve, dhe do të flasë për gjendjen dhe çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi.

Përfaqësuesi i “Lidhjes Kosovare”, që do të paraqes referatin kishte përgatitur një raport të gjithanshëm dhe me hollësi e të dhëna të dokumentuara do të vë në spikamë padrejtësitë e shqiptarëve  si edhe qëllimet që kishin pushtetarët serbë në Kosovë. Ky raport sipas Komitetit të Lidhjes Kosovare, nuk do ti paraqitet vetëm Kongresit, por do t’iu dërgohet edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuar, Këshillit të Lëvizjes  Evropiane, Qeverive të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës, si dhe shumë organizatave politike dhe instituteve shkencore dhe kulturore[3], në gjithë botën.

 

Trajtimi i popullsisë shqiptare në Jugosllavi

 

Komiteti i Lidhjes Kosovare, në faqet e organit të saj: “Përpjekja Kosovare”, bënë një analizë të popullsisë shqiptare në Jugosllavi duke dëshmuar se gjatë kohës së monarkisë serbe nuk kishte ndonjë statistikë të saktë. Shifrat e botuara  atëherë mezi kalonin gjysmë milioni për këtë popullatë.

Ndërsa, në regjistrimin e popullsisë që u bë në kohën e regjimit të Titos, më 1948, Kosova del me një popullsisë 750.000 shqiptarësh. Ndërsa nga ana tjetër pakica turke kishte vetëm 50.000 mijë veta.

Më 1953, një tjetër statistikë qeveritare rrëfente se mbas pesë vitesh 750.000 mijë shqiptar ishin shtua vetëm me 12.000 veta, kurse 50.000 turqit ishin shtua me 200.000 veta dhe numëronin mbi 250.000 veta.

Krahasuar këto dy regjistrime të popullsisë, statistikat janë alarmante, ngase numri i popullsisë në aspektin kombëtar ndryshon dukshëm në Jugosllavi: Duke e ditur se 50.000 turq nuk mund të shtohen  e të bëhen 250.000 për 5 vjet, është e çart se ky numër i popullsisë është shqiptarë të cilët ishin shtuar arbitrarisht në pakicë turke, e cila me shqiptarët  ka të përbashkët vetëm besimin dhe jo kombësinë.

Popullata shqiptare në Jugosllavi, pra i kalon një milion vet dhe, është pothuajse sa gjysma e Shqipërisë Etnike në përgjithësi. Asnjë komb  në Evropë nuk ka pasur fatin e keq të ndahet për gjysmë si u ndanë shqiptarët më 1913.[4] Vlen të përmendet se qysh më 1957, mërgata shqiptare kishte hetua rrezikun nga pushtetarët serb dhe kishte kuptua qysh me kohë dredhitë që iu bëheshin shqiptarëve për ti regjistruar sa më shumë turq e më vonë për ti shpërngulur nga trojet e veta.

 

Angazhimi i Këshillit Evropian për të drejtat e pakicave 

 

Duke i parë padrejtësitë e shumta që bëheshin ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe duke i pasur në tavolinat e kancelarive botërore ankesat e vazhdueshme nga mërgata shqiptare. Me 30 prill, 1957, Komisioni i Çështjeve Juridike  dhe Administrative  të Këshillit të Evropës, kishte vendosur që të caktoj një Nën komision të ngarkuar special për problemet e Pakicave Kombëtare Evropiane.

Si anëtarë të këtij nën komisioni ishin emëruar përfaqësues të Këshillit të Evropës si: Z. Henri Rolin (Belgjikë), Kryetar u caktua Z. Fr. Bennet (Angi), Z. Flanagan (Irland), Z. Hermann Kopf (Republika Federale Gjermane), Z. Hermond Lannung (Danimark), dhe Z. Lujo Tonçiç (Austri). Me kalimin e viteve, ky komision kishte luajtur një rol të madh për sensibilizimin dhe deri diku kishte ndikua dukshëm në situatën e rënduar në Jugosllavi ndaj pakicave në përgjithësi, por, ndaj asaj shqiptare në veçanti.

 

Shpërngulja e shqiptarëve për Turqi

 

Gazeta “Përpjekja Kosovare” në vitet 1956-1957 në faqet e saja rëndësi të madhe i kushtoi presionit dhe shpërnguljes së madhe të shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Më 1957, në një artikull kushtuar shpërnguljeve, në mes tjerash shkruan se: Ndjekjet e filluara qysh në vitin e kaluar (1956), në Kosovë kanë pas për qëllim  jo vetëm që ti shtypin ndjenjat e shqiptarëve  për liri, por edhe ta mërzisin aq shumë popullsinë shqiptare në Jugosllavi deri sa ta detyrojnë që ajo të lë vendin dhe tokën e vet dhe të ik e të emigroi në Turqi[5] dhe në vende tjera të botës.

Duke shtuar më tej, thuhej se “Ky emigrim, sipas lajmeve që kishte Komiteti i Lidhjes Kosovare, ishte bë i mundshëm sipas një marrëveshjeje me gojë në mes Qeverisë së Beogradit dhe të asaj të Ankarasë. Sipas kësaj marrëveshjeje, nënshtetasit jugosllavë të kombësisë turke kishin liri dhe përkrahje  për të emigruar në Turqi. Duke u nisur nga vet statistikat e qeverisë Jugosllave, më 1948 e nxirrte pakicën turke  jo më shumë se 50.000 mijë, më 1953 kjo shifër u rrit si për çudi dhe u numëronte mbi 250.000 mijë banor.

Nga këto të dhëna del se me një politikë perfide, Beogradi në radhët e turqve kishte futur edhe 200.000 mijë shqiptar, që i paraqiti si turq[6], dhe epilogu dihej se ajo ishte e interesuar në mënyrë institucionale ta zbrazte Kosovën dhe tokat tjera shqiptare nga popullata shqiptare. Dhe të dhënat e më vonshme thonë se për çdo ditë e më shumë shtohej popullata turke dhe zvogëlohej ajo shqiptare. Ajo që i shtynte shqiptarët që të deklaroheshin si turq ishte presioni i vazhdueshëm shtetëror që ushtrohej në mënyrë sistematike ndaj tyre, andaj ata ishin të detyruar që të merrnin rrugën e mërgimit për Turqi, të cilët ishin të detyruar të lënë vendin, tokën dhe tërë pasurin që kishin, vetëm e vetëm për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, vetë jetën.

Me këtë rast, “Lidhja Kosovare” duke e parë se po zbrazej Kosova, kishte marr disa nisma. Anëtarët e saj, nëpër mes miqve iu kishin shpjegua Qeverisë Turke çështjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Por edhe nga ana tjetër, kishin porositur kosovaret që mos të shpërngulën nga tokat e tyre, ngase në këtë mënyrë po iu lehtësohej Beogradit puna që të bënte pastrimin etnik të tokave shqiptare. Komiteti në mënyra të ndryshme porosiste bashkëkombësit e vet, që të qëndrojnë të pa përkulur në tokat e veta dhe të rezistojnë, se zbrazja e Kosovës në një mënyrë është vdekja e gjysmës së Shqipërisë[7] porosiste mërgata shqiptare.

 

Një shpallje e panjohur e Ministrisë së Punëve të Brendshme Turke për popullatën shqiptare

 

Në Kosovë, shumë pakë ka qenë e ditur se Ministria e Punëve të Brendshme Turke ka shpallur një njoftim  se ata nuk kanë qenë të informuar se të shpërngulurit që vinë nga Kosova, nuk janë turq. Pas informatave që marrin nga Komiteti i Lidhjes Kosovare, ministria informon opinionin se të gjithë ata persona që vijnë në Turqi, porse nuk dinë të flasin gjuhën turke, dhe nuk janë turq,  do të kthehen nga kanë ardhur. Dhe të gjithë ata që kanë dokumente false, do të kthehen në Jugosllavi[8]. Këtë informatë të rëndësishme, shtypi shqiptar në Kosovë dhe në Jugosllavi nuk e ka botuar dhe nuk e kanë dhënë as një agjenci për informim në Jugosllavi, porse Komiteti i Lidhjes Kosovare e ka pritë me gëzim dhe nëpër mes kanaleve të saja e vërteta ka depërtuar edhe në Kosovë.

 

Prezantimi i të dënuarve politik shqiptarë në Jugosllavi

 

Gjatë tërë kohës sa ishte Kosova e okupuar, Komiteti i Lidhjes Kosovare ishte i angazhuar që opinionin e gjerë botëror të njoftonte me padrejtësitë e shumta që iu bëhen shqiptarëve nga ana e Jugosllavisë. Në mesin e shumë informacioneve që i kishte grumbullua Komiteti në mesin e tyre ishte edhe ajo se të gjithë djemtë shqiptarë të dënuar politik  në gjykatat e Prishtinës, Shkupit e të Prizrenit, mbahen nëpër burgjet  më të rënda që ekzistojnë në Jugosllavi. Ato janë të errëta, kanë lagështi të madhe, të burgosurit ushqehen vetëm me pak bukë bajate dhe me ujë. Në këtë gjendje të mjerë që ndodhen, ata vazhdimisht torturohen, rrahën e përbuzën nga gardianet duke iu thënë: Ju doni ta ndani Kosovën nga Jugosllavia; Ju doni ta bëni Shqipërinë e Madhe; Ju doni ta kremtoni 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë Shqiptare, në vend që të kremtoni 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të Jugosllavisë; Ju kërkoni demokracinë shqiptare, në vend të komunizmit tonë[9] e shumë e shumë fjalë të tjera.

 

Shkollimi i shqiptarëve frikëson Beogradin

 

Duke e parë Beogradi se, nga kuadri arsimor dhe nëpër shkolla bëhej rezistenca më e madhe ndaj pushtuesve, ata kishin vendosur që nëpër shkolla të sjellin dhe të vendosin për drejtorë të tyre kuadër serb nga Beogradi e Serbia. Me të madhe kishte fillua një propagandë që fëmijët shqiptar, kishte qenë shumë më mirë të vazhdonin shkollat për zeje të ndryshme se sa të shkolloheshin e të vazhdonin shkollimin superior në fakultetet të ndryshme në vend.

Qeveria e Beogradit, shkruan “Përpjekja Kosovare” shihte me ankth se shpirti i lirisë që kishte fillua të shfaqej nëpër shkollat e Polonisë e të Hungarisë, kishte fillua që të hidhte shtat edhe në shkollat ku mësonin shqiptarët e që kishin vazhdimisht presion nga dominimi serb[10] e ajo nga kjo situatë që u manifestonte në këtë shtete u frikësonte tej mase.

 

Shtypi i diasporës lëvdon Komitetin”Lidhja Kosovare”

 

Shtypi shqiptarë që botohej nga mërgata shqiptare lëvdonte Komitetin e Lidhjes Kosovare. Gazeta “Dielli”, organ i kolonisë Shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gazeta “Besa”, organ i Shqiptarëve të Turqisë, si dhe gazeta “Flamuri”, organi i Ballit Kombëtar, kanë dhënë shumë fjalë të mira dhe lëvdata për Komitetin “Lidhja Kosovare” si dhe për sukseset e mëdha që pat duke u pranua unanimisht si anëtare në Organizatën ndërkombëtare të Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane[11].    

 

Armiqtë e shqiptarëve përkrahin Beogradin

 

Shpesh gjatë historisë ka ndodhur që armiqtë e një kombi përkrahin të tretin vetëm e vetëm për të qenë më të përbashkët në qëllimet e errëta ndaj një kombi tjetër. Kështu ndodhi edhe në mes serbëve dhe grekëve kur mendonin se shqiptarët i kishin armik të tyre të përbashkët.  Një fletore qesharake e quajtur “Vorioipirotikos Agon” ( Lufta Vorioepirote), që botohej e shpërndahej nga agjentët grekë të ushqyer dhe të mbajtur nga “Megalo idhea” dhe nga drahmit e Athinës dhe nuk pushon së kërkuari copëtimin e Shqipërisë, flet për fjalimet dhe deklaratat e bëra në Kongresin e Ballit Kombëtar, në Napoli, të 10 marsit, 1957, dhe zënë me gojë kërkesat tona për sa i përket Kosovës, tokë shqiptare dhe e banuar prej Shqiptarësh[12].

Organi i agjentëve  grekë është skandalizuar për kërkesat tona të ligjshme duke harrua se ata vetë nuk pushojnë së zbuluari kudo “pakica” greke dhe kërkojnë t’ia ngjisin “atdheut- nënë”.

 

 

Vazhdon informimin e denjë “Përpjekja Kosovare” nr. 3

 

Organi i Lidhjes Kosovare “Përpjekja Kosovare”, nr. 3, sikurse edhe numrat e mëparshëm të saj edhe më tej kishte vazhdua traditën për të informuar në mënyrën më të drejtë botën e qytetëruar për politikën e dhunës që përdorej nga pushteti ndaj popullatës shqiptare si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në tokat tjera shqiptare.

            “Përpjekja Kosovare” nr. 3, po ashtu ka të njëjtin format, A-4, sikurse që kishin numrat e mëparshëm të saja. Në këtë numër, vërehej vetëm një dallim, se kopertinat e numrit 3, kanë ngjyrën vjollce të mbylltë dhe vazhdon të trajton tema të ndryshme me karakter kombëtare. Sipas të dhënave që na ofrohen nga  organi i organizatës politike, thuhej se është i botuar në Paris, me 28.11. 1957, dhe ende llogaritet se është viti i parë i botimit .

            Po ashtu edhe ky numër fillon me një letër drejtuar të gjithë kosovarëve brenda e jashtë atdheut.

            Në shkrimin “Letër Kosovarëve”, po ashtu është pa emër të autorit, pa  pseudonim, por në të shkruhet: Kosovarë, sot mbushën plot 45 vjet që u ngrit në Vlorë, Flamuri i Shqipërisë. Në Kuvendin e popullit shqiptar që vendosi Lirinë e Pavarësinë e Kombit tonë. Murrën pjesë atë ditë edhe përfaqësuesit e Kosovës. E përfaqësoi Shqipërinë Etnike i biri i Abdyl Frashërit, punëtori i aftë i Atdheut, Midhat Frashëri, mori pjesë Rexhep Mitrovica, ngau me vullnetar Kosovarë Isa Boletini. Kosova nuk mund të rrinte larg Ditës së Flamurit, sepse qe ajo që në fillim të këtij shekulli, me kryengritjen e Mitrovicës, të Ferizajt, të Prishtinës, të Shkupit, bëni të ndihej në botë, me zë armësh e drejta e kombit shqiptar. Me sulmet e Bajram Currit e të Isa Boletinit u arri, më 1912 ke autonomia e pikave të Junikut, që kërkuan dhe shënuan njohjen e Kombit Shqiptar. Mirëpo fati i keq i Shqipërisë e deshi që bash Kosovës, e cila kishte derdhë gjakun ma të shumtë për liri të saj, t’i falesh nga Evropa, një vjet më vonë, fqinjit të veriut, pa pyet dëshirat tona, pa marr parasysh vullnetin tonë, pa shikua se me gjuhë e zakone e histori ishin pjesë e pandarë e Atdheut të humbur[13] thuhej në letrën drejtuar kosovarëve.

            Më vonë artikullshkruesi vazhdon: Kosovar, kanë kalua 44 vjet nga copëtimi i Kombit tonë edhe na ende jemi besnikët e Vendit tonë. Gjithnjë punojmë, gjithnjë luftojmë kundër padrejtësisë, gjithnjë shpresojmë për më të mirën.[14] Për të vazhduar se “po të mos ishte kështu, nuk do të derdhesh gjaku i Kosovës nëpër zagnat e lirisë shqiptare. Nuk do të dalshin dëshmorët e kohës sonë për me pohua shqiptarësinë e saj. Po të mos ishte kështu, gjyqi i Prishtinës, i Shkupit, i Prizrenit nuk do i dënonte në vitin e kaluar, djelmoshat guximtar të Kosovës pse kremtuan në robëri Ditën e Flamurit, pse ëndërruan lirinë si ushtarët e një atdheut. Se, kohën në të cilën po jetojmë na rrëfen gjithnjë se robëria nuk mund të përjetësohet mbi kryet e një populli të gjallë e të vendosur, se të drejtat fitohen me punë dhe me qëndresë. Për këtë ka dalë Komiteti “Lidhja Kosovare”. Për ti kujtua botës se kemi një Atdhe, një Flamur. Rroftë Shqipëria[15], dhe shkrimi mbante firmën e  Kryetarit të Komitetit “Lidhja Kosovare”, Dr. Nexhat Mitrovica.

 

            Kush ishte Dr. Nexhat Mitrovica?

           

            Dr. Nexhat Mitrovica kishte lindur më 15 shkurt, 1912, në qytetin e Mitrovicës dhe në vitin kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Nexhat Mitrovica përndryshe ishte djalë i atdhetarit të madh të Kosovës , Rexhep Mitrovica. Shkollimin fillor e kishte filluar në Mitrovicë, për ta vazhduar në Shkup e Tiranë e për ta përfunduar në Vjenë. Po ashtu në Vjenë e kishte fillua dhe përfunduar gjimnazin. Nexhat Mitrovica duke e parë se populli shqiptar kishte nevojë për intelektual, por jo do si do. Me ndihmën dhe ndikimin e babait të tij Rexhep Mitrovica, ai kishte vazhdua shkollimin superior në Midvajda të Gjermanisë, duke studiuar një vit të fakultetit në drejtimin e inxhinierisë (Technique en Saks). Për shkak se i ndërpresin bursën, qe i detyruar që të ndërpres shkollimin , që më vonë kalo në Paris, ku studioi në Fakultetin e Elektroteknikës në Institutin Politeknik të Grenoblit. Veç kësaj ai paralel studionte dhe e përfundoi edhe Fakultetin e Shkencave Politike në Paris. MË 1942, pas përfundimit të studimeve , u kthye në Shqipëri, ku qëndroi deri më 1944[16], ku po në këtë vit u largua përfundimisht për në Francë, për të mos u kthyer kurrë më në vendlindje. Nexhat Mitrovica gjatë tërë jetës pati vetëm një breng dhe një dëshirë shumë të madhe që ta shoh një ditë Kosovën e lirë dhe të pavarur, po ashtu kishte mall edhe babanë –Rexhep Mitrovicën i cili jetonte në Turqi. Në vitin 1949 duke e parë aktivitetin e madh atdhetar të Nexhat Mitrovicës,  anëtarët e Organizatës politike “Lidhja Kosovare”, atë e propozuan për kryetar të saj. Gjatë kësaj periudhe, sa ishte kryetar i organizatës, Nexhat Mitrovica zhvilloi një aktivitet të dendur në drejtim të çështjes kombëtare dhe kudo që mundi, pati mundësi dhe iu krijuan kushtet ai asnjëherë nuk heshti por me një dashuri të pashoq ndaj Kosovës dhe Shqipërisë ngriti zërin dhe sensibilizoi çështjen e saj. Asnjëherë nuk pushoi duke propaganduar në kancelarit perëndimore padrejtësitë e mëdha që i bëri pushteti jugosllav, shqiptarëve dhe tokave të tyre të okupuara padrejtësisht.

            Tani jeton në Paris, ka dy vajza dhe një djalë.

 

            Informim i denjë për çdo gjë në Kosovë

           

Në gazetën “Përpjekja Kosovare”, lexuesit njoftoheshin për çdo gjë, po them kështu, ngase lexuesi njoftohej për gjerat e rëndësishme që mund të vinin deri tek informatat e sakta, por që në të njëjtën kohë ishin edhe tejet të trishtuara.

            Në një faqe të gazetës, në shkrimin “Lirimi nga burg”, shkruhej për të burgosurit politik, anëtarët e “Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare”, të dënuar në Shkup më 1949, të cilët ishin lirua nga burgu me urdhër të autoriteteve maqedone. Porse të gjithë këta pas daljes nga burgu, kishin ngelur të pa punë dhe në vështirësi të mëdha përball jetës.[17]  Ky shkrim ishte i shkurtër por me shumë simbolik, ngase njoftoheshin organizatat ndërkombëtare, se shqiptaret edhe pse për veprën e kryer ndëshkoheshin me shumë vite burgu, megjithatë kjo për pushtetin jugosllav nuk mjaftonte, porse pas daljes nga burgu për të burgosurit politik shqiptar ndëshkimi vazhdonte edhe më i rreptë, por edhe më i rëndë. E vështirë ishte për ata të burgosur jashtë qelive të burgut ngase për ta nuk gjendej askund ndonjë vend pune, që ata bile për vete dhe për familjen e ngush të tyre të siguronin ekzistencën. E kjo në vendet e civilizuara nuk ndodhte kështu.

 

            Dalja nga burgu me kusht

 

            Ndodhte në të shumtën e rasteve që të burgosurve politik shqiptar, daljen nga burgu iu kushtëzonin me plotësimin e kushteve të ndryshme, që për të burgosurit politik shqiptar ishin të pa pranueshme. Shpesh më ka rënë të lexoja në dosjet e ndryshme të të burgosurve, se si organet e ndjekjes atyre personave iu bënin shantazhe, iu bënin presione duke përdorur dhunën në skajshmëri, por edhe duke iu vënë këso kushtesh siç shkruan edhe kjo gazetë.

            Në shkrimin “Lirimi me kusht”, ceket se “Autoritetet Jugosllave të Kosovës kanë lajmua të gjithë të dënuarit e vitit të kaluar nëpër qytetet e ndryshme se të gjithë ata nacionalist që do të kërkonin emigrimin për në Turqi, kanë me u lirua menjëherë nga burgu. Të rinjtë  shqiptar që ndodheshin në burgje anë e këndë Jugosllavisë, këtij kushti iu janë përgjigjur se pëlqejnë më shumë burgun se sa dheun e huaj sado mirëpritës[18] që janë, shkruan gazeta.

 

            “Vetëvrasjet” e shpeshta në burgjet e Jugosllavisë

  

Në gazetë shkruhet edhe për “vetëvrasjet”, që viteve të fundit filluan të manifestohen si dukuri në burgjet jugosllave. Vetëm se shtrohet pyetja athua vallë, sa vërtet këto vrasje mund të quheshin “vetëvrasje” siç i quanin pushtetarët apo ndodhte e kundërta. Në burgjet jugosllave dihej se deri në ditët e fundit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë është punuar në mënyrë institucionale me elaboratet e Vasa Çubrilloviqit. Sa më shumë shqiptar të vdekur aq më i madh do të jetë patriotizmi ndaj atdheut, thoshin pushtetarët serb. Siç dihej, shqiptaret e burgosur politikisht në burgjet jugosllave edhe pse si popull për nga numri ishim populli i tretë, në burgjet jugosllave ishin shumicë, dhe mu nga ky fakt dëshmohet se shumë nga ata nuk arrinin që deri në fund të mbanin burgun, disa i paraqitnin si të sëmurë rëndë dhe “vdisnin” nga disa s’mundje që kurrë nuk ishte dëgjuar për to. E disa nga ata i mbytnin me dajak ose i helmonin në burg e më vonë i shpallnin si të “vetëvrarë”, e populli liridashës me kohë e kishte kuptuar lojën e tyre, dhe nuk iu besonte broçkullave të tyre.

            Për një rast nga mesi i shumë rasteve të tilla shkruante dhe njoftonte opinionin e gjerë edhe gazeta “Përpjekja Kosovare” me shkrimin                  “Vetëvrasje dëshpërimi”. Autori në këtë shkrim shkruante për një toger, Rexhep Mitrovica, që kishte përkrahur “Lëvizjen Nacional-Çlirimtare”, ai kishte qenë thjesht një njeriu i mashtruar si shumë të tjerë nga propaganda serbe e jugosllave se do ti jepej liria  Kosovës, sipas parimeve  të Leninit, ai ishte i dëshpëruar dhe kishte vrarë veten në burgun e Tetovës. Në një letër të shkrua ai kishte rrëfyer gjithë deziluzionin e vet për regjimin komunist në Jugosllavi, duke thënë se i jepte fund jetës, për me e ndëshkua veten, se kishte përkrah një “Lëvizje“ që punoi kundër shqiptarëve,[19] shkruan në letrën e Rexhep Mitrovicës.

