Kulturë
Maks Velo: Makthet që përjetova nga hetuesia në Spaç
E enjte, 11.11.2010, 09:59 PM
ALMA
Makthet që shihte gjatë periudhës së hetimit dhe të tjera histori reale që vazhduan paskëtaj në Spaç, Maks Velo i ka hedhur në dy libra, të cilët së shpejti i vijnë lexuesit përmes shtëpisë botuese “55”. I ka titulluar “Hetimi” dhe “Spaçi”. Në të parin janë kryesisht ëndrra, që Velo shihte gjatë periudhës së hetimit, ndërsa në të dytin janë histori të përjetuara apo të dëgjuara. Janë histori të dhimbshme të njerëzve që ishin dënuar shumë herë pa shkak. Histori njerëzish të thjeshtë, që vuajtën jo vetëm çmendurinë e një sistemi, por edhe braktisjen e të afërmve. Shumë syresh nuk e përballuan dot këtë të dytën. Në një intervistë Maks Velo, arkitekt, piktor e shkrimtar tregon për librat e tij të fundit, mbi letërsinë e burgut, vështirësitë që hasen përballë kësaj gjinie dhe ca të vërteta të tjera, që vetëm një njeri që i ka përjetuar vetë mund t’i thotë.
Shumë shpejt i sillni lexuesit dy libra të rinj me tregime burgu, mund të na zbuloni diçka prej tyre?
Pas librit tim të fundit, “Historia e një cope guri”, botuar 2 apo 3 vjet më parë, po botoj dy libra, “Hetimi” prej 200 faqesh dhe “Spaçi” në 400 faqe. “Hetimin” jam munduar ta shoh në një këndvështrim tjetër. Unë jam një njeri që nuk shoh ëndrra, por atje, çuditërisht shihja shumë. Ka një transformim të ndërgjegjes, të subkoshiencës dhe shihja ëndrra të tmerrshme, madje i thashë edhe ndihmësmjekut, i cili më dha qetësues. Kryesisht janë ëndrrat gjatë kohës në hetuesi. Them se janë dy libra shumë të mirë që do të mbeten gjatë. Gjej rastin të falënderoj shtëpinë botuese “55” dhe botuesin Fahri Balliu, i cili më ka mbështetur edhe në bashkëpunime të tjera. U tregua i gatshëm, në një kohë që Shoqata e të Burgosurve nuk pranoi të më ndihmonte.
Dhe këta nuk janë librat tuaj të vetëm mbi këtë temë...
Gjatë kësaj periudhe kam shkruar rreth 80 tregime për hetuesinë dhe burgun si “Palltoja e burgut” në vitin 1995, “Kokëqethja” me poezi, “Thesi i burgut” me tregime dhe poezi, “Kostumi i martesës” me tregime dhe i fundit “Historia e një cope guri”, i cili ndonëse kishte tregime të mira, nuk pati shumë jehonë, pasi ishte libri i fundit i shtëpisë botuese “Sejko” dhe nuk u hodh në treg. Përveç këtyre, kam botuar edhe “Ese për diktaturën”, “Klubi i Karavastasë”. Kjo është letërsia ime, ku dominon letërsia e burgut.
Cila është ndjesia që provoni pasi ndani një eksperiencë tuajën me lexuesin?
Krenohem për një arsye. Nuk është e lehtë ta shkruash. Arshi Pipa nuk shkroi dot një libër me tregime për burgun, Kasëm Trebeshina gjithashtu, Martin Camaj, po ashtu. Dhe jam i pari që fillova të shkruaj nëpër gazeta dhe pastaj i mblodha, duke kapur një fokus të veçantë ndërmjet dokumentacionit, kronikës dhe letërsisë artistike, por shumë shkurt, në mënyrën e ekzistencialistëve. Dhe pati sukses, janë pëlqyer, madje prej tyre është marrë lëndë, që më vonë është bërë edhe film.
Thatë që të shkruash për burgun nuk është e lehtë, ç’e bën të komplikuar?
Jam munduar të jem i balancuar, por diktatura nuk duhet harruar. Nuk është e lehtë ta japësh jetën e burgut me vërtetësi. Nuk është puna të godasësh vetëm policët e diktaturën, por të tregosh edhe si silleshin të burgosurit, si rezistonin, gjithashtu të tregosh se kishte edhe hajdutë e kriminelë. Pra të përshkruash gjithë atmosferën me realizëm është shumë e rëndësishme për dokumentacionin dhe për një njohje të plotë të diktaturës nga shoqëria jonë dhe shpresoj që këto dy libra të kontribuojnë për këtë.
Mendoni se me këta dy libra e keni shteruar temën e burgut?
Sa herë që gërmoj mund të gjej lëndë, por në përgjithësi i kam thënë gjërat. Janë 80 tregime të gjata e të shkurtra dhe mendoj se i kam shteruar. Nëse do të dalë diçka edhe mund të shkruaj. Kam shumë dëshirë dhe kam filluar të shkruaj një dramë. Por me këto dy libra kam thënë gjithë hetimin tim dhe periudhën e Spaçit dhe e vlerësoj si një pjesë të rëndësishme të letërsisë së burgut.
Është proces i dhimbshëm të shkruash për burgun?
Është një ndjenjë e çuditshme. Është dhimbje, por edhe kënaqësi kur arrin t’i shkruash, aq më tepër që ua jep njerëzve. Por këtu është edhe rreziku, sepse rrezikon të kalosh në superlativa negative, të shash gjithçka. Jeta e burgut është një copë jete e botës dhe aftësia është ta kapësh nga të gjitha anët. Për këtë jam munduar. Kam një kapitull me tregime të vogla, që është shumë i dhimbshëm. Rrëfen ato raste kur familja u thoshte të burgosurve të mos ktheheshin më dhe ata vrisnin veten. Do përmendja rastin e një rrobaqepësi nga Durrësi, që bënte trakte. E dënuan për agjitacion-propagandë. Kur doli nga burgu shkoi në shtëpi dhe gruaja i mbylli derën, po kështu edhe vajza dhe të nesërmen e gjetën të varur në një plep. Edhe gjatë burgut jam munduar të mbledh materiale, që nuk e kam jetuar vetë. Një tjetër rast, të cilin ma kanë treguar, është ai i një të dënuari nga Elbasani. Bëri 18 vjet burg. Para se të dilte merr një letër nga vajza, ku i thoshte se ishte fejuar dhe bënte mirë të mos kthehej se do t’i prishte biografinë dhe mund ta ndante i fejuari. Ai iu fut telave dhe e vranë. Është një libër me shumë dhimbje, por është mirë që njerëzit t’i njohin.
Ju ka ndodhur të përballeni me hetues apo njerëz sigurimi, me të cilët keni pasur të bëni gjatë atyre viteve?
Më ndodh një herë të jem në një tavolinë me disa miq të mitë dhe ngjitur me ne ishte një burrë që kishte pirë shumë. Ai vjen në tavolinën tonë dhe fillon të flasë me ne. Ishte Nazif Shtino, drejtori i spitalit të burgut, njeriu më i besuar i sigurimit. Asokohe, të gjithë të burgosurit donin të dilnin të çmendur, sepse i nxirrnin nga burgu. Duke parë vizatimet e mia, ai më propozoi për të çmendur. Ai në një farë mënyre po më bënte nder. Edhe në komision kishte njerëz që më njihnin dhe më bënin pyetje, që të vërtetonin se isha i çmendur, por u thashë: Jo, jam shumë në rregull. Ai e mbante mend këtë rast dhe ashtu i pirë siç qe, më thotë: Ti e di që kur të futëm në dhomë, hetuesi të vuri një agjent?
Po, i thashë.
Po si e more vesh, më thotë.
E mora vesh nga pastruesja.
Aty vinte një pastruese e vogël, që pastronte dy herë në ditë. Në dhomë kisha një të dënuar që kishte vrarë me sëpatë dhe sollën edhe një shkodran. Kur ata po flinin, në mëngjes ajo hyn dhe më bën shenjë me sy, që njëri nga ata ishte agjenti.
Ju nuk jeni i vetmi që shkruani letërsi burgu, ndodh të abuzohet me këtë temë?
Abuzohet, sepse flasin zi e më zi, duke thënë që fajin e kishin policët, oficerët... Por nuk janë të drejtë. E kam thënë disa herë, që një nga njerëzit që kam respektuar më shumë ka qenë komandanti i kampit, Meto Kondi, i cili u bëri shumë të mira të burgosurve. E mira ishte që ai respektonte ligjin. Ai detyroi ndërmarrjen minerare të Mirditës, që të respektonte kontratën që kishte për ushqimin dhe ambientin. Bëri mensa, rregulloi kuzhinën, sallën e televizorit.. Këto ishin shumë të rëndësishme për të 1000 vetat. Siç kishte edhe të burgosur negativë. Pas viteve ’55, në burgjet shqiptare kishte shumë ordinerë. Lista më e madhe e të burgosurve në Spaç ishin ordinerë dhe pastaj politikë. Ndodhte që dikë e dënonin 8 vjet për vjedhje. I këpuste një sharje dhe hante edhe 5 vjet të tjerë dhe e ndërronte statusin në politik. Kështu që familja lëvdohej se e kishte të dënuar për politikë, ai vetë po ashtu. Prandaj kam thënë që, për çdo dosje duhet të jetë vendimi i gjyqit dhe doli kjo që thashë unë. Ministria e Drejtësisë pa që shumica e të dënuarve ishin ordinerë. E pastaj filluan protestat. Njeriu duhet të jetë i drejtë, që të mësojmë të vërtetën, sepse siç ishte një falsifikim arti i realizmit socialist, ashtu është edhe mosthënia e së vërtetës.
Veç vërtetësisë, nga ana artistike, sa e vlefshme është kjo lloj gjinie që po lëvrohet tek ne?
Me sa kam numëruar unë, janë rreth 30 autorë që kanë shkruar për burgun. Sigurisht jo të gjithë janë me nivel, 4-5 janë më mirë. Shumë nuk dinë të shkruajnë, nuk kanë kulturë dhe ndërmarrin diçka që është shumë e vështirë. Duhet të kesh një përgatitje shumë të madhe për të përshkruar atmosferën, për të qenë konkret, dialogët të jenë të qarta, gjendjet shpirtërore, ankthet që vijnë nga e kaluara apo që dominojnë të burgosurit.
Ndërkohë, keni në duar ndonjë libër tjetër?
E kam një plan. Kam bërë një listë me 10 libra, ku do të përfshihet gjithë krijimtaria ime. Janë dy libra për burgun, një tjetër me tregime që nuk ka lidhje me të, dy libra për arkitekturën. Prej vitit ’90 kam botuar shumë artikuj dhe intervista mbi këtë temë dhe them se është dokumentacioni dhe kritika e vetme mbi zhvillimin e arkitekturës në Shqipëri. Do të jetë një libër me poezi dhe vizatime në shqip dhe frëngjisht për Parisin, pastaj një libër me studime mbi artin popullor.. Pra, janë disa libra që do të mundohem t’i botoj, por kjo varet dhe nga mundësitë dhe mbështetja.
Marrë nga libri me tregime “Hetimi”
...Ajo që më çuditi pa masë, pa i dhënë dot shpjegim, ishte se të çmendurit nuk bëheshin armiq, kurse armiqtë i bënin të çmendur.
Këtë e them me fakte, se nuk di që nga spitalet psikiatrike të ishte akuzuar ndonjë i çmendur për agjitacion dhe propagandë.
Siç duket, edhe çmenduria ka një cak që nuk e tejkalon. Kështu që të gjithë, përfshi edhe të çmendurit, e dinin se me pushtetin popullor nuk bëhej shaka. Çmenduria e tyre lejohej deri në kufirin politik.
Kurse e kundërta praktikohej dhe lejohej, d.m.th. pozicionimi politik të quhej anomali psikike.
Tërë këto arsyetime po i bëja në birucë, pasi hetuesi më shpjegoi me njerëzillëk (ishte hera e parë) që do të më çonin në spitalin e burgut për një kontroll mjekësor-legal psikiatrik. Kjo, vazhdoi hetuesi, për vetë karakterin e veprimtarisë tënde artistike, nëse mund ta quajmë të tillë.
-Këto punimet e tua janë shumë të çuditshme, jo vetëm janë në kundërshtim me artin e realizmit socialist, por ato as nuk mund të quhen vepra arti. Kështu si ti është i tërë arti i çoroditur dhe i degjeneruar perëndimor... Në njëfarë mënyre po i bëjmë ekspertizë edhe atij... edhe ata janë të degjeneruar si ti. Këto mendime japin për ty edhe shokët udhëheqës të Lidhjes, edhe shoku Kujtim.
Ajo që më trembi vërtet ishte njerëzillëku i hetuesit.
Ishte hera e parë që sillej kështu, pa të bërtitura, pa grushte, pa kërcënime. Kjo sjellje, që duhej të ishte normale, ishte anormale në hetuesi.
“Ç’pati, - thashë me vete, - mos kam luajtur vërtet, se vetëm me të çmendurit gjithë bota sillet me kujdes”.
Kështu që nuk kisha merakun e artit, por të sjelljes së hetuesit shtetëror. Prisja që në repartin psikiatrik të spitalit të burgut të shihja të çmendur politikë, por jo, asnjë, veçse pashë njerëz politikë, që bënin si të çmendur.
Kjo ishte njëra nga mënyrat që të shpëtonin nga dënimi.
Por unë me mjekët e zgjidha në mënyrë paqësore.
-Unë jam në rregull bashkë me vizatimet dhe pikturat, ju shënoni çfarë të doni.
Ata mbetën të kënaqur, sepse shumicën mundoheshin ta mashtronin, të luanin teatër. Unë nuk u ngjita fare në skenë, lojën e kisha bërë përpara, kur qëndroja para letrës së bardhë dhe telajos së tendosur.
Tërë normalitetin dhe anormalitetin e kisha shprehur aty.
Tani isha spektator dhe shihja se si shoqëria socialiste, paranojake dhe anormale, e cila nuk shkonte dot në spitalin psikiatrik sepse ai nuk e nxinte dot, kishte marrë në analizë veprën time...
I lidhur, po kaloja nëpër korridor.
Mbrapa çdo porte të mbyllur më bëhej se ishte ulur një njeri negativ, xhelatinoz, i tejdukshëm.
Hetuesia është një zbardhje e nxirjes e një nxirje e të bardhës, një xhelatinë e ngurtësuar, si ato pllakat e mëdha të radiografive që kur i prek me dorë, të transmetojnë një ligështi sëmundjeje e kur sheh nëpërmjet tyre, të supozohen hije me kocka: skelete të bardhë, unaza të shtyllës kurrizore, brinjë, nofulla, kafka, falanga këmbësh, kërcinj, legen. Një perandori kockash në të kundërtën, fosforeshente dhe rrezatuese.
Kështu, kur shkoja korridorit për te dhoma e hetuesit, mbrapa dyerve të mbyllur më bëhej se ishin varur litarë të gjatë me filma radiografish. Negativoteka ruante dhe grumbullonte tërë tragjeditë, vuajtjet, spiunimet, denoncimet, rezistencën, çmenduritë, qullosjen.
Këtu ishte grumbulluar dhimbja e pashkruar, e panjohur, e paregjistruar. Ajo nuk duhej të njihej kurrë.
Këtu shtuposeshin britmat, poshtërsitë, komplotet, intrigat.
Unë dhe të tjerët. Unë nuk duhej t’i njihja të tjerët dhe ata mua. Mosnjohja, ky ishte rregulli i hekurt.
Zhurmat dhe heshtja ngjajnë me gërmimin e një varri.
Zërat vijnë të shuar, drejtimet vështirë t’ua përcaktosh.
Ne, qenie të mjera, kemi aftësinë të thithim çdo zhurmë, të deshifrojmë çdo tingull, edhe kur ai është i shuar.
Çdo gjë që ka qenë, që nuk ekziston ose që do të vijë, ne e ndiejmë, e kuptojmë.
Ata duan të na shohin përtej, dhe ne, po ashtu, shohim përtej.
Ca kube të kristaltë ndriçonin qiellin, lëviznin, uleshin, ngriheshin, bashkoheshin e shpërbëheshin. Çdo lloj u bë KUB.
Dhe biruca u mbush me kube. Kube të mëdhenj, kube të vegjël.
Kube të pastër, të ndriçuar nga brenda.
Kube ajrorë, ujorë, kristalorë, metalikë, shkëmborë.
Çdo gjë ishte kub; njerëzit ishin shndërruar në kube të lëvizshme; edhe banesat, edhe pemët, edhe ajri, edhe malet larg ishin prej kubesh.
Ja, ky është kubizmi… ky.
L.P. ishte një personazh i rrugës, i lokaleve, i pijes, i konjakut… Duke sfiduar defektin fizik, i jepej jetës së çrregullt.
Lexonte dhe ishte bashkëbisedues interesant. Por gjithmonë kishte një tis dyshimi.
Me të më njohu piktori E.Gj. i cili ishte po ashtu i dhënë mbas pijes. Pija i bashkonte të dy. Për herë të parë e takova në studion e E. L.P. ishte inxhinier elektrik. L. shkonte në studio me një shishe konjaku. Më ftuan të shkoj në martesën e tij.
I përgatita një dhuratë, një pastel…, një arixhofkë.
Duke shkuar me E., me ne u bashkua edhe një piktor tjetër.
Ky, më vonë më doli dëshmitar në gjyq dhe përmendi dhuratën e dasmës.
Më vonë çifti u nda.
Një ditë, aty nga shtatori i 1978-s L del nga tavolinat e kafe-bar “Sahatit” dhe më fton të pi një kafe.
Aty më thotë se kishte një bisedë serioze, se kërkonte të martohej më njërën nga motrat e mia.
-Thuaja asaj, jo mua, - iu përgjigja.
-Pyete ti, - ma ktheu.
U largova.
Mbas një jave, po në atë vend më ndali prapë.
-I the motrës?...
-Nuk do të dëgjojë… nuk ka dëshirë… nuk do të martohet… (Në fakt, as që i kisha thënë, nuk e bëja dot këtë gjë).
U shpërfytyrua, u bë bishë…
-Dukesh që nuk i ke thënë. Edhe ti do të shkosh aty ku është E.
Mbas një jave u arrestova.
Gjithë kohës kam këtë dilemë. A kishte lidhje ky njeri…?
Kjo më gërryente. Dua të di të vërtetën dhe nuk mund ta di. Jam i pafuqishëm dhe kjo më mundon.
Bisedimet diktatoriale janë edhe enigmatike edhe hermetike.
Janë si bisha parahistorike, që nuk i njohim dot.