Mendime
Lebit Murtishi: ''Edhe në ditën e kataklizmës mundohu të mbjellësh një pemë''
E enjte, 06.01.2011, 07:41 PM
''Edhe në ditën e kataklizmës mundohu të mbjellësh një pemë''
Mesazhi moralizues i kësajë thënieje profetike, i përcjellë me një urdher të butë „MUNDOHU“, sforcon thekshëm shpresën e mbirë mbi valë djerrsësh. Mirëpo, vet ekzistenca e plus-minusit të natyrshëm, si ligj i pandryshuar, domosdoshëm pranon edhe anën e kundërt, domethënë, rivalen e të parës. Pra, kemi kategorinë e punës dhe të veprimit, dhe kategorinë e jopunës, të pritjes.
Edhepse dihet, që udhët e ëndrrave njerëzore përherë një vullnet i fortë i shtroi, një bindje e mbështetur në veprim dhe një bashkëpunim gjithëpërfshirës, grupi i dytë, „RIVALI“, kurrë sopatën s`e la nga dora, kurrë s`pushoi së preri pemët, që grupi i parë i mbolli në kopshtin e përbashkët.
Ky është njëri ndër veset më të shëmtuara të gjinisë njerëzore.
Në parim, secili ka të drejtë ta shohë botën nga këndi i vet. Kjo është e drejtë absolute, universale. Mirëpo, posa dilet nga “këndi i vdekur“, posa dilet në „shesh të hapur“, fillon beteja joparimore. Joparimore dhe amorale, nga që egoja, ambicia, hipokrizia e vese të tjerë, i zënë udhët bashkëpunimit, i zënë frymën mirëkuptimit.
Në çastet historike, kur pjesa aktive e shoqërisë përzgjedh një elitë udhëheqëse, e majtë ose e djathtë qoftë, pjesa tjetër, në vend që t`i vë supet punës, në vend që të dalë nga hijet e ahengjeve, lëviz si gjarpëri nën ferra dhe e pret gjahun e parë. Dhe i pari që bie në atë çarg është krahu i gjysmës tjetër, është krahu i tij.
Për të sharë e për të fyer, nuk duhet ndonjë arsye, mjafton një gjuhë e helmatisur dhe një tru i zvetënuar. Fundja, a nuk e thotë filozofia „Ligji i arësyes s`ka kufi“! –po e thotë! Atëherë, përpara burra! –bini vetvetes! –bini Atdheut! Se kur qe puna për t`i rënë hasmit, në gishta njiheshin trimat e burrat.
Përkundrejt ligjeve filozofike, populli ynë njeh një kufi, njeh një kod mes turpit e nderit. Nuk mbahet mend ndonjë datë, që „i majti“ a „i djathti“, të ketë fituar „Tapitë“ e Atdheut. Mbahen mend veç marrëzitë, veç ndërkëmbësat dhe vëllavrasjet.
Përpara Atdheut jemi fëmijë, jemi nxënës, dhe kurrë s`do të rritemi aq shumë që të vëmë veten mbi NDERIN E TIJ.
Në fund, falënderoj nga zemra, si ata që shajnë, si ata që lëvdojnë, se i kam të gjakut, se i kam vëllezër, sido që të jenë.
Lebit Murtishi 06.01.2011 Bern