Kerko: a
Poezi nga Vullnet Mato
E shtune, 18.09.2010, 04:19 PM
Vullnet Mato
DY ÇELËSAT
Mijëra dyer
ka Tirana e madhe.
Mijëra çelësa
kanë njerëzit ndër xhepa.
Sigurojnë pasurinë
dhe jetën familjare,
me një copë metal
të gdhendur me krepa.
Burrat,
veç çelësit metalik të portës,
kanë dhe për gruan
“çelësin” organik.
Por çelësi kopil çel,
jo vetëm gratë e botës,
po edhe gjyqet
që shpërbëjnë familjet
çdo ditë...
Pashai që themeloi
këtë qytet ahengu dhe fati,
tha me shqetësim
kur rrezatoi lart nga një yll:
-Vetëm po të lidhen zemrat
si akrepat e sahatit,
mund të shpëtojë Tirana
nga çelësi kopil...
HELMI I CMIRËS SË KOTË
Mundohem të zbut
dy-tre gjarpërinj tinëzar,
që më vërshëllejnë pas shpine
tingujt e pickimit.
U këndoj melodi
me fyellin e bilbilit gjyzar
t’u zbut helmin e cmirës
me mjaltin e durimit.
O ju gjarpërinj
të fshehur mes fletëve me hënë !
Më keni drejtuar pickimin,
po si është e mundur,
helmin për mua
te maja e thumbit keni vënë,
ndonëse shkopin
asnjëherë nuk ua kam tundur?!...
E kuptoj fare mirë
arsyen tuaj të egërsimit,
për të më bërë viktimë
të helmimit pa shkak:
u vrasin sytë
krahët e bardhë të fluturimit,
që më dha natyra,
kur të ndryshëm na krijoi bashkë.
Megjithatë kaloni lumin
e opinioneve me not,
t’u thotë sa i kam dashur
gjarpërinjtë notues.
Dhe pasi ta lini aty
helmin e cmirës së kotë,
do t’u afrohem dhe juve,
si zvarranikëve bashkëjetues...
Ç’NGJYROSJA E EMRAVE
Emrat e budallenjve i sheh
në çdo mur shtëpie.
Emrat e prostitutave
në çdo nevojtore publike,
Emrat e kriminelëve
në çdo stacion policie.
Emrat e politikanëve
në çdo ekran e gazetë dite.
Ashtu si dielli godet
mbi objekte ngjyre
dhe i ç’ngjyros krejt
me kalimin e kohës,
lakimi shpesh në media
i figurave politike,
pak nga pak çdo ditë
ua nxjerr bojën.
Kur flitet mirë
për emrin e padëgjuar kurrë,
të zgjohet kureshtja,
ky njeri si mund të jetë.
Mbase është goxha grua,
apo zotni burrë,
dhe sytë e veshët e lodhur
e bëjnë ministër a deputet...