| E merkure, 12.04.2006, 11:17 PM |
Emri i saj lidhet me pasarelat, këngën apo aktrimin. Së fundi edhe si stiliste mode. Por Diellza Kolgeci synon shumë më tepër se kaq. Vajza e politikanit kosovar rrëfen planet e saj. Ku përfshihet edhe një libër autobiografik. Dhe ca sekrete të tjera...
Drita LOSHI - Jeta
![]() |
Diellza Kolgeci |
E keni imagjinuar ndonjëherë një vajzë që njihet si balerinë, këngëtare, modele, stiliste, shkrimtare dhe që synon politikën? Nëse do ta përfytyronit, ajo do të kishte vetëm pamjen e Diellza Kolgecit, 27-vjeçares nga Prishtina, që pasi bëri emër në botën e modës, studioi për dizajn në Nju-Jork dhe i është futur studimeve në shkencat politike. Duket si një botë ëndrrash, por ja që është e vërtetë. Sa ç’janë të vërteta edhe ato dhjetëra sfilata mode e bukurie, ku ka marrë së bashku me çmimet e fituara, katër këngët e realizuara dhe dy filma, prodhime kosovare. Por e gjitha kjo nuk është rastësi. Sepse Diellza, veç talentit të lindur, ka dhe ambicien dhe guximin e duhur që e bëjnë të ecë përpara. Por ka edhe një gjë që ajo vazhdon ta ruajë me fanatizëm: jetën private. Tenton ta mbajë sekret, ndonëse unaza e artë në gishtin e saj flet mjaft... Ndërsa për të tjerat nuk është dhe aq e kursyer në fjalë. Sidomos kur bëhet fjalë për pasionet e saj.