Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sëmundjet e mushkërive, si të shmangni ndërlikimet

| E hene, 28.08.2006, 05:23 PM |


Flet mjekja pneumologe, Flutura Hashorva

Sëmundjet e mushkërive, si të shmangni ndërlikimet

Nëse nuk tregohen të kujdesshëm, personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive mund të kalojnë një verë pa probleme. Arsyet? Ndjeshmëria e lartë e organizmit të tyre ndaj luhatjeve të temperaturave të mjedisit dhe niveli i lartë i ndotjes së tij.

Në një intervistë për gazetën “Panorama” mjekja Flutura Hashorva, mjeke pneumoftiziatre, shpjegon se çfarë komplikacionesh mund të shfaqë ky kontingjent gjatë stinës së nxehtë, si mund të parandalohet dhe trajtohen këto probleme:

Doktoreshë, është e vërtetë që gjendja shëndetësore e personave që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive në stinën e verës mund të rëndohen dhe nëse po përse ndodh ky fenomen?
Sëmundjet kronike të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes hasen më tepër në stinën e dimrit, por kjo nuk do të thotë që nga ana e këtyre të sëmurëve të neglizhohet në stinën e nxehtë. Pasi shpesh pakujdesi në dukje të vogla mund të çojnë në rëndim të gjendjes së pacientit. Këto sëmundje (bronkitet, sëmundja e ngushtimit të bronkeve etj) janë karakteristikë për moshat e mëdha dhe për shkak të uljes së rezistencës së organizmit të tyre në përgjithësi, këto mosha janë të ndjeshme ndaj luhatjeve të temperaturave të mjedisit dhe nivelit të lartë të ndotjes së tij. Temperaturat e larta, ndryshimet atmosferike, ndotja e mjedisit (që shtohet mjaft në stinën e nxehtë), janë faktorë risku për keqësimin e sëmundjes, duke përfshirë këtu dhe pirjen e duhanit, praninë e sëmundjeve të zemrës dhe hipertensionit, diabetit, etj.

Çfarë shenjash klinike shfaqin këta persona?
Me keqësimin e gjendjes kolla shpeshtohet, bëhet më e fortë dhe shoqërohet me shtim të sasisë së gëlbazës, e cila trashet dhe nxirret me vështirësi. Marrja e frymës rëndohet, frymëmarrja bëhet e sipërfaqshme dhe shpeshtohet, duke u shoqëruar me interesim të muskujve të kraharorit. Kjo është arsyeja që shpesh pacientët ankohen edhe për dhimbje gjoksi e shpatullash. Të sëmurët janë në ankth, kanë ndjenjën sikur po mbyten. Në fytyrë sidomos në buzë, shfaqet mavijosja që vjen si pasojë e anomalisë së shkëmbimit të gazrave, me pakësim të oksigjenit në gjak dhe shtim të gazit karbonik. Si pasojë e ajrimit të ulur, të sëmurët janë të lodhur, të përgjumur, ankohen për dhimbje koke, por herë-herë janë të shqetësuar dhe shfaqin turbullime të vetëdijes.

Çfarë komplikacionesh mund të shfaqen tek këta të sëmurë?
Komplikacionet janë të ndryshme, që nga bronkopneumonia, prekje të zemrës, apo enëve të gjakut, etj. Bronkopenumonitë ndodhin si pasojë e humbjes së elasticitetit të muskujve të bronkeve për shkak të vetë moshës dhe mbylljes së bronkeve si pasojë e grumbullimit të gëlbazës në to, duke favorizuar infeksionin. Po ashtu nga shkëmbimi i keq i gazeve preket edhe sistemi i qarkullimit të gjakut, duke shtuar ngarkesën e ventrikulit të djathtë dhe duke dëmtuar muret e vazave.

Çfarë duhet bërë në këto raste?
Këta të sëmurë duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë nga mjeku i familjes, ose nga mjeku pneumolog, ku ata kontrollohen periodikisht, sepse sa më shpejt të ndërhyhet, aq më shpejt do të dalin nga gjendja e rënduar. Kur pengesa e frymëmarrjes shpeshtohet, kolla bëhet më e fortë dhe sasia e gëlbazës është e shtuar, duhet filluar trajtimi me antibiotikë për 5-7 ditë, që do të ndihmojë për të luftuar infeksionin. Duhet rritur dhe shpeshtuar doza e preparateve bronkodilatator, që ndihmojnë në zgjerimin e bronkeve dhe lehtësojnë frymëmarrjen, qoftë këto të marra nga goja ose me spray (pompa). Po ashtu Aerosoli për pak ditë ose dhënia e oksigjenit herë pas here, do ta lehtësonte gjendjen.

Tani që është periudha e pushimeve, çfarë klime rekomandohet për këtë kontigjent të sëmurësh?
Për këtë kontigjent të sëmurësh këshillohet pushim për disa ditë në klimë malore, për shkak të gjelbërimit, ajrit më të pastër dhe temperaturave të mjedisit, që janë më të ulëta. Por nuk kanë pse të privohen edhe nga klima detare, mjafton të tregohen të kujdesshëm. Këtyre personave u rekomandohet të shëtisin një orë në mëngjes herët dhe në darkë vonë, të evitojnë qëndrimet në diell, qoftë dhe nën çadër dhe futjen në det.

Këshilla për të parandaluar problemet gjatë stinës së verës

Këshillohet marrja e lëngjeve për të shtuar sasinë e gjakut qarkullues, që mund të ketë pasojë uljen e tensionit arterial. Të shmangen daljet dhe qëndrimet në diell duke preferuar shëtitjet në orët e para të mëngjesit, të shoqëruara me ushtrime të lehta gjimnastikore, sidomos të kraharorit. Të ndalohet përdorimi i duhanit dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura, ku pihet duhan. Po ashtu rekomandohet një meny e pasur me vitamina, me shumë kalori dhe që të përmbajë ushqime që treten lehtë. Ne u këshillojmë pacientëve tanë të tregohen të kujdesshëm ndaj qëndrimit nën ventilatorë, kondicioner, përdorimin e pijeve të ftohta dhe shmangien nga korrentet e ajrit.

Studimi
Dieta më e mirë se sporti për të luftuar mplakjen

Një dietë e varfër me kalori, por e balancuar, duket më e efektshme se aktiviteti fizik për të ngadalësuar procesin e mplakjes. Ky është konkluzioni i një studimi të publikuar në “Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism”. Në studim kanë marrë pjesë 28 vullnetarë të shëndetshëm, anëtar të shoqërisë amerikane “Calorie Restriction” dhe për gati 6 vjet kanë ndjekur një regjim ushqimor me pak kalori (mesatarisht 1800 kalori në ditë). Përveç tyre janë marrë në studim dy grupe kontrolli: një grup prej 28 personash që ndiqte një meny tipike perëndimore dhe bënte një jetë sedentare dhe një grup prej 28 atletësh që i nënshtroheshin një diete, që garatonte marrjen e 2700 kalorive në ditë. Nga analizimi i të dhënave rezultoi se pavarësisht se aktiviteti fizik është i rëndësishëm për parandalimin e akumulimit të yndyrnave abdominale, përgjegjëse për shfaqjen e mjaft patologjive kronike, vetëm sasia e ulët e kalorive është në gjendje të ngadalësojë mplakjen e indeve dhe organeve. Kjo sepse një dietë me pak kalori, por e balancuar, ndikon në uljen e përqendrimit të një hormoni të tiroides që quhet triodotironina (T3), që kontrollon metabolizmin qelizor dhe omeostazat energjetike të organizmit. Përveç kësaj, ndikon në uljen e përqendrimit të një molekule të fuqishme inflamatore, i ashtuquajturi tumor “necrosis factor” i tipit alfa (TNF-Á). Kombinimi i këtyre dy kushteve, ose më saktë ulja e nivelit të T3 dhe e gjendjes inflamatore, mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngadalësimin e procesit të plakjes.

Pyetje - pergjigje
Mund të zmadhohet gjëndra tiroide gjatë shtatzënisë?

Jam një vajzë 25 vjeç dhe doja të dija nëse është e vërtetë që gjatë shtatzënisë gjëndra tiroide mund të zmadhohet në përmasa dhe nëse po, doja të dija se përse ndodhin këto ndryshime?
INA

Për pyetjen tuaj kemi pyetur mjekun endokrinolog, Flamur Mete:
“Së pari do sqaroja se gjatë barrës gjëndra tiroide mund të rritet në volum. Kjo për pasojë të një mbingarkese të saj për të plotësuar edhe nevojat e fetusit. Në rastet e mungesës së hormonit të tiroides shtatzënitë janë shumë të rralla, por edhe në rast se ndodhin, dëmtimet dhe lindjet me defekt të fëmijës janë parë në përqindje të lartë. Ajo që krijon problem është prania e një funksioni të shtuar të tiroides gjatë barrës dhe mjekimi i saj me preparate frenuese të funksionit të tiroides. Kjo për faktin se preparatet kalojnë placentën dhe efektet e tyre shfaqen te fëmija, duke krijuar strumë (rritje të gjëndrës tiroide) dhe ulje të funksionit të saj”.

Kollë e vazhdueshme, ç’duhet të bëj?

Jam një grua 32 vjeç dhe doja të pyesja rreth një shqetësimi që kam me vajzën time 2 vjeç e gjysmë. Para tre javësh pati kollë, skuqje fyti dhe dhimbje veshi. Mjekja pediatre që e vizitoi i dha një shurup antibiotik, por nuk pati shumë përmirësim. Vajza vazhdon të kollitet sidomos gjatë natës dhe në mëngjes herët. Çfarë duhet të bëj.
LELA

Për shqetësimin tuaj ne kemi pyetur mjeken pediatre, Mirela Mihaj:
“Së pari do t’i thosha nënës së re, se kolla zakonisht është një simptomë që flet për praninë e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes. Në përgjithësi, ajo kalon pas trajtimit të infeksionit, por mund të ndodhë që të zgjasë për disa javë apo dhe muaj. Në këto raste kolla është simptomë e sëmundjeve virale ose të bronkeve. Përderisa kolla po zgjat, do t’ju rekomandoja të bënit një vizitë më të specializuar te pneumologu për të parë nëse ka probleme me bronket dhe më pas të bëni trajtimin në bazë të diagnozës që do t’i vihet”.

Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë, mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose postës elektronike në adresat e mëposhtme:
Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës “Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë.
Tel.00355 4 273 207|08|09 E-mail:panorama_shendet@yahoo.com

Aida Malaj - Panorama