| E merkure, 04.08.2010, 08:38 PM |
Profondizmi i Jetullah Halitit – Etit
Nga Ilir Muharremi
Akademia e Arteve dhe instituti i Arteve “Profondiste – Eti”, në bashkëpunim me Galerinë Jozef – Shetitorja Taulantia në Durrës, organizon ekspozitën personale të artistit Kosovar Jetullah Halitit – Etit. Ekspozita do të hapet më njëzet gusht, dhe në të do ekspozohen piktura, të punuara viteve të fundit nga ky artist.
Krijimtaria e artistit Jetullah Halitit është një teatër modern me skena të absurdit të Joneskos dhe të Becketit, dhe ky absurd është i thellë dhe ne esencë ka një të vërtetë triumufse. Qëllimi është zhytja në thellësi, dhe ikja në sipërfaqe e ngjyrosur mu me atë thellësi.
“Ngrohja globale” “Shkrirja e akullnajave” “Trekëndëshi i Bërmudës”
Ky cikël është një teatër avangardë, që prek majat e absurdit dhe në asnjë moment nuk të lë të qetë, të jesh pjesë e një finale reale, e cila është e pangopur. Këtu vërejmë teorinë e filozofit të lashtë grek, Heraklitit, i cili thotë: “Zjarri ka fuqi të nderohet me gjithçka, por edhe për vdekjen e zjarrit jeton ajri”, domethënë, fitues na del ajri, dhe këtë frymë mistike, Eti dukshëm na e shfaq, nëpërmjet potezave të brushës që janë tejet shpërthyese dhe që nuk mund të lirohen nga e kuqja gjakatare, ose armikja e natyrës dhe humbësja e pa ngjyrës. Në disa pjesë të ngrohjes, e bardha ngrihet në këtë betejës si diçka shpëtuese, por prapë se prapë është kufizuar nga një e vërtetë e pandryshueshme, absolute në teorinë e vet magjike. Ndërkaq, tek “Shkrirja e akullnajave”, një vdekje më e bardhë, më qetësuese, më e lehtë, disi tinëzisht ngre optimizmin, duke e rrënuar teorinë e zezë të vdekjes me një zëvendësim gëzimi. Pikërisht këtu hasim në teorinë e filozofit Friedrih Nietzche, që thotë: “Përdore dhimbjen si një instrument gëzimi”, e këtë instrument gëzimi Eti, në formë simbolike e gjen tek e bardha, e cila nuk është aq e ashpër, por një vrasëse e buzëqeshur. Kjo ngjyrë e përdorur konfliktin kryesor e ka me të zezën, nga e skuqura e tepërt ka fituar një të zezë të përkryer.
Shpirtin e pastër të Etit nuk e lë të qetë edhe misteri më i madh në botë “Trekëndëshi i Bermudës” dhe këtë mister, ai e pasqyron si diçka të vërtetë, që ka raporte në këtë kohë.
Profondizmi
E tërë artin e tij, krijuesi Eti e përfundon me stilin e quajtur “Profondizmit”. Mesazhi i profondizmit është i thellë, i pa skajshëm, nuk mund t’ia gjesh fundin, sepse artisti nuk ia përcakton fillimin, dhe në esencë, ende nuk dihet pikënisja, që të vendoset finalja.
Postmodernia e Etit e quajtur “Profondizëm”, tentohet të trajtohet dhe të hulumtohet , njëkohësisht, nga disa kritikë të artit, shqiptarë dhe të huaj. Në këto tentativa, të cilat duhen përgëzuar, por edhe pranuar se janë fillesë, synohet zbërthimi i disa prej veprave më të arrira të Eti-t, duke gërshetuar analizën ideore konkrete, me tentativën për ta zbërthyer teorikisht. Në Profondizëm, nxirret në pah dominimi i brendësisë dhe i thellësisë së krijimit mbi formën e shfaqjes, përndryshe, të paraqitjes.
Postmodernia profondiste Eti-ane vështrohet nga disa pozicione a këndvështrime, që lidhen me tematikën, me poetikën, me metodën, kulturën, stilin dhe krahasimin. Studimi mbi këtë stil a rrymë, i cili, duam s’duam ne, është sipërfaqësor, tani për tani, ka marrë formën e piketave apo tezave për studime zbërthime , analiza, debate të thukta.
Artistët e vërtetë modernistë nuk e kanë të vështirë ta pranojnë postmodernen. Ata, përkundrazi, e pohojnë, e njohin dhe jo pak herë e afirmojnë si një realitet, duke e quajtur “piktura e së ardhmes”.
“Qofsh bekuar pikturë, pikturë gjuha ime, pikturë universale e shpirtit tim, jam i dashuruar në ty, më mbaj se të dua shumë dhe vetëm shumë”. Jetullah Haliti.