Kulturë
Ali D. Jasiqi: Njerëz të pastër shpirtrisht
E shtune, 06.11.2010, 07:59 PM
NJERËZ TË PASTËR SHPIRTRISHT
Nga Ali D. Jasiqi
Këtu e 70 vjet më parë në Vokshin piktoresk,buzë Bjeshkëve të Nemuna, u dëgjua një zë foshnje ,zë që do të burrërohet dhe do të behët emër i njohur për publikun e gjerë, nga se para 50 vitesh emrin e tij e gjejnë faqet e revistës letrare”Jeta e re”. U shkollua në Drenoc, Junik e Deçan, Gjimnazin e kreu në Pejë, ndërsa fakultetin –gjuhë dhe letërsi shqipe – i kreu në Prishtinë. Ka pune në “Rilindje”,në Radio-Prishtinë, në Gjimnazin e Gjilanit, në Sekretariatin Krahinor për Arsim dhe se fundit në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Është ky Haxhi Vokshi të cilit nga zemra i urojmë 70 vjetorin e lindje dhe 50 vjetorin e krijimtarisë letrare.
Te themi që në fillim se të rrallë janë ata poet që janë të lidhur aq shpirtërisht me vendlindjen,siç është rasti me Haxhi Vokshin, i cili i takon grupit të atyre krijuesve që shkruajnë rrallë. Shkruan ai me mallëngjim, por edhe me krenari për fshatin e lindjen, për trevën nga i cili rrjedhë dhe për vetë Dukagjinin, sikur të ishte i mërguar. Kjo kurrsesi nuk do të thotë se poezia e tij është romantike,mallëngjyese dhe me ofshama çfarë do të mendonim se i përmban një poezi e tillë. Sepse Vokshin është krijues që e ka ndjenjën e masës së deri ku mund të shkojë krijuesi në zmadhimin dhe rritjen e vlerave të regjionit dhe të njerëzve të tij. Nga se di ku duhet kufizuar në këto zmadhime dhe zbukurimet e tepruara, për ta përshkruaj realitetin e fshatit ashtu siç është me të gjitha reliktet e veta dhe njerëzit që jetojnë aty. Njerëzit e këtij mjedisi janë të ndershëm, të pastër shpirtërisht, të lidhur ngushtë me trojet stërgjyshore, por mbi të gjitha janë trima, të gatshëm të flijohen për atdhe, për nderë dhe burrëri.
TOPONIMET
Vokshi është poet që nuk nguron të përmendi në poezinë e rij shumë toponime, që e dallojnë lokalitetin nga vjen edhe ai vetë. Përveç Vokshit, si lokalitet, si vendbanim, ku dëshiron t’i dërgojë edhe nipërit Korabin dhe Petritin, ai do t’i këndoj edhe një burimi të ujit duke u shprehur në vargjet:
Vetëm uji i vendlindjes
E shuan flakën që djegë
(Në Tedel)
(Tedel quhet burimi i ujit të ftoftë në Voksh, i cili është aq i ftoftë sa, siç thonë vendasit, nuk mund ta mbash gishti aty derisa numëron deri në pesëdhjetë). Përveç Tedelit, që vie nga togfjalëshi Te del ( pra aty ku buron uji) poet që i pëlqen të jetë i drejtpërdrejt dhe konkret, Vokshi do të përmend lokalitete të njohura, madje edhe sosh që për njerëzit e këtij rrethi lidhen me gojëdhënat apo edhe me besëtytnitë e ndryshme, siç është, bie fjala, besimi se po të hedhësh gur te Lisi i Ramit do të largohet lodhja dhe do të freskohesh për një kohë të gjatë. Të ky lokalitet që ndodhet mbi fshatin e lindjes se poetit,pra ne Voksh udhëtarët që shkonin nga vrrini në bjeshkë hidhnin gurë për ta larguar lodhjen poeti do të kthehet dy herë në poezinë e tij për të parë se çfarë ka ndodhur nga e kaluara e popullit të tij, Kjo poezi ka gjetur vend në përmbledhjen e këtij autori me titull "Liria këndon vetë". Nga vetë titulli i përmbledhjes bëhet e qartë se fjala është për një ndjenjë e thellë e atdhedashurisë dhe e mallit për t'u kthyer kurdoherë atje ku njeriu e ka parë për herë të parë dritën e diellit. Diç e ngjashme apo më mirë të themi identike mund të thuhet edhe për një lokalitet tjetër,po ashtu të njohur, siç është ,bie fjala, Kroi i Priftin e ndonjë tjetër.
POEZI KUSHTUAR PERSONALITETEVE
Në këtë ambient lindin dhe rriten trimat sypatrembur që nuk e duan luftën, por as nuk i ikin asaj kur e kërkon nevoja, kur e kërkon interesin e vendit dhe i kombit, që duhet mbrojtur nga komshiu i dreqit që na kishin tronditur disa herë me sjelljet e tyre jonjerëzore, çfarë janë serbët dhe malazezët, atyre që u kishte dhënë bukë duke menduar se janë të tij, por ishte zhgënjyer keq dhe nuk mund ta përmbante mllefin, siç është Metë Hyseni, njeri u urtë, i mençur dhe me karakter të fortë që i kishte përballuar të gjitha traumat që i kishte sjellë jeta në valët e saja tronditëse apo edhe bacë Bajrami e ndonjë tjetër. Janë këta njerëz të gjallë, fytyra reale, të cilëve u këndon poeti duke i ngritur në legjenda të gjalla, por që në veti ngërthejnë edhe shumë karakteristika të njerëzve të rrethin në të cilin kanë lindur dhe janë rritur, për t’u bërë kështu personifikues të shtresave të gjera njerëzore me të gjitha vetit humane dhe mbi të gjitha njerëzore. Të këtillët do të mbesin të pavdekshëm në kujtesën e gjeneratave me të bëmat e tyre për të mirën e vendit dhe të kombit, shembullin e të cilit duhet ndjekur që të arrihet ajo që e kanë synuar dhe e synojnë shqiptarët gjatë gjithë historisë.
Duke shkruar kështu dhe për këta heronj poeti Vokshi do ta identifikojë veten me këta trima, me këta heronj të pavdekshëm, por jo edhe të njohur nga historianët që nuk u kushtojnë kujdesin e duhur figurave që nuk imponohen nga bashkëvendësit e tyre edhe pse mund të kenë dhënë kontribut më të madhe se sa disa fytyra për të cilat janë thurë shumë këngë popullore, janë shkruar edhe librat, në të cilat janë glorifikuar për se tepërmi, herë-herë edhe pa merita që u mvishen.
Poet që vijimisht është i lidhur me vendlindjen Vokshi edhe kur ngre probleme të përgjithshme të kombit, që flasin për ngjarjet që kanë mundur ta tronditin shtetin dhe kombin, e shfrytëzon ambientin e lindjes si mbështetje që të kërkojë përmirësimin e situatës se krijua në rrethana të caktuara shoqërore dhe historike. Kështu ngjarjet e marsit të vitit 1997 në Shqipëri e kanë tronditur thellë edhe shpirtin e shqetësuar të poetit, që duke i përmendur lokalitetet e njohura kërkon që të gjithë njerëzit e njohur të tyre të tubohen dhe të kërkojnë pajtimin e shqiptarë të ndarë në jug e perëndim me koncepcione politike, që të bashkohen në një, sepse nuk është turp të kërkosh një bashkim të tillë, madje edhe duke u përulur para vëllezërve të tu nga fisi e gjaku. ”Ëndërr e rëndë” është njëra ndër poezitë që besoj së do të mbesin në kujtesën më të gjatë të lexuesve me porosinë dhe mesazhin e vet njerëzor për ngjarjet që e tronditen shtetin shqiptar, por edhe shqiptarët në mbarë rruzullin tokësor. ”Sepse s’është turp për Shqipërinë”, që t’u biesh në gjunjë, që do të thotë të përulesh para vëllezërve tu llabjan, merri burrat më të njohur të gjallë të kombit që të kërkojnë pajtimin për mirëvajtjen e kombit dhe të shtetit.
POETET SI SIBJEKT LIRIK
Një pjesë, përkatësisht një numër bukur i mirë i poezive të këtij autori u kushtohen personaliteteve të njohura, kryesisht atyre nga lëmi i krijimtarisë letrare Madje edhe e terë përmbledhja me titull “Liria këndon vetë “ i është kushtuar doajenit të poezisë shqipe të Kosovës, Esad Mekulit, për të cilin poeti do të shprehet se ishte një lumë i thellë, i gjerë, i rrëmbyeshëm, që nuk shterë asnjëherë.
Ai është:
Këngë e moçme
Këngë e re
Që rrufeve
U vë fre
(Lumë i thellë i fjalës)
Nga këto vargje nuk është vështirë të kuptohet mendimi i poetit se Esad Mekuli ishte shtyllë e krijimtarisë letrare në Kosovë, që u qëndroi sypatrembur rrebesheve që vinin nga qarqet reaksionare e që përpiqeshin të pengonin zhvillimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare në këtë trevë. Është i njohur kontributi i Mekulit në mbrojtjen e krijuesve të rinj dhe merita e tij për zhvillimin e letërsisë shqipe, derisa ishte në krye të revistës letrare ”Jeta e re”, të cilën e udhëhoqi për disa vite dhe në faqet e se cilës filluan dhe u zhvilluan të gjitha penat tanimë të njohura të letërsisë shqipe në Kosovë. Autori i këtyre poezive është përpjekur që për secilin personalitet, të cilit i është kushtuar poezia të veçohet me diç të veçantë dhe që e dallon nga të tjerët. Kështu, bie fjala, Hasan Mekuli, është i gjerë sa deti valët e të cilit thërrmojnë shkëmbinjtë qofshin ata edhe gurgace, kurse Ali Hadri gur Kosovë të cilin nuk mund ta thyenin kurrfarë rrufesh të harresës e kështu më radhë. Vokshi u ka kushtua poezi edhe shumë poetëve të tjerë në mesin e të cilëve spikatet Din Mehmeti, por edhe Azem Shkreli ,duke u shprehur se “bukur është të hysh në këngë”,varg që përsëritët disa herë në poezinë “ Ikje nga vdekja”, varg ky i huazuar nga titulli i një përmbledhje poezish të Din Mehmetit,ndërkaq poezia “Për ty Kosovë” i kushtohet Ibrahim Rugovës, për të cilin thotë se “pak është me ta falë dorën e djathtë” për të përfunduar se për ty “gjithçka është pak”. Një poezi i është kushtuar edhe poetin Mirko Gashi.
Si e këtillë krijimtaria e përgjithshme e këtij poeti është një kontribut i mirë i pasurimit të bibliotekave tona me vepra që gjithsesi meritojnë të zënë vend në një kënd të këtyre bibliotekave dhe t’u përcillen gjeneratave si libra që vlen të shfletohen herë pas herë për të shijuar bukurinë e të shkruarit artistik me porosi të qëlluara dhe përplot kuptime.
Dhe në fund na mbetet që edhe njëherë ti urojmë shëndet dhe jetë të gjatë dhe të lumtur si dhe vazhdimin e krijimtarisë poetike.