Kulturë
Murat Gecaj: Kozeta Zylo përuron dy libra të frymëzuar
E merkure, 08.09.2010, 08:24 PM
KOZETA ZYLO: PËRURON DY LIBRA TË FRYMËZUAR
K.Zylo e M.Geca
Jeta kulturore në kryeqytetin e Shqipërisë
Nga: Prof.as.Dr. Murat Gecaj
Publicist e studiues-Tiranë
1.
Diku, në faqet e librit me kujtime “Ëndrrat ‘grisura’ të jetës sime”, përuruar më 27 mars 2010, me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes sime, kam shkruar se, ndoshta, Interneti është çpikja më e madhe e njerëzimit. Nuk do të ndalem në këtë pikë, por gjej rastin të tregoj këtu se me Kozeta Zylon dhe bashkëshortin e saj, Qemal Zylo, kam komunikuar, nga Tirana në Nju Jork e anasjelltas, së pari, përmes Internetit. Në atë përurim e ditëlindje, që përmenda më lart, ata të dy më dërguan një mesazh të ngrohtë, për të cilin përsëri i falënderoj nga zemra. Ndër të tjera, më shkruanin:
“Shkrimet tuaja na sjellin ylberin e Mëmëdheut, legjendat e bukura shqiptare, që ju me aq dashuri dhe kulturë i keni renditur në djepin e gjuhës shqipe.Paçi jetë të bardhë dhe mos u lodhshi kurrë, për gjuhën shqipe!
Me respekt e mirënjohje të thellë: Kozeta dhe Qemal Zylo, Nju York”.
Prandaj, kam arsye dhe e them pa mëdyshje që, tashmë, ne jemi miq të mirë. Në muajin gusht, pra sivjet, Kozeta erdhi nga Nju Jorku në Tiranë dhe të dy, në shoqërinë e gazetares e studiueses Vjollca Spaho, u takuam ngrohtësisht, si dy tëq njohur të vjetër, në mjediset e revistës së re “Mësuesi” (vazhduese e gazetës shumëvjeçare “Mësuesi”, ku unë punova afër 22 vjet, radhazi). Të tre, pimë kafe bashkë dhe biseduam për tema të ndryshme. Por, kryesorja, ishin botimet e studimet tona. Aty, Kozeta na tregoi se do të përuronte dy libra të saj të rinj, në fillim të muajit shtator dhe pikërisht në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë.
U ndamë atë ditë, por lidhjet me Kozetën nuk u ndërprenë. Megjithëse ishte me pushime familjare, në bregdetin e Jugut të Shqipërisë, ajo mendjen e kishte te përurimi i librave të saj. Kështu, me anën e Internetit, ajo më dergoi ftesën e përgatitur dhe unë pata kënaqësinë t’ua nisja disa poetëve e shkrimtarëve dhe studiuesve të ndryshëm. Ata iu përgjigjën me korrektësi ftesës dhe të dy i falenderojmë nga zemra.
Në ftesën e saj, ajo shkruante:
“Të nderuar bashkatdhetarë,
Të shtunën, më datën 4 shtator 2010, ora 10 e mengjesit, në Muzeun Historik Kombetar do te organizohet përurimi i dy librave te mi, te sapopublikuar nga Shtëpia Botuese "Albin", si:
1.Libri me poezi: "Nje fjongo dielli nga Nju Jorku", me parathënje nga Prof.Sadik Bejko dhe pasthënje nga kritikja e artit, Dhurata Hamzai.
2. Libri me kritika dhe esse: " Refleksione shpirtërore", me parathënje nga Prof.Sami Repishti dhe pasthënje nga poeti i Kombit, Agim Shehu.
Të gjithë dashamirësit e artit dhe të fjalës së bukur shqipe janë të ftuar të marrin pjesë në këtë përurim. Në se dëshironi të merrni pjesë, ju lutem, më dërgoni konfirmimin tuaj, ne adresën time të e-mailit: kzylo@yahoo.com U jam mirënjohëse për pjesëmarrjen tuaj!
Me dashamiresi, Kozeta Zylo, Tiranë”.
2.
Ja, ditët kaluan dhe shpejt erdhi dita e mirëpritur nga Kozeta Zylo e bashkëshorti i saj, Qemali, por dhe nga shumë kolegë, bashkëkrahinas, miq, familjarë e të njohur të tyre, të cilët u mblodhën në sallën kreyesore të Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet. Të gjithë së bashku, do të vlerësonin e nderonin punën dhe krijimtarinë e bukur dhe të frytshme të saj.
Veprimtarinë e hapi Arben Mevlani spikeri kyresor i TV "Top Chanal", i cili recitoi dhe disa vjersha të K.Zylos. Më hollësisht, për dy librat e rinj të autores, foli drejtori i shtëpisë botuese “Albin” e publicist Spiro Dede. Ndërsa Prof.Sadik Bejko u ndal në tematikën e krijimeve të Kozetës, si: vendlindja e atdheu, prindërit e familja e tjerë, duke i quajtur ato “frymëzime me identitet”.
Në vazhdimësi, folën studiuesit Behar Gjoka, Dhurata Hamzai e Laureta Petroshati, publicistët Murat Gecaj e Gëzim Llojdja, “Mjeshtri i Madh” Miho Gjini, deputetja Arta Dade, mësuesja e poetja Lule Shameti dhe ish-nxënësja e Kozetës, Edlira Birko drejtuese e emisionit ne TVSH, "Jo vetem kafe". Me vëmendje u dëgjuan fjalët e Sali Bullatit në emër të komunitetit çam, përshendetja e Dalan Luzajt në emër të Shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë-amerikanë dhe fjalët hyrëse në njërin libër të Kozetës, nga Prof. Sami Repishti.
Nës mbyllje, autorja e dy librave të përuruar, Kozeta Zylo i falënderoi pjesëmarrësit e folësit në këtë veprimtari dhe të gjithë së bashku morën pjesë në koktejin e shtruar, me këtë rast.
Duke folur në përurim, “Mjeshtri i Madh” Miho Gjini |
Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria |
Botime të autores Kozeta (Këze) Zylo |