E shtune, 26.04.2025, 01:52 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Sulejman Dida: Një copë e re rruge ripopullon fshatrat

E premte, 01.10.2010, 07:39 PM


Një copë e re rruge ripopullon fshatrat

 

Banorët e Komunës së Bushtricës, që ishin vendosur në Bathore, po kthehen në shtëpi

 

Nga Sulejman Dida

 

Ka mjaftuar ndërtimi i një rruge rurale prej vetëm 18 kilometrash që në një komunë të Kukësit të rikthehet shpresa, madje, 20 vjet pas nisjes së braktisjes masive të zonës, është konstatuar për herë të parë një lëvizje në sens të kundërt.
Bëhet fjalë për rrugën e Komunës së Bushtricës. Ende pa përfunduar ndërtimi i saj, një numër familjesh kanë rivendosur lidhjet e këputura vitet e fundit, për t’u kthyer e jetuar përsëri aty kanë qenë prej shumë shekujsh. Vetëm në fshatin Palush dhe në afërsi të qendrës së komunës janë kthyer gjashtë familje nga Bathorja ku ishin vendosur dekadën e fundit.
Në kafen e Urës së Lapave njerëzit bisedojnë edhe këtë temë që për ta përbën një ngjarje interesante. “Ne vazhdimisht kemi ikur prej këtu, kurse sot familjet e ikura po kthehen”, thotë Billa, pronari i lokalit, duke rreshtuar disa prej të kthyerve. Ai numëron të paktën gjashtë familje që janë kthyer gjatë kësaj vere. Një grua të cilën e takuam në fshat tregon se punimet në rrugë po kthejnë edhe djemtë e saj në shtëpi. Të ikur në emigracion, ata asnjëherë nuk kishin qenë optimistë për t’u kthyer në Bushtricë, madje as në Kukës, por tani ata kanë blerë në Itali një mikrobus dhe kryejnë transport pasagjerësh nga Kukësi në qendër të Bushtricës, e cila, me ndërtimin e rrugës ka marrë një tjetër kuptim për banorët, është bërë më e rëndësishme për ta. “Ne na kishte humbur rruga në oborr”, thotë një fshatar, i cili shtoi se në Bushtricë po ndërtohen edhe disa hidrocentrale të mesëm e të vegjël, duke filluar nga ai i Urës së Lapave etj., që kanë punësuar dhjetëra banorë të fshatrave.

 

Rruga e re

Me një fond prej rreth 6 milionë dollarësh të dhënë nga Banka Botërore po shkon drejt përfundimit rikonstruksioni i thellë dhe asfaltimi i rrugës së Bushtricës. Ajo ka një gjatësi prej rreth 18 kilometrash dhe nis në fshatin Domaj të Komunës së Ujmishtit. Gjysma e rrugës tashmë është asfaltuar, ndërsa pritet këto ditë të asfaltohet edhe pjesa tjetër deri në Bushtricë dhe më tej akoma në fshatrat e Dibrës drejt qytetit të Peshkopisë. Një nëpunës i Komunës së Bushtricës tregon se projekti është financuar fillimisht nga Banka Botërore dhe më pas nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim në përputhje me një program të qeverisë shqiptare për zhvillimin e zonave rurale. “Kjo është arsyeja përse rruga nga Kukësi deri Domaj, apo të paktën nga fshati Nangë e deri në Domaj, nuk është përfshirë në projekt, pasi quhet zonë urbane, kur në të vërtetë nuk është e tillë”, thotë nëpunësi komunal, duke shprehur keqardhje për faktin që nuk po punohet në rrugët lidhëse me Kukësin. Në të vërtetë kur udhëton nga Kukësi të duket se po del nga një zonë tepër e varfër fshatare dhe po hyn në një zonë urbane në zhvillim. Udhëtarët tregohen skeptikë edhe në mundësinë që një ditë të shpejtë të mund të lidhen me rrugë normale me qytetin. “Me krizën ekonomike të tanishme, si zor se mund të kujtohet njeri për këtë rrugë, pra për rrugën urbane”, tha një udhëtar nga Bushtrica. Nga fshati Nangë e deri në Domaj për shkak të rrugës tepër të dëmtuar dhe gropave të thella qarkullojnë vetëm fuoristradat dhe furgonët, ndërsa makinat e vogla duhet të rimorkiohen apo të shtyhen nga njerëzit.

 

Kantieri ku janë punësuar banorët

Në të dy lotet e rrugës janë punësuar gjithsej rreth 180 persona nga fshatrat e zonës, si dhe nga Bathorja e Tiranës, edhe ata banorë të kësaj zone që janë shpërngulur vitet e fundit. Paga e tyre varion nga 35 deri në 70 mijë lekë në muaj. Fadili, 47 vjeç nga Bushtrica, tregon se prej 5-6 vitesh është shpërngulur me familjen në Bathore dhe gjatë më shumë se një viti punon në ndërtimin e kësaj rruge bashkë me një brigadë punëtorësh. “Punojmë dhe trajtohemi këtu tek Ura e Lapave, hamë një drekë nga fondet e firmës dhe flemë në kapanon”, tregon ai, duke shtuar se nisma ia ka vlejtur edhe për të ardhurat që siguron për familjen. “Kam punuar më shumë se pesë vjet në Greqi, por është më mirë të punosh në vendin tënd, shyqyr që doli ky rast për ndërtimin e rrugës, pse të kontribuojmë për vendet e tjera?”, thotë ai. Brigada e tij ka rreth 20 punëtorë dhe punon më shumë se 10 orë në ditë, me një pushim të drekës dhe një ditë javore gjithashtu pushim. Teknikun Hasan Seferi nga fshatrat e zonës e gjejmë në rrugë duke u marrë me punëtorët. Ai këqyr punimet, respektimin e projektit dhe cilësinë. Aksi i rrugës është zgjeruar për dy kalime ku përveç gërmimeve të shumta janë ndërtuar edhe një numër veprash arti dhe mure mbajtëse. “Projekti parashikon që shtrati i rrugës të bëhet 8 metra gjerësi, ku 6 metër po asfaltohen ndërsa e gjithë traseja do të ketë bordura dhe sinjalistikë të parametrave europiane”, thotë ai. Hasani tregon se ky investim përbën ndërhyrjen e parë në këtë rrugë që kur është ndërtuar ajo në fillim të shekullit XX dhe është e rëndësishme jo vetëm për faktin që do të lidhë fshatrat e katër komunave të Kukësit, por edhe disa komuna të Peshkopisë, ku deri tani ka pasur vetëm komunikim këmbësor dhe të vështirë. Ai thotë gjithashtu se të gjitha energjitë e kompanive ndërtuese janë përqendruar në segmentin lidhës mes Kukësit dhe Peshkopisë, ndërsa një prej tyre po punon me intensitet në montimin dhe vënien në funksion sa më parë të fabrikës së asfaltit tek Ura e Lapave para se të nisë dimri. Bëhet fjalë për një linjë të blerë në Itali për prodhimin e asfaltit, tek e cila i kanë varur shpresat jo vetëm firmat ndërtuese, por edhe mijëra banorë të zonës në aksin Kukës-Peshkopi.

 

Problemet që zgjidh

Katër komuna të thella të Rrethit të Kukësit e përkatësisht Bushtrica, Ujmishiti, Kalisi dhe Gryka e Çajës, por edhe një numër fshatrash të Rrethit të Peshkopisë do të mund të lidhen shumë shpejt me një rrugë të asfaltuar, duke i dhënë fund izolimit dhe mungesës totale të infrastrukturës. Këto zona, dikur të populluara dendur, gjatë viteve ‘90 dhe më pas njohën një zhvendosje të pandalshme të familjeve drejt zonave fushore të vendit, aq sa aktualisht, siç mësohet nga burime të pushtetit lokal, në tre prej komunave ekstreme, nga 14.000 banorë që kishte në vitin 1991, sot jetojnë vetëm rreth 4.300. Vitet e fundit zona po shkonte drejt boshatisjes për mungesë punësimi dhe perspektive, por rikonstruksioni i thellë i rrugës dhe asfaltimi i saj i kthen gjallërinë dhe shpresën Bushtricës dhe komunave të tjera në këtë aks. Banorët thonë se kanë qarkulluar me shumë vështirësi me anë të rrugës së vjetër, e cila, e ndërtuar në vitet ‘70, nuk i përmbushte kërkesat e sotme dhe në dimër mund të kalohej vetëm me kuaj. Ata tregojnë se rruga e re, kështu u pëlqen ta quajnë, edhe pse ndjek trasenë e vjetër, do të zgjidhë problemin e tregut bujqësor, i afron më shumë me qendrën rajonale dhe me aksin e autostradës kombëtare, shton mundësinë e zhvillimit të turizmit malor etj. “Për një sëmundje na është dashur të ecim me kalë për më shumë se katër orë deri në rrugën më të afërt të makinës, le pastaj për të zbritur në treg prodhimet bujqësore që fitimin e hante qiraja rrugës”, thotë Avdiu 60 vjeç, një banor i lagjes Gjegje të Bushtricës.
Rruga e re u bë shkaku kryesor që banorët një vit më parë t’i bashkohen edhe kërkesës për të pasur një shkollë të mesme në qendër të komunës dhe ia arritën. Shkolla sot numëron rreth 60 nxënës dhe funksionon me gjithë vështirësitë që kanë shkollat rurale, kryesisht për kuadro të specializuar. Njëri prej nxënësve na tregon se hapja e shkollës i kishte ndryshuar jetën dhe këtë ia dedikonte rrugës. “Deri atë ditë kam shkuar me bagëti në mal dhe as kam pasur ndonjë fat tjetër, ose me ikë prej këtu ose nuk kisha alternativë tjetër. Tani që kemi shkollën, edhe unë kam ëndrra të tjera”, tha nxënësi i klasës XI. Por nuk ka qenë krejt kështu me Rustemin, një djalë nga i njëjti fis, i cili nuk është pranuar në shkollë për shkak se kishte kaluar moshën. “Nuk më pranoi në shkollë drejtoresha, më tha ke kaluar moshën për disa muaj”, tha i zhgënjyer Rustemi, ndërsa një kushëri i tij afrohet duke më besuar një “sekret”: “po të donte drejtoresha do ta kishte pranuar sepse ‘filanin’ e një datëlindje me Rustemin e pranoi me porosi nga Tirana”, tha ai. Rustemi aktualisht punon në një gurore të zonës dhe jeton ende në dilemën, të vazhdojë punën e rëndë për gjithë jetën apo të udhëtojë në një qendër tjetër banimi ku mund ta pranojnë në shkollë të mesme...

 

Premisat/ Një nyje e zhvillimit të turizmit malor

Zona e Bushtricës ku ndodhet Ura e Lapave, si dhe grupi i fshatrave të Grykës së Çajës shquhet për bukuritë e natyrës me kullotat subalpine, me ujë të ftohtë dhe dritë si dhe për masivet e famshme të qershizave të egra aq të kërkuara nga tregu farmaceutik. Ndërtimi i rrugës së Bushtricës, si dhe ndërtimi i hidrocentralit të Urës së Lapave, ka rikthyer krahas shpresës dhe mundësive për të jetuar aty, edhe vëmendjen për turizmin malor. Një nga kompanitë koncensionare, e cila po ndërton hidrocentralin, ka nisur edhe ngritjen e një hoteli shumëkatësh, një pjesë e të cilit është vënë në funksionim që tani. Bukuria e lumit të Lapave që zbret nga bjeshkët e Tërfojës edhe më herët ka ngjallur interesin e vizitorëve. Në një ditë të zakonshme atje gjejmë, krahas vizitorëve nga Kukësi apo Tirana, edhe udhëtarë nga Polonia, Rumania etj., të cilët, siç thonë, nuk i shmangen tundimit për të shijuar bukuritë e Bushtricës. Vepra energjetike e Urës së Lapave do të bëjë që aty të ndërtohen edhe pika të tjera turistike ku pushuesit të mund të shijojnë bregun e Drinit të Zi dhe njëkohësisht, përmes teleferikëve, edhe bjeshkët e larta subalpine mbi 2000 metër mbi nivelin e detit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx