Kulturë
Gazi Buxheli: Laver Bariu
E enjte, 11.11.2010, 10:07 PM
Gazi Buxheli
LAVER BARIU
Tregim
Hasmëria, mes familjes së klarinetistit Levend Zenelit, dhe asaj të Feti Abazit, ishte e trashëguar. Askush nuk e dinte kur ajo kish filluar dhe përse. Flitej se kish marr udhë gati dy breza më parë, pas një vrasje në familjen Abazi, kryer nga kreu i familjes Zeneli, të asaj kohe. Ajo hasmëri edhe mund të ishte mbyllur në se i pari Abazajve, në orët e fundit të jetës, të mos kish thënë atë që më shumë se amanet ngjau si porosi: ”Ai që do të shkel në shtëpinë e Levend Zenelit, ka shkelur mbi varrim tim; Ai që do të pranoj Zenelajt të shkelin në shtëpinë time, ka shkelur dy herë mbi varrin tim!” . E vazhduar kjo porosi nëpër vite, kish arritur edhe tek Feti Abazi: i jati, në shtratin e vdekjes, i kish përsëritur të birit amanetin e largët, duke e mbyllur me pyetjen : do ta shkelish këtë amanet? Përgjigjia e të birit ishte vetëm me një fjalë: kurrë!
Kohërat i zbehin premtimet, kurse halli të vë përpara provës së vështirë, të mbajtjes, apo të shkeljes së tyre. Ishte dasma e afërt e të birit dhe klarineta e Levend Zenelit, prova e vështirë, që paritur i dolli përpara Feti Abazit. Do ta bënte dasmën me klarinetën e Levendit, apo me dikë tjetër. E vjetëruar, e ç’ngjyrosur, e gërvishur nga kohërat, ajo klarinetë ishte kuptmësia e dasmave, ishte siguria se dasma do të mbahej mend gjatë, shumë gjatë. Ia kishte nevojën asaj klarinete, por karshi saj dilte porosia e të jatit: o Levend Zenelin, o shënjtërinë e varrit tim! E mbylli dilemën me përsëritjen e asaj fjale që kish thënë tek koka e jatit, teksa po jepte shpirt: kurrë! Kurrë, Levendi dhe klarineta e tij nuk do të shkelnin në shtëpine e Abazajve.
Diku gjekët, në Përmetin e largët, një tjetër klarinetist, kish bërë gjithashtu emër të madh, Laver Bariu. Atje u gjend Fati Abazi. Me të kapërceu dilemën e qetësoi trazirën lënguese. Laver Bariu do të vinte në dasmën e të birit.
……………………………………………………..
Dy-tre orë para dasmës, Feti Abazi, ushtri për të marrë një sy gjumë. Nuk kish pse bëhej merak për asgjë: ftesat, mishi, rakia, e mbi të gjitha Laver Bariu, ishin gati. Prandaj edhe gjumi i shkurtër do të ishte i qetë e do t’i shtonte gëzimin e harenë. Mbylli derën dhe fjeti…
Dera trokiti si me droj. Te pragu i saj u duk djali.
- Baba, Laver Bariu, lajmëroi se nuk do të vij në dasëm!.. Nuk iu përgjigj të birit. Hypi mbi kalin e bardhë dhe mori udhë për në Përmet, tek Laver Bariu. E gjeti në oborrin e shtëpisë, pranë një ulliri të motshëm, duke rregulluar lastarët e një hardhie të njomë , që sa kish filluar të ngjitej përpjetë atij ulliri të lashtë, për t’i zbutur pak hijen e rëndë të gropave e gungave, që koha gdhendur në trupin e tij.
- Përese ma bëre këtë Laver Bariu ?! Do, nuk do, do të vish në dasmën time!. Martoj djalin e vetëm! Kam ftuar miq nga të katër anët. Kam bërë raki e mish sa për të shtrirë 200 vetë. Përgjigjia e tjetrit erdhi e qetë:
- Merr Levend Zenelin, e ke në fshat. Ai i bie klarinetës njësoj si unë, në mos edhe më mirë! Feti Abazin, e zuri ngërçi në grykë:
- Mos mu përdridh si lastari i hardhisë që ke në dorë, Laver Bariu! Kurrën e kurrës, Levnedi nuk do shkel në dasmën time. E kthej dasmën në mort, po u pa ai tek dera e shtëpisë sime atë ditë. Dasmën do ta bësh ti, Laver Bariu! Po nuk e bëre, hasmëria ka hyrë mes nesh, e hasmëria gjithnjë paguhet! Të pres! Hypi mbi kalin e bardhë dhe teksa po e kthenet atë për nga dera e jashtëme e oborroit, dëgjoi përsëri zërin e qetë të Laver Bariut:
- Merr Levendin, e mos e prish dasmën tënde, Feti Abazi! Amanetet i tret koha, nëpër udhët e gjata që bëjnë. Mos u lidh pas tyre! Merr Levendin e bëj dasmën!
- Mallkuar qofsh, o Laver Bariu! Goditi me egërsi kalin e bardhë dhe humbi tutje në mugëtirën e buzëmbrëmjes, që sa po kish nisur të ngjitej përpjetë malave, akoma të kuqërëmtë…Kali i’u bë me krahë. Një hije njeriu, si ngjasi e Laverit, e ndiqte nga prapa, duke përsëritur ca fjalë, që nuk arrinte t’iau merrte kuptimin….
Dera e dhomës së gjumit trokiti përsëri. Kësaj here trokitjet e forta, të shpeshta e të papërmbajtura, që sikur nxitonin të jepnin një lajm të ngutshëm, zgjuan Fetiun nga gjumi i shkurtër. Në derë përsëri i biri.
- Përse ma prish gjumin, me kaq tërsëllim, ju hakërrua të birit.
- Ngreu baba, se ka ardhur Laver Bariu! Akoma i përgjumur, Feti Abazi, nuk po kthjellohej dot. Ai sapo ishte ndarë nga Laveri, i zëmëruar, e i hasmëruar me të! Të kish qënë në ëndërr?! Fërkoi sytë e hyri në dhomën përbri. Në krye të saj Laver Bariu, bashkë me hasmin e tij, Leved Zenelin! Sytë i besuan Laverin, por jo atë tjetrin, Levendin. Në vendin të tij, si imazh i turbullt, zuri vend i jati, ngritur dhe ardhur që nga varri. Nuk e kapërceu pragun e derës. U kthye mbrapsht, i hodhi dy grushta ujë fytyrës, për të qruar shikimin e kthjelluar mendimin, dhe u kthye përsëri: hija e të jatit kishte ikur, në vendin e saj Levendi, përkrah Laverit. Dëgjoi zërin e Laverit:
- Feti Abazi, bëhu burrë! Hasmi kur të shkel në shtëpi, pritet si gjithë të tjerët!, Jepi dorën Levendit! Unë jam miku yt dhe mikut i dëgjohet llafi e nuk poshtërohet! Hajde, jepi dorën! Pas shtangies dhe heshtjes fillestare, dasmorët, të zhurmshëm, u ngritën në këmbë. U dëgjuan duartrokitje të gjata. Dikush thërriti, me zë të ngritur: për hajër na qoftë dasma, e harruar hasmëria!
Feti Abazit, akoma nuk i kujtohet ne se ja kish dhënë, apo jo dorën Levendit. I kujtohet vetëm se klarineta herë shkonte tek Ai, e herë tek Laver Bariu, teksa dasmorët gjarpëronin rreth tij, në një valle të harbuar e të tërbuar, që do të mbahej mend si valle e ardhur nga dy klarinetist, në një dasëm të vetme.