Shtesë » Historia
Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - E vetmja gjë që më ka mbetur janë fëmijët
E premte, 14.12.2007, 11:40 PM
Disa ditë, pasi filluan bombardimet, burri im më tha: "Grua, njerëzit po vijnë nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe po shkojnë në Maqedoni e ne po rrimë këtu. Po, sikur të na zënë të gjallë policët?". E shikoja dhe sikur e parandjeja fatkeqësinë që do vinte. Jeta me dukej si diçka e përfunduar dhe e shkuar. I tërë trupi filloi të më dridhej. I përgatita fëmijët, mora ca ushqime me vete dhe, kur po dilnim nga dera e oborrit, shikova edhe një herë nga shtëpia dhe i thashë burrit: "Diçka më të vështirë nuk kam përjetuar, a do të mund të kthehemi prapë në këtë shtëpi, t'i kthehemi jetës sonë?” Ai më shikoi, por nuk m'u përgjigj, ndërsa unë qaja në heshtje që të mos i shqetësoja fëmijët. Pak metra para se t'i bashkangjitemi kolonës që vinte nga mesi i Kosovës, na ndaloi ushtria e policia serbe dhe e nxorën burrin nga vetura, duke e goditur me kondak të pushkës. Fëmijët filluan të qajnë, qaja edhe unë. Por, kur m'u afruan mua e më nxorën nga vetura, fëmijët filluan të qajnë edhe më shumë. Mua nuk më goditnin, por më vështronin dhe silleshin vërdallë rreth meje. Pas pak e thirrën dikë nga larg që të vinte. "E ke një peshk", - i thanë. Nuk vonoi as dy minuta dhe erdhi një me mjekër të gjatë dhe me sy të skuqur, të cilit, që nga larg, i vinte era raki. Ai, duke e folur një shqipe të bastarduar, më tha: "Ti je shqiptarja më e bukur që kam pare, dhe do të jesh shqiptarja më e bukur që do ta kem në shtrat". Unë fillova ti lutëm, qaja dhe nuk i ndaja sytë nga burri, ai ishte para meje. Aty i kisha edhe fëmijët. "I dua ditët kur më luten e më përulen shqiptarët, më vjen çdo gjë si ëmbëlsirë. Ti më je ëmbëlsira më e ëmbël që kam pasur nga shqiptarët". "Kjo është mësuese, ndaj ta shohim çka i mëson shqiptarët", - i foli një tjetër. "Aq më mirë. Merre kamerën se më nuk mund të pres. Dua ta kem menjëherë", - foli ai me mjekër dhe filloi t'i zhveshë pantallonat. Dy nga ata m'i mbanin duart, kurse ai filloi të më zhveshë. "Do të jap para dhe ari, vetëm këtë mos e bëni", - u thashë unë dhe njëri ma lëshoi dorën. "Shko dhe sillmi", -tha, e unë shkova nga vetura t'i sjell. I mora dhe ua dhashë, por qëndrimi i tyre nuk ndryshoi. As nuk ma lëshuan burrin e as mua. Ai që e mori kamerën iu tha të startonin. Burri dridhej i tëri. Njëri prej tyre filloi të më zhveshë e të tjerët qeshnin rreth meje. Kur ai filloi të më ç'nderojë, burri provoi t'u ikë e t'më ndihmojë, por një tjetër, që kishte qenë pas shpine, me automatik shkrepi në trupin e tij tërë karikatorin e automatikut. Aq shumë klitha, klithën edhe fëmijët, provoja t'u ik, të bëj diçka, por ata vetëm argëtoheshin me përpjekjen time. Nga vetura dolën edhe fëmijët. Ata u hodhën mbi trupin e përgjakur të babait të tyre, e mua më çnderonin vetëm disa metra më tej. Nuk ka fjalë, e as shprehje ta përshkruaj atë dhimbje e atë nënçmim që ndjeja unë në ato çaste. Disa minuta më vonë, ai që mbante kamerën, e drejtoi kah fëmijët mbi babanë e vrarë, për t'i regjistruar lotët e vajin e tyre aty. "Edhe kjo na duhet, do të jetë skenë e mrekullueshme për stimulim të të rinjëve", - fliste njëri. Më vonë, fëmijët i futën në veturën e dikujt, kurse veturën tonë e morën në oborrin ku ishin strehuar. Me mua lozën edhe disa të tjerë dhe së fundi më mbyllën në bodrumin e një shtëpie aty afër. Aty më mbajtën disa ditë, e kisha humbur edhe drejtëpeshimin, edhe fuqinë. Nuk gjasoja në një njeri normal,më çnderuan prapë, nuk më kujtohet sa, por një gjë që e di, është se kur më kanë hedhur në rrugë, më mori një familje, e cila më ndihmoi shumë. Kurrë nuk ia harroj gruas që m'i lante plagët, kur unë flisja për dhunimin, ajo më ngushëllonte. Ajo më ngushëllonte edhe për fëmijët, më premtonte se do t'i gjente, edhe kur nuk dihej a i kisha fëmijët e gjallë. Ajo familje nga Ferizaj më ka përkrahur e më ka ndihmuar shumë. Ata më ndihmuan edhe kur i gjeta fëmijët, edhe kur u nisëm për në Kosovë. Në oborr gjeta vetëm rrënojat, dhe tani jam edhe pa burrë, edhe pa shtëpi, edhe e çnderuar. Në jetë më mbajnë vetëm fëmijët", - tha me lot në sy mësuesja nga rrethi i Kaçanikut.
Nga Libri i Luljeta Selimit ''Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”