E merkure, 26.06.2024, 05:44 PM (GMT+1)

Mendime

Mero Baze: Beteja për ligjin e zgjedhjeve të 29 qershorit 1997

E enjte, 21.10.2010, 06:45 PM


Beteja për ligjin e zgjedhjeve të 29 qershorit 1997

 

Mero Baze, Shekulli

 

Përpjekjet e Berishës për të diktuar zgjedhjet dhe ndërhyrja e kancelarit Vranicki, paralel me negociatat qesharake që zhvilloheshin në "Rogner"

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Zgjedhjet e 29 qershorit, më shumë se një procesi, i ngjanin një riti politik, që duhej të na kujtonte të gjithëve se pavarësisht prishjes së rregullave, çështja do të zgjidhej duke imituar rregullat. Pra, ajo që ishte prodhuar nga autoritarizmi dhe mungesa e rregullave nga një anë e, nga ana tjetër, nga forca dhe dhuna në rrugë, do të dorëzoheshin në fund te një "rit demokratik", që ishin zgjedhjet.

 

Për zgjedhjet e 29 qershorit u vendos parimisht që më 9 mars, në ditën që u formua Qeveria e Pajtimit Kombëtar, ndërsa data u caktua në fillim të muajit maj.

Përpara se të niste fushata elektorale, beteja e Berishës u përqendrua te shkrirja e komiteteve të shpëtimit dhe, më pas, te ligji elektoral. Komitetet e shpëtimit, në të vërtetë, u vetasgjësuan nga mungesa e autoritetit që kishin për të ndalur anarkinë dhe shpesh u njollosën nga identifikimi me grupet e armatosura. Kështu që, përpara zgjedhjeve, ato ishin më shumë një shtab elektoral pro opozitës, se sa një strukturë e gjithëpushtetshme.

 

Beteja për ligjin elektoral u përqendrua në tri pika kryesore: në mënyrën se si do të shmangej penalizmi për figurat e së majtës, që i ndalonte kandidimi për shkak të ligjit për gjenocidin, që ishte ende në fuqi, mënyra se si do të kombinohej pjesa mazhoritare me atë proporcionale në ligj, si dhe datën kur do të bëheshin zgjedhjet.

 

Vranicki, i cili kishte ardhur në Shqipëri qysh më 7 maj, pas tri ditë bisedimesh të lodhshme me Sali Berishën dhe Fatos Nanon, dukej se po përpiqej të gjente një kompromis mes ligjit të vitit 1992, që ishte me natyrë proporcionale, dhe ligjit të vitit 1996, që ishte me karakter mazhoritar.

 

Berisha, në përpjekje për të mbajtur rreth vetes disa parti të vogla aleate, po anonte herë pas here nga ligji i vitit 1992 dhe bëri deklarata publike, ku pranonte se mund ta linin të hapur numrin e deputetëve në Kuvend, në varësi të rezultatit proporcional që do të merrte çdo parti. Problemi që kishin partitë e vogla ishte pragu i hyrjes në Kuvend, të cilin e kërkonin 2 për qind.

 

Nga ana e tij, kancelari Vranicki po përpiqej të krijonte një klimë për zgjedhje duke kërkuar distancimin e partive nga komitetet e shpëtimit, konsensus për ligjin elektoral dhe miratimin e një misioni vlerësues të Bashkimit Europian dhe OSBE-së, para fiksimit të datës së zgjedhjeve.

 

Në takimin me Bashkim Finon, kryeministrin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Vranicki diskutoi mbi sigurinë në vend në prag të zgjedhjeve dhe natyrën e ligjit elektoral. Si përfundim, u arrit në një version të përzier, ku 115 deputetë do të zgjidheshin nga sistemi mazhoritar dhe 40 nga sistemi proporcional.

 

Por debati u bë i lodhshëm sidomos lidhur me mënyrën se si do të amendohej pasoja e ligjit për gjenocidin në ligjin e zgjedhjeve dhe për pragun e futjes në Kuvend për partitë e vogla. Pas tri ditësh në Tiranë, Vranicki ia doli t'i mblidhte në Rogner krerët e dhjetë partive politike për të marrë vendimin përfundimtar.

 

Takimi i fundit u bë në mesditë. Tritan Shehu jepte e merrte në telefon me Berishën për të gjetur një zgjidhje për klauzolën e pasojave të ligjit për gjenocidin. Berisha e inkurajonte të mos toleronte. Megjithëse situata dukej dramatike, në të vërtetë ishte një teatër, pasi të gjithë do ta nënshkruanin atë që do t'ua vendoste përpara kancelari.

 

Në diellin e ngrohtë të majit, në lulishten e hotel Rogner-it, i vetmi njeri që kishte probleme serioze me atë që po ndodhte, ishte Tritan Shehu. Sa ulej me ndihmësin e Vranickit në tavolinë, ai ia kthente mendjen, pastaj i kujtohej Berisha dhe bëhej esëll. Më thirri një herë dhe më shpjegoi se ku kishin ngecur dhe a mund t'i thosha unë Berishës që të hiqte dorë nga klauzola për ligjin e gjenocidit.

 

- Po, flas, - i thashë, - por nuk besoj se bëj gjë.

E mora në telefon Berishën pa ndonjë motivim të flisja për ligjin dhe kur më pyeti se ku isha, i shpjegova se jam me Tritanin, që është në siklet për ligjin.

-Ashtu?, - tha. - Hë, duan të shpëtojnë kriminelët, të na i sjellin prapë në Kuvend!

Nuk fola.

 

Ndryshoi tonin dhe uli zërin në mënyrë më konfidenciale.

- Mos ki merak, - tha, - se kam për t'i gozhduar aty, që t'u bëhet kryelajm mbrojtja që u bëjnë njerëzve të diktaturës. Mos ki merak ti, se tani di unë ç'bëj.

Tunda kokën dhe buzëqesha. Tritani ishte pranë dhe u çel në fytyrë.

- Çfarë tha, çfarë tha? - pyeti ai me padurim.

 

-Vazhdoje luftën, - ia ktheva, - por mos e merr shumë seriozisht.

-Është gabim, është gabim, - vazhdoi Tritani, - janë 9 parti pro, ndërsa ne jemi kundër... është gabim shumë, ma tha edhe Grubmajeri.

 

U lidh prapë me Berishën, prapë u thartua në fytyrë, prapë u ul me ambasadorin Grubmajer, prapë foli me Berishën, prapë shkoi te tavolina... prapë... prapë...

 

Mes dramacitetit fals që prodhonin negociatat mes partive shqiptare, këshilltarja e kancelarit erdhi qetësisht dhe u tha se zoti Vraniciki është lodhur dhe do që të flejë pak në drekë, por kur të zgjohet pasdite, dëshiron që gjithçka të ketë mbaruar.

Në fakt, pasdite nuk pati negociata fare. Kancelari u zgjua me një deklaratë në dorë dhe ua vuri dhjetë partive përpara për ta firmosur.

 

Askush nuk bëri rezistencë. Mora kopjen që kishte Tritani në dorë dhe ajo që më bëri përshtypje ishte se Partia Demokristiane ishte përkthyer nga gjermanishtja në shqip, si Partia Kristiandemokrate. Dukej qartë se gjithçka kishte ardhur me faks nga Vjena dhe nuk kishte asnjë lidhje me negociatat qesharake që zhvilloheshin në hotel Rogner.

 

Deklarata përcaktonte datën e zgjedhjeve më 29 qershor, përcaktonte natyrë e ligjit elektoral, distancën nga komitetet e shpëtimit dhe reflektimin e duhur ligjor për të mos penguar figurat politike të kandidonin në zgjedhje. Ligji po ashtu përcaktonte tri ditë kohë që partitë të bënin vërejtje teknike dhe pas 12 majit duhej të kalonte në Kuvend.

 

Ndërkohë që ky konsensus u arrit, Bashkim Finoja u nis për në SHBA, ku do t'i jepej mbështetje e fortë nga qeveria amerikane, duke bërë presion publik, sidomos për respektimin e afateve për zgjedhje dhe respektimin e frymës së pajtimit kombëtar.

 

Në qëndrimin transit në aeroportin e Çampinos, në Romë, ai u takua me kryeministrin Prodi, i cili mbështeti monitorimin e zgjedhjeve nga BE¬ja në Shqipëri.

Spartak Ngjela, i cili ishte ndër ministrat më të besuar të kryeministrit Fino, më ftoi për kafe dhe më tregoi për takimin e Finos me zonjën Albright.

 

-Si i humbi ky Berisha SHBA-të? - tha. -- Me gjithë këto që ka bërë ky, ata akoma nuk besojnë te socialistët. Ajo i kishte thënë Finos që të merrte njerëzit e Berishës. Ka frikë se këta kthejnë sigurimsat. Ia tha edhe Papa këtë. Isha unë te Papa, kur na e tha! "Kam frikë se do kthehet komunizmi",i tha Finos.

 

-Ndoshta është fillimi, - ia prita unë, - dhe ata nuk kanë parë se kush është qendra e pushtetit në PS.

 

-Ata duan Finon, - vijoi ai. - Nuk e duan Nanon. Ndaj i thonë të marrë njerëzit Berishës, se nuk ka me çfarë njerëzish të beje qeveri ai.

Biseda të tilla gjysmë të vërteta dhe gjysmë të përfytyruara mbushnin ato ditë kafenetë e politikës në Tiranë. Brenda opozitës më të madhe, Partisë Socialiste, në të vërtetë kishte një paqartësi mbi të ardhmen e lidershipit qeverisës.

 

Bashkim Finoja ishte bërë figurë popullore, e pranueshme dhe me mbështetje ndërkombëtare, por ndarja e vjetër mes grupit të ish-nënkryetarëve dhe Fatos Nanos mbetej ende. Një gazetë e re, e sapodalë në treg, Indipendent, edhe ajo si fryt i ndarjes mes palëve brenda gazetës Koha Jonë, i provokoi nënkryetarët me një lajm, sikur Servet Pëllumbi po shikonte mundësinë e krijimit të një partie të re.

 

Pëllumbi e përgënjeshtroi menjëherë lajmin, por dyshimet brenda Partisë Socialiste për listën e re të pushtetit mbeteshin.

Por, ndërsa data 12 maj po afronte dhe sipas marrëveshjes së arritur me kancelarin Vraniciki duhej të hartohej ligji elektoral, polemikat u ndezën sërish.

 

Në një intervistë për "Zërin e Amerikës" nga Uashingtoni, Bashkim Finoja i hodhi benzinë zjarrit duke e thjeshtëzuar presionin e PD-së për ligjin vetëm te natyra mazhoritare apo proporcionale. Për t'i rënë shkurt, Finoja tha se 9 parti që mbështesin qeverinë janë për proporcional dhe vetëm PD-ja është për mazhoritarin.

 

PD-ja reagoi menjëherë nga Tirana dhe e quajti të pasaktë vlerësimin e kryeministrit, madje duke adresuar një sërë fyerjesh për personalitetin e tij. Në të vërtetë, Berisha ishte duke luajtur blofin me ligjin mazhoritar, pasi e kishte bindje se mazhoritari dëshmonte forcë, por thellë-thellë e ndiente se humbja mund t'i vinte pikërisht nga ai. Pikëpamja zyrtare e PD-së ishte se ligji në fjalë do të kombinonte ligjin e vitit 1992 me atë të vitit 1996.

 

Kështu, data 12 maj kaloi dhe asgjë nuk u bë. Në orët e vona të datës 12 maj, në Komisionin e Ligjeve, një grup deputetësh të PD-së, të kryesuar nga Pjetër Arbnori dhe Ali Spahia, paraqitën një amendament për ligjin e zgjedhjeve, ku kërkohej miratimi i ligjit të ri elektoral sipas propozimeve të bëra më 9 maj, në deklaratën e përbashkët të dhjetë partive politike me kancelarin Vranicki. Seanca e debatit e zhvilluar më 1 maj dhe ishte e ashpër.

 

Socialistët e kundërshtuan fort iniciativën ligjore të PD-së, duke e konsideruar atë si minuese për frymën e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Më i qartë në formulimet e tij ishte Namik Dokle, i cili nguli këmbë që ligji për zgjedhjet duhej të shkonte në Kuvend nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar dhe jo nga deputetët e PD-së.

 

Kundër ligjit u ngrit edhe Dashamir Shehi, në emër të Lëvizjes për Demokraci, një parti e re e sapokrijuar. Kundër ishte edhe Balli Kombëtar, ndërsa Vasil Melo e Vangjel Dule, edhe pse në një parti (PBDNJ), ndaheshin në qëndrimet ndaj procedurës që duhej ndjekur.

 

Amendamentet e PD-së bënin një lloj zbutjeje për figurat politike që prekeshin nga ligji për gjenocidin, e ulnin pragun nga 4 për qind në 3 për qind dhe përfshihej në ligj maksimumi i pjesës proporcionale të ligjit të vitit 1992, që ishte 40 deputetë.

 

Partia Demokratike, në njëfarë mënyre, luajti me politikën e faktit të kryer, duke shfrytëzuar vonesën teknike të qeverisë për një projektligj dhe vizitën e kryeministrit Bashkim Fino në ShBA.

 

Një ditë pas kalimit në Kuvend të këtyre amendamenteve, kriza politike u rishfaq e plotë. 8 parti politike nën kryesinë e Partisë Socialiste deklaruan se do t'i bojkotonin zgjedhjet, nëse nuk miratohej një ligj elektoral me konsensus.

 

Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Aleanca Demokratike, Partia Republikane, Balli Kombëtar, PBDNJ dhe Lëvizja për Demokraci firmosën deklaratën e përbashkët kundër projektligjit të miratuar nga Partia Demokratike. Ata thanë se kryeministri Fino është në kontakt me kancelarin Vranicki për të zgjidhur krizën dhe se do të mbështesnin qëndrimet e tij.

 

Pra, nga kjo lëvizje, Berishës i ikën formalisht edhe aleatët e tij në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, që ishin republikanët, ballistët dhe partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut. E gjithë "loja e luftërave" do të mbyllej të nesërmen. Më 15 maj mbërritën në Tiranë rekomandime të shkruara nga kancelari Vranicki për ligjin e zgjedhjeve.

 

Arroganca e Partisë Demokratike dhe politika e faktit të kryer me miratimin e ligjit elektoral, u shkri si kripa në ujë brenda dy ditësh. Në seancën e pasdites, më 15 maj, Pjetër Arbnori njoftoi se do të fusnin në rendin e ditës shqyrtimin e rekomandimeve të kancelarit Vranicki lidhur me ligjin elektoral, rekomandime "që burojnë nga një kompromis pas shumë bisedimesh".

 

Edhe kjo taktikë e zotit Arbnori ndeshi në kundërshtime në Kuvend. Deputeti Bashkim Kopliku kundërshtoi procedurën, sipas tij antikushtetuese, dhe këtu kishte të drejtë: që Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtonte rekomandimet e personaliteteve të huaja.

 

Arsyetimi i tij ishte se Kuvendi duhej të shqyrtonte një ligj të ofruar nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar dhe se qeveria mund të pasqyronte aty rekomandimet e personaliteteve perëndimore, përfshirë Vranickin, Departamentin amerikan të Shtetit apo ministrin e Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, i cili kishte bërë deklarata të forta kundër minimit të procesit të zgjedhjeve në Shqipëri.

 

Ligji i miratuar më 13 maj ishte "kthyer" tashmë nga presidenti Berisha. Loja për të huajt ishte e qartë. Berisha përdori Kuvendin për ta bërë fakt të kryer një ligj elektoral dhe pastaj i dha vetes shansin për të bërë kompromis duke rikthyer ligjin në Kuvend në seancën e fundit, ku do të diskutoheshin amendamentet e tij dhe ato të paraqitura nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar. Këtu u zgjat edhe debati.

 

Së pari, nuk kishte ndonjë marrëveshje të re mes Vranickit dhe partive, por një listë rekomandimesh të Vranickit pas konsultimit me partitë dhe ajo letër që ishte thuajse konfidenciale, u shpërnda në Kuvend gati si projektligj.

 

Së dyti, u krijua një rrëmujë projektligjesh, pasi kishim një ligj të miratuar dy ditë më parë, disa rekomandime të Vranickit, një projektligj të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe amendamentet e Berishës. Propozimi më racional ishte që të dëgjohej kryeministri Fino, i cili sapo kishte marrë takim sërish me kancelarin Vranicki.

 

Në letrën e tij drejtuar Kuvendit, Berisha, si President, kishte lënë të hapur shtegun e "marrjes së mendimit" nga partitë e tjera politike, para se ligji të plotësohej sipas rekomandimeve të tij.

 

Bashkim Finoja po vonohej të shfaqej në sallë dhe Arbnori u përpoq ta hidhte në votim, nëse mund ta lejonin atë të fliste rreth ligjit kur të vinte ose jo. Pati debate dhe seanca u ndërpre.

 

Pas pushimit, Bashkim Finoja u shfaq në sallë. Arbnori kërkoi të votohej, nëse "pas procedurës së zakonshme të shqyrtimit të amendamentit të ligjit të kthyer nga Presidenti i Republikës, të shqyrtohej versioni i ligjit të paraqitur nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar". Ndërhyri Bashkim Finoja, i cili tha se nuk mund të bëheshin dy ligje.

 

Nëse njëri miratohej, tjetri shfuqizohej automatikisht.

Finoja propozoi mbledhjen urgjente të Komisionit të Ligjeve, shkrirjen e propozimeve të tij me ato të PD-së, arritjen e një konsensusi politik dhe kalimin e ligjit të nesërmen, brenda dhjetë minutash.

 

Propozimi dukej shumë racional, por askush në atë sallë nuk kishte luksin t'i jepte përgjigje pa u konsultuar. Bënë sikur nuk e dëgjuan dhe vazhduan me miratimin e amendamenteve të paraqitura nga Berisha, që kishte kthyer ligjin.

 

Të nesërmen, seanca u hap paradite. Gjithçka ishte sqaruar dhe personazhet kishin ndryshuar. Ylli Vejsiu, me një portret babaxhan, i pakonsumuar në betejat donkishoteske të deri asaj dite, foli në emër të grupit të PD-së dhe shpjegoi se gjatë natës, Komisioni i Ligjeve ka shkrirë rekomandimet e zotit Vranicki me ato të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, si dhe ato që ka miratuar Kuvendi në datën 13 maj dhe është hartuar një ligj i pranueshëm.

 

Gjithçka u përfshi në ligjin e miratuar më 13 maj. Kështu mori fund një betejë dyjavore për politikën shqiptare dhe faktorin ndërkombëtar. Shqipëria kishte tani një ligj për zgjedhjet, një datë për zhvillimin e tyre dhe një proces që nuk mund të prodhonte zgjidhje, por shpresohej se mund të prodhonte një zgjidhje: t'i jepte fund anarkisë dhe rënies së shtetit.

(Vijon)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora