E enjte, 26.12.2024, 11:43 AM (GMT)

Kulturë

Ardian Marashi: Mjaft me panegjerikët për mbrojtjen e standardit

E shtune, 06.11.2010, 07:03 PM


Nga Fatmira Nikolli

 

Standardi s'është tabu, tabutë iu përkasin shoqërive të paemancipuara". Kështu u shpreh në një intervistë për Gazetën Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Teksa sqaron të gjitha "ankesat" ndaj konferencës shkencore të dhjetorit, ai zbardh letërkëmbimin me Institutin Albanologjik të Prishtinës, e më tej thotë se Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe është mbajtur peng gjer më tash...

 

Në emër të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës, 13 albanologë kosovarë kanë deklaruar bojkotin e konferencës shkencore "Shqipja në etapën e sotme: Politika e pasurimit dhe e përmirësimit të standardit", e cila organizohet në kuadër të aktivitetit "Ditët e Albanologjisë", që nis më 15 dhjetor në Tiranë. Si e pritët këtë bojkot?

 

Dy korrigjime janë të nevojshme. E para, bëhet fjalë jo për 13, po për 11 studiues nga Kosova. E dyta, temës e konferencës është e formuluar: "Politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit"; pra, "politikat" në shumës, ç'ka presupozon shumëllojshmërinë, e jo në njëjës, ç'ka do të sugjeronte njëanshmërinë, sektarizmin, e madje ideologjizimin e shkencës gjuhësore. Në të vërtetë, togu emëror "politikat gjuhësore" nuk është i shpikur nga ne, porse është një term me të cilin operohet në fushën e planifikimit gjuhësor. Në pjesën e fundit të pyetjes suaj, ju flisni për "bojkot"; le të saktësojmë se nuk janë kolegët e Kosovës që e kanë përdorur këtë term në komunikimin e tyre, por gazetarët, të cilët përdorin shpesh terma "të fortë" për nevojë të mediave të tyre. Ne nuk po organizojmë ndonjë Kuvend, as ndonjë Kongres për Gjuhën Shqipe; pjesëmarrësit në konferencën tonë nuk janë delegatë që thirren për të votuar. Janë specialistë që janë shprehur të gatshëm të vijnë për të bërë një punë, e cila do të duhej të kishte qenë e pandërprerë që nga Kongresi i Drejtshkrimit e këndej, ose së paku të kishte nisur me kohë. Po citoj një pjesë paragrafi të Thirrjes për kontribut, për të treguar se çfarë synon të iniciojë Qendra e Studimeve Albanologjike: "Shqipja e sotme gjallon si gjuhë e mbarë shqiptarëve në formën e dy dialekteve kryesore dhe në variantin shqipe standarde. E ndodhur përballë hapjes dhe liberalizimit të shoqërisë shqiptare, ajo po pëson zhvillime të fuqishme të brendshme, që lidhen me shtimin e jashtëzakonshëm të kontakteve ndërmjet vetë shqiptarëve, me migrimet dhe me emigracionin, me rikonfigurimin gjeopolitik e gjeokulturor të faktorit shqiptar në rajon, si dhe përgjithësisht me ngritjen e përshpejtuar ekonomike, sociale e kulturore të shoqërive shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit. Gjuha shqipe po kalon një proces të vrullshëm zhvillimi e pasurimi dhe në këtë dinamikë lipset shqyrtuar edhe vetë standardi, si një variant i saj."

Nëse disa kolegë parapëlqyen të mos i përgjigjen Thirrjes për kontribut, kjo tregon thjesht e qartë se, nga njëra anë, ata nuk janë të gatshëm ta hedhin këtë hap, kurse nga ana tjetër dyshojnë se është pikërisht ky hapi që duhet hedhur. Ajo që më çudit në rastin konkret është se disa kolegë nuk mjaftohen me mospjesëmarrje në punimet e konferencës, por kërkojnë të fajësojnë organizatorët e saj. Me thënë të drejtën, këtë jo vetëm që s'e kam pritur, por as e kam parë dhe as e kam dëgjuar ndonjëherë të ndodhë në mjediset shkencore e akademike ku kam kontribuar. Fajësohet një institucion shkencor pse organizon një konferencë shkencore! Mos vallë pritet që disa institucione të pluskojnë në limonti si ndoca të tjera?

 

Ata janë ankuar se prej Qendrës së Studimeve Albanologjike nuk u është bërë asnjë ftesë zyrtare për të marrë pjesë në këtë veprimtari. Si qëndron çështja e ftesave?

 

Duhet ditur paraprakisht se ç'kuptojnë kolegët me "ftesë zyrtare"? T'i dërgosh një institucioni partner, siç është Instituti Albanologjik i Prishtinës, një Thirrje për kontribut në konferencë shkencore, thirrje e cila përcillet në letër me kokë të Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës, nga posta elektronike zyrtare e kësaj <albanologjia @gmail. com> në postën elektronike zyrtare të atij <institutialbanologjik @hotmail. com>, unë nuk di si mund të quhet kjo ndryshe, përpos "ftesë zyrtare". Herë të tjera, siç qe së fundi konferenca e gushtit në Prishtinë me temën e Eposit, kështu ka funksionuar mes nesh dhe mesazhi ka qenë mirëpritur; kësaj radhe funksionoi sërish kështu, po mesazhi nuk u mirëprit. Sigurisht, kjo nuk lidhet me të ashtuquajturin aspekt zyrtar ose jo të ftesës, po me përmbajtjen e Thirrjes për kontribut, me atë përmbajtje që vë në qendër çështjet e shqipes së sotme dhe standardin. Ashtu si dhe unë, ju e dini se ekziston një "krah" ose një grupim gjuhëtarësh e intelektualësh, të cilëve mund t'u flasësh për ç'të duash, përpos për standardin. Ne kemi dëshiruar që ky krah të përfaqësohej në konferencë dhe të argumentonte pozicionimet e tij ose të kundërshtonte me argumente pozicionimet e specialistëve të tjerë: çfarë zhvillimesh kanë pësuar e po pësojnë gjuha shqipe dhe standardi, a ka një prirje të lexueshme të këtyre zhvillimeve, a është e nevojshme ndërhyrja në standard e në ç'masë dhe, së fundi, çfarë strategjish planifikuese duhet të parashikojmë, apo ta lëmë gjuhën që të vazhdojë të zhvillohet në njëfarë anarkie, pa pyetur për pasojat afatgjata? Mjaft me panegjiriket për mbrojtjen e standardit, ka ardhur koha që t'i përvishemi punës për ta mbrojtur atë siç duhet: duke e sistemuar, duke e bërë më funksional, duke e pasuruar, duke e përmirësuar.

 

Është ngritur shqetësimi për mënyrën e 'Thirrjes për kontribut', për platformën e punimeve shkencore të pritshme dhe për mënyrën e 'përzgjedhjes' së pjesëmarrësve mbi bazë të kritereve. Çfarë kontradiktash keni pasur?

 

Qendra e Studimeve Albanologjike nuk është një OJQ që përkujdeset për mbarështimin e gjuhës shqipe, por një institucion ekspertize i gjuhës shqipe, përmes Institutit të saj të Gjuhësisë e Letërsisë. Sa i takon Thirrjes për kontribut, në QSA gjërat janë të hapura. Ndryshe nga tradita e institucioneve tona shkencore, të cilat ftojnë në veprimtaritë e tyre vetëm emrat e parapëlqyer të listës, ose bashkëpunëtorët "jo problematikë", QSA aplikon Thirrjen për kontribut në vend të ftesës nominale, ose i kombinon të dyja këto. Kjo hapje siguron cilësinë e aktiviteteve, pasi synon të afrojë si specialistët e konfirmuar, ashtu edhe profesionistë të tjerë potencialë, sidomos nga më të rinjtë, pa paragjykuar askënd, madje duke synuar përfaqësimin e ideve dhe të pozicionimeve të kundërta.

Sa i takon platformës së konferencës, po mjaftohem të them se ajo është hartuar nga Këshilli Shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, i njëjti institucion që ka mbajtur peshën kryesore në procesin e standardizimit të shqipes. Për organizimin e konferencës u caktua një komision, në të cilin bëjnë pjesë drejtori i Institutit, drejtorët e dy departamenteve të gjuhësisë, koordinatori shkencor i QSA-së dhe drejtori i QSA-së. Ju garantoj se një komision i këtillë është i denjë për besim. Sa i takon mënyrës së përzgjedhjes së pjesëmarrësve, kjo është prerogativë e organizatorëve, në rastin tonë e Komisionit, i cili mban përgjegjësi për respektimin e standardit shkencor, të vendosur në mënyrë kolegjiale. Komisioni ka për detyrë të garantojë cilësinë e aktivitetit dhe forma më e përshtatshme për këtë është përzgjedhja e pjesëmarrësve. Mirëpo, pikërisht këtu qëndron keqkuptimi: tek përzgjedhja. Ndokush që është mësuar ta shohë veten automatikisht si të zgjedhur të përjetshëm, ndihet keq përpara faktit se i duhet të konkurrojë barabar me të tjerët, ngase ndoshta pandeh se të tjerët mbeten në vendnumëro e se vetëm ai "ia vlen". Kurse ndokush tjetër zgjedh rrugën e lehtë të "bojkotit", si me thënë: ju po na merrni në qafë, po ne nuk mbajmë përgjegjësi për këtë. Hokus-pokus, do të thoshte Migjeni.

 

Albanologët kosovarë kanë thënë se jo vetëm nuk pajtohen me organizime konferencash e diskutimesh të këtilla, po kundërshtojnë vendosmërisht çdo tendencë për ndryshimin e parimeve bazë të shqipes standarde... Si e komentoni këtë?

 

Kjo shprehja "kundërshtojnë vendosmërisht çdo tendencë për ndryshimin e parimeve...", çoç më kujton. Një inteligjencë e vëmendshme e merr vesh thjesht nga nëntitulli i konferencës sonë: "Politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit" se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë. Pra: si ta pasurojmë standardin, duke zgjeruar bazën e tij, dhe si ta përmirësojmë atë, duke u dhënë më tepër koherencë rregullave të deritashme, mundësisht duke i thjeshtuar këto, për t'i bërë më të asimilueshme, pra më të qëndrueshme. Komenti im? Si titullar i institucionit, e ndiej si detyrë dhe si përgjegjësi që t'u krijoj kushtet gjuhëtarëve për t'u mbledhur e për të diskutuar me të vërtetë për çështje të rëndësishme si kjo e standardit. Sipas disave, kjo çështje as që duhet të shtrohet për diskutim. Epo, në këtë rast, logjika e thjeshtë e kërkon që ta kishin pranuar ftesën, së paku për të na argumentuar pse çështja e standardit nuk duhet të shtrohet në atë prizëm siç e shtron sot Instituti i Gjuhësisë. Më vjen hidhur kur dëgjoj se në një shoqëri të hapur, e cila synon integrimin global, paska çështje të cilat nuk u dashkan diskutuar... Është njëlloj sikur të themi se standardi qenka një çështje tabu. As unë dhe as shumica e kolegëve të mi nuk e gjykojmë kështu. Përkundrazi, unë mendoj se gjithçka është gjithmonë e diskutueshme dhe se tabutë u përkasin shoqërive të paemancipuara.

 

Si ju jeni përgjigjur atyre në letrën që ju keni dërguar?

 

Me sa kuptoj, ju interesoheni për tekstin e mesazhit që u dërgova 11 firmëtarëve të atij që ju e quani "bojkot". Meqenëse ndodhesha përpara kompjuterit, i ktheva përgjigje menjëherë njoftimit zyrtar të IAP-it dhe të ShGjShK-së (ndryshe nga kolegët e Prishtinës, unë nuk ngurroj ta quaj zyrtar mesazhin e tyre, pasi më erdhi nga posta elektronike e IAP-it). Ndërkohë që prisja një reagim të tyre, ose së paku një përgjigje kortezie, më telefonoi gazetarja e "Kohës Ditore", e cila më kërkoi një intervistë në lidhje me njoftimin që unë sapo e kisha marrë nga IAP-i. Sinqerisht, pata parandjenjën se njoftimi i IAP-it u kishte shkuar mediave, përpara se t'i përcillej QSA-së. Çka nënkuptonte se ishte e kotë të prisja një përgjigje. Sidoqoftë, unë nuk ia dorëzova gazetares mesazhin që sapo ia kisha nisur IAP-it, me bindjen se një përgjigje do të vinte. Meqenëse kjo nuk erdhi, them se mesazhi im nuk ka arsye të arkivohet më tej. Ja cili qe, në thelb, mesazhi im, po t'i heqim atij hyrjet e daljet e mirësjelljes: "Në respekt të punës sonë të përbashkët dhe të kontributit të secilit prej jush, si dhe në respekt të etikës njerëzore e shkencore, më lejoni t'ju konfirmoj se Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, përmes Institutit të saj të Gjuhësisë dhe Letërsisë, po bën punën e saj dhe po përpiqet ta bëjë me përgjegjësi. Ndryshe nga sa thuhet në mesazhin tuaj të para disa minutave, Instituti Albanologjik i Prishtinës, në cilësinë e bashkëpunuesit dhe të partnerit të privilegjuar të QSA, e ka marrë thirrjen për kontribut me mesazhin tonë të datës 8 tetor, njëherit me disa nga institucionet dhe kolegët e tjerë. Ndryshimi qëndron në faktin se, ndërsa të tjerët janë përgjigjur, ju keni heshtur. Ndërkaq, për pjesëmarrje në konferencën e dhjetorit, kanë paraqitur në mënyrë masive aplikimet e tyre kolegë të dy Akademive tona, të universiteteve të Tiranës, të Prishtinës, të Shkodrës, të Elbasanit, të Durrësit, të Gjirokastrës e të Korçës, si dhe albanologë e gjuhëtarë shqiptarë e të huaj, të cilët aktualisht kontribuojnë në institucione ndërkombëtare jashtë hapësirës shqiptare. Ndryshimi qëndron edhe në faktin tjetër se, ndryshe nga ç'është vepruar ç'prej njëzet vjetësh e këndej për konferenca të tilla nga institucionet akademike, universitare e shkencore të Shqipërisë e të Kosovës, Qendra e Studimeve Albanologjike nuk ka punuar me lista të mbyllura e as me preferenca grupimesh, por është treguar krejtësisht e hapur, duke ftuar pa dallim kolegë, të cilët prej përvojës së tyre gjykojnë se mund të sjellin kontribut në këtë konferencë mbarëkombëtare. E bindur se mendimi i pjekur dhe profesionalizmi nuk i përket një grupimi të caktuar intelektualësh dhe gjuhëtarësh, porse është pronë e të gjithë atyre që derdhin djersë në biblioteka, në arkiva dhe në auditore, QSA tregohet e interesuar që të vjelë përvojën më të vlefshme të kolegëve, cilëtdo qofshin këta për nga përfaqësimi institucional e vetjak. Vlerësojmë se aplikimi i hapur nuk është metodë sektariste, por krejt e kundërta e kësaj. Për këtë arsye, nëse IAP vendos të dërgojë përfaqësues të vetët në konferencë, kolegët duhet gjithashtu të konkurrojnë përmes aplikimesh pranë Komisionit Organizator, për të fituar bindshëm brenda kuotave të pjesëmarrjes që propozon kjo konferencë.

 

Ju keni dhënë edhe 10 ditë kohë për ata që donin të bëheshin pjesë e konferencës. Pati ndonjë konfirmim ftese?

 

Ashtu është. Mesazhi im i mësipërm përmbyllej me këtë premtim: "...dëshiroj t'ju siguroj edhe një herë se kontributi i specialistëve të IAP-it është më se i mirëpritur në konferencën tonë të dhjetorit dhe se varet nga secili prej jush nëse do t'i përgjigjeni ose jo thirrjes sonë për kontribut, deri më datë 30 tetor, ora 12.00, afati i fundit". Asnjëri nga 11 emrat e listës nuk paraqiti kontribut për konferencën e dhjetorit. Gjithsesi, ju konfirmoj se lista e miratuar e pjesëmarrësve të konferencës përmban emrat më seriozë e më aktivë mes profesionistëve të gjuhës.

 

Para pak ditësh, ata vetë organizuan aktivitetin "Ditët e Albanologjisë", e cila u konsiderua si një lloj "kundërpërgjigje" a aksioni ndaj "konfliktit" që patën me ju...Ç'mund të na thoni për këtë?

 

Nuk besoj të jetë ashtu. Një aktivitet do kohë që të përgatitet dhe IAP-i duhet ta ketë pasur atë në planin e tij të veprimtarive vjetore. Asnjë njoftim zyrtar dhe asnjë Thirrje për kontribut nuk më ka ardhur për këtë veprimtari e, megjithëkëtë, gjykoj se është çështja e tyre si i organizojnë veprimtaritë dhe si i bëjnë ftesat. Uroj që të kenë pasur sukses.

 

Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Muzafer Korkuti ka thënë se as Akademia Shqiptare e Shkencave nuk është ftuar në këtë aktivitet...

 

E vërtetë: ftesat nuk kanë kaluar nga zyra e z. Korkuti, pasi do të ishte mëkat që ato të mbeteshin aty. Akademia jonë e Shkencave ka katër gjuhëtarë aktivë në gjirin e saj. Të katërtëve u është dërguar Thirrja për kontribut: e di ç'them, pasi ua kam dërguar unë vetë. Tre prej tyre kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe do të paraqiten me referate kryesore në ditën e parë të konferencës. Ta themi hapur: preteksti i gjoja mungesës së ftesës zyrtare nga ana e QSA-së shpreh vullnetin e disave për ta penguar mbajtjen e kësaj konference, ose tekembramja për ta devijuar konferencën nga platforma e saj e shpallur. Më kuptoni? Disa tipa të Akademisë sonë ka vite që e mbajnë peng të ashtuquajturin Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, duke e bllokuar e duke e nxjerrë atë krejtësisht jashtë loje. Imagjinoni tani çfarë ndihme institucionale do t'i jepnin ata QSA së për këtë problem. Në intervistën e z. Korkuti dhënë gazetës suaj mësova se këto ditë do t'u thirrka urgjent Këshilli Ndërakademik. Haleluja! Uroj që kësaj radhe të mos jetë një bllof. Gjithsesi, nuk mund të jem dakord me mënyrën se si disa kolegë, gjuhëtarë ose jo, po e manipulojnë opinionin, madje po i manipulojnë edhe vetë mediat, pavarësisht nga shpirti dyshues e kritik i gazetarëve, duke shpallur se QSA-ja po përgatit një "përmbysje", prandaj edhe u dashka "bojkotuar" konferenca. Por përmbysja ka ndodhur para katër dekadash e tani nuk bëhet fjalë për përmbysje tjetër, po për rigjallërim dhe për pasurim të shqipes. QSA-ja po përgatit pikërisht dhe vetëm atë që ka shpallur në Platformën e konferencës.

 

Korkuti është shprehur se mes QSA dhe ASH mungon bashkëpunimi edhe për Enciklopedinë shqiptare...

 

Për Enciklopedinë Shqiptare mungon bashkëpunimi me Akademinë, por jo me akademikët, çka nuk është e njëjta gjë. Shumë prej këtyre do të jenë pjesë e ekipit të autorëve të ESH, nëse do t'i përgjigjen thirrjes dhe nëse do të jenë gati t'i respektojnë standardet e një punimi të këtillë, si dhe afatet kohore të hartimit e të dorëzimit të artikujve. Shkenca shqiptare është e përgatitur që, më në fund, të përballet me këtë sfidë, siç janë përballur me sukses të gjithë popujt e qytetëruar. Prandaj, vonesa tashmë është e papërligjur; prandaj, ESH do të hartohet vetëm brenda një pesëvjeçari dhe dyshoj se këto ritme pune i përgjigjen institucionit të nderuar të Akademisë, të cilit për vetëm 40% të ripunimit të Fjalorit Enciklopedik iu desh një kohë pothuaj tri herë më e gjatë se kaq. Sqaroj se Enciklopedia Shqiptare, një vepër dinjitoze në dhjetë volume, që i bën nder kulturës dhe historisë sonë, do të realizohet në kuadër të një projekti shkencor, për të cilin QSA ka aplikuar në Agjencinë e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit: nëse ASH do të ishte bashkaplikuese në këtë projekt, në mos bashkëfinancuese e tij, sigurisht që bashkëpunimi do të ishte zyrtarizuar edhe me shkresa e me protokolle. Çdo akademik është një autoritet në fushën e tij, prandaj për projektin e ESH privilegjojmë lidhjen dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë.

 

Cili është qëllimi i kësaj konfernce shkencore?

 

Konferenca shkencore do të evidentojë problematikat e ndryshme e të shumëllojshme të situatës gjuhësore mbas vitit 1990, duke nxjerrë në pah nevojën e pasurimit të shqipes me mjetet e saj të brendshme, nevojën e rishikimit e të rikodifikimit të disa normave të standardit, si dhe nevojën për të ndërmarrë politika gjuhësore të guximshme, në bazë të miratimit të një legjislacioni për zhvillimin e shqipes dhe për përkujdesjen institucionale e mbarëshoqërore ndaj saj. Konferenca shkencore mbarëkombëtare synon jo thjesht t'i ndërgjegjësojë specialistët e gjuhës shqipe rreth problematikave të reja gjuhësore të krijuara mbas hapjes së shoqërisë shqiptare dhe rivendosjes së komunikimit mes pjesëve të saj në nivel gjithëkombëtar, por kryesisht t'i ftojë ata që të pozicionohen shkencërisht dhe të japin kontributin e tyre për çështjet konkrete, të evidentuara tashmë në përdorimin e përditshëm, të folur e të shkruar, të shqipes. Ky hap i rëndësishëm në shqyrtimin e situatës gjuhësore aktuale nga kjo konferencë, do të mundësojë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ndërmjet specialistëve dhe institucioneve në rrafsh mbarëkombëtar, me qëllim që të përcaktohen rrugët dhe format e mundshme të përmirësimit të standardit, nëpërmjet aplikimit të politikave gjuhësore të qëndrueshme në perspektivë.

 

Ç'përmban rezoluta që do të nxirrni në fund?

 

Ajo do të jetë e nevojshme për përmbylljen e konferencës, me qëllim që konferenca t'i bëjë publike, në formë sinteze, problemet e trajtuara dhe propozimet e saj, në vëmendje të institucioneve akademike-shkencore dhe shtetërore.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora