Mendime
The Albanian: Ambasada në Londër mashtron shqiptarët e Britanisë
E diele, 26.09.2010, 08:58 PM
AMBASADA NË LONDËR MASHTRON SHQIPTARËT E BRITANISË
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në MB z. Zef Mazi
Mashtrim?
Ylli ishte një qytetar shqiptar që kërkonte një leje kalimi për të ikur në Shqipëri, për shkak se i vëllai i kishte ndërruar jetë. Ai ka provuar t’i bjerë “non stop” atij numri të afishuar, por askush nuk është përgjigjur. Ka provuar edhe numrin zyrtar (numrin e zyrës) por përsëri nuk është përgjigjur askush dhe ka marrë rrugën drejt ambasadës që i ka marrë rreth tre orë por ndonëse ka shkuar tek ambasada dera ka qenë e mbyllur. Kushedi sa është endur nëpër rrugët e Londrës...
Aështë kjo fjala e përshtatshme nëse një institucion shtetëror publikon në faqen e internetit të saj një numër telefoni që nuk funksionon? Duhet sqaruar që ky numër nuk ka funksionuar prej kohësh dhe jo një ditë apo dy ( që mund t’i bie edhe bateria) ndonëse presupozohet që është numër emergjence për të gjithë bashkatdhetarët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar që do të kenë nevojë. Ishin telefonatat në redaksinë tonë që vërtetuan që ai numër nuk funksiononte dhe vërtet prisnim që ai numër të ndryshonte në faqen e internetit të ambasadës dhe të kishim edhe një kërkim ndjese për atë ngatërresë, hutim, mospërditësim të faqes zyrtare, apo çfarëdolloj justifikimi që mund të nxirrte Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në MB z. Zef Mazi si drejtues i këtij dikasteri. (Në fund të fundit një staf prej tetë vetësh të mos i hedhin një sy faqes së tyre të internetit)... Por kjo nuk ndodhi... Faqja e internetit me të gjitha njoftimet vazhduan të mbesin të tilla (madje edhe në këto momente që po mbyllim gazetën) dhe përsëri numri i afishuar vazhdon të mbetët i njëjti, numri që nuk pranon telefonata. Kurrsesi nuk mund të cilësohet si ngatërresë apo hutesë apo nuk mund të gjendet asnjë lloj justifikimi nga Shkëlqesia apo kushdo tjetër në ambasadën luksoze katërkatëshe. Ylli ishte një qytetar shqiptar që kërkonte një leje kalimi për të ikur në Shqipëri për shkak se i vëllai i kishte ndërruar jetë. Ai ka provuar t’i bjerë non stop atij numri të afishuar por askush nuk është përgjigjur. Ka provuar edhe numrin zyrtar (numrin e zyrës) por përsëri nuk është përgjigjur askush dhe ka marrë rrugën drejt ambasadës që i ka marrë rreth tre orë por ndonëse ka shkuar tek ambasada dera ka qenë e mbyllur. Kushedi sa është endur nëpër rrugët e Londrës... E theksojmë se është detyrim kushtetues i zyrtarëve (me kollare ose jo) në ambasadën shqiptare për t’i shërbyer shqiptarëve të këtushëm (ndër të tjera) dhe se paguhen pikërisht për këtë nga taksapaguesit shqiptarë. Po si mund të cilësohet një akt i tillë, pra që publikohet një numër telefoni, madje njoftimi jepet në anglisht, (vaj halli për ata që nuk kuptojnë anglisht) dhe ai telefon nuk punon prej kohësh? Juridikisht a mund të quhet mashtrim? A do të mundet drejtuesi i kësaj ambasade të mund të mohojë një fakt të tillë? Çfarë do të ndodhte nëse Ylli apo ndonjë qytetar tjetër të priste biletën për të ikur në Shqipëri dhe të supozonte se ambasada, ashtu siç është njoftuar dhe faktuar edhe në websitin e saj, do të ishte në funksion 24 orë? A do t’i kompensohej kjo biletë? A ka të drejtë Ylli apo qytetarët e tjerë të ankohen? Absolutisht po. Por ndjen vërtet keqardhje kur drejtuesi i këtij dikasteri shtetëror hesht ashtu siç nuk ndryshon faqja e internetit. Me një minimum serioziteti ai duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve (dhe kjo është gjëja më e thjeshtë e mundshme) për këtë mashtrim të pastër dhe të jetë në lartësinë e detyrës që i është ngarkuar. Duke qenë se interneti është bërë një nga mënyrat më të shpejta të komunikimit është e papranueshme mos-përditësimi i faqes së internetit të kësaj ambasade. Gjithmonë nëse i referohemi faqes së internetit të ambasadës është një njoftim i paraverës se do të kenë staf të kufizuar për shkak të sezonit veror. A kanë mbaruar pushimet për ambasadën shqiptare në Londër? Sipas faqes së saj jo... pushimet vazhdojnë. Thua të mos kenë kohë që të përditësojnë atë faqe interneti. Thua të jenë kaq të zënë me “Chateau Margaux”? Thua të jenë të zënë me drekat dhe darkat për krijimin e bashkimit të të gjitha bashkimeve të shoqata të bashkuara shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar? Thua... Urojmë që këto pushime të mos jenë të gjata dhe se ambasada do të kryejë misionin e saj për të cilin është ngarkuar dhe se dëshirojmë të besojmë se jo vetëm faqja e saj e internetit por edhe shërbimet e saj të jenë në nivelin e kërkuar.