| E shtune, 16.10.2010, 06:59 PM |
Nga Arton Konushevci, Evropa e Lirë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të dalë nga koalicioni qeverisës PDK-LDK (Partia Demokratike e Kosovës - Lidhja Demokratike e Kosovës).
Në një njoftim për media thuhet se: “Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, duke analizuar thellë zhvillimet e fundit në Kosovë, ka marrë vendim që nga dita e hënë, 18 tetor 2010, të tërhiqet nga koalicioni qeverisës, përkatësisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.
Në njoftim thuhet se të gjithë përfaqësuesit e LDK-së, “zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, përfundimisht në ditën e hënë bëjnë dorëzimin e detyrave nga postet që kanë pasur”.
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vendimi për daljen nga koalicioni ka qenë unanim.
“Vendimi ka qenë unanim, duke vlerësuar rrethanat e krijuara në Kosovë. LDK-ja vlerëson se si partner i koalicionit nuk mund të funksionojë më tutje dhe ka marrë vendim për tërheqje”, ka thënë Manaj.
Përgjigja e PDK-së
Nga ana tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Kuçi ka deklaruar se LDK-ja e futi vendin në krizë me vendimin e saj për të dalë nga koalicioni qeverisës. Kuçi ka thënë se tani duhet të gjenden zgjidhje emergjente dhe e jashtëzakonshme.
“Duket qartë se LDK-ja e ka futur vendin në krizë institucionale dhe tani çdo zgjidhje duhet të jetë zgjidhje emergjente dhe e jashtëzakonshme. Momentalisht, vendi është vënë në krizë institucionale. Nuk ka nevojë që të shkojë më tutje. Tani duhet të dalë nga kjo krizë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të jenë dalje nga kriza sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Kuçi.
Mirëpo, sekretari i përgjithshëm LDK-së, Manaj, ka hedhur poshtë deklaratat se LDK-ja e ka futur në krizë institucionale vendin.
“Absolutisht nuk qëndron kjo. Ne kemi marrë vendim siç patëm marrë vendim për t’u futur në koalicion. Natyrisht, vlerësojmë se në rrethanat e krijuara koalicioni është jofunksional dhe duke qenë jofunksional de fakto, atëherë në vetëm e kemi përligjur edhe de jure”, ka theksuar Manaj.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se duke marrë këtë vendim, nuk ka menduar për shtetin.
“Në këtë drejtim besoj që LDK-ja ka kalkuluar më shumë për parti, sesa për institucione, por do të merren vendime adekuate”, është shprehur Kuçi.
Dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, patën nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.
Bazuar në marrëveshjen e janarit të vitit 2008 ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, PDK-së i takoi posti i kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe shtatë ministrive.
Ndërkaq, LDK-ja atëbotë ruajti postin e presidentit, ndërsa mori një post zëvendëskryeministri, si dhe drejtimin e pesë ministrive.
Në më pak se një vit, këtij koalicioni qeverisës po i përsëritet fati. Natën midis 19 dhe 20 nëntorit të vitit të kaluar, ishte Partia Demokratike e Kosovës, ajo që pati marrë vendim ta prishë koalicionin, gjatë fushatës zgjedhore për votimet komunale të vitit të kaluar.
Por, vetëm pak orë pas një vendimi të këtillë, të dyja partitë u zotuan se do të vazhdonin qeverisjen e vendit, deri në zgjedhjet e ardhshme.
Çfarë parasheh Kushtetuta e Republikës?
Në bazë të Kushtetutës, Nenit 66, “zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.
Kurse sipas Neni 82, pika 2, Kuvendi shpërndahet “nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, atëherë shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës”.
Kuvendi gjithashtu mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.