E enjte, 26.12.2024, 10:56 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Çifti Jakova - një tragjedi e diktaturës

E marte, 03.01.2006, 05:02 PM


HISTORIA E DREJTUESIT TE KOMITETIT QENDROR QE SHPEJT U QUAJT "ARMIK I POPULLIT", VUAJTJET, SFIDAT DHE SAKRIFICAT E NJE NENE PER TE RRITUR 4 FEMIJET E SAJ...

Dy vjet rradhazi, lapsat kopjativ hidhnin në fletët e bardha, ndjenjat, dashurinë, herë herë trishtimin... dëshirën për të pasur pranë gruan dhe katër fëmijët, apo qoftë, për të parë përmes hekurave të ftohtë ndryshimet e njerëzve më të afërt. Një histori e pamatë dashurie që shpesh tejkalon edhe imagjinatën, gjendet lehtë në librin "Letërkëmbim i dhimshëm" të Tuk e Mita Jakovës. Letrat e zverdhura, disa prej tyre të kthyera në ushqim për minjtë e birucave, janë ruajtur me fanatizëm nga gruaja e Tuk Jakovës, të cilës jeta nuk i kurseu dhimbjen që filloi qysh në vitin 1957. Fjala "armik i popullit" thirrte në veshët e fëmijëve ende të parritur mirë, diskriminim që shkatërroi jetën e një familjeje. "La vita e bella", është filmi i luajtur me aq mjeshtëri nga Roberto Benigni, subjekt i së cilit është djali i vogël në kampet e përqëndrimit, të cilit babai i thotë se është thjesht në një lojë për të fituar tankun e vërtetë. Kështu ka ndodhur edhe në historinë e familjes Jakova, kur Tuku shkruante letra nga burgu se është mirë me shëndet, kur nxiste fëmijët e tij të mësonin, kur i shkruante se babai i tyre do të vinte shumë shpejt nga shërbimi i punës.

Nga themelues në armik
Tuk Jakova i lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1914 ka qënë një nga pjesmarrësit kryesor në grupin komunist të qytetit të tij, bashkë me Qemal Stafën, Zef Malajn, Vasil Shanton dhe si i tillë ai mori pjesë në themelimin e PKSH-së ku u zgjodh një nga shtatë anëtarët e Komitetit Qëndror provizor të partisë. Gjatë luftës nacional çlirimtare Tuku ka qenë komisar i Brigadës së Parë Sulmuese, i Divizionit të Parë dhe Korporatës së Tretë. Pas çlirimit Tuk Jakova ka qenë anëtar i Komitetit Qëndror dhe i Byrosë Politike, deputet, zëvendëskryeministër, gjeneral si dhe Hero i Popullit. Si një ndër njerëzit me pozitë në atë kohë, Tuku ngriti idenë se historia duhej të shkruhej në bazë të fakteve e dokumentave, ide që i kushtoi shumë marangozit të thjeshtë shkodran. Ka qenë viti 1951 kur Tuk Jakovën e përjashtuan si anëtar i Byrosë Politike, ndërsa në vitin 1955 u përjashtuan nga posti i anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH-së. Në nëntor të po këtij viti Tuk Jakovën bashkë me familjen e tij i internuan në Berat ku vetëm pas disa muajsh, në vitin 1957, e izoluan në kalanë e Kaninës në Vlorë. Ky ishte viti ku për familjen Jakova nisi kalvari i gjatë i vuajtjeve, të cilat i kanë ndjekur hap pas hapi ato deri pas viteve 1990.

"Shërbimi"
"Babi është me shërbim dhe e ka marrë shumë malli për ju". Kjo është fjalia aq e rëndë që ka dalë me zorr nga goja e një gruaje, e cila rriste e vetme fëmijët, ndërsa të shoqin e kishte të burgosur, madje herë-herë nuk ishte në dijeni për vendëndodhjen e tij. Tukun më 24.5.1957 e izoluan plotësisht në kalanë e Kaninës Vlorë, ku nisi dhe letërkëmbimi i dhimbshëm mes dy bashkëshortëve. Me katër fëmijë të vegjël, me një rrogë minimale, gruaja e Tuk Jakovës, Mita, kursente 500 apo 1000 lekë për t'ia dërguar në burg të shoqit, ndërsa "gënjente" çdo ditë të vegjëlit për vendndodhjen e babait të tyre. "Në letër më kishe futë edhe 500 lekë. Të më besojsh se u inpresionova mjaft kur i pashë, sepse m'u duk sikur çkula nga letra ndonjë copë mish nga ai i kalamajve", shkruan në letrën e datës 4.8.1957, shkodrani i urtë. Gjatë izolimit, Tuku përpiqej të ishte pranë familjes së tij, edhe pse nuk donte kurrë që të vegjëlit të mësonin për fatin e babait. Në letrat e dhimshme, Tuku veç mallit e dëshirës për t'i parë, kryente detyrën e babait të kujdeshëm, duke i dërguar fëmijëve probleme matematike për t'i zgjidhur, e këtë në një letër të ardhëshme nga familja e tij. "I juaji, të puth me mall, të përqafoj fort", janë fjalët që kanë mbyllur çdo letër të bashkëshortëve Jakova, ndërsa brenda tyre gjindeshin dhimbja, hallet, pamundësia për të bërë më shumë, lodhja...

Misteri i vdekjes
Më 17 prill 1958, Tuk Jakovës i bëhet gjyqi në Tiranë ku u dënua me 20 vjet heqje lirie, dënim që nuk e kreu deri në fund. Të vetmit njerëz që i kishin mbetur, ato që e shihnin apo i sillnin ndonjë ushqim e veshje, ishin gruaja Mita, nëna Luçia si dhe i vëllai Frani, që pas arrestimit të Tukut u internua familjarisht në Gramsh. Jeta e burgut nisi të brengoste çdo ditë e më shumë marangozin shkodran, i cili kohën e kalonte duke dizenjuar skica mobiljesh, madje provoi të merrte pjesë nga burgu në një konkurs të shpallur nga Ministria e Ndërtimit, përgjigje që sigurisht do t'ishte negative. Ditët e gjata e të pafund të burgut mezi shtyheshin, ndërsa katër fëmijët e Tukut, Vjosa Agimi Besniku e Bujana që ishte më e vogla, kuptonin se rrëfimet e nënës për babain që kishte ikur me shërbim, nuk ishin të vërteta. Gjatë kohës së burgut Tuku kërkoi të shihte fëmijët e tij, dhe në letrën e datës 5.4.1959 që i dërgoi Mitës, shprehet; E kam ende të freskët tablonë e takimit. Veçanërisht më vjen para sysh Gimi që ishte rritë aq shumë brenda kaq muajve. Siç duket do i ngjasë babait të vet edhe në zhvillimin fizik". Dy herë në muaj, Tuku dhe Mita i dërgonin letra njëri-tjetrit, duke shkruar çdo gjë që ndodhte rreth tyre. Por ditët e zeza, ndiqnin si hije familjen Jakova, deri sa një lajm i zi i tronditi thellë. Më 26 gusht, 1959, Tuk Jakova shtrohet në spital ku vdes nga apandesiti akut, vdekje e cila për familjarët ka mbetur enigmë.

Tragjeditë pas vdekjes
Tronditjen e thellë familja Jakova e përjetoi edhe më shumë kur menjëherë pas vdekjes së Tukut, filluan përndjekjet e persekutimet. Mitën, gruan që mbante veshur të zezat, e hoqën nga puna si arsimtare dhe e caktuan punëtore në komunale, në punishten e ngjyrosjes. Të rritur nën presionin se i ati i tyre, ishte armik i këtij populli, fëmijët nuk patën mundësi të siguronin bursa për vazhdimin e shkollës, veç Vjosës vajzës së madhe të Tukut, e cila ishte absolute në mësime. Nga një histori dashurie me një djalë, dëshirat rinore dhe pamundësia për të ndenjur pranë njeriut të shtrenjtë, humbja e fletës së votimit në një aksion dhe epitetet bija e armikut të popullit, pësoi tronditje të thella, që i shkaktuan probleme të parikuperueshme 21-vjeçares Vjosa, e cila qysh në moshën 9-vjeçare ndjeu mungesën e një babai të dashur, lodhjen dhe në fund humbjen e tij. Agimi djali i madh i çiftit Jakova mbaroi Politeknikumin, ku u bë elektriçist i kategorisë së shtatë, ndërsa Besniku mbaroi shkollën e mesme për kimi industriale. Bujana e vogël që Tuk Jakova e përkëdhelte më shumë se të tjerët pasi mbaroi shkollën e mesme për shkak të vështirësive ekonomike filloi punën. Në fillim të vitit 1983, familja e Tuk Jakovës u internua në Sheq Marinas të Fierit dhe vetëm pas viteve '90, fëmijët e "armikut të popullit", ikën larg në emigrim, larg vendit që i mori një pjesë të jetës së tyre. Por jeta e një gruaje të moshuar, e cila vuajti qysh në vitet e para të dashurisë së saj, nuk mund t'i shpëtonte, fatkeqësisë tjetër. E lodhur, me Vjosën, vajzën që u sëmur në kulmin e rinisë, nga SHBA-ja një zile telefoni lajmëron Mitën për një humbje tjetër, vdekjen aksidentale të birit të saj, Besnikut, i cili si për koinçidencë vdiq në moshën e të atit të tij, 45-vjeçare. Kjo ishte një histori e dhimshme dashurie jo vetëm për çiftin Tuk e Mita Jakova, por edhe një histori e dhimshme familjare.

Shumë i dashur Tuk!
Nuk të shkruajta që mbrëmë se prita mos merrja sot letër nga ti. Shpesh më vinë letrat ditën e hënë. E mora në kohën që po përgatitesha për në shkollë. Kjo letër më gëzoi shumë. Në rradhë të parë që je me shokë e ti nuk mërzitesh, që je mirë me shëndet (po s'ka gajle që unë u bëra merak më shumë se sa duhesh), që më kërkon çërçafë dhe ato sendet e tjera dhe më në fund që letrën ma shkruaje me bojë (këtë të fundit e vunë re edhe fëmijët). Mbasi ato ishin në shkollë, ua lexova në darkë. U mblodhën të gjithë kokë më kokë. U gëzuan shumë që ju shkruaje të gjithëve veç u bënë pak xhelozë se në letër shprehje më shumë dashuri ndaj Bujanës se sa ndaj të tjerëve. Ju thashë se ajo është më e vogla etj., etj., por s'iu mbush mendja. Ata thanë se Bujana di ca lajka dhe babi kujton mos e do ajo më shumë se neve. Sikur ta di ai sa na ka marrë malli! Vjosa kujtoi një përrallë që quhet "Tri dëshirat" dhe tha se po të ngjiste me të vërtetë ajo që ngjiste në përallë, unë të parën dëshirë që do kërkoja ishte të vinte Babi në shtëpi. E pastaj secili thosh të tijat. Bujana kish hapur sytë, më shihte mua dhe përpiqej me këmbë e me duar t'iu mbushte mendjen se Babi i don të gjithë. Kishin qejf të të shkruanin, por unë s'i lashë se qenë të lodhur nga mësimet, do të shkruajnë herën tjetër. Kurse ajo shejtanka e vogël u ngrit që sot në mëngjes dhe shkroi në këtë copë letër ato që mëson në shkollë. Sa për letrën kur të mësoj alfabetin e ka merak vetë. Të gjithë jemi mirë. Mos ki hiç merak për ne. Për fëmijët do të flas kur të takohemi, mbasi kam kërkuar leje dhe jam në pritje të përgjigjes. Ato që më kërkon do t'i sjell vetë kur të vij. I kam të gjitha. Por edhe sikur të mos i kisha unë do t'i rregulloja megjithëse ti do të më "hidhnoeshe seriozisht". Me gjithë mend do të më hidhnoeshe. Tuk! Do më shanje një çikë në letër dhe asgjë tjetër.
Të poth fort
E jotja Mita, Berat 13.X.1958

Shumë e dashur Mita!
Letrën tënde nr. 2 të 10 dhjetorit e mora. Më erdhi keq që nuk kishe marrë ende letrën time të 5 nëntorit. Ndoshta do ta kesh marrë deri tani. Letrat tuaja si gjithnjë më gëzojnë shumë sepse aty mësoj mbi gjendjen tuaj. U gëzova që ishit mirë dhe në anë tjetër më erdhi keq që e detyruar nga nevoja kishe filluar të punosh orë suplementare. Më preokupon çështja e shëndetit tënd mbasi fizikisht nuk je edhe aq e përshtatshme për të përballuar një volum pune të dyfishtë. Në të vërtetë kjo inisiativë jotja është një inisiativë fisnike, që nga pikpamja e obligacionit për familjen arrinë deri në heroizëm dhe si e tillë mua nuk më mbetet veçse ta përgëzoj me mirënjohjen më të thellë, por në qoftë se kjo (pamvarësisht nga gadishmëria e jote për sakrificë) dëmton sadopak shëndetin tënd, mua dhe fëmijëve na kushton shtrenjtë. Për këtë jam i shqetësuar dhe me këtë rast dëshiroj të theksoj edhe një herë se për mua nuk duhet të bëhesh merak, mbasi kam mundësi të rroj edhe në këto kondita të burgut, dhe në qoftë se ti këtë sakrificë je e detyruar ta bësh edhe për mua, duhet të dish se me këtë nuk më nderon, por më ven në një pozitë të pandershme, të ngjashme me pozitën e një krimineli ndaj gruas dhe fëmijëve të tij. Prandaj të lutem të kesh kujdes shëndetin, duke ju përmbajtë vetëm asaj mase në punë, që nuk i kalon fuqitë tuaja fizike. Më kuptove?!! Kam marrë nga Frani një kartolinë për vitin e ri. Kishte ardhë në Tiranë me djalin se e kish pasë të sëmurë dhe i kish ardh keq që nuk kishte pas mundësi me ardhë e me më taku. Dua t'i kthej përgjigje më 20 janar, prandaj ti mos u mërzit që nuk do të shkruaj ty në këtë datë. Megjithëse vonë po ju uroj vitin e ri.
Puthi fëmijët për mua. Ju përqafoj të gjithëve. Të puth i joti Tuku Burgu i vjetër Tiranë 5 janar 1959



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora