Udhëpërshkrim
Vilhelme Vranari Haxhiraj: S’ka çmim më të madh se të jesh “Njeri”
E enjte, 16.09.2010, 09:24 PM
S’ka çmim më të madh se të jesh “Njeri”
Fatmiri dhe Vilhelme në takim
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj
Një fjalë e moçme thotë: “Më mirë një mik, se sa një çiflig!”
I drejtohem me nderim shkrimtarit, poetit, kineastit, kritikut bashkëkohor, i cili e sheh dhe analizon ndryshe letërsinë e sotme shqipe, pse jo edhe atë para rënies së diktaturës komuniste; mikut të të qindra krijuesve; vlerësuesit të fjalës së lirë, studiuesit që s'e njeh nocionin "kohë", i pandalur në kërkim të së resë dhe së mirës, sidomos në fushën e letërsisë, artit, publicistikës dhe filmit, ju faleminderit!
Për mua dhe familjen time, si dhe për auditorin e zgjedhur vlonjat ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm, që një ndër personalitetet bashkëkohore të shquara intelektuale botërore, që mban emrin e nderuar "shqiptar", "Njeriu" me shpirt të madh, i vlerësuar me 4 tituj shkencorë, mes punës së madhe studimore, krijuese dhe asaj profesionale, la gjithçka atje në Londrën e kulturës dhe lashtësisë, ndoshta dhe shpirtin e tij prej studiuesi apo artisti, që ndoshta edhe punët e ngutshme i la përgjysmë dhe erdhi në qytetin tim bregdetar, në Vlorën e bukur, në kryezonjën e Rivierës shqiptare. Theksoj "Njeriu", sepse mund të jesh gjithçka, i suksesshëm, gjeni në çdo fushë të jetës, shkencëtar i shquar, shkrimtar i madh, doktor, profesor e ku ta di unë, por të jesh njeri është e vështirë. Për një njeri si Fatmir Terziu, familjar, bashkëshort dhe baba; student për aftësimin dhe përsosjen e tij profesionale, drejtor dhe kryeredaktor i dy gazetave:“Fjala e Lire” & “Albania mail”, ku vetëm këtë të dytën e boton dy herë në muaj, me një tirazh prej 15000 kopjesh dhe e shpërndan në të katër anët e rruzullit tokësor. Duke pasur parasysh ngarkesën e madhe fizike dhe mendore të tij, që kërkon vëmendje dhe shumë kohë, unë e quaj privilegj që mbërriti për një përurim libri nga Londra në Vlorë.
Natyrisht është detyra e redaktorit, recenzuesit, botuesit dhe kritikut që të bëjnë paraqitjen e çdo libri të ri dhe të thonë fjalën e tyre për vlerat apo antivlerat që ai mbart. Kjo ndodh kur të gjithë bashkëpunëtorët ndodhen brenda kufijëve shtetëror të Shqipërisë. Por të bësh dhjetëra qindra km rrugë për një gjë të tillë, e quaj vlerësim maksimal. Një përgjegjësi morale të tillë e ndjen vetëm ai që është “njeri”. Fatmir Terziu, me thjeshtësinë që e karakterizon, me profesionalizmin e vet, rrëmbeu zemrat e vlonjatëve atë ditë të 21 gushtit që sapo kaluam, ku temperaturat shënonin rreth 40 ° C. Unë ndihem e privilegjuar për praninë e tj, pa përmendur analizën profesionale të krijimtarisë sime modeste, për të cilën i jam mirënjohëse. E quaj veten me fat që kam për redaktor dhe kritk të romanit që u përura “Dritëhijet e medaljes enigmë”, z. Fatmir Terziu, i cili i sheh dhe i analizon me syrin e kohës zhvillimet letrare në vendin tonë apo të shqiptarëve të diasporës.
Unë nisa të shkruaj vonë, po kam pasur fatin që në rrugën e vështirë të krijimtarisë të kem pasur udhëheqës artistik dhe përkrahës të mrekullueshëm. Në fillimet krijuese pata fatin të punoj me të ndjerin, Prof. Odhise Grillo, i cili si redaktor i 11 librave të mi më paraqiti dhe më njohu në botën letrare, mua krijuesen e vonuar. Nuk dua të lë pa përmendur mjaft shkrimtarë me emër, analistë dhe kritikë që me mendimet e tyre më dhanë shtysë në këtë krijimtari. Janë të shumtë ata ndaj të cilëve jam mirënjohëse, si: Teodor Laço, Akademik Xhevahir Spahiu; Iliriana Sulkuqi; Fatos Arapi, Dionis Bubani, Mujo Buçpapa, Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, Bujar Leskaj, Rifat Kukaj, Bardhyl Londo, Andon Andoni, Uran Butka, Prof. Fatos Beja, Ali Aliu, Xhevat Beqaraj, Fatos Arapi, Dr.Arta Mursaraj, Kim Mehmeti, Bedri Çoku, Agim Musta, Ali Podrimja, Mexhit Prençi, Loredan Bubani, Fisnik Sina, Redin Afizi, Halil Rama, Rexhep Polisi e sa e sa emra të tjerë të nderuar dhe të njohur në fushën e letrave apo kritikës, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk po ua përmend emrin. Më pas fati më takoi me kritikun e shquar dhe estetin Prof. Dr. Adriatik Kallulli, jo vetëm si kritik por
Pamje nga salla
edhe redaktor i disa librave të mi. Në këtë krijimtari dua të falenderoj botuesit pa të cilët, asnjë rresht nuk do ta shhte dritën e diellit.U jam mirënjohëse botuesve: z. Fatmir Toçi tek i cili kam botuar 16 libra, z. Luan Pengili, Mujo Buçpapa, Rezart Ekmekçi dhe shtypshkronjën Europrint. Nuk mund të mos falenderoj edhe autorë apo kritikë të huaj që më kanë inkurajuar në punën time modeste, si: Prof. Doc. Italo Costante Fortino, Prof. Imperia Gargano, Prof. Vincenzo Cuci, Tomasso Campera ( Itali); i ndjeri Ramon Sanches Lizarralde( Spanjë); Marius Qelarù, Mihai Antonescu dhe Monica Muresan( Rumani)…
Kurse bota e internetit më njohu me shumë atdhetarë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Itali, Greqi, Angli, Rumani, ShBA, Kanada, Izrael, Kalabri, ku komunikoj dhe bashkëpunoj me shumë prej tyre, të njohur apo të panjohur. Mes tyre unë falenderoj të palodhurit Ajet Nuro, Fatmir Terziu, Baki Ymeri, Paul Tedeschini, Dalip Greca, Ruben Avxhi, Flori Bruqi, Skënder Buçpapa, Augustini Giordano(Jeta Arbëreshe) etje… Gjithashttu falenderoj miqt e mi më të rinj, Prof.Dr. Eshref Ymeri dhe Prof.Dr. Murat Gecaj. Veç këtyre personaliteteve, librat e mi kanë pasur një privilegj, se në ballinën e parë ka qenë dora, peneli dhe emri i vlonjatit të mirë, Piktorit të Popullit, Nestor Jonuzi, të cilat kanë qenë përherë dhuratë prej tij.
Ishte pikërisht interneti ai, që më njohu dy vite më parë me kritikun e kohës moderne, z. Fatmir Terziu. Ngela me gojë hapur dhe pa mend kur dy vite e gjysmë më parë lexova në internet një shkrim me titull: Romane psiko-socialë me vlera të mëdha atdhetare (Rreth krijimtarisë së shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj). U interesova dhe gjeta adresën e tij të E-mail-it. Duhej ta falenderoja pa tjetër. Ky shkrimi krijoi mundësinë që Fatmiri ta njohë krijimtarinë time. Më pas, pa kurrfarë interesi, me kërkoi të redaktonte një libër. E prisja në ankth librin e redaktuar. S’kisha të ardhurat e mjaftueshme që ta botoja, por ai përsëri më inkurajoi. Një mëngjes të bukur më telefonoi dhe kërkoi se është koha që e kërkon botimin e këtij romani. Pa një dyshkë në xhep e çova për botim. Nuk është turp të them se ende nuk e kam shlyer financiarisht romanin. Këtë ia di për nder Fatmirit, autorit të librit të parë analitik të letërsisë shqipe, me kritika bashkëkohore për veprat letrare të mjaft autorëve shqiptarë, i titulluar “Kritika Ndryshe”. Autori tashmë ka në botim librin e dytë “Kritika Ndryshe”, vepra që kanë hyrë në programet e Universitetit me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kalimi si vepra studimore është një vlerë e padiskutueshme për studimet akademike në vendin tonë, sepse kritiku Terziu krijon mundësinë që studentët e niveleve të ndryshme arsimore të njohin, të lexojnë e të studiojnë edhe këta autorë shqiptarë të padëgjuar më parë, ose që jetojnë dhe punojnë në emigracion.
Ky njeri i palodhur, që sfidon kohën dhe distancën hapsinore, jo vetëm ka analizuar në parametrat bashkëkohor krijimtarinë e shumë krijuesve, por u gjend edhe në Vlorë. Rrugëtimin për në qytetin bregdetar e ka përshkruar me shumë shije , nuhatje dhe mençuri, përmes një reportazhi të mrekullueshëm. Me mjaft kujdes dhe me shumë sqimë autori ka gërshetuar zhvillimet demokratike të superstrukturës me çështjen tejet problematike, atë çame, apo ndonjë parrullë “e harruar” e kohës së diktaturës. Me një sy kritik dhe si njeri që i pëlqen evolucioni, ai viziton Muzeun historik dhe atë të Pavarësisë, ku në të njëjtën kohë vëren vlerat e që ajo ndërtesë mbart, me mungesën e riparimit struktural të këtyre qendrave të kulturës materiale , të cilat dëshmojnë historinë në shekuj. Nuk mund të mos i binin në sy ambientet e ngushta të Qeverisë së parë të Vlorës të vitit 1912. Nëse muzeu historik vuan nga “astma” prej lagështisë së mureve që ulërasin “ndihmë!”, ambientet e Qeverisë së I. Qemalit të vendosura në 7 pavione kthina, në Muzeun e Pvarësisë,duket se mbijetojnë përmes një diete të gjatë gati 100 vjeçare…vetëm mundin sa të marrin frymë. Përballë historisë, kulturës, librit për të cilin erdhi ai bashkë me zonjën e tij Luçianën dhe të vëllanë, Bashkimin që jeton dhe punon në Itali, autori vë detin, bukurinë natyrore të Rivierës, shtrirjen tejet të gjatë të qytetit bregdetar, duke e menduar dhe parafytyuar në mendjen dhe syrin e krijuesit. Ndaj ai Vlorën e do ndryshe ashtu si kritikat e tij ndryshe. Këto ide i shkojnë për shtat Vlorës së lashtësisë, Vlorës së historisë, e cila mbart shumë resurse,mbi të cilat qëndron bukuria e rrallë natyrore, që ka joshur dhe janë dashuruar gjithë ata që e vizituan vetëm njëherë.
Fatmiri me mendjen e ftohtë dhe syrin e mprehtë, nuk harron të kujtojë gjithë ata shqiptarë që jetojnë në dhé të huaj që punojnë për çështjen dhe kulturën kombëtare dhe letërsinë si Arqile Gjata, ku nga kati i XI, ku gjendet apartamenti i tij, shijoi pamjen magjepsëse që të ofrojnë tri këmbët gjigante të urës së Vlorës, Karaburuni, Sazani dhe Triporti. Vetëm përmes tyre kalohet për të hyrë në Vlorë. Gjithashtu nuk harroi të përmend miqtë e krijuesve dhe gjithë shqiptarëve Baki Ymeri në Bukuresht dhe Ajet Nuro në Kanada, apo dashamirësit e huaj rumun apo anglezë që vlerësojnë letërsinë shqipe dh autorët që e përfaqësojnë. Edhe pse vapë, edhe pse vinte nga larg, ai qëndroi në hyrje të sallës ku do të bëhej përurimi dhe i takoi të gjithë pjesëmarrësit, tek të cilët la mbresa si njeri i thjeshtë, me një ndjenjë respekti të thellë ndaj çdo vlonjati, sikur kishte lindur dhe ishte rritur me ta në Vlorë. Kurse fjala e tij dhe ndërhyrjet me vend, tek të pranishmit lanë atë shije që lë një muzikë e ëmbël dhome e luajtur nga një kuartet virtuoz.
Unë mendoj se në letërsi dhe në art flet vetëm shpirti, mendimi i shprehur përmes fjalës, apo këndvështrimi nga e sheh botën secili. Letërsia nuk njeh borxhe, por vlera letrare, mirësi, mirënjohje ndaj misionit që jep krijuesi përmes veprës së tij. Diku kam lexuar një thënie: “Një kasafortë e boshatisur, fliste qart për falimentimin e të zotit. Për të mos i humbur emri i mirë, thirrën mediat. Por ç’publicitet mund t’i bëhej një arke të pluhurosur ?!” Nëse do të vlerësohen kronikat e thjeshta, ngjarje të jetës pa kurrëfarë ngjyrash apo elementësh letrarë, nëse do të quheshin art, ato do të shuhen nga kujtesa njerëzore, para se të dalin nga pena e krijuesit. Mediat elektronike botojnë gjithçka, por kjo nuk do të thotë se të gjitha janë të mirëpritura nga kritika e mirëfilltë apo nga kritika më e pranueshme, lexuesi. Nuk duhet të harrojmë se, “Torba me ushqime të freskëta i rrit fëmijët të shëndetshëm. Kurse një torbë me ushqime të dekompozuara, helmatis jetën e tyre.”-kjo ndodh edhe me letërsinë. Në raste të tilla nuk gabojnë kollaj mëndjemprehtët. Në fund të fundit secili ruan personalitetin e vet. Nuk mund ta shpërdorojë kohën dhe fjalën me dikë që nuk ka se ç’thotë.
Përmes këtij shkrimi unë i përciell Dr. Fatmirit përshëndetjet e gjithë vlonjatëve që e duan zhvillimin, kulturën dhe librin. Puna dhe modestia, vullneti dhe shpirtgjerësia e ka bërë Fatmirin “Njeri”. Pikërisht këto cilësi virtyti dhe personaliteti kanë bërë që ai ta vendosë veten në vendin e merituar në kulturën kombëtare dhe botërore. Fatmir, të faleminderit për nderimin që i bëre auditorit, mua dhe familjes sime! Suksese në realizimin e gjithë objektivave, synimeve koherente apo të së ardhmes, që i ke venë vetes, o “Njeri i mirë!
Nga dashamirësit e librit dhe zhvllimit që ndodheshin në atë takim të datës 21-8-2010 në qytetin e Vlorës!