E merkure, 13.11.2024, 06:15 AM (GMT)

Kulturë

Ndue Ukaj: Reflektimi i Nënës Tereze në kulturën shqiptare

E premte, 24.12.2010, 11:57 AM


Reflektimi i Nënës Tereze në kulturën shqiptare*

 

(Mbi veprat e Don Lush Gjergjit)

 

Nga Ndue Ukaj

 

Shënimi i njëqindvjetorit të lindjes së Nënës Tereze, si kurrë më parë, u karakterizua me aktivitete të begatshme, që pasuruan dhe  përplotësuan portretin universal të Gonxhe Bojaxhiut në jetën tonë kombëtare e fetare. Ndërsa, këtë begati, pa mëdyshje, e kanë përjetësuar dhe pasuruar, librat e shkruar për të, të botuara nga biografi i saj më i shquar dhe më kompletuar në rrafshin botëror, Don Lush Gjergji- vepra këto që përjetuan një famë të madhe kombëtare e ndërkombëtare. 

 

Sa herë përmendet ky autor i shquar, kjo figurë poliedrike shqiptare, aty nënkuptohet Nënë Tereza dhe anasjelltas, sa herë që përmendet Nënë Tereza, nënkuptohet Don Lush Gjergji. Këto dy figura janë dy binome të pandashme, që kanë rrezatuar dhe ndriçuar jetën shqiptare, tashme disa dekada. Prandaj, e themi me plotë gojën, fal Don Lushit dhe erudicionit të tij, Nëna Tereze, ka arritur të thadrohet në jetën tonë kombëtare, kulturore e identitare.

 

Në të vërtetë, Jubileu i lindjes së Nënë Terezës dhe përmbyllja e manifestimeve të shumta, është momenti më i volitshëm, të reflektojmë mbi prezencën e jetës, veprës dhe dashurisë saj, në jetën tonë kombëtare. Dhe forma më e mirë për ta kuptuar dhe analizuar këtë, është libri, si zgjatim i kujtesës, apo, thënë ndryshe, si arma më e fuqishme kundër harresës. Këto tre libra para nesh, Nëna e Dashurisë, Nëna Tereze- Shenjtëresha e dashurisë dhe Nëna Tereze-Dashuria në vepër, të botuara nga penda e artë e këtij autori, janë çasti monumental i përjetësimit të jetës, veprës, dashurisë dhe fesë së Nënë Terezës, në jetën tonë të përgjithshme kombëtare dhe për më tepër, në atë ndërkombëtare.  Prezantimi i këtyre librave, në këtë Jubile, është dëshmia e sigurt, se ajo, është përjetësuar në kombin e saj, duke u bërë shëmbëlltyra më fisnike, modeli më i shkëlqyer, i humanizmit, i dashurisë, i përkushtimit, i flijimit për njeriun, dhunti këto që janë brumosur në kulturën tonë dhe nga të cilat u motivua dhe frymëzua Nëna Tereze dhe penda e autorit Don Lush Gjergji.

 

Sot, para nesh kemi tre libra, që janë një trini e shqyrtimit të jetës së Nënë Terezës, nga pikëpamje e këndvështrime të ndryshme. Në librin Nëna e dashurisë, të shoqëruar me fotografi domethënëse dhe të punuar me një shije të hollë estetike, autori, si teolog, si biograf i informuar deri në detaje, si psikolog dhe autor me përvojë të shkëlqyer, hulumton jetën e Nënë Terezës, duke gjurmuar në zanafillën e saj, në thesaret që e bëjnë atë Shenjtëreshë të botës dhe Shenjtëreshë të dashurisë. Këto thesare, autori i hulumton dhe gjen te tradita shqiptare, të familja e saj dhe të rrethi i saj, elemente këto që motivuan dhe sforcuan veprën e saj gjigante. Ky libër nga kritika është vlerësuar të jetë libri më i kompletuar lidhur me Nënë Terezën. Vlen të theksohet se me iniciativë të Papa Gjon Palit të Dytë, ky libër u botua në polonisht dhe pati një jehonë të madhe, ndërkaq me rastin e Lumnimit të Nënë Terezës, nga vetë Papa u vlerësua më i ploti për të.

 

Libri, përcjell momentet e jetës së Nënë Terezës, që nga thirrja, largimi nga familja, rrugëtimi nëpër vende të ndryshme, nga Shkupi, drejt Kroacisë, Irlandë drejtë Indisë, ku ajo përhapi shkëndijat humanizmit, e mirësisë, e dashurisë, ato shkëndija të vogla që me kohë u bënë rreze ndriçuese në çdo skaj të botës. Një analizë të thellë Don Lushi i bënë fesë së Gonxhes, mishërimit të saj me Jezu Krishtin dhe fjalën e tij dhe shpërthimi i saj si një vullkan dashurie, në botën e varfërisë, në botën e të nëpërkëmburve, në botën e mjerimit, prej nga rrezatoi mirësi, për t’u bë shembulli më kuptimplotë, figura më e dashur e 2000 vjetëve të civilizimit tonë. Libri Nëna e dashurisë,  u botua  shqip,  italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanisht, polakisht, kroatisht, sllovenisht, me rastin e 100 - vjetorit të lindjes së Nënës Tereze. Këto të dhëna, janë një dëshmi jehonës dhe përmasës që ka pas ky njëqindvjetor në vetëdijen shqiptare.

 

Gonxhe Bojaxhiu u mishërua në jetën shqiptare, në botëkuptimet shqiptare, në traditën dhe kulturën shqiptare, falë punës gjigante të biografit Don Lush Gjergjit, njeriut i cili përgjatë jetës i qëndroi afër, e përcolli dhe dëshmoi jetën e saj, veprën e saj, me librat të shumtë. Në serinë e këtyre librave, libri Nëna Tereze-Dashuria në vepër, paraqet në mënyrë të shkurtër e kronologjike, disa nga shenjat identifikuese, që përplotësuan mozaikun gjigant të veprimtarisë së saj, shenjtërinë e saj tokësore dhe qiellore. Autori këtu vë në spikamë rolin e Nënës Tereze në një botë të mjerimit të thellë. Për të triumfuar kundruall vuajtjeve të pafundme, mjerimit të thellë e të pashpresë, Don Lushi qartësisht mbron idenë se ajo u frymëzua dhe motivua nga rrethi familjar, i cili, mbetet djepi që do ta përkund dhe përcjell këtë thesar deri në çastet e fundit të jetës së saj. Autori, duke u marr me këtë, vë në spikamë disa tipare të familjes së Nënë Terezës, shpjegimet domethënëse për mbiemrin e saj, për babën Kolë Bijaxhiun dhe nënën Drane Bujaxhiun dhe fëmijërinë e saj, prej ku u ngjiz thirrja gjigante, që do të kaloi nëpër disa rrafshe tjera. Don Lushi interpreton momentet tjera vendimtare të saj, vitet kur ajo u bë murgeshë dhe rrugëtimi plot sfida deri në fundin e saj të mrekullueshëm. Në këtë libër, Don Lushi jep të dhëna të mjaftueshme edhe për mirënjohjet, shpërblimet dhe dëshmitë a pafundme që bëhen në botë sot për të. Ndërsa, një dimension tjetër karakterizues i këtij libri është përshpirtëria e Nënë Terezës, ku autori jep shume detale nga jeta e saj dhe fuqia e fesë, me të cilën ajo bëri vepra gjigante të dashurisë. Autori librin e përfundon me kapitullin e ri që u hap me vdekjen e Nënë Terezës, ai i shenjtërimit dhe ngritjes së saj në piedestalin më të lartë të Kishës Universale e veçmas asaj shqiptare. Libri Nëna Tereze-Dashuria në vepër, është botuar shqip, anglisht dhe italisht.

 

Në librin e tretë, Nëna Tereze- Shenjtëresha e dashurisë, autori Don Lush Gjergji shpjegon kontekstin historik të shqiptarëve, krishterimin e lashtë biblik iliro-shqiptar dhe martirizimin e Kishës shqiptare, si tipare që motivuan rrugëtimin e Gonxhes drejt piedestalit më të lartë, të ngritjes në rrafshin e një Shenjtëreshë të gjallë, Shenjtëreshe të Dashurisë.  Ky libër, ka edhe disa risi dhe përcjell momente që pasqyrojnë jetën shpirtërore të Nënë Terezës, ku autori vë theksin te shekullarizimi dhe kryqi në jetën e Nënës Tereze, sprovat e saja të vështira dhe përjetimeve të shumta mistike.  Ky libër, është një sintezë e përjetimeve e të Nënës Tereze, ku nëpërmjet poezive-uratë, ajo shpjegon botën e brendshme dhe relacionet e saj me Zotin dhe Njeriun. Libri Nëna Tereze- Shenjtëresha e dashurisë është botuar shqipe, italishte, anglishte, polakishte dhe rumanishte.

 

Don Lush Gjergji, njeriu u cili është bë simbiozë dhe sintezë e gjitha këtyre aktiviteteve që bëhen në nder të Nënës Tereze dhe si njeriu që ja ndriçoi kombit të saj këtë Nënë Universale, këtë vit momental për kulturën dhe historinë shqiptare, ka sjell këto tre libra që pasqyrojnë mjeshtërisht, veprimtarinë, misionin, dashurinë dhe filozofinë e madhështisë së Nënë Terezës. Si të këtilla, janë thesare për ata që duan ta njohin, të përjetojnë dhe për ata që duan t’i thellojnë dijet për të dhe rreth saj. Librat e Don Lushit i karakterizon një tipar thellësisht human, ndërkaq Nënë Tereza në analizat e tij është një objekt trajtimesh me karakter psikologjik, historik, teologjik, etik, filozofik. Autori përveç se jep të dhëna të dokumentuara, si bashkudhëtar i saj, bënë shpjegime dhe interpretime të vlefshme për të njohur dhe përjetuar për së afërmi personalitetin e saj dhe dimensionin e saj universal. Një shpjegim domethënës dhe sintetizues, për këtë figurë gjigante, autori e nxjerr në këtë formë: “Vetëm në prizmin e historisë sonë kombëtare dhe fetare mund ta zbërthejmë, kuptojmë dhe shpjegojmë fenomenin e mirësisë dhe dashurisë-Nënës tonë Terezë. Po, atë e lindi dhe e rriti lashtësia jonë iliro-shqiptare, e nxori në dritë martirizimi ynë shumëshekullor, e edukoi dhe e frymëzoi krishterimi ynë 2000 vjeçar, e lartësoi përvujtëria, e bëri të madhe dhe të pavdekshme dashuria”.

 

Shkrimin e Don Lushit e karakterizon një stil i përpunuar, me një gjuhë të konsoliduar dhe më përplot atribute estetike, prandaj tekstet e tij, përveç vlerave biografike, teologjike, filozofike, kombëtare, shquhen thellësisht, edhe për vlera letrare.

 

Autori shkruan me admirim për Nënën e ëndrrave të tij, për këtë personalitet i cili, tamam si  “Lapsi i Zotit”, siç thoshte ajo, shkruan “Ungjillit të pestë” të ditëve tona, atë të historisë së Dashurisë flijuese dhe dhuruese.

 

Këto tre libra të prezantuara sot nga penda e Don Lush Gjergjit, Nëna e Dashurisë, Shenjtëresha e dashurisë dhe Dashuria në veprim, përmbyllin Jubileun e madh dhe historik për Nënë Terezën dhe janë një lloj testamenti për ne bashkëkombësit e saj.

 

Po e përfundoj me një referencë të dobishme të Presidentit Ibrahim Rugova, i cili, me rastin e kalimit të saj në amshim, shkroi: “Populli i Kosovës dhe i gjithë populli shqiptar, sot është krenar para botës me Nënën Terezë, me Nënën e vet. Nëna Terezë është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar”. Për të ndodhur kjo, merita më e madhe i takon Don Lush Gjergjit. Prandaj, Ju faleminderit Don Lush.

 

(Fjala e rastit me rastin e përmbylljes së Jubileut të njëqindvjetorit të lindjes së Nënës Tereze në Bibliotekën Kombëtare)



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora