| E marte, 02.11.2010, 09:43 PM |
Kostaq Duka
Trishtimin ndaj me gjethet…
(Cikël me poezi)
Le të shkruajmë...
“le të shkruajmë! Kjo na ka mbetur” R.Gjoza
Kjo na ka mbetur
një fletë e bardhë,
një penë dhe një shpirt i trazuar....
Të tjerat na ikën, na lanë...
Kohë shumë s'kemi, as t'i gjejmë e as t’i krijojmë.
Atëherë...
Mbi fletë magjinë të sjellim
herë liqen me fëshfërimë,
herë oqean gjithë dallgë tërsëllimë,
herë lëndinë gjithë pemë e hije ku ndizen e rriten dashuritë..
Edhe pisllëqet e kësaj bote mbi fletë le të derdhen, le të nxijnë
fundja ato me jetën vijnë,
ata që nesër "guxim" do kenë fletët tona t'i shfletojnë,
le të thonë
ka pasur dhe të tillë që të vërtetën e sollën pa këmishë.
Tetor 2010
Trishtimin ndaj me gjethet
Kur nata mblidhte rraqet
nën një tende gjigande të verdhë
me gjethet tek dridheshin lehtë
shkëmbeva ca fjalë trishtuese...
Gjethet për tokë e nëpër pemë si në kor rënkuan thellë......
Më mirë një shfrim trishtimi me gjethet
se me disa njerëz
që me dhimbjen njerëzore shpesh dëfrejnë.
Tetor 2010
Gozhda
Jetën e varëm për 50 vjet
në gozhdën e ndryshkur të shtetit.
Edhe pse thahej si lëkurë nëpër erë e varfëri
me një kokër qepë e pak raki gozhdës i thurrëm "lavdi."
Gozhda ra
dhe jeta mes erës kallkan u nder dhe u përplas udhëve të botës si një
gjethe e mjerë.
20 vjet herë në tokë e herë në qiell.
Në pritje të një moti të mirë....
Tutje në Atdhe
Liderat ngulin e shkulin gozhdë
Në emër të kolltuk-demokracisë
Dy dyer në stacionin e fundit të jetës
Kjo shtëpi pleqsh
stacioni i fundit në marathonën e jetës.
Nga dera e madhe
Përcjellë nga dielli në perëndim
priten me lule e buzëqeshje.
Nga dera e hekurt e rëndë e nëntokës
nën ftohtësinë e yjeve të largët
vdekja,
mbështjellë nën pelerinë të zezë
tinëzisht pa zhurmë i merr.
Tetor 2010
Jam nga Europa
Më pyesin amerikanët :
Nga je ?
Nga Shqipëria u them.
Kur dikush mbi fytyrë ve pikpyetje
Mërzitur shtoi : " Nga Europa...."
Tjetri
"Kompetent për Europën" vetullat mbledh
Dhe më sheh si specie të rrallë...
Atëhere shtoi:
Jam aty ku përmes detit vijnë psherëtimat e natës
Nga Italia
Dhe jehona e një buzuku nga Greqia....
Ai marroset krejt
Kujton se tallem e dua ta ve në lojë.
Atëhere bërtas :
Para se të shkosh në Mars
Të ftoi nga shtëpia ime mes Europës
Me të jemi mburrur gjithmonë edhe pse me zor po na çel portën.
Tetor, 2010