Udhëpërshkrim
Faruk Tasholli: Treqind familjet kosovare të Lazim Destanit
E diele, 26.09.2010, 07:59 PM
TREQIND FAMILJET KOSOVARE TË LAZIM DESTANIT
Nga Faruk TASHOLLI
Futurimi është dhjetë minuta para orës gjashtë. Aeroporti i Dyseldrofit është shesh i pagjum. Pritje, përcjellje, përtokëzime dhe fluturime aeroplanësh. Në listën e shumë qyteteve dhe kryeqyteteve aeroportuale botërore edhe Prishtina. Fluturimi deri në kryeqytetin e Republikës së Kosovës zgjat dy orë e pesë minuta, dëgjohet zëri i kapitenit të makinës fluturuese, të mbushur me shqiptarë dhe ndonjë të huaj. Secili ka caqet veta, ndërsa unë, shkoj në një festë të madhe. Në Prishtinë përurohet fabrika e prodhimit të xhinsave, që dikur, në tregun kosovar, vininin nga Italia dhe shiteshin dorë më dorë,. Më ka ftuar Lazim Destani që të jem pjesë e kësaj feste. Lazim Destani? Ky emër filloi të hyjë në kujtesën e shqiptarëve para njëzet vitesh, pikërisht përmes fluturimeve, të cilat po i radhisnin gjithnjë e më shpesh Prishtinën dhe Shkupin nëpër listat e aeroporteve ndërkombëtare. Atëherë ai ishte themelues dhe president i kompanisë së udhëtimeve “Sharr-Turist” që bëri emër nderi në ekonominë postkomuniste shqiptare. Ndërsa tash, me emrin e Lazim Destanit dhe të familjes së tij, lidhen qindra suksese, të dala nga gjiri i kompanisë Ekolog me seli në Dyseldorf të Gjermanisë, që vepron në të gjitha kontinentet e botës. Nga kjo kompani rentabile, si do të thoshin ekonomistët, mijëra familje shqiptare, jo vetëm që sigurojnë mbijetesën, si jemi mësuar ta përdorim në kohë të vështira që na përcollën, por edhe të pasurohen dhe të jetojnë dinjitetshëm. Si ky fluturim në qiellin e fundverës, Lazim Destani me djemtë e vet, me përvojat e ekonomisë perëndimore, gjithnjë e më shumë po u kthehet viseve shqiptare. Pas fluturimit të këndshëm, që u bë duke përcjell lindjen e diellit, aeroplani përtokëzohet në fushat e Kosovës. Dita është me diell dhe e bukur. Fillojnë takimet me familjarë, me miq gjithandej dhe me rrugët e qytetet që janë pjesë e jetës sime.
Pas lëvizjeve te shpejta, pas ndejave të shkurtëra kafeneve të Prishtinës me miq, derisa dita shkon kah mbrëmja, marr taksin i cili rrugëve anësore me çon deri te tjerrtorja e dikurshme, që tash mban emrin e ri dhe domethënës Kosovatex. Që në hyrje, flakadani i parë i ndezuar me vajguri, sinjalizon për një festë të madhe dhe të këndshme. Aleja e sheshit të fabrikës, anash e stolisur nga flakadanët e shumtë, çon deri te objekti, ku nën qiellin e hapur, është përgatitur festa e përurimit. Kam ardhur pak më herët nga momenti i hapjes. Një pjesë e njerëzve kanë mbërri. Ja Lazim Destani, miku im i jetës mërgimtare. Edhe djemt e tij aty, Nazifi, Selimi e Blerimi. Edhe familjarë të tjerë të tij. Edhe familjarë të biznesit nga Tetova e Dyseldorfi. Fillojnë përshendetjet, përqafimet, këmbimet e bisedave me njerëzit që jam takuar rrallë. Në mesin turmës së buzëqeshur është edhe zonja Rasime Destani, bashkudhëtarja e Lazimit në ngritjen e familjes dhe në sakrificat për ngritjen e biznesit. Por sonte nuk feston vetëm familja Destani. Festojnë qindra familje kosovare që po bëhen pjesë e sukseseve afariste të kësaj familjeje, që tashmë shtrihet sa në New York, sa në Dubai, sa në Bagdat, sa në Kabul, sa në Shangaj, sa në New Delhi, sa në Tetovë, sa në Dyseldorf e ku jo tjetër. Mbrëmja afrohet me freskun e lehtë, ndërsa turma e njerëzve rritet. Vijnë fotografë, gazetarë, kamermanë. Disa nga Londra, disa nda Washingtoni, disa nga Prishtina, Tetova e Shkupi. Vijnë aktorë, shkrimtarë, politikanë, diplomatë. Vjen kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa. Pak para orës tetëmbëdhjetë, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vjen edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Tash nis festa e hapjes së fabrikës. Presidenti i të gjitha bizneseve të përmendura në botë, i gjigantit Ekolog Lazim Destani, e shoqëron presidentin e Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiun drejt hapësirave të brendshme të fabrikës. Të gjithë pjesëmarrësit vazhdojnë pas hapave të tyre. Pranë tavolinave të punës, vajza të reja, gra të shkathta, disa që sapo kanë nisur punën, disa që dikur u është ndërprerë puna para njëzet vitesh.
Mbi tavolina farmerka të qepura të të gjitha llojeve. Pranë tavolinave buzëqeshje punëtorësh. Pas parakalimit nëpër punishtet e fabrikës, te dalja, platoja mbi shkallët shërben si binë ku janë të vendosur mikrofonët. Secili që flet, me një oratori të lirë, të këndshme, spontane dhe festive, shënojnë këtë çast festiv. Edhe presidenti Sejdiu, edhe kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, edhe ministrant në Qeverinë e Kosovës, Ahmet Shala e Luftfi Zharku, edhe ambasadori i SHBA-ve Dell, e edhe Lazim Destani, i cili përmes prodhimeve Made in Kosova, pretendon që shtetin më të ri ta bëjë ambasador ekonomik në botë. Pas fjalimeve të shkurtëra dhe domethënëse, vjen momenti i zgjidhjes së nyjës te dera e fabrikës, një shalli të lehtë, të cilin e bëjnë Lazim Destani dhe Fatmir Sejdiu. Balona shumëngjyrësh lëshohen në qiellin e Prishtinës, cifla shumëngjyrëshe, duartrokitje… Urime të shumta, cakërrime gotash, takime miqsh nga të gjitha anët. Ka mysafirë të biznesit nga e gjithë bota, me të cilët është familjarizuar biznesi i frytshëm dhe i shëndetshëm i familjes Destani. Tash pjesë e kësaj familjeje janë edhe treqind familje kosovare fillimisht. Por Lazim Destani është mësuar ta zgjerojë familjen. Ai premton se brenda këtij viti, në fabrikën e re do të punësohen edhe qindra punëtorë. Duke u dëndësuar terri i mbrëmjes në Prishtinë, nëpër turmën e festuesve, punëtorët shpërndajnë dhurata me prodhimet e para të Kosovatexit. Por festa nuk përfundon me kaq. Televizionet dhe radiostacionet tashmë i kanë dhënë raportet e para për hapjen e Kosovatexit. Disa televizione private të Tetovës festën e kanë transmetuar drejtpërdrejt. Familja Destani është e ftuar në Sheshin 21, studio kjo e Televizionit me të njëjtin emër.
Sheshi 21 mbushet më të rinj. Aktorë, regjisorë, gazetarë, poetë, këngëtarë. Aty diku është edhe familja Destani. Edhe ambasadori Dell. Fillon sfilata e përurimit të të gjitha llojeve të farmerkave që bën Kosovatexi. Farmerakt nën siglën Red&Black nën tingujt e muzikës moderne u rrinë për mrekulli vajzave dhe djemve më të bukur shqiptarë dhe të viseve të tjera të botës. Po në këto veshje, do të jetë e shënuar data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Prej këtu po merr udhë ideja e sendërtuar e fotografit Fadil Berisha dhe aktorit Blerim Destani. Tash në treqind familjet kosovare të Lazim Destanit do të shtrohet buka e fituar në fabrikë, ndërsa nëpër botë, të punuara nga duart e atyre punëtoreve e punëtorëve, do të vishen gjithandej nëpër botë farmerkat Made in Kosova.
Ditën tjetër, derisa atmosfera festive ka përfunduar dhe nëpër Prishtinë dëgjohen komente përkitazi me këtë sukses ekonomik, nisem me aeroplan drejt Brukselit. Pas një ndaljeje në Lubjanë, fluturimi vonohet, dhe, përtokëzimi për në aeroportin e Brukselit shtyhet derisa bie nata. Sapo u ngrit aeroplani nga Prishtina, Fusha e Kosovës më ngjau në një qytet, ku shtëpi të reja kanë zënë vend në një strukturë të çrregullt hapësinore. Duke ia afruar tokës belge, dritat e shumta autostradave dhe qyteteve, e sidomos mbi Bruksel, krijojnë një panoramë të shkëlqyeshme dhe impresionuese. Kështu secili shqiptar do të donte t’i shihte viset e veta! Udhëtimi nga Brukseli për në Ahen, nuk zgjat shumë, pikërisht aty ku Lazim Destani, para njëzet vitesh, në qytezën periferike Stolberg, ka filluar biznesin familjar.