 

 Ikja e shqiptarëve nga Kosova për në Shqipëri

 

Shtypi i mërgatës në vazhdim i kushton rëndësi të madhe largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre. Veç që në vitet 1953/56, me që ishte e intensifikuar shpërngulja për Turqi, në vitet në vijim vërehej edhe një ikje nga shqiptarët e Kosovës e sidomos të zonave kufitare që arratiseshin edhe për Shqipëri.

“Të rrejtur nga fjalimi i Enver Hoxhës, Sekretarit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, i cili me vonesë dhe me interesa ruse, qoi zanin  para disa kohe për me e mbrojt Kosovën e kosovaret nga shtypja e regjimit  të Titos, disa të rinj janë arratisë nga Kosova dhe kanë hy në Shqipëri.

Në mesin e tyre të ikurve kishte kalua fshehurazi kufirin edhe një redaktor i gazetës në gjuhën shqipe “Flaka e vëllazërimit” që delte në Shkup. Ky kishte marr arratinë ashk me motrën dhe të vëllanë që të dy arsimtar[20], shkruan në shkrimin “Arratisje prej Kosove në Shqipëri”             

 

Të gjithë kundër shpërnguljes për Turqi

 

Gjatë viteve të egra nën pushtimin jugosllav dhe gjatë kohës së shpërnguljeve të mëdha për Turqi, atdhetaret e shumtë dhe intelektualët e pakt që ishin në atë kohë, ishin të organizuar dhe kishin marr hapa konkret që në një mënyrë apo tjetër të ndikonin që të ndalnin shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta. Armiku kishte intensifikuar në mënyrë të organizuar që tek popullata shqiptare të ndikonte në çdo mënyrë dhe të përdorte çfarëdo mjeti që sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga Kosova duke aplikuar metoda të ndryshme dhune e terrori. Jo rastësisht mu në këto vite u shpik aksioni i mbledhjes së armëve nga organet e sigurimit, pastaj u mbajtën shumë procese të montuara politike gjyqësore, dhe në fund u ripërtëri marrëveshja  për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.

Atdhetaret duke e parë se vendi po zbrazej nga popullata, ata morën shumë aksione për ta ndalua këtë lum të gjatë të ikjes. Gazeta “Përpjekja Kosovare”, shkruan në numrin 3, të saj se “Në çdo qytet e katund  të Kosovës janë ngarkua njerëz që të ndalojnë emigrimin e kosovarëve për në vende të tjera, duke iu dhënë zemër popullit me qëndrua  e me durua të gjitha vuajtjet dhe persekutimet”[21] shkruan gazeta.

 

Ndërpritet hovi i shpërnguljes

 

Pas alarmimit që bënë mërgata shqiptare në qarqet ndërkombëtare, dhe pas ankesës që bëhej nga ana e tyre në Ministrin e Punëve të Brendshme në Turqi, pushtetarët turk pas këtij reagimi, filluan të kenë më tepër kujdes se kush shpërngulej dhe kush shkonte në Turqi. Ajo me të madhe pas kësaj filloi të ketë kujdes ndaj shqiptarëve dhe paraqiti disa kushte për ata që donin që të shpërnguleshin. Dhe me kohë, filloi qeveria Turke që të zvogëloi numrin e dhënies së vizave për në Turqi. Gazeta “Përpjekja Kosovare “ në artikullin “Konsullata Turke në Jugosllavi nuk u jep viza Kosovarëve” shkruan se “ Në kohët e fundit, konsullata turke në Beograd e në Shkup, sipas udhëzimeve të qeverisë së tyre, nuk iu japin viza kosovarëve edhe kur paraqiten me formalitete të kryera. Tash konsullatat bëjnë vet hetimet, u kërkojnë dokumentet e vjetra të tyre, i provojnë nëse e dinë gjuhën turqishte, e të tjera. Ata që ishin përgatit që të niseshin kanë fillua të thonë se po i gjen belaja e vitit 1936. Atëherë disa kishin shitë pasurinë e tyre në Kosovë, por në vend që të shkonin në Turqi, ngelën në vend, mbasi Ataturku largpamës, e prishi marrëveshjen Stojadinoviq-Aras. Edhe autoritetet jugosllave  nuk janë duke i ndihmua e shty më Kosovaret për me ndërrua kombësinë. Kanë kuptuar ata se edhe kosovaret nuk janë të interesuar me u largua nga toka e trashëguar[22] shkruan në tekstin e gazetës.

 

Intervistë me prapavijë të rëndë politike

 

Në faqet e gazetës mund të ndodhte që të gjenden edhe komentimet e intervistave të ndryshme që jepnin udhëheqësit komunist shqiptar. Në mesin e shumë intervistave ishte edhe biseda që kishte bë Mehmet Shehu, në gazetën “New York Times”, në Njujork.

Gazeta shkruan se “Ka bë një përshtypje të keqe në të gjithë kosovaret intervista që i dha  më 28 të gushtit 1957, në Tiranë, kryeministri Mehmet Shehu, korrespodentit të “New York Times’, përsa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Kjo pjesë u vu në dukje në gazetat që botohen në gjuhën shqipe  në Shkup e në Prishtinë. Mehmet Shehu deklaroi se marrëdhëniet me Jugosllavinë janë çështje të një familjeje socialiste, e cila mosmarrëveshjet i zgjidhë brenda gjirit familjar[23]”, thotë Mehmet Shehu.

 

Mërgimtarët kosovarë dhe aktiviteti i tyre

 

Mërgimtarët shqiptar e veçanërisht ata që ishin me prejardhje nga Kosova, edhe pse ishin larg tokave të tyre assesi të harronin se nga vinin. Andaj ata ishin të vetëdijshëm se familja , të afërmit dhe vet tokat shqiptare po vuanin si askush në botë nën dhunën serbe. Për të ndihmuar dhe për të përkrahur vëllezërit e tyre të ngelur në Kosovë, ata kishin marr dhe kryer shumë aktivitete që propagandonin situatën tepër të rëndë, tek personalitetet dhe organizatat e fuqishme e me ndikim në botë. Nënkomiteti i “Lidhjes Kosovare” që vepronte në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, iu kishte drejtua një letër z. Senatorëve Paul H. Douglas dhe Everett M. Dirksen, duke ua theksuar gjendjen e popullit shqiptarë në Jugosllavi. Në vazhdim po japim disa pjesë të saja: “ Vendasit shqiptarë të Ilinoisit, shfaqin mospëlqimin e tyre për ndihmën ushtarake dhënë regjimit jugosllav si dhe për vizitën që ka ndërmend ta bëjë Tito në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe daljen e tij në televizor. Dëshirojmë t’iu shpjegojmë  se ka mbi 1.300.000  shqiptarë që rrojnë nën regjimin komunist në krahinën e Kosovës. Kësaj popullsie  nuk i kanë dhënë asnjë të drejtë vetëmbrojtjeje si grup kombëtar dhe si njerëz. Që prej nëntorit 1944 e deri në maj 1945 regjimi i Titos ka vra ma se 45.000 mijë shqiptar dhe ka djegë qytete e katunde të tëra duke masakruar gra e fëmijë të pafajshëm. Në maj 1945 komunistet jugosllav morën me mija të rinj shqiptar dhe i detyruan  që të shkonin në Serbi e Mal të Zi. Më se 35.000 nga këta të rinj, nuk u kthyen  në shtëpitë e veta. Nga këta, 3.500 u vranë me mitraloz në Mal të Zi, dhe 2.000 të tjerë u mbytën me gaz helmues. Ky terror ende vazhdon në Kosovë. Më 1956 me mija njerëz u rrahën me dru, u burgosën e u mbyllën në kampe përqendrimi. Torturuan njerëzit dhe mbyllën shkollat e pakta”[24] shkruan në vazhdim mërgata kosovare.

     Rëndësi e veçantë në letër iu kushtohet organizimeve të proceseve gjyqësore gjithandej ku jetojnë shqiptaret. Veçantë flitet për proceset politike gjyqësore që mbahen në Prishtinë, në Shkup, në Prizren që ishin organizua në vitin e kaluar ndaj shqiptarëve. Të gjithë këta u dënuan me vite marramendëse burgu të rëndë vetëm e vetëm gjëja se kishin marr pjesë dhe kishin qenë anëtar të një organizate ilegale që kishte veprua në trojet shqiptare të okupuara, me qëllimin e vetëm që ti mbronin popullin nga shtypja jugosllave. Më se 36 shqiptarëve iu kishin shqiptua dënimet në këto gjykatore të okupuesit. Veç që dënoheshin me vite burgu, ata kishin edhe metoda të tjera dhune shtesë, si mos lejimin në vendet e punës, pengimin në shkollimin e mëtejshëm, ndalimin e mësimit në gjuhën shqipe, ndalimin e përdorimit të flamurit në festa kombëtare, shtetërore e familjare etj.

 Në letër thuhej edhe kjo se  qëllimi i politikës jugosllave, jo vetëm i kësaj të tanishmes por edhe të asaj së kaluarës, kundër popullit shqiptar të Kosovës është një politikë kolonizuese dhe shfarosëse pa asnjë kujdes për të drejtat e njeriut ose marrëveshjet ndërkombëtare  që i caktojnë statutin e pakicave etnike.[25] Thuhej në shkrimin “Aktiviteti i Kosovarëve në mërgim”.

 

Shtypi i huaj përkrah kosovaret

 

Shtypi i huaj veç problemeve që trajton e që ishin aktuale për kohën, shpesh në faqet e tyre mundë të gjeje edhe shkrime që përkrahnin çështjen e pazgjidhur shqiptare në ish-Jugosllavi. Gjatë leximit të gazetës së mërgimtarëve tanë “Përpjekja Kosovare” në shumë faqe të saja kam hasur shkrimet dhe komentet që ishin të huazuar nga gazetat e popujve të tjerë që jetonin dhe vepronin në mërgim e që ishin me origjinë nga Jugosllavia e formuar artificialisht.

Në këtë drejtim duhet cekur shkrimet e gazetës të mërgimtarëve kroat  “Danica” që shkruan në superalativë për angazhimin dhe punën e madhe që bëjnë mërgimtarët shqiptar. E aq më tepër duhet cekur se kjo gazetë çmon lartë punën e shqiptarëve dhe iu jep të drejt dhe i përkrah në qëllimet e tyre.

Në mes tjerash gazeta “Danica” gazetë e mërgimtarëve kroat, që botohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 7 gusht 1957, botoi edhe këtë shkrim: “Komiteti Shqiptar “Lidhja Kosovare”, që përfaqëson Shqiptarët e Fushë Kosovës, ka filluar të botoi në Parisë buletinin e tij “Përpjekja Kosovare”. Në numrin e saj të parë, buletini lajmon se “Lidhja Kosovare”, është pranua si anëtare e “Bashkimit Federalist të Pakicave Etnike Evropiane”. Komiteti ka këto synime :

1. Me i bashkua Kosovaret në mërgim dhe me i rendua përpjekjet e tyre për mbrojtje të Kosovës;

2. Me i dhanë zemër  qëndresës së grumbulluar etnike shqiptare në Jugosllavi kundër shtypjeve ;

3. Me lajmua botën e lirë për padrejtësitë  dhe shtypjen që bahet pakicës shqiptare në Jugosllavi;

4. Me luftua  për çlirimin e Kosovës;

5. Me luftua që kombi shqiptar, i lirues dhe i bashkuam të gjejë pavarësinë e tij në një regjim demokratik dhe të jetë faktor paqe në Ballkan.

Simpatia e të gjithë kroatëve  është në anën e shqiptarëve të lirë dhe demokratë. Prandaj ne do të ndihmojmë që krahinat shqiptare në Jugosllavi të çlirohen në bazë të vetëvendosjes së popujve  dhe të bashkohen në një Shqipëri të lirë dhe demokratike, e cila është aleati i ynë i natyrshëm në luftën tonë kundër imperializmit dhe idesë mendjemadhe serbe,[26] përfundon gazeta kroate “Danica”.         

 

Përkujtim heronjve të kombit

 

            Në faqet e veta “ Përpjekja Kosovare”,

njofton lexuesit e vet se me një pietet të lart ajo nderoi dhe nuk i harroi heronjtë e kombit të vet. Me 6 të vjeshtës së Dytë Kosovare, në NewYork, kishin  shkua tek varri i Midhat Frashërit, bashkë

Mithat Frashëri

me grupe të tjera shqiptare, për me përkujtua shqiptarin e madh.

           

 

 Në emër të Komitetit “Lidhja Kosovare”, kishin vu një kurorë me lule me këtë mbishkrim : Lumo Skendos- Atit të Shqipënis së Vërtetë”[27], Lidhja Kosovare.

 

Vazhdon me traditën e informimit edhe nr. 6, i “Përpjekjes Kosovare”

 

            Sikurse edhe numrat e parë të gazetës “Përpjekja Kosovare” edhe ky numër 6 (gjashtë), vazhdon të botohet në formatin A-4, me kopertina me ngjyra, dhe në 6 faqe tekst. Ky numër është i botuar me 25 shkurt, 1959, në Paris. Sipas të dhënave është viti i tretë i botimit.

 

Proteston mërgata shqiptare

 

            Faqes së parë i paraprin shkrimi “Arrestime të reja në Kosovë”, po ashtu sikurse edhe shkrimet tjera nuk kanë emër të autorit dhe as iniciale. Në vazhdim Lidhja Kosovare shkruan se :”Sipas lajmeve që kemi, me 25 të Nëntorit të kaluar policia Jugosllave ka arrestuar nja 80 veta në Kosovën e robëruar nga Jugosllavia. Arsyeja e kësaj vale së re arrestimesh është se autoritetet komuniste të Beligradit i kishte zënë frika se do të bëhej një demonstratë e madhe në të tanë Kosovën, me rastin e Ditës së Flamurit, më 28 Nëntor.[28] Thuhet në organin informativ të Lidhjes Kosovare.

            Sipas gazetës thuhej se qendra e këtij organizimi të ri kundër pushtimit të huaj mbahej në Ferizaj, ku autoritetet jugosllave, me gjithë se nuk kanë dhënë asnjë komunikatë, pretendojnë se kanë gjet arsenale armësh: 20 mitraloza të rënda dhe shumë pushkë. Dhe të arrestuar të shumta kryesisht ishin nga Ferizaj, nga Gjilani, nga Prizreni dhe nga Prishtina.

            Sipas të dhënave, thuhej se kryesisht të arrestuarit ishin intelektual si: arsimtar, student, por në mesin e tyre kishte edhe anëtar të partisë komuniste e këshilltar komunash. Të arrestuarit kryesor në këtë periudhë ishin : Metush Krasniqi[29], Mark Gashi[30], Nihat Maksuti[31], Qemal Kallaba[32], Xhemal Shaqiri[33], Sylë Dajkofci[34] etj.

            Gjykatat e Qarqeve ku ishin arrestuar të akuzuarit, akuzoheshin nga organet përkatëse  se gjoja kanë qenë në lidhje me autoritetet komuniste të Shqipërisë për të organizuar një kryengritje në Kosovë. Ndërsa, gazeta thoshte se : “ tërë bota e di se faji më i madh i një milion kosovarëve është se kanë guxim t’i thonë vetes shqiptar, të kërkojnë flamurin e tyre dhe t’i dalin zot gjuhës, traditave  dhe të drejtave të tyre, si grup etnik”[35] njoftonte gazeta.

            Lidhja Kosovare nëpër mes organit të saj të informimit “Përpjekja Kosovare”, shpreh revoltën dhe informon opinionin e gjerë botëror se ajo me anëtarët e vet që veprojnë në mërgim, si edhe të gjithë shqiptarët, janë zemëruar shumë për këto masa  shtypëse  të qeverisë së Jugosllavisë kundër pakicës shqiptare në Jugosllavi. Mbase persekutimeve të tmerrshme edhe proceseve gjyqësore që u mbajtën dy vite më parë, tash po përsëritet po ajo punë, po zbulohen gjoja armë dhe po bëhet kryengritje”.[36]

            Në vazhdim thuhej se “Ne po protestojmë kundër këtyre metodave shtypëse dhe u bëjmë thirrje  të gjithë shqiptarëve që ndodhen në botën e lirë, me e ngritur zërin për me i mbrojt vëllezërit e tyre në Kosovën e robëruar[37]” reagon Lidhja Kosovare.

 

            Amnistitë që nuk i fitojnë shqiptarët

 

            Zakonisht ndodhte që para festave shtetërore jugosllave, pushtetarët të bënin amnisti ndaj të burgosurve. Një amnisti të tillë, pushteti i Beogradit e kishte aplikua në prag të festës së 29 nëntorit, festë kombëtare e Jugosllavisë. Edhe pse amnistia vlente për të gjithë, pa dallim kombi apo gjinie, sipas gazetës “Përpjekja Kosovare”, në mesin e të amnistuarve nuk ndodheshin intelektualët shqiptar, të cilët ishin burgosur e arrestuar sepse kishin kundërshtuar hapjen e shkollave në gjuhën turke për nxënësit shqiptar, e disa nga ata ishin dënuar se kishin festuar ditën e flamurit[38], festën më të madhe shqiptare, duke shpalosur flamujt kombëtar. Edhe një “margaritar” i pushtetit serb që haptas ishte futur në sistem.

            Në gazetë, lexuesi mundet me has edhe në informata të shkurtra por që kanë një peshë të madhe, ngase në mënyrë të shkurtër informohet lexuesi për padrejtësitë e shumta që bëhen ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi.

Një informatë e tillë vlen të cekët edhe ajo e shkrimit “Përvjetori i shkollës tetëvjeçare të Gjakovës”, ku thuhej se : ”Me 2 të dhjetorit të kaluam u kremtua përvjetori  i Shkollës tetëvjeçare të Gjakovës. Gjakova, qendra e lëvizjeve kombëtare që dy vite  më parë kishte organizua demonstratat nëpër rrugët e qytetit për “Liri e Shqipëri”, është dënua duke e bërë ndërrimin e emrit të shkollës nga emri i një shqiptari në emër të një luftëtari të Luftës së Dytë Botërore: “Voja Vllakçeviç”, edhe pse në këtë qytet popullata kryesisht, 100%  është shqiptare[39], thuhej në shkrim.

 

            Investimet false në Kosovë

           

            Shpesh ndodhte në Jugosllavi dhe politika e saj false, të përhapte lajmin se shteti jugosllav do të investoj në Kosovë aq e aq para. Por shpesh ato të dhëna  të premtuara u harronin dhe Kosova e pranuan o se pranuan pushtetarët, ngeli pjesa më e pa zhvilluar e Jugosllavisë. Në Kosovë investohej aq sa okupuesit i nevojitej sa për të shfrytëzuar resurset e pasura natyrore të saja, dhe ato që të gjitha përfundonin të përpunuara në tregun e brendshëm e të jashtëm Jugosllav.

            Mërgata shqiptare e kishte kuptuar me kohë lojën që po bënte politika shkombëtarizuese e Beogradit, andaj edhe bënte sarkazëm me fjalët që i kishte përhap Beogradi se gjoja ajo do të investojë në Kosovë mbi 80 miliard dinar për me industrializua Kosovën[40] dhe shkruante më tej se ende nuk dihej mirë se ky lajm i hapur është i vërtet apo është vetëm sa për propagandë.[41] E këso lajmesh në shtypin e Beogradit gati-gati ishin të përditshme, po kush besonte në shkrimet e tyre.

 

            Shpërngulja e shqiptarëve për Turqi

           

            Në gazetën “Përpjekja Kosovare”, në vitet e 1953-1960, me të madhe gjenden shkrimet që i kushtojnë rëndësi shpërnguljes së madhe të shqiptarëve për Turqi. Edhe ky numër i gazetës ( nr. 6), në faqet e saja ka bërë një përmbledhje të gjerë për shpërnguljet e familjeve shqiptare për Turqi.

            Në shkrimin “ Emigrimi për në Turqi”,  gazeta shkruan se në muajt e fundit dukshëm vërehet një ngadalësim i shpërnguljeve të shqiptarëve për në Turqi. Sipas shtypit të Jugosllavisë thuhej se vetë autoritetet kanë fillua vetë mos me lejua shpërnguljen e tyre, ngase bota ka reaguar ashpër për këtë dukuri si brenda edhe jashtë saj, dhe me kohë kanë filluar reagimet nga jashtë.

            Por, për të arritur qëllimin e vet shkombëtarizues, pushteti ka ndërmarr masa të tjera për t’ia arritur qëllimit. Megjithatë edhe pse kanë reaguar forcat ndërkombëtare, qëllimi i jugosllavëve ishte që shqiptaret në një farë mënyre t’i quanin Turq.

            Gazeta në faqet e saja sjellë edhe lajme të cilat janë të argumentuara në mënyrën më të mirë, siç është rasti i Tetovës. Në Tetovë me të madhe shtrëngohen prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla turke duke iu kërcënua se nuk kanë me i punësua.

            Në katundin e Tearrcës , fshat me mbi 500 shtëpi, nga shkaku i 20 familjeve  të turqizuara të mbetura nga bazat e vjetra të ushtrisë otomane, i tanë fshati i quanin si kombësi turke dhe si të tillë e kanë futur në planin e ministrisë për ta emigruar në Turqi.[42]

             E njëjta gjë thuhej se i ka ndodhur edhe fshatit të Çiflikut, prej 100 shtëpish, në të cilin fshat nuk ka asnjë turk. Edhe fshatin e Miletinës prej 150 shtëpish krejt shqiptare, e quajnë turk dhe e kanë futur në planin e emigrimit për në Turqi.[43]

            Fshati Zhelinë, në rrethin e Tetovës, me 300 shtëpi i banuar me shqiptarë, edhe ky fshat quhej turk nga autoritetet maqedonase, sepse një lagje e vogël “Çajan” përbëhet nga familjet e sejmenëve të bejlerëve turq të kohëve të shkuara dhe nuk dinë shqip[44].

            Vrapishti, një fshat i komunës së Gostivarit, me afër 500 shtëpi shqiptare, edhe ky quhej si fshat i populluar me turq, dhe është paraparë nga autoritete që të shpërngulej për Turqi. Se edhe këtu, sikurse në fshatrat e përmendura më herët, ka ndoshta dhjeta veta që flasin gjuhen turke.

            Për këtë dukuri dhe për këtë shkombëtarizim të hapët që ushtron pushteti jugosllav, Lidhja Kosovare protestonte haptas duke e ngritur zërin lart dhe duke njoftuar opinionin e gjerë për padrejtësitë e shumta me të cilat bëhej presion tek popullata shqiptare në trojet e tyre etnike në Jugosllavi.

 

            Reagimi i Beogradit ndaj Ballit Kombëtar

           

            Pushtetarët e Beogradit duke e parë aktivitetin e madh të organizatës politike “Lidhja Kosovare”, dhe duke e parë se reagimet që i bënte ajo për padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit shqiptar nga pushteti okupues dhe duke e vërejtur se të gjitha reagimet që i bënte kjo organizatë ishin me ndikim në politikën ndërkombëtare, ajo në radion e Beogradit kishte ndërmarrë një fushat për të deklasuar dhe denoncuar haptas një politik të tillë duke thënë se Balli Kombëtar po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë.

             Në shkrimin “Radio Beogradi padit “Ballin Kombëtar” se gjëja se po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë”, thuhej se “Me 3 dhjetor të vitit të kaluar, Radio e Beogradit ka sulmua Ballin Kombëtar”, i cili interesohej me të drejtë për Kosovën dhe shqiptarët, ajo i quan të gjitha këto se ai po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë.

            Nga ana tjetër Mareshali Tito, në një fjalim që kishte mbajtur, ka thënë se shtypi shqiptar në emigracion ka botuar deri më sot mbi 170 shkrime mbi Kosovën duke dashur me vërtetua  se kosovarët iu janë mohua të drejtat më elementare. Kurse sipas udhëheqësit jugosllav, pakica shqiptare në Jugosllavi i paska të gjitha  të drejtat dhe paska shkolla në gjuhën shqipe, të cilat shkolla nuk i ka pas në kohën e regjimit monarkist[45] e të tjera.

            Të gjitha këto fjalë që i kishte thënë Tito-ja, me gjasë askujt nuk ia mbushin mendjen, ngase shkrimet e mëparshme që i kishte botua gazeta “Përpjekja Kosovare”, dëshmonin të kundërtën dhe gënjeshtrat nuk krahasoheshin me argumente të verifikuara mirë siç ishin botua për fshatrat shqiptare të Maqedonisë.

            Artikullshkruesi thoshte se :” ne duam që shqiptarët e Jugosllavisë të kenë po ato të drejta që i gëzojnë kombësitë e tjera atje. Por këtë duhet me na provua  me fakte dhe jo me fjalë. Duhet që të lëshojnë nga burgu të gjithë të burgosurit politik, të mos bëjnë më presione  mbi fshatrat shqiptare për t’u deklaruar turq, të mos iu bëjnë presione ekonomike dhe të tjera  popullsisë dhe ta lënë krejt të lirë dhe të plotë arsimimin e mësimin në gjuhën shqipe. Vetëm atëherë mund të themi se fjalët e Mareshalit Tito kanë njëfarë vlere.[46]

            Ndërsa sa i përket reagimit ndaj “Ballit Kombëtar”, nuk mund të thuhej se po përzihej në punët e brendshme të Jugosllavisë, sepse Balli Kombëtar nuk po bënë tjetër gjë veçse po e ngrit zërin e vet për me u dal zot të drejtave të ligjshme të pakicës sonë në Jugosllavi, të drejta që janë caktua nga Karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut edhe nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare[47], thuhej në shkrimin e gazetës “Përpjekja Kosovare”.

           

Shtypi i mërgatës kroate shkruan për Kosovën

 

Sikur që e kemi cekur më herët, shtypi i mërgatës kroate çështjes dhe problemeve të shqiptarëve që jetonin të okupuar nën Jugosllavi vazhdimisht i kushtonte rëndësi në faqet e saja. Kështu kishte ndodhur edhe më 1958, në numrin 10-11, të gazetës “Danica”, që botohej në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo botonte intervistën e kryetarit të Lidhjes Kosovare, të Dr. Nexhat Mitrovicës, që më parë e kishte botua gazeta “Besa” që u botonte nga mërgata shqiptare e Stambollit, në gushtin e vitit të kaluar (1958).

Pasi që botonte intervistën, gazeta “Danica”, shtonte edhe këtë: “Deklaratës së Z. Mitrovicës dëshirojmë t’i shtojmë se edhe populli kroat e ndjek me simpati luftën e shqiptarëve të Kosovës për një vetëvendosje, edhe do të gëzohej kur këto krahina, të cilat janë pa dyshim shqiptare, do ti bashkohen një shteti Shqiptar, të lirë, demokratik dhe antikomunist”.[48] Thuhej në gazetën “Danica”.

 

Radio Londra i kushton vëmendje të madhe Ditës së Flamurit shqiptarë

 

Gazeta “Përpjekja Kosovare” në dy faqe tekst jep të dhëna se si Radio Londra i kushton rëndësi të madhe ditës kombëtare të ngritjes së flamurit shqiptar. Gazeta nuk e jep në tersi fjalën e lexuar në emision të Radio-Londrës, por pjesë-pjesë e boton edhe fjalën që u dha për Kosovën dhe popullin e robëruar të saj.

Ajo fillon duke treguar gjendjen e rëndë të kosovarëve që jetojnë të robëruar dhe historikun që e solli Kosovën në kthetrat e ish-Jugosllavisë, se:“Sot na shqiptarët në mërgim festojmë përvjetorin e 46-të të Ditës së Flamurit. Nesër, ju në Shqipërinë e robëruar do të shtrëngoheni përsëri me marrë pjesë në demonstrata për nderë të 29 nëntorit... Si e dimë të gjithë , 29 nëntori është dita e shpalljes  së republikës Jugosllave. Sa për pretendimin e Tiranës se kjo është edhe dita , kur ushtari i fundit gjerman u largua  nga toka shqiptare, nuk ka asnjë provë dhe nuk ka asnjë fakt. Është vështirë me e marrë me mend se çka e shtyri ushtarin e fundit gjerman të largohej nga Shqipëria bash atë ditë kur Mareshali Tito kishte bërë planin me proklamua republikën e tij. Por, nga kjo del edhe shpjegimi fare i thjesht  se Shqipëria ishte caktua nga Stalini të bëhej, me kohë, republika e shtatë e Jugosllavisë federative. Për të arrit këtë qëllim, ishte nevoja  me farkua jo vetëm lidhjet vitale ekonomike, ushtarake e politike, si lidhja doganore, lidhja e valutave, standardizimi i forcave ushtarake dhe koordinimi i planeve  ekonomike, por edhe disa lidhje historike, të cilat do të sheshonin rrugën për bashkimin e dy shteteve. Kjo është origjina, kuptimi dhe qëllimi i ditës së 29 Nëntorit, 1944, të cilën udhëheqësit e Tiranës po e reklamojnë edhe një herë si ditë çlirimi. Për Mareshalin Tito ky ishte një kurth shumë tinëzar.  Për Hoxhën dhe Shehun servilitet dhe tradhti. Prandaj ata kanë nevojë kohë më kohë të fshehin fytyrën e tyre të shëmtuar prapa patriotizmit, si e bënë vitin e kaluar dhe si mund ta bëjnë edhe në të ardhmen[49], komenton Radio Londra.

Më vonë vazhdon Radio-Londra, shton se :”Në rrethanat e tanishme, kur Shqipëria është bërë pararojë e fushatës antijugosllave, një ngjarje historike e tillë ka rreziqet e saja. Prandaj, për  t’i pakua kokëçarjet, Hoxha dhe Shehu kanë gjet një fushë tjetër, ku të shiten si patriot. Tash ata po na mburrën si mbrojtës të Kosovës. Por, edhe këtu faktet flasin kundër tyre. Me qenë se Jugosllavia  përbëhet nga kombësitë e ndryshme , Kremlini orvatet ta shfrytëzoi problemin e pakicave , për ta shtrëngua  të bjerë në gjunjë. Si dihet, ky problem i ka sjell Evropës, dhe sidomos Ballkanit, shumë ngatërresa vjet me radhë. Problemi vetë i ka rrënjët në padrejtësi të kryera  gjatë historisë moderne dhe si i tillë ka qenë shfrytëzua vazhdimisht nga fuqitë  totalitare, ndër të cilat Rusia mban rekordin. Nga ana tjetër, Bota e Lirë është mundua gjatë këtyre 30-40 vjetëve ti gjejë një zgjidhje të drejtë me anë të Lidhjes së Kombeve dhe Kombeve të Bashkuara, bazua në parimin e vetëvendosjes së popujve  dhe në idenë e një Evrope të Federueme. Kurse Rusia Sovjetike është mundua ta zgjidhë problemin me depërtime dhe shfarosje popullsish, si depërtimi i Tartarëve  të Krimes, i Kalmukve etj.  Dhe i një pjese të popujve të Baltikut. Prandaj, ankimi i Hoxhës për fatin e Kosovës tingëllon ashtu si asht: fund e maje hipokrit. Dhe aq më tepër, kur ngjarjet e zhvilluara  në skenën shqiptare në këta 15 vjet tregojnë se sa çnjerëzore, negative dhe oportune  ka qenë dhe është qëndrimi i komunistëve të Tiranës kundrejt problemit të Kosovës.[50]

Më tej vazhdon Radio Londra, se kur Italia fashiste ishte në kapitullim e sipër, një konferencë me rëndësi u mbajt në Mukje të Tiranës, me 1 e 2 gusht 1943, ndërmjet Ballit Kombëtar, e kryesuar nga patrioti Midhat Frashëri dhe Lëvizjes Nacional Çlirimtare, ashtu si quhej atëherë Partia Komuniste e Shqipërisë. Mbas bisedimeve  të gjata , një marrëveshje me gjashtë pika u lidhë dhe u nënshkrua  nga përfaqësuesit e të dy palëve. Nuk zgjatë shumë as një javë, kur marrëveshja u prishë nga Komiteti Qendror i kësaj partie mbledhë në Labinot, me urdhër të emisarëve  të Mareshalit Tito, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviqi. Ata kundërshtuan rreptësisht sidomos pikën 3 të Marrëveshjes, që thoshte : “ Të dy palët do të punojnë për një Shqipëri etnike të pavarur”. Që donë të thotë se të dy palët japin besën me vazhdua përpjekjet për një zgjidhje të drejtë të problemit të Kosovës.[51]

Nga mbarimi i luftës komunistët e Shqipërisë dërguan një brigadë të tanë, për të ndihmua Titonë të nënshtronte shqiptarët e Kosovës. Deri më 1948, për Hoxhën dhe regjimin e tij ky problem ishte  zgjidhë një herë e përgjithëson. Vetëm mbas  1948-ës, e sidomos mbas prishjes së marrëdhënieve  në mes Jugosllavisë dhe shteteve komuniste, filluan komunistët e Tiranës  të bëjnë shumë zhurmë për një zgjidhje të drejtë të këtij problemi. Po të shikojmë të kaluarën sovjetike, është kollaj me marrë me mend se çfarë zgjidhje mund të jetë kjo- një zgjidhje sipas kallëpeve komuniste, të cilën asnjë shqiptar nuk e dëshiron.

Një problem  si ky nuk zgjidhet duke derdhë lot krokodili. Problemi ekziston dhe të gjithë të interesuarit e pranojnë. Zgjidhja është shumë e vështir, por jo e pamundur. Nacionalizmi shqiptar këtë e kupton fare mirë dhe mbështetë në parim dhe metodat e demokracisë Perëndimore në përpjekjen e tij për një zgjidhje të drejtë të çështjes së Kosovës.

Prandaj , orvatjet e kuislingëve  të Tiranës me e shitë si mbrojtës e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare, qoftë duke mbrojtur të drejtat e Shqiptarëve të Kosovës, qoftë duke reklamua 29 nëntorin si ditën e çlirimit, janë dënua të dështojnë.

Dita  që na shqiptarët, kudo që gjendemi, po festojmë sot, 28 Nëntorin 1912, është dita që u sjell popullit tonë lirinë dhe pavarësinë e vërtetë. Kjo liri dhe kjo pavarësi u shkelën më 7 prill 1939 dhe nuk janë rifitua ende. 29 Nëntori 1944 e shtrini zgjedhën nga tirania fashiste në territorin komunist. Sot shqiptari, qoftë në Shqipëri, në Kosovë, apo në Botën Perëndimore, përulet me përbujtësi përpara Altarit të Atdheut edhe përkujton Etnitë, që lanë jetën për të.[52]

 

 



[1] Thirrje kosovarëvet, Përpjekja Kosovare, nr. 1. f. 2. 1957. Washington, SHBA

[2] Po aty.

[3] Kongresi i 7-të i Bashkimit Federalist të Komuniteteve  Etnike Evropiane, Përpjekja Kosovare,nr. 1. f. 3.1957.

[4] Rëndësia e pakicës shqiptare në Jugosllavi, Përpjekja Kosovare, nr. 1, f. 4, 1957

[5] Shpërngulja e kosovarëve për Turqi, Përpjekja Kosovare, nr. 1, 4. 1957

[6] Po aty.

[7] Po aty.

[8] Një shpallje e Ministrisë së Brendshme te Turqisë, Përpjekja Kosovare, nr. 1. 5.1957

[9] Jeta e Kosovarëve të dënuar, Përpjekja Kosovare, nr. 1. f. 5. viti 1957.

[10] Zgjimi arsimor në Kosovë frikëson Beogradin, Përpjekja Kosovare, nr. 1. f.

[11] Gazetat shqiptare përjashta lavdojn Komitetin”Lidhja Kosovare”, Përpjekja Kosovare, nr. 1. f. 6. 1957

[12] Agjentët e imperializmit grek mbrojnë imperializmin komunist të Beligradit, Përpjekja kosovare, nr. 1. f .6, 1957.

[13] Letër Kosvarëve, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f.1. 1957, Paris

[14] Po aty.

[15] Po aty,

[16] Monografia “Rexhep Mitrovica, 2008

[17] Lirimi nga burgu, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f. 2. 1957, Paris

[18] Lirime me kusht, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f.2. 1957, Paris.

[19] Vetëvrasje dëshprimi, Përpjekja Kosvare, nr. 3. f. 3. 1957. Paris.

[20] Arratisje prej Kosove në Shqipëri”, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f. 3. 1957. Paris

[21] Propagandë për qëndrim në Kosovë, Përpjekja Kosovare, nr. 3, f. 3. 1957. Paris

[22] Konsullatat turke në Jugosllavi nuk u japin viza kosovarëve, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f. 4. 1957, Paris

[23] Intervist e Mehmet Shehut gazettes” New York Times”, Përpjekja Kosvare, nr. 3. f. 4. 1957, Paris.

[24] Aktiviteti I Kosovarëve në megrim, Përpjekja kosovare, nr. 3. f. 4. 1957. Paris

[25] Aktiviteti I Kosovarëve në megrim, Përpjekja Kosovare, nr. 3. f. 4. 1957. Paris.

[26] Nga shtypi ndërkombëtar, Përpjekja kosovare, nr. 3. f. 5. 1957. Paris

[27] Lidhja Kosovare ven kurorë mbi varrin e Midhat Frashërit, Përpjekja Kosvare, nr. 3. f. 5. 1957, Paris.

[28] Arrestime të reja në Kosovë, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 2. 1959. Paris

[29] Metush Krasniqi

[30] Mark Gashi

[31] Nihat Maksuti

[32] Qemal Kallaba

[33] Xhemal Shaqiri

[34] Sylë Dajkofci

[35] Arrestime të reja në Kosovë, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 2.  1959, Paris.

[36] Po aty.

[37] Po aty.

[38] Një amnesty nga e cila nuk fitojn shqiptarët, Përpjekja Kosovare, nr. 6. .f, 2. 1959. Paris.

[39] Përvjetori I shkollës tetëvjeçare të Gjakovës, Përpjekja Kosovare, nr, 6. f. 3. 1959. Paris.

[40] Industrializimi I Kosovës, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 3. 1959. Paris

[41] Po aty.

[42] Emigrimi për në Turqi, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 3. 1959, Paris

[43] Po aty.

[44] Po aty.

[45] Radio Beogradi padit “Ballin Kombëtar” se përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 4, 1959. Paris

[46] Po aty.

[47] Po aty.

[48] Gazeta kroate “Danica” shkruan për Kosovën, Përpjekja Kosovare, nr. 6. f. 4. 1959, Paris.

[49] Emisioni I Radio-Londrës për ditën e Flamurit, Përpjekja Kosvare, nr. 6. f. 5. 1959, Paris.

[50] Po aty, f. 6.

[51] Po aty.

[52] Po aty.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (XI) Fritz Radovani: Viti 1946, vit terrori dhe përgjakje sllavokomuniste! Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (X) Alexander Thomson: Shtigje biblike në Shqipërinë e Rilindjes Kombëtare (III) Bislim Pireva: Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq- Rade (III) Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare Isuf B. Bajrami: Granatimi i ushtrisë aktive serbe mbi vendbanimet e pambrojtura civile Halil Ajvazi: Lufta e Qarrit (1941-1945), krenaria e kombit shqiptar Ylli M. Dilo: Shqiptarët dhe qytetërimi botëror Fadil Lushi: Një demonstratë që ka tre palë histori Frrok Kristaj: Kërshëndellat - festë e lindjes së jetës së re Baki Ymeri: Krishtlindjet si një mrekulli hyjnore e njerëzimit Kastriot Frashëri: Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve - Një faqe e re në historinë e saj Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Astrit Vranovci: Mardhenjet Shqiptaro - Turke gjate kohes. Fakte per vetedijesim! Bislim Pireva: Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq- Rade (II) Ilia S. Karanxha: Gjergj Shqiptari, Fisniku që porositi ikonat për një kishë në 1470 Qazim Namani: Mbrojtja Institucionale e Trashëgimisë Kulturore-Historike në Kosovë Sabile Keçmezi- Basha: Angazhimi i grave në Pavarësinë e Shqipërisë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora