E marte, 18.06.2024, 12:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Ledi Shamku - Shkreli: Begzad Baliu, Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan

E premte, 17.09.2010, 09:52 PM


Qendra e studimeve albanologjike, Tiranë

 

 FJALËT  JANË EDHE MË TË QËNDRUESHME SE GURËT

 

Begzad Baliu, Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, Prishtinë, 2004.

 

Nga Dr. LEDI SHAMKU – SHKRELI

 

Në këtë vepër studiuesi Begzad Baliu ka trajtuar problemin e standardizimit të toponimisë së Kosovës, duke e parë atë si një dukuri historike. Autori i këtij libri është onomasticien. Ai sjell disa koncepte të tij mbi standardizimin e toponimisë në Ballkan si rrjedhojë e kërkimeve historike, gjuhësore e kulturore. Autori ka sjellë një sintezë, e cila në të ardhmen mund të përdoret si një material shumë i rëndësishëm për të nxjerrë përfundime që kanë të bëjnë me çështje gjuhësore, kulturore, etnolinguistike dhe madje politike.

 

Do të flas shkurt, pasi punimi që sot kam ëndjen dhe përgjegjësinë të paraqes. Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, meriton të ketë dëgjues me interes të freskët dhe ky interes duhet të shkojë tek autori i tij, Begzad Baliu. Meriton përqendrim ky punim, pasi ai ngacmon njëherësh dy vlera njerëzore: dijen dhe vetëdijen. Dija kërkon vëmendje, kurse vetëdija lyp vetëdijesim, dhe pikërisht këtij vetëdijësimi, jetik sot për gjendjen tonë, dua t’i mëshoj në fjalën time.

 

Male të banuara prej shekujsh dhe ndër shekuj të përshkruara; vise (apo vêse – homazh Çabejt për këtë fjalë) v êse pra, që sot, paçka se në heshtje tekanjoze, janë skena të mundimeve njerëzore, të atyre njerëzve që aty deshën të punonin, të strehoheshin ase të mbijetonin. Shpesh thuhet se këta njerëz nuk na lanë ne pasardhësve dëshmi të shkruara që të ushqenin kujtesën dhe kulturën dhe qytetërimin e tyre. A thua dëshmi të tilla priten me u gjet veç të shkruara, veç në libër apo “në berk”?

 

Etnia jonë, në orvatje për t’u orientuar në hapësirë, për të sunduar e përdorur truallin, u dha emra trojeve. Maja, pllaja, liqêj e lumej, shêna, theqafje, forcé e mandej kështjella, zona ndeshtrashash e zona të kultivuara, morën ksisoj nga një cilësi, dhe gjithë së bashku përftuan: nomen omen – thonin të lashtit. Me fjalë të thjeshta, skatragjyshët tanë thanë dikur: “Ti ujë vrulltak ke me u quejtë Lumbardha (apo Bistricë?!), mballomë e mbrapsht kjo e dyta. Punimi i Begzad Baliut na e ftillon mjaft mirë këtë ontogjenezë). E mandej ti tokë që si për habi shfaqesh kaq e shtrirë fill pas një mali e buzë një deti, kë me e quejtë Fushëgjanë  (siç e pat ndi ndër malsorë të zbritun Gazulli ynë) (apo quhet Velikapolje a Velipojë?! Le të pyesim studiuesin Baliu)”. Kështu pra i emërtuar një nga një trojet e veta, e fill pas kësaj i emnuan , i thirrën për emër. Dhe qysh nga ai moment lumi e fusha e mali e gjithçka tjetër , u bënë të afërt për ta ; nuk ishin më pjesë e natyrës së huaj e anonime , por u bënë domen i hapësirës vetanake. U bënë pra truall i kësaj bashkësie. Ja pra që emërvendet  për shekuj u shndërruan në rojtarë të kohës së shkuar, të kujtesës së ngjarjeve vendase, të sakrificës e të mundit të njerëzve që s’do ta shohin kurrë veten të cilësuar në librat e historisë, porse ciceronet e tyre të sotëm vijojnë me qenë toponime. Të tjerësosh ciceronët domethënë të tjetërsosh historinë. Me të drejtë  Çabej thoshte se toponimet janë pasuria më e çmuar që ka sot gjindja shqiptare.

 

Ky studim i Begzadit u kushtohet, madje u përkushtohet këtyre ciceronëve. Dhe mundohet të hedhë dritë si mbi tanësinë, ashtu edhe mbi grimasat e tyre.

 

Me tanësi  kam parasysh atë sistem binar diakronik që pranëvë  toponimin zyrtar dhe atë popullor, që rreket të gjejë pikëpremjen mes mitit dhe shkencës, duke i lënë natyrisht edhe mitit edhe shkencës vendin e vet.

 

Dhe ky punim e ofron bukur mirë këtë vlerë. Me fjalë të tjera, unë gjykoj se autori i tij për këtë  çështje i përmbahet metodës së lëvdueshme që themeluesi i toponomastikës shqiptare, dom Nikoll Gazulli, e formuloi qartë duke thënë se “dieja mbi emna vendesh e mbi fise të Shqipënisë sodë mbështetet ndë gojëdhanë (folklore) por me Toponomastikës, mund të ket nji perforcim  të mjaftueshëm”.

 

Ndërsa me grimasa kam parasysh vëmendjen e veçantë që zënë në këtë studim fjalëformimi i toponimeve, prapashtesat e tyre si dhe homogjenizimi përfundimtar që u jepet – punë mjaft delikate kjo e fundit, për të cilën Baliu nënvizon me të drejtë se “duke qenë toponimi i ndërtuar mbi një strukturë shumështresore gjuhësore dhe jogjuhësore, ai nuk përputhet domosdo me gjuhën letrare, as kombëtare”. Dhe në fakt, po të shihet sot me sy kritik e rivlerësues homogjenizim i toponimisë në Shqipëri, vërejmë se sanksionime ke qenë kanë disociuar sintagma të përngjitura prej dorës së kohës e mandej i kanë rrafshuar ato si bie fjala Vadêjsi u bë Vau i Dejës, duke rishfaqur nyjën, duke lakuar veç e veç gjymtyrët e sintagmës e duke asgjësuar hundoren. Pra duke fshirë në çast kujtesën e shekujve, pasi Deja nuk është më Deja dhe nuk ruan më asnjë continuum me Danjën e kahmotçme .

 

Patriotizmi i shëndetshëm që përshkon gjithë studimin e Begzad Baliut, përveçse nga kriteret e qëndrueshme  shkencore, sigurohet në dorë të parë edhe nga bërthama filozofike e punës së tij. Kjo bërthamë lidhet me konceptimin progresist që ai sjell për  rëndësinë e qëmtimit dhe rindërtimit të toponimeve tona. Dhe kjo rëndësi nuk i blatohet më vetëm qerthullit tonë të ngushtë kombëtar, por, duke cituar autorin “gjithë këtë pasuri gjuhësore, kulturore dhe historike ne do t’ia falim një ditë Europës së re, pasi ajo është simotra etnokulturore e antikitetit evropian”.

 

Kjo do të thotë të punosh njëmend për të ardhmen. Historia e gjuhëve dhe kulturave është historia e integrimit të tyre.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora