E enjte, 26.12.2024, 10:11 AM (GMT)

Faleminderit

Luan Çipi: Në përvjetorin e një gjeniu

E merkure, 15.09.2010, 09:00 PM


NË PËRVJETORIN E VDEKJES SË NJË GJENIU

 

Nga Luan Çipi

 

E njihnim në tërësi biografinë e mësuesit te merituar Janko Pali, nga fshati Qeparo i bregdetit të Vlorës, nëpërmjet shkrimeve të shumta të birit të vet, Petraq Pali.

Duke lexuar Autobiografinë, mëson hollësitë e jetës së tij të gjatë, gati shekullore, dhe hap pas hapi, futesh në kalvarin e një jete të thjeshtë e të ndershme, po gjithnjë heroike, të një shqiptari të vërtetë, në luftë për mbijetesë, në kapërcimin e vështirësive të shumta e të pazakonta.

I ngelur jetim jashtë atdheut qysh në moshën 20 muaj, Janko Pali , nën kujdesin e nënës  së tij u mëkëmb dhe i rezistoi rrebesheve 97 vjeçare. Këtu, së pari spikat vendosmëria dhe zotësia e nënës se vetë dhe këtu duket se është zanafilla dhe gjeneza e kësaj çudie shekullore, që u përcoll te i biri.

Janko Pali e kaloi mundimshëm jetën e tij të gjatë. U përpoq të shkollohet në nivelet maksimale  të mundësive financiare e të kohës që i ngelej në dispozicion, duke vazhduar me radhe shkollën fillore, te mesme e deri vite universiteti për inxhinieri elektrike, duke marrë diplomë oficeri dhe mësuesi. Përfiton 10 profesione, duke qenë politeknik i mirëfilltë që nga  nivelet e thjeshta të mekanikut, elektrikut, drupunuesit, këpucarit, guzhinjerit, rrobaqepësit, e deri të shënjuesit e  modelistit. Përvetësoi 9 gjuhë të huaja, duke përfshire dhe “esperanton”, që u tentua te behej gjuhë ndërkombëtare. I binte mandolinës dhe kitarës dhe ishte shok dhe bashkëpunëtor i afërt me bilbilin e Himarës, krijuesin dhe këngëtarin e “vajzës së valëve”,  perlës së polifonisë shqiptare. Ai, ka sajime dhe krijime muzikore të bëra në atë shkallë cilësorë sa të kënaqte dëshirat personale dhe të rrethit të amatorëve të vet. Fletore të tëra muzikore me nota e pentagram, të sjella qysh nga Franca, i interpretonte me dëshirë, duke lexuar lehtësisht partitura me çdo lloj muzike, pra e dinte gjuhen e notave dhe e ndjente atë në shpirt, aqsa, sa here kishte lodhje a mërzi, ishte pikërisht kitara dhe mandolina, radioja dhe gramafoni i markës PAFE, që qetësonin  dhe e relaksonin. Dhe, mendoni, kjo ndodhte në një fshat të Shqipërisë së prapambetur, kur bashkëfshatarët e dëgjonin mësuesin e tyre të jashtëzakonshëm  me adhurim e çudi. Ndërkohë tingujt e asaj mandoline  të magjishme ngelën në kujtesë në dekada, për pleq, plaka, burra, gra te rinj e te reja,  që atje majë fshatit, te rrugica e kalldrëmtë, ndalonin hapat, kur nga ballkoni, dëgjonin tingujt e ëmbël, qe nxirrte ajo mandoline  e vjetër  pa ndërprerje, qysh nga viti 1928 deri në 1990,  çka i mbushte me shpresë, besim e dashuri,  për mos ta braktisur Atdheun e tyre të dashur.      

Duke qenë për një kohë shumë të gjatë në arsim si mësues, metodist, inspektor e drejtor në disa  shkolla, në mbarë vendin dhe deri ”mësues i merituar”, për 37 vjet,  Janko Pali, ka bërë përpjekje të pareshtura për kualifikim dhe për të ndjekur në kohë  ndryshimet, kjo edhe falë njohjes  gjithnjë e më mirë të shumë gjuhëve të huaja si frëngjisht, italisht, greqisht gjermanisht e deri rusisht. Kjo i ka dhënë mundësi për të qenë një metodist i njohur në mbarë vendin si dhe një edukator pasionant i brezave të tëre nxënësish, duke u krenuar për pasardhës të shquar deri inxhinierë, mjek e ushtarak. 

Janko Pali ka qenë punëtor  e prodhimtar i palodhur gjithë jetës, çka duket me volumet e pafundme të krijimtarisë së tij si shkrimtar e historian, hartues tekstesh shkollore dhe esesh pedagogjike e sociale shkencore, si dhe nj fjalori universal frëngjisht-shqip. Kjo duket edhe nga që  Petraq Pali, biri i tij,  që si rralle djem te tjerë të kësaj kohe,  i ka treguar kujdesin dhe  respektin që meriton, çka shihet nga koha dhe shpenzimet financiare qe i kushton babit të vet, që ja ka ruajtur krijimtarinë dhe veprimtarinë dokumentare patriotike, didaktike, shkencore e historike, ka botuar të përpunuar një pjesë prej tyre dhe nuk  i rresht përpjekjet për ta vendosur në piedestalin që meriton.

Me rëndësi të posaçme për historinë e vendit tonë e sidomos për trevën e Himarës, janë hulumtimet serioze të bëra për të zbuluar dhe përkthyer nga historiografia greke, i origjinës autoktone shqiptare të banorëve të këtyre zonave. Është ky fakt, që ndonjë kundërshtar i tij e është përpjekur më kot për ta vendosur në pozicione nënvleftësuese e deri denigruese, Janko Palin, këtë pionier të arsimit shqiptar, me merita të pakontestueshme edhe si historian, folklorist, poet dhe tregimtar.

        Qëndrimi dhe sjellja morale, politike e shoqërore e Janko Palit është një tjetër model përsosmërie:

          Pamja, veshja, shtatëlartësia e tij, të bënin përshtypje që në shikimin e parë.  Rregullsia  dhe regjimi ditor e bënin për tere jetën te qe një  njeri sistematik e të kompletuar. Burrë kolos, në sjellje dhe në paraqitje, i bukur,  me sytë blu. I ditur, i mënçur,  dashamirës, i qeshur dhe serioz , do të thoshin për të, ata qe e njohën nga afër.

 Mësuesi, siç tregojnë bashkëkohësit, qe i kudo ndodhur dhe pa qibër. Ai nderonte trapezet,  në gëzimet dhe hidhërimet. Në dasmat e fshatit shpërthente vrulli i tij: kërcente  dac çift si  në Evropë, qe valltar i shkathët dhe  i rrallë. Në kohen kur analfabetizmi kish hedhur rrënjë kudo, ai të impononte ta dëgjoje me vëmendje, dhe në vaki e vdekje të rënda gjente fjalë e argumente  lehtësuese , sa i zoti i shtëpisë e donte dhe e ftonte për natë mësuesin e ditur, që sikur ia largonte  me fjalë dhembjen e madhe.

 Prezenca e tij te impononte respekt, atë e donin te gjithë pa përjashtim i madh e i vogël, ai ishte etaloni i së mirës, ai ishte futur në zemër të qeparotasve dhe  banorëve të krahinës se Himarës, jo vetëm pse jetoi gjate, por fjala e tij brilante e mendshme, e urtë, domethënëse, shpresëdhënëse, e matur e zgjuar, hodhi rrënje të thella tek kultura dhe sjellja e  bashkëmoshatareve dhe te dhjetëra breza nxënësish të tij. Ai punoi gjithnjë me  kujdes e maturi dhe ishte  për çdo gjë i drejtë, i  saktë dhe i kompletuar.

Mësuesi Janko Pali  nuk kish kufi kohore kur shkruante e punonte, e raciononte kohën dhe asnjë minutë nuk ikte pa produkt, nga mosha e re e deri sa vdiq. Askush nuk e pa atë dhe kur ishte shume i plakur, në inaktivitet dhe me tespihe  dembeli në dorë, si shumë të tjerë, por veç se me laps e me letër, me libër në duar e nëpër çanta, në xhepat e xhaketës e kudo  dhe, në vend të tespiheve, me fjalorë të vegjël nëpër duar. A është ky një realitet që s’duhet mohuar e që flet për një njeri të pazakontë, në kufirin e përsosmërisë gjeniale?

Kjo, siç kujton dhe biri i tij, Petraq Pali, “duket dhe nga regjimi ditor i punës:  Për çdo dite, në ditë e vjet, gjithë jetës, çohej shumë shpejt, nga ora 5,30 e mëngjesit, në çdo kohë, në çdo mot, në cingor,  në të ftohtë, në shi e dëbore, kudo ku ishte në fshat, në hotel, në Vlorë, tek ne fëmijët e tij , ai, do ishte para çezmës, musllukut, llastikut, kënaçes dhe lante kokën me ujë të ftohtë me shkumë nga mezi e lart për ditë, dhe asnjë ditë nuk harronte pa larë mirë e fort dhembet, në mëngjes dhe në mbrëmje., (kur qe periudha e portokallieve a limonëve çdo dite pinte një gote me lëngun e tyre, në mëngjes, për sa kohë qenë ato, para se të bënte xhiron e mëngjesit)…ndërrohej çdo ditë  me ndërresa të lara, të hekurosura e të pastra, qysh nga çorapet, këmishë, kostum, kollaren. Këto veprime i bënte me shume kujdes edhe shpejt si ushtarak, dhe gjithmonë mbahej e vishej me bukur se e djeshmja, gjë qe e shprehte shpesh edhe me ne, për  të larguar dembelizmin tonë. Dilte nga shtëpia nga ora 6,15 dhe përshkonte një rrugë te gjatë deri gati 5 km, në kufi me Borshin karshi detit, ne ajër te pastër të përzier mal, edhe det, në “Kundruall*”, Atje deri tani vazhdon të quhet  vendi “Botoni mësuesit” tip shpellë e vogël, ku pushonte  i kujdesur të mos e zinte era dhe atje, në këtë vend të shenjtë për të  në mijëra orë, mësuesi lexonte e shkruante, në atë mrekulli panorameske qeparotase, që  ai e quante vendit më i këndshëm i botes.  Kur qe në mësim, në orën tete pa çerek, kthehej  për në shkollë mbasi kish nderuar kanatjere e ndërresa, vishej posaçërisht, pinte kafen e mëngjesit dhe në orën e caktuar shkolla qe e rreshtuar dhe klasat dhe mësuesit, ishin gati ti paraqisnin këtij drejtori kërkues, rregullsinë që kishte kultivuar me punën këmbëngulëse dhe sakrificat e tij shumë vjeçare...”

 Mësuesi qeparotas Janko Pali ishte patriot dhe e desh shumë Shqipërinë, vendin e tij të dashur e të shumë vuajtur, duke e vënë atë mbi çdo gjë, pa pasur asnjëherë tendenca e qëndrime politike sektare. Kjo vërtetohet si me qëndrimin e tij, me veprën e shkruar ne proze e poezi, me përkthimet për historinë e vendit te vet e deri    riteve  ungjillore dhe të qindra letrave për bashkëfshatarët  dhe krahinarët e tij. Ai, asnjëherë nuk ju vu kundra politikave sociale te shtetit të vet, duke qenë gjithnjë përkrahës i ndryshimeve dhe i përhapjes se risive të përparimit, në përshtatje me kulturën e tij të gjerë perëndimore.

Shokë me Avni Rustemin dhe Neço Mukën, u vendos kundër qëndrimeve ekstreme zogiste, sidomos nga  që e braktisi Atdheun në momentin më kritik. Ai, me 19 bashkëfshatarë, doli i armatosur, për ta pritur me lufte okupatorin, u aktivizua ne Këshillin  Nacional Çlirimtar, përkrahu luftën, mbrojti fshatin nga shfarosja gjermane,  u vendos përkrahë fitimtarëve dhe përkrahu ndryshimet dhe përparimet e vendit, si arsimtar shembullor dhe i dekoruar, si luftëtar i vijës së parë.

Duke kujtuar veprën e “ Mësuesit të Merituar” të shkon mendja te kontributi i madh i tij për arsimin dhe shqiptarinë dhe çudite pse  ai, kështu, i krahasuar me rrallë të tjerë nuk shpallet “Mësues i Popullit” dhe pse asnjë shkollë nuk mban emrin e tij, kur me emrin Janko Pali do nderohej jo vetëm fshati i tij Qeparo, jo vetëm Vlora, po dhe Tirana e mbarë Shqipëria.!



(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora