| E merkure, 19.12.2007, 11:21 PM |
KS I OKB-së për Kosovën:
MARRËVESHJA MES PALËVE E PAMUNDUR
Nga Engjëll Koliqi
Përgjegjësi speciale për BE-në, që do t’i marrë kompetencat nga UNMIK, megjithë kundërshtitë e autoriteteve të Beogradit dhe të Moskës. BE-së i takon edhe mandati i definimit final të statusit të Kosovës.
New York, 19 dhjetor 2007
Siç ka bërë të ditur agjencia italiane e lajmeve ANSA, në debatin e sotëm për raportin e treshës speciale për bisedimet shtesë (120 ditëshe) në mes Prishtinës dhe Beogradit, për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës, KS i OKB-së ka konstatuar se marrëveshja në mes palëve është e pamundur. Në debatin e udhëhequr nga ministri italian i punëve të jashtme – Massimo d’Alema, mbas këtij konstatimi, është bërë e ditur se misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) do e zëvendësojë një mision i ri i BE dhe se me pajtimin e shumicës me pakon e Ahtisaarit, në një mënyrë i hapet drita jeshile Kuvendit të Kosovës për rishpalljen e pavarësisë, që do të njihet nga Bashkimi Europian , SHBA, Zvicra, nga shtetet fqinje dhe nga shumë vende të tjera të botës. Shefi i diplolmacisë italiane, në cilësinë e kryesuesit të mbledhjes për Kosovën, ka thënë se tashmë ekzistoin një mirëkuptim i përgjithshëm për faktin se Kosova është problem europian dhe se Europa duhet të merret seriozisht me të gjitha çështjet në Kosovë, përfshirë edhe statutin final. Ai në fund ka shtuar: “Misioni i BE-së në Kosovë do të jetë misioni më i madh evropian që ndonjëherë është miratuar. Do të jetë në pajtim me rezolutën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare”. Nga burimet e veta në New York, ANSA njofton se përfaqësuesi i Rusisë në KS – Çurkin, e ka kundërshtuar dërgimin e misionit të BE në Kosovë, duke thënë se kështu shkelen ligjet ndërkombëtare. Megjithë kundërshtimet e Serbisë, në mbledhjen e KS të OKB-së (me dyer të mbyllura) ka folur edhe presidenti i Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu. “Negociatat për statusin e Kosovës janë shterur dhe nuk mund të ketë negociata tjera, dhe se pala kosovare është e përkushtuar për ndërtimin e një shteti të ri modern që do të mbrojë të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe pakicat. Ne jemi të gatshëm që në bashkëpunim më miqtë tonë ndërkombëtare të bëjmë shpalljen e koordinuar të pavarësisë së Kosovës”, tha Sejdiu, duke shtuar se shteti i Kosovës nuk është kundër askujt.