E merkure, 13.11.2024, 06:20 AM (GMT)

Kulturë

Erika Camaj: Një ditë, Martini s'do jetë më i pazbuluem

E hene, 27.09.2010, 08:56 PM


Nga Fatmira Nikolli

 

Mesnata e së ënjtjes e ka sjellë në Tiranë. Të nesërmen, do të mbahej një konferencë për të shoqin, shqiptarin që e deshi aq shumë. Ajo vjen në vendin e tij, me dëshirë, e do Shqipërinë, i do shqiptarët e do edhe gegnishten, të cilën e flet bukur, edhe pse me pak theks gjerman. Vite më parë ia ka mësuar i shoqi, dhe ajo kumton përmes saj. Megjithatë në disa çaste, ajo ka vështirësi, ndaj biseda jonë zhvillohet në dy gjuhë, në shqip ku ajo përdor dialektin gegnisht, dhe në gjuhën angleze. Me sa duket, vitet e mungesës së Camajt, kanë marrë prej saj jo vetëm shqiptarin me të cilin zgjodhi të kalonte jetën, por edhe shumë prej gjuhës së tij. Teksa flet anglisht, disa terma të fiksuara mirë në mendjen e saj nuk ngurron t'i thotë shqip. Kur fillimisht i kërkojmë një intervistë, ajo thotë: "Ma von, ma von, sa të marojë kjo kumtes". Bluja e syve të saj, ndriçohet kur flet për Martin Camajn, ndjen keqardhje që ka qenë i ndaluar, por është e lumtur që sot lexohet. Në prehër mban libra që studiuesit kanë botuar për të, dhe dëgjon me vëmendje kumtesat për veprat e tij. Në fund gjen pak kohë, për të folur vetë për të... 

Kur keni ardhur në Shqipëri? 


Kam ardhur të enjten në mbrëmje, rreth mesnatës kam mbërritur në aeroport. Hera e parë që unë kam ardhur në Shqipëri, ka qenë viti 1993, e prej atëherë unë kam ardhur çdo vit, e do të vazhdoj të vij. Pra unë kam 17 vite që vij rregullisht në Shqipëri.


Kur vini në Shqipëri, ju shkoni në Shkodër? 


Po shkoj në Shkodër dhe në Vlorë, tek dy mbesat e Martinit. Njëra është në Shkodër e sa herë që vij shkojmë edhe në malësinë Dukagjin, shkoj në Jezercë, në vendin ku ai kaloi fëmijërinë në Temal, më pas në Vlorë, Butrint, Sarandë. 
Përveç Martin Camajt, çfarë iu ka tërhequr më shumë në Shqipëri? 
(Qesh)Nuk e di. Mbase kontrasti i natyrës. Male të larta, alpet e më tej deti, e mbi të gjitha këto, njerëzit. 

Një konferencë shkencore për 85-vjetorin e lindjes. Çfarë është për ju ky takim dhe cila është rëndësia e tij? 


Sigurish për mua do të thotë shumë, madje jam shumë e lumtur që po mbahet. Shqipëria është vendi i tim shoqi dhe unë e dua. Ka rëndësi ky takim sepse është takimi i parë i këtyre përmasave në Tiranë. Në Shkodër ka pasur disa të tilla, e fundit në qershor, ndërsa në Tiranë jo. 

Ju vetë, ç'mendoni për veprat e Martinit? 


Unë i kam lexuar vazhdimisht dhe i lexoj edhe tani. Jam entuziaste për to dhe pres që të botohet vepra e plotë e tij. Duhet të them se më vjen mirë që veprat e tij lexohen tashmë edhe në Shqipëri. Ju e dini, im shoq për shumë kohë ka qenë i harruar dhe i mohuar. Sot gjërat kanë ndryshuar, dhe kjo konferencë e tregon më së miri, tani për të po flitet edhe në Tiranë. Edhe pse ky ishte fillimi, por unë ndjej se një ditë ai nuk do të jetë i pazbuluem. Është një gjë e mrekullueshme që ai të lexohet e të kuptohet, e jam e sigurt se këtë do ta bëjë brezi i ri. 

Në opinionin shqiptar, shpesh ai është "kritikuar" për gegnishten e tij... 


Unë mendoj se mënyra se ai ka shkruar është shumë moderne. Mbase ka shumë shqiptarë që nuk e kuptojnë atë, sepse janë mësuar me letërsi tradicionale. Gegnishtja është një gjuhë e bukur dhe më pëlqen kur e lexoj. 

Siç thatë edhe ju, ai ka qenë i mohuar këtu në Shqipëri. Si ndihej ai për këtë? 


Nuk mundem të shpjegoj këtë. Është një çështje shumë e komplikuar për ta thënë në një intervistë, më besoni. Sigurisht që ai e dinte, sepse ishte kundër komunizmit. 

Kur vini këtu për çfarë ju vjen më shumë keq? 


Unë mendoj se mënyra se si jeta e tij shkoi nuk ishte diçka e mirë. Më vjen keq që ai nuk mundi të komunikonte me njerëzit e tij, me familjen e tij, sepse e di se kjo i ka bërë keq Martinit. Nuk dinte as se si ishin me shëndet. 


A gjeni diçka të tijën kur vini në Shqipëri? 


Mbase po të ishin vëllezërit e tij gjallë po, por ata kanë vdekur tani. 

I lexoni vazhdimisht veprat e tij? 


Po sigurisht. Më duhet një fjalor kur i lexoj për ndonjë fjalë, por kur e ke njohur atë për një kohë shumë të gjatë, ti e di se çfarë do të thotë ai dhe çfarë ka dashur të shprehë. Dhe ne kemi bërë shumë diskutime mbi veprat e tij letrare, ndaj mund të them se i kuptoj. 

Edhe studiues gjermanë kanë bërë studime për të. Vijnë ende t'iu takojnë ata? 


Po sigurisht që ka studime në gjermanisht për të. Edhe tani vijnë, por ka qenë një kohë që vinin më shumë. Sidomos pas vdekjes së tij vinin shumë, madje ka pasur artikuj shkencorë dhe intervista të gjata për të. 


Si i mbani mend ditët e tij të fundit? 


Ka qenë shumë i sëmurë në ditët e fundit të jetës dhe i shqetësuar. Gjithsesi më vjen mirë që do të botohet e plotë vepra e tij, kjo ka rëndësi.

 

 

32 studiues, nëkonferencen shkencore për Camajn

 

Në 85-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe poetit Martin Camaj së paku studiuesit bien dakord që duhet botuar vepra e plotë e shkrimtarit. Qendra e Studimeve Albanologjike ia dedikonte pikërisht kontributin Martin Camaj në kulturën shqiptare, konferencën e organizuar dje në Akademinë e Shkencave. 32 studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia, Gjermania referuan mbi studime që fokusohen në letërsinë e Camajt, në tiparet gjuhësore dhe estetike të disa prej veprave të tij si "Njeriu më vete e pa të tjerë", "Rrathë", "Karpa" etj. Teksa studiuesit vijojnë referatet mbi këtë personalitet të letrave dhe albanologjisë, Stefan Çapaliku ka ndërmarrë një nismë konkrete që t'i japë jetë poezive të shkruara prej tij përmes performancës poetike "Jam larg atyne që flasin si unë", me regji dhe libret të përgatitur prej tij. "Ideja për të bërë një performancë teatrore me poezinë e Martin Camajt, është një prej mjeteve që do ta bënte dhe më të njohur. Camaj është një gjeni i modernitetit shqiptar", ka thënë dramaturgu Stefan Çapaliku. Dramaturgu ka zgjedhur nga veprat me poezi të Camajt pjesët ku autori tregon për fëmijërinë në Temal, largimin nga Shqipëria dhe jetën në mërgim. Poezia e Camajt nuk ka qenë e lehtë të interpretohet nga të rinjtë studentë të degës aktrim, sepse "ai është një poet modern, hermetik dhe nuk është i thjeshtë për t'u perceptuar". Muzika e Fatos Qerimajt shoqëroi leximin që mbylli maratonën akademike të konferencës kushtuar Martin Camajt në kulturën shqiptare mbrëmjen e së premtes te "Sarajet". Dje ishte parashikuar edhe dorëzimi i titullit "Nderi i Kombit" familjarëve, por Presidenti i Bamir Topi është në Amerikë, ndaj dhënia e tij shtyhet për në tetor.

 

 

Kuçuku: Letrat e panjohura që zbërthejnë Camajn

 

Nga Fatmira Nikolli

 

Letrat që ai iu ka shkruar miqve e zbërthejnë Martin Camajn. Aty e shohim shkrimtarin në gjuhë intime, duke zbuluar tek-tuk edhe ndonjë gjë për veten". Kështu thotë studiuesi Bashkim Kuçuku, në një intervistë për gazetën, duke shtuar se ai ka qenë shumë modest. Sipas Kuçukut, nëse ato letra i lexon një psikolog, a një psikoanalist, mund të kuptojë shumë edhe gjendjen e autorit. Pjesëmarrës në Konferencën Shkencore që u mbajt dje në Akademinë e shkencave, ai foli për rolin e censurës. Më tej, gjatë intervistës ai na rrëfeu pjesë nga letrat e panjohura të shkruara nga Camaj në Gjermani. Është një korrespondencë e vyer që ai ka mbajtur me miq të tij, sipas Kuçukut, letrat që ndodhen në arkivat gjermane, rrëfejnë edhe detaje të panjohura të shkrimtarit që e kaloi jetën në mërgim. Në to, ai flet edhe për klerin katolik me të cilin Camaj ka qenë shumë i lidhur. Letra intime, me një gjuhë të lirë, na zbulojnë shkrimtarin që ne s'e njohim, për të cilin pak dimë e po pak e kuptojmë. Në bibliotekën e tij ka edhe libra të realizmit socialist, e kjo sipas studiuesit, tregon se ai përmes tyre përpiqej të mësonte ç'po ndodhte në vendlindje. 

Në konferencën e mbajtur për shkrimtarin Martin Camaj, ju folët për rolin e censurës në jetën e tij. Sa ndikoi ajo në përcjelljen e mendimeve të shkodranit tek lexuesi? 


Censura ka qenë një ndikim i fortë sepse e ndaloi në radhë të parë që të hynte në Shqipëri, që të njihej. Ajo e pengoi dhe e ndaloi edhe në Kosovë, madje sipas letrave që ai shkruan, ka qenë shumë e vështirë përhapja e veprës së tij edhe në diasporë. Kjo ishte mbase e keqja më e madhe. Nga letrat e Camajt, ne shohim në këtë rast se censura nuk ka vepruar vetëm brenda kufijve shqiptar por edhe jashtë tyre. 

Edhe në diasporë? 


Ne që kemi jetuar këtu, kur lexojmë letrat e tij na duket e pabesueshme që "censura" të ishte aq e organizuar, aq e fshehtë që të mos e lejonte të hynte në diasporë, por ai e pohon këtë. Ai thotë se ka pengesa. Në një letër, ai përmend që e kanë marrë në telefon dhe e kanë kërcënuar. 

E kanë kërcënuar? Kush dhe çfarë i ka thënë? 


Camaj nuk e thotë se kush, dhe as çfarë i kanë thënë. Ai shkruan vetëm se në personi që i telefonoi i ka folur gjermanisht dhe e ka kërcënuar në gjermanisht, "por personi që fliste duhet të ketë qenë shqiptar, sepse kishte aksent të gjuhës shqipe", - shkruan ai. Mundet të ketë qenë ndonjë agjent, kjo nuk dihet. Në letër ai nuk tregon se çfarë i kanë thënë, shkruan vetëm se Camaj iu ka thënë: "Mos kujtoni se do na trembni kaq lehtë". 

Ju keni në plan të botoni diçka nga këto letra? 


Unë kam lexuar pjesën më të madhe të tyre. Janë letra që ai ua ka shkruar miqve. Në to, ka shumë të dhëna që ne nuk i dimë dhe janë informacione intime dhe janë njëlloj biografie e tij, sepse ai nuk e ka shkruar një të tillë. Nga kjo anë jemi të varfër, sepse shumë pak dimë për të, ndaj them se letrat janë një burim interesant të dhënash për figurën e tij. Mendohet që këto letra të botohen dhe për këtë kam marrë edhe pëlqimin e Erikës, së shoqes. Letrat zonja Camaj i ka dorëzuar në Arkivin Kombëtar të Mynihut, ku unë kam pasur rastin t'i shikoj, megjithëse ka kushte sigurie të mëdha. Veç kësaj, Erika ka në shtëpinë e saj fotokopje të të gjitha veprave, letrave, e dorëshkrimeve të Martin Camajt, madje të sistemuara në mënyrë metodike. Kam pasur privilegjin që ajo të më japë të drejtën t'i hulumtoj e t'i botoj. Disa i kam botuar e disa do t'i botoj tek studimet filologjike. 

Rreth sa letra janë dhe në ç'gjuhë janë shkruar? 


Nuk i kam numëruar por janë disa dhjetëra, shumica e tyre në gjuhën shqipe, e disa të tjera në gjuhë të huaja, edhe në italisht ka. 


Kur kaloni nga njëra letër te tjetra, cila është fryma që ai përcjell? 


Ka probleme të krijimtarisë, të diasporës, probleme të klerit në Shqipëri, të organizimit. Ai ka qenë shumë modest e në letra nuk flet për veten, por mund të vjedhim nëpër letra të dhëna biografike për të. Ai tregon problemet e vuajtjet e veta në këtë komunikim intim. 

Çfarë thotë për klerin? 


Ka qenë shumë i lidhur me të, sidomos me priftërinjtë, madje ai u arratis me at Danielin. Ka të dhëna shumë interesante për organizimin dhe rolin kulturor që kleri ka luajtur në Shqipëri dhe jashtë saj, madje ka folur edhe për përpjekjet që kanë bërë shqiptarët për organizimin e katedrave të shqipes, sidomos për hapjen e një katedre në New York, por që nuk u arrit. Ai flet drejtpërdrejt. Një psikolog a një psikoanalist mund të kuptojë shumë prej tyre për natyrën e shkrimtarit e të poetit. Në to rrëfen dëshirën për t'u lidhur me Shqipërinë, ndaj ai lexonte çdo që vinte nga Shqipëria. 

Ku bazoheni kur thoni këtë? 


Ka në bibliotekën e tij një sërë veprash të realizmit socialist, dhe nuk janë vepra me vlerë. Kam qeshur kur i kam parë. Kishte edhe libra për sigurimin që shkruheshin asokohe, e kur i sheh kupton se ai donte të merrte vesh ç'bëhej. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora