E premte, 27.12.2024, 12:07 AM (GMT)

Mendime

Isuf B. Bajrami: Memorandum i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë në Shqipëri

E enjte, 20.12.2007, 02:20 PM


MEMORANDUMI ÇAM 1947

Prishtinë, 19 qershor 2000 - Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë.

Përgatitur nga Isuf B. Bajrami

MEMORANDUM I KOMITETIT ANTIFASHIST TË EMIGRANTËVE ÇAMË NË SHQIPËRI

KOMISIONIT HETIMOR TË KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË U.N.O.

RRETH TRAJTIMIT DHE MASAKRAVE NË MINORITETIN SHQIPTAR ÇAM NË GREQI

Isuf B. Bajrami
Ne Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të U.N.O.-s, n’emër të emigrantëve Çamë në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor të drejtat tona të humbura, shtypjet, persekutimet dhe masakrat që kryen fashistat Grekë për të shfarosur Minoritetin Shqiptar në Greqi. Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë:
Klika shoviniste dhe reaksionare greke prej 32 vjetëve me radhe duke shkelur brutalisht çdo parim njerëzor dhe duke mos përfillur as pak traktet Ndërkombëtare kanë përdorur kundër minoritetit Shqiptar në Greqi një politikë çfarosjeje. Qysh me pushtimin grek në Çamëri më 23 shkurt 1913, banda e Deli Janaqit e shtytur dhe e përkrahur nga autoritetet e vendit masakroi pa më të voglën arsye 72 burra të krahinës Paramithisë në pruan e Selamit. Këto masakra qenë fillimi i çfarosjes së minoritetit Shqiptar dhe zbulojnë orientimin që mori politika greke kundrejt popullatës sonë.
Ndjekjet, persekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet në pretekstin e çarmatimit gjatë vjetëve 1914-1921, veprimtaria terroriste e komitaxhinjve, provakacioni më 1921 i Gjeneral Bairas, të gjitha këto e tregojnë realitetin e mjerrimeve në të cilat u vu popullata e jonë në kohën e pushtimit grek. Koska, Lopsi, Varfanji, Karbunari, Kardhiqi, Paramithia, Margëllëçi, Arpica, Grykohori, etj, janë një pjesë e fshatrave që kanë paguar më shtrejtë këtë terror. Më 1922-1923, qeveritarët e Greqisë vendosën të zbatonin shpërnguljen e elementit mosleman të Çamërisë (duke i gjykuar si turq) në shkëmbim me grekërit e Azisë së vogël (duke i gjykuar sipas fesë). Ky akt i turpshëm i qeveritarëve te Athinës u has në rezistencën tonë dhe në ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, e cila duke njohur kombesine Shqiptare të popullatës sonë hodhi poshtë vendimin e qeverisë Grek.
Por megjithë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe të angazhimeve solemne të marra nga qeveria Greke në Lozanë më 16 janar 1923, prapë njerëzit e Athinës vazhduan politikën e tyre të çfarrosjes. Ata përdorën çdo mjet për të vështirësuar qëndrimin në Çamëri të elementit Shqiptar, çpronsuan qindra familje në 6000 ha tokë pa më të voglin shpërblim si në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar, etj. Qeveria e Athinës vendosi emigrantët e Azisë së Vogël në Çamëri me qëllim që ta popullojë me grekër dhe të krijojë mundësin e emigrimit të popullatës autoktone Shqiptare. Familje të tëra detyroheshin të braktisin vatanin për në Turqi, Shqipëri, Amerikë e gjetkë dhe fshatra si Petrovci, Shëndëllinja u braktisën krejt nga banorët Shqipëtarë. Në këto rrethana ne nuk gëzuam asnji të drejtë nacionale dhe na pengoheshin akoma edhe Gjuha amtare; në vend të zhvillimit të kulturës kombetare dhe të përparimit, përkrahet fa natizmi dhe injoranca, në vënd të shkollave hapeshin dhe ndihmoheshin klubet fetare në gjuhën arabe, nderkohe qe 95 % të popullatës sonë qëndrojnë akoma analfabet. Krahina e Çamërisë, një vend i pasur dhe i begatshëm, kishte mbetur mbrapa pa zhvillim ekonomik, pa komunikacion dhe në duart e fajdexhinjëve, akaparatorve si Koqoni, Pitulejt, Kufalla, Zhulla, Ringa, etj., që varfëruan dhe skllavërruan gjithë vendin.
Në luftën kundër fashizmit dhe tamam në përfundim të saj forcat reaksionare Monarko-Fashiste të Llakës së Sulit të krijuara nga reaksioni dhe në shërbim te pushtuesit, nën Komandën e Gjeneral Napoleon Zervës, sulmuan dhe masakruan pabesisht banorët Shqiptarë moslemanë të Çamërisë. Në këtë kohë kur trupat e ELAS-it dhe tonat ishin në luftime kundër Gjermanëve, komanda e EOEA në kompromis me Gjermanët operonte për të fituar pozita për luftën vllavrasëse; dhe kur forcat tonat besnike të frymës dhe të vendimeve të marrëveshjes së Kasertës (Sarafis-Zerva) Gusht 1924, zbatonin urdhërat e Komandës së përbashkët në ndjekje të Gjermanëve, Gjeneral Napoleon Zerva, komandant i forcave të rezistencës ne Epir (ELAS - EOEA), urdhëronte njikohësisht operacionet dhe masakrat në kurriz të popullatës të pafajshme të Çamërisë.
Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe nje mospërfillje e turpëshme e parimeve dhe e karakterit të luftës antifashiste. Masakrat në Çamëri u kryen në saje të bashkpunimit dhe marrëveshjeve me Gjermanët, të cilët në tërheqje u lanë vendin forcave Zerviste. Ja një fakt konkret i bashkëpunimit ndërmjet forcave Zerviste dhe të atyre Gjermane: Komandanti Zervist Theodhor Vito, i forcave të krahinës së Filatit, nje ditë para hyrjes së forcave Zerviste në Filat dhe pikërisht më 22 shtator 1944 në katundin Fanaromen, 3 km larg Filiatit, u takua me Komandantin e forcave Gjermane në tërheqje. Mbas këtij takimi shohim që ende pa u larguar mirë forcat Gjermane nga Filati, forcat e Theodhor Vitos hynë në Filat. Kështu një bashkpunim i tillë u siguroj forcave Zerviste krahët duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjërë në të gjitha krahinat e Çamërisë. Forcat e divizionit X te EOEA nën komandën e Kolonel Vasil Kamarës dhe pikërisht ato të regjimentit XIV të këtij Divizjoni të udhëhequr nga Kranja, me ndihmësa Lefter Strugarit, avokat Stavropullosit, Ballumit, Zotos, kriminelët me damkë Pantazejt, etj., më 27 Qershor 1944 hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullaj nga një anë dhe Shapera me Dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër si agjenta të Zervës, filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra dhe fëmijë të pa mbrojtur qenë objektivi i Monarko-Fashistëve Grekë. Numri i të masakruarve në Qytetin e Paramithis dhe rrethe arrinë në 600 veta. Më 28 korik 1944 forcat e regjimentit 40 nën Komandën e Agores hynë në Parg ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë.
Forcat e EOEA nën komandën e Theodhor Vitos, Ilia Kaços, Hristo Mavrudhit, Hristo Kaços, Hari Dhiamantit ,etj., mbasi rrethuan qytetin e Filiatit më 23 Shtator 1944, ditën e Shtunë në mëngjes, hynë në qytet. Po në këtë ditë hynë edhe në Spatar, plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe gjithë ç’ka gjetën. Në mbrëmjen e natës 23 duke u gdhirë 24 Shtator 1944, hynë dhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari e të tjerë; me arritjen e këtyre forcave filluan menjëherë masakrat. 47 burra, gra dhe fëmijë u masakruan në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit të vrarët dhe të humburit në Spatar, ku një pjesë e mirë e tyre ishin grumbulluar nga katundet të tjera. Të gjitha gratë e reja dhe vajzat u keqpërdorën dhe u çnderuan prej kriminelëve të Zervës. Pak ditë më vonë monarko-fashistat grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur dhe me vendimin e Gjyqit fallco, Koqinja Kryetar, Stavropullos Prokuror dhe katër anëtarë, 47 shqiptarë të pafajshëm u masakruan. Në Granicë të Filiatit janë mbuluar kufomat e 46 vetave dhe të therrura me thika dhe 45 të tjerë në fushë të Filatit tek ara e Xhelo Metos.
Familje të tëra janë zhdukur me prindër, fëmijë dhe foshnjë në djep. Gratë dhe vajzat u çnderuan. Me qindra deklarata të atyre që shpëtuan përshkruajnë vrasjet dhe vuajtjet e pasosura nga ata del qarte kriminaliteti dhe qëllimi i veprimeve të monarkofashistëve në Çamëri. Ja disa shembuj: Sanije Bollati në Paramithi është djegur me benzinë mbasi iu prenë sisët dhe iu nxerrën sytë. Ymer Muratin e vranë dhe e bënë copa-copa në Paramithi. Në shtëpinë e Sulo Tarit ishin grumbulluar më se 40 gra dhe Çili Popova nga Popova i veshur ushtarak me një grup ushtarësh hyri brenda, muarrën gratë dhe vajzat më të bukura dhe filluan t’i çnderonin në një dhomë tjetër. Ulurima e vajzave e të grave arrrinin kulmin. Kjo poshtërsi vazhdoi gjithë natën. Seri Fejzo, Fizret Sulo Tare, etj. ishin objekt i këtyre poshtërsive. Hilmi Beqirin nga Filati mbasi e plagosën para familjes së tij, e lanë dhe ikën. Familja për ta siguruar e streho n tek dentisti Mavrudhiu, ai e mban për disa orë, por më vonë lajmëron ta marrin dhe e çojnë tek Stavro Muhaxhiri, kurse vetë largohet për tek Shuaip Metja ku ishin mbledhur shumë familje. Andartët informohen, e marin, më parë i nxjerrin dhëmbët e floririt me darë dhe mbasandej e vranë.
Malo Muhon plak 80 vjeçar i sëmurë prej katër vjetësh vritet me sopatë para së shoqes. Trutë i kërcyen në prehër të së shoqes e cila pasi ia mblodhi e mbuloi me jorgan dhe iku. Në Spatar Abdul Nurçe merret e çohet në Filat zbathur, zvarriset nëpër rrugë të qytetit dhe më në fund vritet para shtëpisë së Nidh Tafeqit. Familja e Lile Rustemit nga Shulashi e përbërë prej 16 vetash në shumicë fëmijë, zhduken krejtësisht pa shpëtuar as edhe një. Xhelal Minit nga Paramithija ia prenë kokën me bajoneta mbi trupin e Myfti Hasan Abdullaut. Sali Muhdinit, Abedin Bakos, Muhamet Pronjes dhe Malo Sejdiut iu prenë gishtrat, hundët, gjuhën dhe këmbët dhe kur këta ulurinin nga dhëmbjet e mëdha, andartët Zervist këndonin këngët e komandantit të tyre dhe gëzoheshin kur shikonin këto tmerre. Më në fund i vranë në çengelat e kasapëve.
Eshtref Himi qytetar nga Paramithija deklaron sa vijon për masakrat në Paramithi: Të martë më 27 Qeshor 1944 n’ora 7 të mëngjesit hyjnë në Paramithi monarko-fashistat grekë të komanduar nga Kolonel Kamara, Major Krasnja, Kapiten avokat Kristo Stavropulli, Kapiten avokat Lefter Strugari, N/Toger Nikolla Çenos, etj. Porsa hyjnë në qytet u dha urdhëri që kërkush të mos lëvizte nga vendi sepse nderi, liria dhe pasuria nuk do të prekeshin n’asnjë mënyrë. Në mbas dreke filluan menjëherë arrestimet ndër gra, burra dhe çiliminj, kurse nga ana tjetër fillon vjedhja. Të gjithë burrat deri të nesërmen u vranë. Pasi më mbajtën 4 ditë në burg më lanë të lirë për të varrosur të vrarët. Në vendin e quajtur Kisha e Aj Jorgjit munda të njoh 5 nga personat e vrarë, të tjerët ishin bërë të panjohur për shkak të torturave të pësuara. Të pesë viktimat e njohura prej meje janë: Met Qere, Sami, Asim, Mahmut Kupi, Adem Beqiri e Haki Mile. Pas dy ditësh më shpien pas “Galatajt” në afërsi të shtëpisë së Dhimitër Nikollës, ku ishin vrarë 8 veta. Nuk munda t’i njoh pasi ishin bërë copa-copa. Ngado shiheshin kufoma njerëzish. E quajtuna Sanije Bollati, pasi pësoi tortura të frikshme e dogjën të gjallë me benzinë. Kjo tragjedi pati vënd të mërkurën dhe të premtën në mëngjes, trupi i saj u transportua i mbuluar në një batanije nga e ëma e saj e dy bashkëqytetarët të cilët e vendosën në një qilar me urdhër të monarko-fashistave që s’linin asnjë ta shikonin. Atje kjo grua e mjerë vdiq pas pesë ditësh dhe kufoma e sajë ishte plot me krymba. Gjithçka deklaroj i kam parë me syte e mij. Në fillim u msheha për pesë ditë rresht në një tavan kur monarko-fashistat më arrestuan dhe më prezantuan para major Kranjajt i cili pas pytjeve të shkurtëra urdhëroi burgimin tim. Në burg gjeta 380 persona ndër të cilët gra dhe fëmijë. 120 nga këta vdiqën ur ije. 4 persona dhe unë qëndruam 15 ditë në burg dhe m’! andej na përrcuallën për në Prevezë prej kah shkuam në Janinë ku qëndruam 40 ditë. Atje pësuam tortura të papërshkruara. Pastaj me ardhjen në këtë qytet të trupave t’EAM-it ne u liruam.
Dërvish Sulo nga katundi Spatar i Filiatit i përshkruan në këtë mënyrë në Spatar: Në mëngjezin e një të Shtune të Shtatorit 1944 gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit Spatar. Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Paçe Çulani 50 vjeçare uçnderua, u grabit, iu prenë flokët mandej veshët dhe më në fund u vra në bahçen e saj n’afërsi të grurit të Miços. Në shtëpinë t’onë ishte vendosur familja e Sako Banushit nga Skopjona prej tetë vetash, gra, burra dhe fëmijë. Pasi u çnderuan gratë të cilave iu shpuan gjirët me thika, të gjithë u masakruan. Në shtëpi të Damin Muhametit u vranë 5 gra dhe 3 fëmijë. Në shtëpi të Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër. Në shtëpinë e Dul Sherifit iu pre koka plakut 80 vjeçar Sulejman Dhrimicës dhe së shoqes së tijë. Në shtëpine e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 per sona, gra, fëmijë dhe burra. Kije Nurqi 76 vjeçare u therr me thikë. Në vreshtin e Zulës dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 30 persona të masakruar. Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit kurse në banesën e Mejdi Metës u çnderua Hava Ajshe dhe Nazo Arapi mandej kjo e fundit u masakrua.
Viktimat dhe humbjet simbas statistikave të deritanishme gjatë masakrave të 1944 dhe 1945 në kurriz të Shqiptareve në Greqi arrin numrin 2877, të ndarë si vijon: Filati dhe rrethi 1286, Gumenica dhe rrethi 192, Paramithi dhe rrethi 673 dhe Mërgëlliçi dhe Parga 620. Ky qe fati i gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamërija me përjashtim të disa pak grave që janë sot dëshmitare të gjalla të kësaj masakre ngjethëse në Paramithi në Prag, Spatar dhe Filat. Përmes gojës së tyre del qartë dhe lakuriq kriminaliteti i akteve barbare t’organizuara nga reaksioni monarko-fashist grek në Çamëri. Kjo kasaphëne që u frymëzua prej ndjenjave më të ulta të urrejtjes shovene dhe fetare përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 28000 Çamëve që erdhën dhe u strehuan në Shqipëri me kondidat më të vajtueshme. 68 katunde me 5800 shtëpi u grabitën, u shkatërruan dhe u dogjën. Nga llogaritja e dëmeve rezulton të kenë mbetur në ? ?amëri dhe grabitur nga forcat monarko-fashiste të Zervës 17000 kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21000 kv bereqet dhe 80000 kv vaj, gjithashtu dhe produkti i vjetit 1944-45 që arrin në 11000000 kg bereqet dhe 3000000 kgvaj. Gjatë emigracionit 110000 kokë bagëti e hollë dhe 2400 bagëti e trashë ngordhën dhe humbën.
Nga gjithë kjo del e qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoj popullata jonë duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm me rrobat e trupit. Çamëria në luftën e madhe antifashiste dha materialisht dhe moralisht. Popullata e Çamërisë u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër pushtuesit dhe formoi batalionin IV të regjimentit XV-të të ELAS-it .Nga popullsia e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan vendosmërisht kundër pushtuesve nazifashistë dhe tradhëtarëve zervistë. Gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli, etj., që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmojnë konkretisht këtë fakt. Në përfundim të luftës dhe në çlirimin e vendit nga pushtuesi trupat e komanduara nga Gjenerali Napoleon Zervos operonin në krahinat dhe fshatrat tona jo si çlirimtarë, por si xhelate dhe armiq të betuar të elementit Shqiptar në Çamëri.
Në marrëveshjen e Casertas (Zarafi-Zervas) Gusht 1944, trupat e rezistencës viheshin në fronte të përbashkëta kundër ushtrise naziste, nën një komandë të përbashkët dhe në zona të caktuara operative. Kjo marrëveshje u shkel në Çamëri. Trupat Zerviste ranë në kompromis me Gjermanët dhe duke qëlluar forcat tona penguan veprimtarinë e Batalionit IV-të Regj. XV-të në zonën e caktuar të Filatit. Operacionet dhe masakrat në krahinën e Filatit lidhen direkt me këtë situatë dha janë në kundërshtim të hapët me besimin dhe frymën e bashkëpunimit të vendosura në Caserta. Akoma dhe fshati i fundit i Çamërisë, Koska, një nga baza e organizimit të forcave të rezistencës së Frontit Nacional Çlirimtar në Çamëri, u shkatërrua dhe u doq si përfundim i aktit për shkatërrimin e Çamërisë. Një komision i Këshillit Antifashist Çam u dërgua më 30-X-1944 n’Athinë pranë qeverisë greke të z. Papandreu me një votim proteste kundër masakrave në Çamëri duke kërkuar njëkohësisht frenimin e tyre. Qeveria e Papandreut nuk deshi të mirrte asnjë masë dhe angazhim për sa iu parashtrua.
Mbas operacioneve të Dhjetorit 1944, me çlirimin e Çamërisë nga pushtuesi zervist, një pjesë e popullatës sonë u riatdhesua përsëri dhe u vendos në krahinën e Filatit. Më 12 Mars 19445 forcat qeveritare të garnizonit të Korfuzit duke e shkelur marrëveshjen e Varkizës ne Shkurt 1945 organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanrës (Filatit), të cilat nxorrën në shesh edhe një herë lakuriq qëndrimin dhe politikën e autoriteteve përgjegjës të qeverisë greke në lidhje me çfarosjen e popullatës Shqiptare të Çamërisë. Në mbështetje të kësaj situate të konstatuar, Misioni UNRRA-s në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Washingtonit për akordinim në favor të emigrantëve 1450000 dollarë si ndihmë e menjehershme ndaj gjëndjes sonë të vështirë. Edhe në këto kondita emigrantët Çamër vazhduan të kontribuojnë gjithnjë më tepër për Frontin. Në konferencën e Shalësit (Konispol) mbajtur në fund të Shtato rit 1944 zëri i Çamëve n’emigrim u ngrit më i fortë për bashkëpunim kundër pushtuesit dhe padrejtësive të monarkofashistëve Grekë. Më 23 Shtator 1945 në Kongresin e Vlorës delegatët Çamër që përfaqësonin të gjitha grupet e emigrantëve Çam në Shqipëri u shprehën kundër masakrave të monarko-fashistëve grekë të kryera mbi ta dhe kërkuan me anë memorandumesh drejtuar Konferencës së Londrës shqyrtimin e problemit të tyre dhe dënimin e shkaktarëve të gjakderdhjes së kotë në Çamëri dhe të vuajtjeve të pakufi. Kongresi përfundoi me një rrezolutë ku përmblidhen të gjithë punimet e tij.
Gjatë emigracionit për shumë herë ne i jemi drejtuar botës për të drejtat t’ona të mohuara dhe kemi kërkuar riatdhesimin. Më 30 Tetor 1944 Këshilli Antifashist Çam i dërgonte një votim proteste Qeverisë së Bashkimit Kombëtar Grek, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Qeverive Aleate, Komitetit Qendror t’EAM-it ku flitet për barbarizmat e fashistëve Grek në Çamëri. Më 9 Maj 1945 Këshilli Antifashist Çam iu dërgon Misioneve Ushtarake Aleate kopjen e telegramit drejtuar Kryetarit të Konferencës San Franciskos mbi të drejtat e Çamëve në bazë të kartës s’Atlantikut. Më 27 Qeshor 1945 telegrame proteste kundra masakrave në Çamëri jane drejtuar nga Këshilli Antifashist Çam Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Misioneve Aleate Ushtarake Sovjetike, Angleze, Amerikane, Franceze, Çekosllovake, Legatës Jugosllave, Shqiptarëve t’Amerikës, Italisë dhe Bullgarisë. Promemorja drejtuar z. Hutxhinson deputet Laburist i Britanisesë Madhe ë 26-XI-1945. Telegram drejtuar Drejtorise së Përgjithshme të UNRRA-s nga Komiteti Antifashist Çam (25-9-1945) ku kërkohen ndihma. Memorandum drejtuar kryesis së Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleat në Londër nga Delegatet e Kongresit Çam me 3-4-9-1945. Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuar në Londër prej Komitetit Antifashist Çam më 11 Janar 1946 ku rivlersohen masakrat dhe kërkohen të drejtat. Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në New-York nga Komiteti Antifashist Çam më 25 Tetor 1946, etj.
Ne jemi viktimë e rregjimit monarkist që sot sundon në Greqi. Së bashku me popullin vëlla grek ne vuajmë pasojat e terrorit të zi të shpërthyer prej tyre në gjith Greqinë. Pë dy vjet e gjysmë ne po vërvitemi Shqipëris në mizerje larg Atdheut ndërsa vendet tona të pasura shfrytzohen pa të drejte nga agjentët e Monarko-Fashistave në Çamëri. Vuajtjet tona gjatë emigracionit kanë qenë dhe janë pa kufi. Me mijra kanë vdekur nga kjo situatë e krijuar. Megjithatë protestat e bëra dhe të drejta që na përkasin ne vazhdojmë të qëndrojmë akoma n’emigracion ndërsa Qeverija Greke merr masa dhe vendos në Çamërinë t’onë pa asnjë të drejtë banorë të huaj për të penguar kthimin tonë. N’emër të popullatës sonë ne protestojmë edhe një herë për të gjithë këto ne i parashtrojmë Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit t’UNO-s tragjedin e luajtur në Çamëri dhe heqim vërejtjen për një akt barbar të kryer me q? ?llim çfarosje të popullatës sonë. Ne theksojmë nevojën e përfundimit të shpejt të problemit Çam dhe kemi bindje se do të gjejnë zgjidhje kërkesat tona që janë:
1. Marrja e masave i imediate për pengimin e vendosjes së elementeve të hua në vatrat tona.
2. Riatdhesimi i të gjithë çamëve.
3. Kthimin e pasurise, shpërblimin e dëmeve tona shkaktuar në pasuri të lujtëshme dhe të palujtëshme.
4. Ndihmë për rindërtimin e vatrave dhe vendosjen tonë.
5. Sigurimin dhe garancin që rrjedhin prej traktateve dhe mandateve ndërkombëtare, si sigurimi i të
drejtave civile, politike, kulturale dhe sigurimi personal.
6. Gjykimi dhe dënimi i të gjith përgjegjësave të krimeve të kryera.

Duke ju shprehur konsideracjone tona më të shquara,
Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë
Taho Sejho, Kasem Demi, Rexhep Çami, Tahir Demi, Vehip Demi, Dervish Dojaka, Hilmi Seiti.

Tiranë 1947



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora