E diele, 22.12.2024, 12:22 PM (GMT)

Mendime

Shefik Shkodra: Disonancë apo takte ritmike

E enjte, 30.12.2010, 07:57 PM


DISONANCË APO TAKTE RITMIKE 

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

Më shumë si një shtirje e si me naze që bën ndonjë e re në shtëpinë e burrit përherë të parë. Apo si nga belbëzimet e para deri te sforcimet e të mësuarit përmendësh të njësisë mësimore –  politikë. Në vijimësi me një refuzim “kategorik” për hiçgjë apo diç të zakonshëm. E në fund të periudhës së caktuar për të treguar krejt dijen nga kursi. Të mësuar si autodidakt apo nga sivëllezërit, të gatshëm e të dukshëm dhe me shumë zëra “qefleisjesh”. Si organizimi i një koncerti me dirigjent pa diplomë në profesion. Si stazhierë në stërvitje. Prapë se prapë ligjërimet e tyre janë qëmtuar, kur ata fare nuk mendojnë se mund ta kenë kuptuar publiku edhe mos aftësinë e të mësuarit logjik, por as atë përmendësh. Ndoshta, këtë do ta quanim, mësimi i parë. Dhe gjithnjë, e marrim si të mësuarit e shkronjave të para të alfabetit politik. Ambient si në të gjitha vendet tjera e sidomos, në vendet ballkanike. Pak më shumë e veçantë është kjo provë në Kosovën tonë. Po ta marrim këtë krahasim, duket se të mësuarit e atyre shkronjave të para nuk është aq origjinal. Si përçartje e nuses me pa vullnet e paaftësi për ngjallje në shtëpi të re. Duke “zënë në thua” se dikush me diçka pengon. Gjithnjë si imitime e ngjashmëri nga fqinjësia. Më lehtë, këta presin të hyjë  ndonjë pykë në trup të shëndoshë, sa për të shkuar kohën me zënka për gabime. Në gjuajtje topi prej auti në aut, pa shkuar te porta. Pikët i bëjmë vetë për vete. Me britma e sharje. S’ka rëndësi, nëse nëpër kohë ndryshku është brejtja e të keqes, por ndryshku han vetëm metalin në vend të keq. Në ekspozim të klimës së keqe. Por, një që është si element i tingëllimave më i posaçëm; ajo rrëfejë e tregimeve të zjarrta si të plakave në pas darket e dimrave të acartë, që i rrethonin fëmijët pranë vatrës dikur, është ligjërata e ndonjërit prej përfaqësuesve të partive. Sikur ndonjë taktikë e veçantë e politikanit të rryer. Sikur dëshiron që t’i befason të gjithë me hapjen e krahëve dhe mbulimin e krejt hapësirës me devotshmëri politiko-juridiko-ekonomiko-strategjike. Krejt sipas një poezie të njohur të F. S. Nolit: “Ky Feridi /Faqe ndërron /Dje shante /Sot lavdëron”. Dhe këta “feridat” rriten si këpurdha në shiun e vakt e në ambientin e përshtatshëm, veç ndonjë grupi më të ri. Krejt këto bëhen me lezet se do t’i del “kismeti” në hyrjen e këndshme të shtëpisë së madhe popullore. Mandej, me fillim do t’i “trandin” kokat e qytetarisë me “melhemet” që do t’i nxjerrë nga vetja si ilaç i përkryer. Sipas këtyre personazheve, nuk kanë shumë rëndësi si do ta shtien në përdorim krejt arsenalin e ‘diturisë’ dhe programit të vet. Kryesorja, ashtu qysh s’është besuar se do të bëhet ai që s’ishte as në ëndërr. Se do ta stërhollohet vetë fizikisht e të vë dimensione – kuti, pamja së jashtmi, sikur vërtet është i tillë, pa u duk te të tjerët brendësia e tij/tyre. Ndryshe  s’mund ta quash pos trill, me një gatesë nga kjo klimë sa ta këllasin qytetarët, ëmbëlsirë nga më të “përgatiturat” e më të “përsosurat” ndër të tjerat. Ka pasur mjaft të tillë prej cilësdo parti. Kur e pyesim njërin kolegjialisht, sa herë ka folur dhe për çka është angazhuar, çka ka përfituar rrethi shoqëror nga ai? Si me ironi përgjigjet: “- Po unë nuk jam aq naiv që t’i zgjati ‘taravitë’...i kam këqyrë punët e mija!” Ashtu pra! Aferim zogu i mençur! Lum populli ke ka brenda! Si ajo kënga popullore: “Lum kalaja kë ka brenda’...deputetin ‘me shtatë zemra”. Do tjerë po cijatën, si në ‘ngre e mos këput’, deri në çastin kur do të vijë ajo orë që nuk ka mundësi më të shtyhet me fjalë si bërlyket kau, menjëherë do t’i qaset tryezës. Si të mos ishte ashtu qysh ka folur deri më dje. Dhe, atë që i rri përkarshi i hequr me pedanteri e çiltëri, do ta zhvishnim prej asaj gëzhoje të praruar, shkurt me këtë parodizim po nga e njëjta poezi e të njëjtit autor: “Ky Feridi faqe ndërron/dje shante/dhe sot (veç) shan.” E merr si kurs një paradigmë të opozitës që, gjëja nuk përkon fare me shëndetin e partive të tjera. Moton si  një kalk të mësuar përmendësh deri në këtë çast. U tha, duke e hedhur dheun në shpinë të tjerëve, pa e pas veneruar se edhe shpina dhe koka e vet është e pluhurosur. Jo aq majtas teoritikisht, po radikalisht nga një hiqësim i tablove të shkronjave të pikturuara kaherë në ekspozenë e gjithë kulturës së këtij mjedisi. “Feridat” nuk ndërrojnë faqen vetëm njëherë. Ata, të prirë veç për ngritjen e një klani në tempullin popullor më shumë rrënojnë se që ndërtojnë. Zoti e dittë se çfarë do të shtjellon pas uljes në atë shkallë që për te po e rënkon! 

Janë të frymëzuar në gjithfarë mësimesh. Secili përpiqet ta nxjerrë jashtë produktin si të kulluar para qytetarëve. Guna nuk e ndryshon brendësinë. As pasqyrat nuk flasin e nuk mund të diskutojnë me personin e gjallë. Pasqyra është send i pa shpirt. Personazhet kënaqen me këtë send. Janë figurat si të dikurshme sot. Mos zot më keq si në vitet e njëzeta të shekullit të njëzetë. Të flasin për këtë e atë, e të mendojnë në diç tjetër?! S’duhet ta marrim si realitet edhe pse te disa ambienti u përshtatet për pasqyra shumë të mëdha para këtyre qytetarëve. Dhe qytetarët janë shndërruar në pasqyrën më të madhe.

Megjithatë, duhet t’i gëzohemi një faktit se e gjithë vorbulla  është nga mesi jonë. Madje, krejt ky produkt final është i joni që del nga perde e vrojtimit në kohë. Dhe, të gjitha më në fund, ndoshta po e shprehin një qëllim dhe duhet ta kenë një gjuhë të përbashkët. Qoftë ashtu!



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora