E shtune, 26.04.2025, 03:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Pirro Loli: Ylberet e vendlindjes

E hene, 03.01.2011, 08:39 PM


YLBERET E  VENDLINDJES

 

CIKËL ME POEZI

 

Nga PIRRO LOLI

 

 

ZAGORIA

 

Vendlindja ime varur në diell

Dhjetë fshatra të vegjël

Gurëzuar si zogj

Nëpër brigje ere.

 

Kaloi plori luginës e çau mespërmes

Qafat e maleve

që lirshëm

të kalojnë mërgimtarët

 

Nisin udhët e ngushta nëpër plasa guri

E brofin pëllumba të egër

 

Te thonjtë e vargmalit

Çuçurit lumi i Hadit pa barka shpëtimi

Pa ujë

 

Kreonti im pagëzuar  lugjeve të gurrës

Krahëkaltër Gjarpëron mbi dhe e nën dhe`

E unë rrjedhave të shkumëzuara

Ndjek udhën e verbër

Për të dalë

Diku

Në det…

 

 

MITRA E SHIUT

 

Atje i lëshoj shigjetat nëpër natë

Pa marrë asnjë në shenjë. Si gjethet që bien në shi.

Erë jam Që fle në folenë e erës

Bora e yjeve Që bije pingul mbi ty

Breshër Që thyen rrasat e shtëpisë së vet

Ylber Me të gjitha ngjyrat e nuancat

Që harkon mbi brigje e humnera.

 

 për një çast m’u duk vetja si foshnjë

E luaj me shkelma e bërryla

Në mitrën e erës

Ku brofin trëndafila shiu.

 

 

ZAGORIA

OSE PORTRET ME NJE GROPE NE MES

 

Gropë dhimbjeje në kraharorin tim

E pafund. Brenda meje

Fërshëllen era. Fluturon

Pëllumbi i egër.

Të habitur Grinden përrenjtë

Dhe hidhur pikon rigoni në  vjeshtë.

 

Rrallë e më rrallë këndon gjinkalla

Që gris fytyrën në heshtje

Dhe trumcakët fëmijërisë

më fshihen nëpër gjethe  ere

 

Portret i përbashkët si vëllezërit siamezë

Me një gropë në mes

Pa trajtë Pa karakter

Dhe mungon Salvador Dalia

Të na bëjë  të njëjtin portret.

 

 

ËNDËRR…

 

E pashë përsëri sonte

 babanë,

Qëndronte në stolin e tij në guzhinë,

Pëllëmbat prej dheu i rëndonin në gjunjë,

Jashtë binte shi me baltë,

E xhamet e natës kuqëronin frikshëm,

I kaltër ish si bora,

Në ballë kish një çarë rrufeje

Përtypte duhan të grirë

E qante,

Qante nën zë

për ca zënka të kota me mëmën time.

 

 

POEZI E HARRUAR

 

Copa copa këputur këtu e atje

Tek e përpjeta e thiktë,

Pas tufave të rralla të çajit. Atje

Flinte nepërka pika - pika

Atje

 m’u gjakos këmba nga sandalet me tela

Prerë rripa rripa nga palldëmi i gomarit.

 

Në plasën e imtë të një guri të bardhë,

Ku çdo mëngjes ia thotë thëllëza me derte

Kam fshehur dhëmbin e qumështit

Që me dy pika gjaku

 e prita në dorë.

 

 Mbeti bosh dhëmbi i qumështit.

 Një jetë të tërë

 Pikë

–pikë

gjaku i ngrirë.

 Poezi e harruar.

 

 

PSE I KAM SYTË TË BLERTË

 

I kam njohur pemët që në djep

Nëna më merrte  me vete në ara

Dhe djepin tim e linte në ledh.

Rrija tërë ditën në hije, kurorë e gjelbët

Mbi djep si stoli. Pemët ulnin degët mbi mua

Me gjethet e tyre më bënin stoli.

...

O mik i vogël , më thanë gjethet

Jemi miqësuar me ty.

Merre të blertën e gjethes

Përgjithmonë mbaje në gji.

 

 

MANI I ZI

 

Kam një man të zi në mes të oborrit

Që moshën e fsheh

Nëpër emra baballarësh të lashtë.

Më ka mbirë në shpirt

Me rrënjë e me degë

Hija e tij.

 

Mani im me pika gjaku i rrit frutat

dhe i fsheh nëpër fletë

të ëmbla, të ëmbla

mbi pllakat e bardha të oborrit

i hedh si bllaca gjaku në korrik

...

Një kokërr kur vija në gojë

Më gjakoste buzë e gishtërinj.

I plagosur isha Sikur

 lufta kalonte në oborrin tim

Çdo korrik

 

Babai i rraskapitur gjer në muzg

Bereqetin e vitit e maste me raki

Mbushte filxhanin e madh e më thosh:

Ky man na mban gjallë

Ti pse nuk pi?!

 

 

VENDLINDJA

 

Rrathë të vjetër trungjesh koncentrikë

As tërmete, as murtaja s’ka rënë

Vetëm kronika buke

Dhe ikje të mëdha.

Kam pesëdhjetë vjet larguar

E Brirët e fildishta të ëndrrave

Si dre ngatërruar i kam nëpër ato rrathë.

Plagë aventurash kam në trup

Hero bëhesha

Kur vidhja një xhep me qershi

 

Sorkadhe e egër vendlindja

Dhe kur e puthja në buzë

Më qëllonte me bri.

Pesëdhjetë vjet me dhimbje koke

Aspirinë e bardhë nën gjuhë

 

 

STATUJA E NËNËS

 

(1997)

 

Është pemë e lartë kjo statujë

Me rrënjë, degë e zogj të gjelbërt.

Këtë vit e mbuluan korbat,

s’ka vezullime gjethesh

e zogjtë i nisi  larg rrezikut.

Gozhdët e mallit mbajti në trup

 e dhimbjet i duron në heshtje si pemë.

 

SH

T

A

T

L

A

R

T

 

Si amazonë

E vetme kalon stinën e zisë...

 

 

HËNA E OBORRIT TIM

 

Kur na vinin miq për darkë

Ne, fëmijët

hanim thërrimet që mbeteshin në sofër.

por,

 kishim një hënë të madhe në oborr

varur në degët e manit.

Dhe luanim me fluturat e hënës.

Derisa nëna

 ta nxirrte bukën nga furra na zinte gjumi.

Faqe më faqe me hënën rreth sofrës.

Nëna , me kujdes

Që të mos na zgjonte

E priste hënën copa – copa

Dhe të  gjashtëve

 Na jepte nga një racion buke

të ngrohtë…

 

 

RRËFIM PËRPARA ARRËS SË SHTËPISË

 

Kur isha i vogël inicialet e emrit tim  (PL)

Me brisk

I gdhenda në trungun e arrës

Thjesht për kujtim.

 

Nuk e dija që kisha gdhendur një plagë

Por, arra si nëna

heshti e ndër vite dhimbjen e mori në trup.

-           Ti , moj arrë e dashur pse më ke harruar?

Pse më paske fshirë? Unë mbi ty lashë emrin

Fëmijërinë?!

-           Koha hodhi breshër - foli arra -

Hodhi dëborë e shi.

Që të të ruaja të paprekur

Të mora në zemër, në gji...

 

Dhe zogjtë dhe rrënjët dhe degët

Më folën në emër.

 

 

GURRA

 

Mali ,

Orë e çast ngarkon mushkat me dëborë

E fshehur nga dielli

 i shkarkon drejt zemrës së vet.

 

Nëpër aortën e nëndheshme,

Mespërmes zajeve të kulluar

Qarkullojnë e treten balada, ulërima ujqish,

thëllëza të habitura e bilbila.

 

Shtatë trëndafila më poshtë

Vrullshëm ka shpërthyer e bija.

 

 

GORRICA

 

Mars më mars i tregoja sharrën

I flisja për një dardhë të ëmbël për Dy bisqe

të rinj e të butë

Dhe një shami për t’ia lidhur plagën.

Por

Nuk hante gozhdë gorrica

Gjeth më gjeth kreshpërohej

Me inatin e gjëmbit të egër

Drizash e korbash e gjinkallash

Që grisnin fytyrën.Pragu i dimrit

kishte gjuhë tjetër. I ftohtë tehu i sopatës.

Priste .Gojëhapur oxhaku në vatër

Dhe ulërima e ujkut pas derës.

 

 

BRAKTISJE

 

Këtu pemët kanë ngritur flamujt e erës

Dhe rënkojnë

Nën barqe të lagura resh

 

Gjaku po u ftohet pak nga pak

Pa një zog

Pa një fole

 

Hardhitë nderin krahët

Me gishtërinj kockash

Të thata si pleq

 

Qiparizi i zi

Me trupin prej shiu

Regjistron gurët e varreve

Që nisen për kurbet...

 

Gjirokastër, 1992.

 

 

SYTË E VENDLINDJES

 

Ti flet për fshatin

Si për diellin

Si për detin

Si për një dashnore me sy të kaltër.

 

Unë jam i verbër

Më është pjekur loti në qepallë

Ndaj,

U bëra i gjithi sy

Çdo natë shikoj ëndrra me yje

Dhe pëllumba të egër që brofin

Drejt oborrit tim me pllaka guri.

 

Atje mbijnë tulipanë të bardhë

Unë i ujit

E më çelin

E më rriten

E më lulëzojnë

fasho  të buta mëndafshi

Për    mjekuar sytë e atdheut

Të djegur nga loti.

 

 

ATDHEU

OSE ...NJË GUR... DHE NJË FYELL...

 

Ashtu të vogël, të vogël fare

Ashtu të copëtuar

E ruaj në sy si pikë loti

 

Ashtu të madh, të madh shumë

E kërkoj nëpër mendime deti

 

Ashtu të bardhë, të bardhë si bora

Që lëshon orteqe

Ashtu të zi të zi si nata

E spërkata me yj......

Por atë vit kur  ma grabitin të mitë,

Kur ma zhveshën e ma lanë lakuriq

Diçka mora dhe unë nga atdheu

dhe ika

 

I mora ashtin

Të mos ia prekin krimbat

(Lashë zemrën

Të mos i mungojë buka dhe kripa)

 

Mora dhe një gur

Për të mbjellë lule

Dhe një fyell

Që më duhet për të qarë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx