E merkure, 26.06.2024, 11:55 PM (GMT+1)

Kulturë

VALENTINA DAFA - POEZI

E enjte, 19.08.2010, 05:38 PM


VALENTINA DAFA

 

1-REGËTIMAT E DITËS ME SHI

 

Më lëndon qyteti i mbytur në shi,  

me ëndrrat e zgjuara pas xhamash.

Hieroglifet e filxhanëve

                  transkriptojnë vashat,

bredhin kujtimeve me melodi mallesh.

Djemtë përqeshin vetveten

                         nën tymin e cigares

Në afshin e gotës  dhe vatrës

                thashethemisen pleqtë.

Për dreq!

Era e brumit të pjekur

me naze grash,

ngre qejfe pa kohë,

                    e pa moshë.

Asgjë s`kupton,

                    si ndodh!

… Më gëzon qyteti i mbytur në shi.

Gjithçka ka kohë për dashuri…



 

2-KORDINATA FATALE

 

Koha,
konverton herë pas here gjuhësi orale,
nën delikatesë identitetesh të fshehura,
nën kallëpe plastike manekinësh
që konservojnë rrudhat e përlotura .
Në sipërfaqe, mosha një koordinatë fatale
që duhet harruar.
Vendlindja , po se po,
dhe cepi i provincës që ngriu mbi syrin e fëmijës,
tek zhubraviste një letër karameleje
me dëshirën e një ëndrre të bukur.
… Kohë e “abortuar”, ajo dikur,
fetus që s`u bë kurrë bebe në ndërgjegjet e adoptuara
pas shkëlqimit të rremë …
Po sot?
Sot në udhët e flliqura 
Sheh shterzime të gjithfarë subjekti,
Aborte gjuhësh pa identitet, 
Njeriun e çalë me incident nga halli,
dhe njeriun mendjeçalë nga hatri për tjetër jetë...


Sot,
bisturia estetike e kohës 
dhelpërisht persekuton prenë e vetë…

 

3-SHPRESA

 

Shpresa si hijet shumëzohet në udhë,

pastaj,

s`i mbetet as hi.

S`di si ringjallet

                  me muzikën e agut,

me hapin tim të thirrur nga lulet.

Me petalet e nëntëdhjetë e nëntë fateve të krisura,

zogjtë më thurin kurorë.

Mëkatet e bardha  stolisin vetminë,

me buzëqeshjen e shpresës pa stacion,

që për pak më mbështjell në një ciklon.

Dridhshëm më lëshon, si lot…

E s`duhet hi për ringjallje.

Avujt e frymës mjaftojnë për të,

 për shpirtin,

              kurorën e fatit të fshehur…

 

…shpresa si hijet shumëzohet në udhë,

Prej lëkurës mbin e ringjallet.

 

 

4-NJË  LUTJE

 

Një ditë s`do të të shoh më.

As pragun, as diellin.

Kafet e pira nj? jetë të tërë,

miq e shokë do të pinë në një ditë.

Me dëshpërim.

Po, deri atëherë..

Do t`i gëzohem mrekullisë!

Një lutje...

O zot,

Edhe një ditë...

           edhe një ditë...

                                    Amin!

 

5-TI IKE LARG

 

 

Ti ike me dhimbjen tënde
larg, larg viseve tona.
Për ta bërë të huaj vuajtjen ...
Shpirtin lë pas, 
shpirtin në duart e mia,
në pragun tënd...
tek përpëlitet prej mungesës 
e dyzimit të largësive...
Vuajtja jote vlon gjakut tim
me syrin në cep të udhës...

 



6-SHOQES SIME NJË MESAZH

 

Më gjete duke luajtur me hijen time

tek hartografoj jetën-fat

me mijëra kilometra larg teje

me tjetër ngjyrë

…të njëjtën lamë pas

A të kujtohen vitet e qeshjes,

ku stina rridhte aq shpejt,

e digjeshin ëndrrat në diell?

Përcillnim kaq shumë dashuri njerëzore.

Të pafaj!

…Dhe erdhi kjo kohë

Kjo stinë lubi,

ku eshtrat e qeshjes

varur në muze,

zgërdhijnë përqeshje,

përqeshje…

( p?r ironi:

SA SHUMË MALL!)

Sot,

…më tregon për linjën tënde,

për vajzat që veç njëra të ngjan.

Tjetra babait të saj

Më e vogla kryqëzim i të dyve,

Normal…

Po, me ç`dreq u ngjiz kjo stinë në atdhe

pa dashuri?!

Çuditërisht, ëndrrat i djeg në shi!

…Më gjete tek arnoj jetën time,

e më ktheve me nj? fjalë;

                                  Eh, sa pas!

 

Stinën e zbrazët ta ushqej me mall…

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora