E merkure, 13.11.2024, 06:18 AM (GMT)

Faleminderit

Fritz Radovani: Don Simon Jubani asht ai që sfidoi terroristët komunistë në PPSH

E shtune, 06.11.2010, 07:59 PM


DON  SIMON  JUBANI

ASHT  AI    SFIDOI  TERRORISTËT  KOMUNISTË TË  PPSH

 

Nga Fritz Radovani

 

            E kam njohtë atëherë kur ishte lojtar futbolli i “Vllaznisë”, kur krimineli Hilmi Seiti, ishte tue u përpjekë me e shmangë nga rruga e “gabueme” që, infermjer Simoni kishte vendosë... edhe Ky, me  ndjekë shembullin e vllaut vet Don Lazrit...Meshtar model i Klerit Katolik të Shkodres.

Mbasi u ba Meshtar, sigurimi i shtetit mendoi me e zhdukë me dënime të gjata dhe të përsërituna, tue e kalbë për së gjalli në burgun e njohtun të Burrelit. Atje kishte edhe një birucë të quejtun “biruca e Don Simonit” nga të burgosunit që vuenin me Te n’ atë skëterrë, ku, shumë pak kanë shpetue pa shkue tek “qerrshia” kur komunistët vendosnin zhdukjen e një njeriu... ose ma mirë me thanë të një “shifre” që shtohej në arkivat e komitetit qendror të PPSh, në Tiranë.

Aty nga viti 1999, e takova papritmas jo larg nga dera e shtëpisë seme. Nga ecja e Tij e pandryshueshme dhe e shpejtë si vetëtima, nuk mujta me kuptue se ishte Ai Don Simon që kishte ba 26 vjet burg tue u masakrue si pak kush nga sigurimi i shtetit, mbasi Ky vazhdonte me kenë “kryefortë dhe i pandreqshem”, ndonse, e kishte të kjartë se nuk do të lirohej kurr nga burgu...

Më njohti sa më pau dhe u ndalue me më përshëndetë. Torturat dhe dajaku apo shqelmat e policve të Burrelit nuk kishin mërrijtë as me cikë sado pak kafken e trunit të Tij prej çeliku, mbasi aty për aty, më pyeti për të gjithë pa gabue me ngatrrue të gjallët me të vdekunit. Vërejta një kjartësi e saktësi mendimi, si thonë shkodranët “me ia pasë lakmi...”

Me 9 Nandor 1989, Muri i Berlinit ra!

Një shpartallim i “kufijve” të shteteve komuniste, të quejtuna “demokraci popullore” pat zgjue nga gjumi i përjetshëm edhe të vdekunit e atyne vendeve me ikë nga zgjedha komuniste gjysë shekullore e Bashkimit Sovjetik. Shiheshin pothuej në të gjitha kanalet televizive vargje të pafund njerëzish me nga një strajcë në dorë, tue ndjekë karvanet e urituna për Liri. I shikonim me nostalgji dhe nga mesnata shkonim me fjetë tue pritë se çka mund të sjellin dita e nesërme...

“Asgja e re”... Ramiz Alia me Nexhmije Hoxhen, vetëm përsëritnin se, “ne nuk jemi as Lindje as Perëndim...Europa po desh me u lidhë me ne kështu si jemi...ne nuk ndryshojmë dhe as nuk lejojmë ate që ndodhë në vendet revizioniste...” Sigurimi i shtetit shton “vigjilencën” në të katër anët e kryesisht në kufinjë...Bahen disa ndryshime mashtruese të ligjit nga Ramiz Alia, që sjellin vetëm vrasje e terror të vajza e djelmëve të rij ndër zonat kufitare. Në Shqipni jo vetëm nuk kishte asnjë shenjë zbutje apo ndryshimi, po kishte një pasiguri që sa vinte e shtonte frikën...

Me 14 Janar 1990, një grup djelmësh shkodranë vendosin me rrëzue bustin e diktatorit të pashembullt në histori Stalin. Aty nga ora 11.00 para dreke të asaj të diele të ftohët dola në shesh qendror të qytetit, që quhej “Sheshi i Dëshmorëve”, ku, mijra vetë në “heshtje” vetëm shikonin njenitjetrin në sy dhe jepnin nga një shenjë me kuptue se prej hotel “Turizmit” e përrreth s’shihej tjetër gja në ato ndertesa veç tyta mitralozash e pushkësh, që pritshin urdhën me u shprazë mbi kokat e qytetarve shkodranë...Dy tri autoambulanca ishin pranë monumentit me arsenale armësh.

Nga lagjet ku banonin xhelatët e sigurimit të shtetit flitej se nuk kishin dalë djelmë të rij, dhe se, në natën përpara janë arrestue organizatorët e Asaj Demostrate që u pasue me arrestime të tjera të datës 14. Rreth 120 vetë, ndër të cilët pat edhe mjaft vajza, provuen tortura e masakra nga sigurimi, që nuk besoj se e kanë harrue edhe sot ate kasaphane që u ba mbi ta nga zv. ministri kriminel Zylyftar Ramizi, që pat ardhë për atë qellim nga Tirana. Në grupin e të arrestuemve ishte edhe Don Simon Jubani, që tregonin se për disa ditë nuk ka vue kambët në tokë nga shkopijt e rrahun për shputat e kambëve... Rin Monajka, Gjergj Livadhi, Dedë Kasneci, Flamur Elbasani, Nikolin Thana dhe mjaft të tjerë mbetën në birucë dhe u dënuen me burg...

Edhe 13 Qershori i Shna Ndout të Laçit Kurbinit, nuk asht ma Ai i vitëve tjera... Nga të gjitha anët e Veriut vrapojnë spijunët me ndalue shkumjen tek rranojat e Kishës së vjetër...

Me 16 Qershor, një vrasje e shemtueme e një djali 17 vjeçar në kufi, sjellë në Shkoder një Demostratë tjetër...t’ atyne Burrave të Malësisë, që me arkivolin e Pëllumb Pëllumbaj të vumë në shkallat e komitetit të partisë komuniste të Rrethit të Shkodres, i dergojnë “selam...” Ramizit dhe Nexhmijes në Tiranë... E, funerali vazhdon rrugen drejtë Stom Golemit...ku, Pëllumbi pushon në banesen e fundit me plumbat e një vrasjes së pamëshirshme me urdhën të tradhëtarit Ramiz Alia.

Bana një shkëputje, për me tregue vazhdimsinë e vepres së komunistave të kryesuem nga Ramiz Alia, për me ardhë tek e Dielja e Parë e 4 Nandorit, në Vorrezat e Rrëmajit në Shkoder... që asht një vazhdë e daljes së kllapisë gjysëm shekullore edhe në Shqipni, tue fillue në Shkoder.

Binte shi si zakonisht në Ditën e të Vdekunve...Pak mbas mesditës, vjen në shtëpinë teme tue kullue ujë miku i em Njac Deda, i cili asht ndodhë rasisht ndër vorre dhe, më sjellë lajmin e papritun se Don Simon Jubani, mbi një tavolinë buke të sjellun nga shoferi Mark Morana, bash në Kapelen e djegun e pa pullaz të Vorrezave, ka thanë një Meshë dhe ka njoftue se të Dielen që vjen me 11 Nandor në orën 11.00, do të thonë prap një Meshë tjetër...

Tue njohtë Burrninë dhe guximin e pathyeshëm të Don Simonit, mu mbushën sytë me lot dhe, ashtu si ishim në tavolinën e asaj dreke të përmallshme...besuem, se edhe në Shqipni, i erdh fundi komunizmit që me aq ankth e pritshim dita e ditës...

Vorrezat e Rrëmajit u kthyen në një kantjer pune, ku në mes të Atyne Kryqave të thyem e të vjetër, e shumë prej tyne edhe të zhgulun, ecnin djelmët e rijë me tulla, tjegulla, trena e vegla pune, tue u ruejtë mos me vue kambën mbi vorret e rranueme, me ndihmue në rindertimin e Asaj Kapele që pat projektue dikur...Ludovik Zojzi, ingjenjeri Martir shkodranë edhe Ky i vramë me atentat në 1943 në Tiranë, nga komunistët. Vepra e Tij ishte e vetme e mbetun në kambë në Revolucionin Kultural të 1967, që po ta dinte Ramiz Alia, se një ditë Aty, Don Simon Jubani do të sfidonte diktaturen komuniste 46 vjeçare, në të Dielen e 11 Nandorit 1990, jam i sigurt se tue fillue nga Zalli i Kirit ku pushojnë edhe sot mijra të vramë nga terroristët e Enver Hoxhës e deri tek Dugajt e Reja, tue përfshi të gjitha ato lagje katolike, komunistët do ti kishin sheshue dhe sipër do të kishin derdhë vetëm pleh ashtu si kanë veprue për 40 vjet mbi Vorret e Përbashkëta të Martirve të vramë në Zallin e Kirit e kudo në Shqipni, për me zhdukë gjurmët e krimeve të tyne. Ma shumë njerëz në mbasdreke dhe në darkë shiheshin tue shkue në Ballabane në drejtim të Rëmajit sesa në pjacen e Fushës së Çelës. Aventurës komuniste të fillueme në vitin 1941 nga Hoxhë Alia e Ali Nexhmija, po i afrohej fundi pikërisht nga Rinia Shkodrane dhe Kleri Katolik Shqiptar që, edhe pse ishte i shfarosun plotsisht, kishte mbetë ndonjë “përfarë” sa me i këndue atë ditë “shartet e fundit”, ndonse, Don Simoni nuk dihej ku asht i strehuem... Në darken e datës 10 të ditës së shtunë, një prift më thirri dhe, më tha: “Neser unë nuk do të jem ndër vorreza, mbasi Don Simoni nuk duhet me thanë Meshë pa lejen e Vatikanit..!” Unë i përgjigja: “Pse, mos me u thanë Mesha nesër aty simbas jush, po, kur komunistët mbyllën Kishat dhe punuen me zhdukë fenë, veprimet e tyne i kanë ba me ‘leje’ të Vatikanit..? Unë neser do t’jemi aty me grue dhe fëmijë!” Vërejta se nuk i erdhi mirë...Aty për aty tek unë menjëherë lindi dyshimi se ai prift po kryente “një porosi” të sigurimit... Nuk ishe gabue aspak, mbasi në vitin 1998, kur kam lexue dosjen e tij në arkiv të Ministrisë së Mbrendshme, qendrimi që ai ka mbajtë në hetuesi dhe në gjyq të mbyllun ndaj Imzot Ernesto Çobës, më ka përforcue “dyshimin” e asaj natë, kur gjithë Shkodra festonte në votrat e veta, ku, gati nuk kishte ma asnjë shkëndi shprese, atë natë aq të lumnueshme dhe të bekueme, sa me bindje të plotë e tham se, “vetëm të sëmurët ose të dejunit nga gëzimi” duhet të kenë mbyllë sytë, mbasi na dukej aq larg ora 11.00 e së Dieles sa, gati gati me fillue që në darkë me u veshë dhe me u nisë e me shkue në Rrëmaji...

Erdhi dita e Diele e datës 11 Nandor 1990... E, po afrohej edhe ora 11.00...

Nga të katër anët e Shkodres derdhej vargu i njerzve pashkëputje drejt Asaj Kapele të Atyne Vorrezave, që Madhështia e Saj ngjante me ndonjë Kathedrale shekullore... Kaluem ndër disa “postbloqe dhe fotoreporterë” të strukun në gjipsat e sigurimit, madje, tek shkolla pyjore mujta me njohtë në gjips edhe (RrP) nipin e një Argjipeshkvi të mbytun në burg nga komunistët. Ecëm, ecëm gjysëm të gëzuem...mbasi edhe fëmijët vrojtuen tytat e mitralozave në apartamentin përballë Vorrezave, ku, mjaft Musliman ishin jashta derës së Vorreve. Pyeta një të njohtun, se mos asht ba gabimisht ndonjë veprim që ndalonte hymjen e tyne...Por, jo! Ai më tha: “Jo, sot asht Dita e Juej, hyni dhe rrini të qetë! Nëse guxon kush me shkrepë një armë nga apartamentët, veturat këtu përrreth apo nga vagonat e trenit nën çinarë të mbyshun plot me sampista, atëherë, na me armët që kemi në trup do të mbrojmë jetën tuej...” Mu mbushën sytë me lot atëherë edhe sot, që jam tue shkrue këta pak rreshta! Sa afër ishim me Vëllaznit Musliman kur At Fishta, pat lidhë përjetsisht kandilat e dritave nga kompanjeli i Kishës së Fretenve me Xhaminë e Fushës së Çelës, e flladi i Shkodres valvitte Flamurin Kombëtar...ndonse, në 1990 nuk ishte asnjena, as Kisha as Xhamija, vllaznimi e miqësia mes nesh në Shkoder vazhdonin me kenë të pazgjidhuna! Po, sot, mbas 20 vjetësh...? Veni dorën në zemër e thoni të vërtetën..!

Hyme mbrenda Vorrezave ku fletët e pishave e gjethët e çinarve dukeshin sikur edhe ata nga gëzimi vazhdonin pandërpremje duertrokitjet... Cicërimat e zogjve ishin aq të gëzueshme, sa edhe ata atë ditë nuk dukeshin se vazhdojnë kangën e tyne të përditëshme ndër ata vorre...

Përshndetje dhe shtërngime duersh...shterngime të forta e miqësore shoqnue me lot, me lot mallëngjimi mbasi secili kujtonte Ata që edhe pse janë aty, nuk ia mërritën me e pa Atë Ditë.

Erdhi...erdhi... erdhi edhe Don Simoni... Ra një heshtje...dhe, u ndigjue zani i fortë i Tij:

“Vllazën dhe Motra!

Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazën e Motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme.

Në vitin 1443, kur Heroi i ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë:

“Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta midis jush!”

Unë, i padenjë për këte mision po, Ju, tham: Se, fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja!...

...Shkodra qytet me një histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkoder asht gati edhe sot me bashkpunue  me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedjës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu në këto troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njëherë traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.”

Një “Ave Maria”u ngjit naltë në Qiell e, kori i “Bijave të Zojës”, ...të plakuna, dhe të rranueme nga vuejtjet e burgjet...vazhdoi me këndue kangën e “Zojës së Shkodres”....

 

20 vjet ma parë Don Simon Jubani, asht Ai klerik katolik shqiptar, që edhe pse i vetëm, i rrethuem dhe i mbrojtun nga Rinia dhe Populli i Shkodres, pa dallim Feje, sfidoi njëherë e përgjithmonë terroristët komunistë të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, tue sjellë bashkë me Ringjalljen e Fesë edhe Demokracinë, për të cilën dhanë jetën mbi 45.000 Atdhetarë...

Vepra e tij madhështore e 11 Nandorit 1990, Ate e bani të Pavdekshëm...

Ai rron dhe do të rrojë në zemrat e kujtimet e të gjithë Atyne Shqiptarve që do të vazhdojnë me punue me gjithë fuqitë e Tyne për një Shqipni Europjane!

Don Simon Jubanit, tue i urue pleqni të shndetshme, e falnderoj për sakrificen e Madhe që ka ba për të gjithë Shqiptarët që sot prej Tij... Gëzojnë Lirinë...

Ju, uroj edhe 100 vjet tjera në sherbim të Fesë e Atdheut...I nderuem Don Simon!

 

Melbourne, Nandor 2010.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora