E merkure, 05.02.2025, 12:44 PM (GMT)

Kulturë

Klodiana Kadillari: Dëshiroj t'i jap zë vuajtjes së Nënë Terezës

E marte, 03.08.2010, 08:27 PM


Aktorja 30-vjeçare Klodiana Kadillari ka shkruar një monodramë për Nënë Terezën dhe me të do të provojë në Festivalin Teatror të të Rinjve. Mendon se  për misionaren flitet në mënyrë të sipërfaqshme

 

Nga Jorida Pasku


Klodiana Kadillari është autore e një monodrame për Nënë Terezën. Me veprën "Pikëllim dhe dashuri" ajo shpreson hyjnë në garën e Festivalit Teatror të të Rinjve që këtë vit do t'i japë prioritet pjesëve për teatër kushtuar Nobelistes për paqe. Klodiana është bazuar në letrat e Nënë Terezës në librin "Nëna e dashurisë" përgatitur nga Don Lush Gjergji. Autorja 30-vjeçarja do të interpretojë vetë (në rast se projekti miratohet), nën drejtimin e Ilirjana Arifit nga Kosova. 
Klodiana sapo ka marrë pjesë në një dokumentuar kushtuar Nënë Terezës, realizuar në Kosovë nga Fahri Hysaj, prodhim i RTK-së. Ajo u zgjodh për të realizuar figurën e murgeshës në moshë të re.

Në intervistë ajo tregon si është konceptuar në monodramë bota shpirtërore e Nënë Terezës. Krahas projektit, flet për teatrin shqiptar të të rinjve dhe të "të vjetërve". 

Klodiana është diplomuar më 2005 në degën e aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Po në Tetovë përfundoi studimet për psikologji. Në Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe Teatrin Kombëtar të Shkupit, ka realizuar rolet: Vasiliqia te "Ali Pashë Tepelena" me regji të Lazër Filipit (2001), Natalia Stepanova te "Mblesëria" me regji të Sefedin Nuredinit (2002), ka interpretuar te "Buburreci" me regji të Ilir Bezhanit (2004) dhe te "Nënë Tereza" e Bruno Shllakut vitin e kaluar, në rolin e Zhaklinës dhe Ritës. 

Klodiana, me çfarë vepre konkurron në Festivalin Teatror të të Rinjve? 

Është hera e parë që marr pjesë në projektin Teatror të të Rinjve me monodramën "Pikëllim dhe dashuri", një vepër që e kam shkruar vetë. I kushtohet misionares Gonxhe Bojaxhiu. Drama bazohet në letrat origjinale të librit "Nëna e dashurisë", i botuar me mbështetjen e Vatikanit, i shkruar nga Don Lush Gjergji, i vetmi bibliograf që e ka njohur mirë Nënë Terezën. 

Çfarë përmbajtje kanë letrat? 

Flitet për përjetimet e saj në moshën 14-vjeçare, kur merr thirrjen e Zotit dhe vendos t'i përkushtohet shpëtimit të shpirtrave. Në to përshkruhet udhëtimi i saj në Letnicë, vendi më i dashur për të, në Shkup, Shkodër, Tiranë. Shpesh thuhet që Nënë Tereza nuk ka shkuar në këto qytete kur ka qenë e re. Patjetër që ajo i ka vizituar ato. Momenti më emocional është ndarja nga familja. Ka mendime, kujtime. 

Për Nënë Terezën është folur gjatë dhe në mënyrë sipërfaqësore. Është thënë që nuk ka ditur shqip, që ka ecur shtrembër, që ka pasur një gungë në shpinë. Tek Nëna Tereza unë gjeta, gruan, femrën, vajzën, që ka pasur mijëra dëshira, që ka dashur letërsinë, poezinë, natyrën, Zotin, njeriun. Ka kënduar bukur në korin e kishave. Qëllimi im me këtë vepër është t'i tregoj shqiptarëve të mi të gjitha këto.

Ministria e Kulturës ka planifikuar hapjen e një konkursi me vepra kushtuar Nënë Terezës. A ke provuar ta prezantosh edhe aty projektin? 

Projekti im ka kaluar njëherë në Ministrinë e Kulturës dhe më pas është propozuar që të kalojë në projektin e të rinjve, meqenëse jam autore e re dhe ky ishte projekti im i parë.

Kush e realizon regjinë e "Pikëllim dhe dashuri"?

Regjisorja Ilirjana Arifi. Zgjodha një regjisore nga Kosova sepse dua që figura e saj t'i përkasë sa Shqipërisë, aq edhe Kosovës.
Në Kosovë sapo ke marrë pjesë në film dokumentuar kushtuar Nënë Terezës. 
Pata fat që ndër njëqind vajza u zgjodha për të luajtur rolin e Nënë Terezës në dokumentarin e regjisorit Fahri Hysaj. Regjisorët thonë që kam ngjashmëri fizike me të, në tipare.
Po ashtu edhe në timbrin e zërit.

Kishte një zë të fortë, buçitës, melodioz dhe unë e përmbushja këtë kriter. Filmi fokusohet te fëmijëria e saj, kur niset nga Shkupi, ku ajo ka jetuar, drejt Letnicën, në Shkodër, Tiranë, dhe përfundon në Zagreb, për të filluar njëherë e përgjithmonë detyrën e misionares. Hysaj kërkonte natyrshmërinë e aktorit. Kujtoj një moment gjatë xhirimeve, kur ajo ndahet me nënën dhe motrën. 

Kemi xhiruar në trenin e linjës që bënte atë rrugë që ka përshkuar Nënë Tereza, Shkup-Zagreb. Isha mbushur emocionalisht dhe po prisja që njerëzit të dilnin nga treni. Asnjëri nuk lëvizi. Unë interpretoja, ndërsa fatorinoja kalonte aty për të kontrolluar biletat. Dukej sikur po jetohej edhe njëherë ai çast, po këtë radhë brenda meje.

Ku ndryshon Nënë Tereza e monodramës nga ajo e filmit?

Në film është e re dhe vuan dilemën a duhet të shkojë apo jo në mision. Në monodramë dilema kalohet që në tablonë e parë dhe ajo niset. 

Më pas është 38 vjeçe në Indi e rrethuar nga njerëzit e varfër, të sëmurët me kancer, njerëzit që jetojnë në rrugë. Tani thirrja e Zotit i thotë: "Jeto me ta dhe bëhu si ata". Këtë grua e mundon malli për nënën, familjen. Gjatë regjimit komunist nuk e lejojnë të shohë nënën dhe motrën që ishin në Tiranë atë kohë. Në punën që kam bërë me veten për zbërthimin e karakterit kërkoja vetëm t'i jepja zë vuajtjes së saj. 

Supozojmë se projekti yt miratohet. Çfarë do të bësh me 1.000.000 lekë?

E rëndësishme për mua është të miratohet. Ai vlen të miratohet sepse është për Nënë Terezën. Kjo është monodramë që nuk kërkon shumë shpenzime. Unë jam aktorja, kostumografja, regjisorja, skenografja, edhe muzika është zgjedhur nga unë. 

Është historia e njohur që institucionet nuk mbështesin siç duhet të rinjtë. Ty të duket se të rinjtë punojnë sa duhet për t'u realizuar? 

Ndihma që të jep ministria është një motiv për ta filluar pjesën. Kërkojmë vetëm të lançohemi që dikush tjetër të na shohë dhe të na vlerësojë. Shpesh të rinjtë neglizhojnë. Ende mendojnë që të gjithë dyert janë të mbyllura. Shoh që nuk merret me seriozitet. Duhet t'ia bëjnë më shumë hyzmetin roleve, punës. 

Edhe pse përmendet me të madh, festivali nuk është në nivelin që pretendohet se është. Ti ç'mendon? 

Është e rëndësishme që zhvillohet një festival ku të prezantohen projektet e të rinjve dhe sigurisht që ata sjellin. Mendoj se po vihen shumë pjesë të absurdit dhe mendoj se regjisorët nuk e kanë analizuar siç duhet se çfarë është absurdi. Jam e mendimit që në skenë të vijnë pjesë sa më aktuale, që t'i flasin publikut tonë. 

Po skena e madhe s'i t'u duk në pesë premierat e këtij viti?

Këtë vit ka pasur pjesë të mira. Dua ta përgëzoj regjisorin Kushtrim Bekteshi, një regjisor i ri i Kosovës, me pjesën që vendosi në Tiranë "
Kush ka frikë nga Virginia Woolf". 

Dua të theksoj vetëm diçka. Nëse një aktor ka luajtur mbi 50 role në teatër, në të dyja epokat, mendohet që ai është shumë i mirë. Duhet të largohet ky koncept. Nuk mund të shkojmë ta shohim shfaqjen sepse në pllakat është emri i filan aktori apo aktoreje. Sepse po shoh edhe nga ca aktorë të vjetër dështime. Vetëm ndërrojnë maskat me ndërrimin e roleve. Duhet të mos na vendosin barriera, që të lançojmë edhe ne veten. Qofshim të mirë apo të këqij, le ta vendosë publiku. 


Përse e ke mbaruar shkollën larg Shqipërisë?


Kam qenë edhe unë e "dëbuar" si Nënë Tereza. Pas tri viteve konkurrim në Akademia e Arteve nuk më jepnin të drejtën e studimit. Por, nuk më thoshin as që "je e patalentuar". 

Ndërkohë ti e fusje kokën në teatër?

Vazhdoja të interpretoja rolin e Vasiliqisë tek drama "Ali Pashë Tepelena", më 2001 me regjisorin Lazër Filipi. 
Edhe një pyetje për profesionin e dytë tëndin, psikologjinë. Cili është roli yt në këtë shoqëri të post tranzicionit? 

Tranzicionin e kanë krijuar egot që s'po gjejnë akoma identitetin. Këtu fillon katrahura. Për çdo ditë në faqet e para të gazetave lexojmë që "babai përdhunoi vajzën", "vëllai ka përdhunuar motrën", ngjarje të rënda. Njerëzit thonë, "ua çfarë ndodhi!". Aty mungon mendimi i psikologut. Ne nuk merremi me faktorët që kanë shkaktuar këto sëmundje, nuk merremi me zbërthimin e fenomeneve. 



(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora