E marte, 29.04.2025, 09:27 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Fatos Baxhaku: Mes Tomorit dhe Osumit

E marte, 03.08.2010, 06:16 PM


Mes Tomorit dhe Osumit

 

Nga Fatos Baxhaku

 

Këta njerëz nuk janë shquar për ndonjë trimëri të rrallë, as për ndonjë betejë heroike ku kanë lënë kokën me qindra vetë. Ata nuk kanë përse të mburren me vepra të bujshme. Fshatrat e tyre vetëm rrallë e tek i has në ndonjë botim të vjetër. Me përjashtim të atyre vetë, askush nuk kujtohet se me çfarë kujtimesh jetojnë ata. Lavdia e tyre është një fjalë e vetme: puna. Kjo, lopata, kazma, dhe jo pushka i ka dalluar nga fqinjët e tyre zulmëmëdhenj. Të “zënë” si në morsë mes dy viganësh të historisë, Beratit dhe Skraparit, ata duket sikur janë tërhequr mënjanë, duke dëgjuar bëmat e të tjerëve dhe duke kaluar herë nën hijen e njërit dhe herë nën hijen e tjetrit. Këto janë fshatrat e Komunës së Vërtopit. Janë 11 fshatra që, të rreshtuar në krah të rrugës Berat-Poliçan, ngjiten ngadalë që nga bregu i Osumit vezullues e deri në shpatet e Tomorit, malit mitik të shqiptarëve. Nga Berati deri në qendër të komunës udhëtojmë vetëm për pak minuta. Sikurse gjatë gjithë korrikut, vapa është shoqëruesja jonë e pandarë. Në krahun tonë të djathtë, Osumi nuk na ndahet thuajse për asnjë çast, njësoj si një shok i mbarë që do të na rrëfejë udhën.

Në Vërtop

Sikurse na ndodh rëndom, vizita jonë gjysmë zyrtare, më shumë një “qokë” se sa një takim i detyrueshëm në zyrat e komunës, rezulton e pafat. Na thonë se kryetari ka disa ditë që ndodhet jashtë vendit, kurse sekretari për dreq “sapo është nisur në një takim pune”. Një nga nëpunëset ngre supet e pafuqishme, e lodhur nga vapa dhe e çuditur nga kjo vizitë e pazakontë e mbase “me zarar”. Të përgatitur që më parë se nga komuna nuk do të mësonim ndonjë gjë të madhe, vëmë në veprim planin tonë të zakonshëm: të miqësohemi me vendasit. Dhe kjo ndodh shumë shpejt. Në një lokal në anë të rrugës kryesore njihemi me Baki Bodurin. Xha Bakiu është 76-vjeç. Ai nuk ka ndërmend të shkojë jashtë shtetit dhe as të bëjë takime të rëndësishme pune, kështu që tregohet që në fillim i gatshëm të na ndihmojë. “Shumë gjëra nuk i kemi jetuar, por ato që dimë dhe ato që kemi dëgjuar nga pleqtë tanë do t’ua themi. Ju për fshatin tonë po shkruani”, thotë plaku i mirë, që dërgon haber të thërrasë edhe një mik tjetër.
Xha Bakiu është nga Kapinova, një fshat i së njëjtës krahinë që është i vendosur në shpatin jugor të Tomorit. “Fshati ku unë kam lindur është i madh dhe i dëgjuar – na thotë ai – por kishte vetëm pak tokë. Pas luftës, babai ynë vendosi që të zbriste këtu, në Vërtop, ku sapo po ndahej toka. Që atëherë kemi jetuar si gjithë të tjerët në këto anë, me punën në kooperativë”. Plaku ka punuar një pjesë të mirë të kohës si mullixhi. “Të gjitha punët që bëhen në fshat janë të lodhshme. Edhe puna në mulli e lodhshme ishte. Punë me krahë, duke mbajtur në kurriz thasë gjithë ditën”. Me plakun e mbarë flasim gjatë për fshatrat e këtyre anëve. E përforcojmë edhe më tej atë idenë që kishim krijuar teksa shikonim fushën e sistemuar mirë që zbriste ngadalë në breg të Osumit. “Njerëzit këtu janë punëtorë – thotë plaku – nuk e shkojnë kohën kot. Edhe një copë tokë po të kenë, nuk e lenë pa e punuar. Pastaj klima këtu është shumë e favorshme. Këtu bëhen të gjitha llojet e frutave dhe të perimeve. Një traditë shumë të vjetër përbën edhe kultivimi i hardhisë. Edhe unë vetë sa kam pasur fuqi jam marrë me këto punë”. “Po tani punon ndopak?”, e pyesim ne. “Ah – buzëqesh mullixhiu i vjetër – jo se nuk na duhet puna, por tani nuk mundem më”. Xha Bakiu ka hequr kasketën e tij. Në lokal nuk bën edhe aq vapë, por plaku që fshin djersët rri pa folur një copë herë. Kush e di se ç’kujtime i kalojnë ndërmend me sytë e mbërthyer në shtëpitë e fshatit. Një nga nipat e tij, Eltoni, nuk i ndahet. Sapo ka mbaruar klasën e tetë dhe tani, gjatë pushimeve verore, i ndih të atit në lokal. Djali nuk ia ndan sytë gjyshit, me shpresën se ai do të nisë të rrëfejë ndonjë nga ato historitë e vjetra, të cilit atij i pëlqejnë aq shumë. Por gjyshi nuk ka ndonjë histori të madhe për të rrëfyer. E kështu djali i kthehet punës. Rrëmben dy birra të akullta nga frigoriferi dhe ia çon dy kalimtarëve të djersitur e të bërë të kuq flakë nga vapa. Përballë nesh, larg në horizont, mbi disa kodra që lartësohen si në garë me njëra-tjetrën, shohim siluetën e vaposur të Tomorit. “Atje po, atje nuk ndjehet vapa. Ai mal është i bekuar”, thotë njëri nga klientët, sikur të na e kishte kuptuar se çfarë po bluanim në mendje.

Xha Laku dhe bejlerët

Një nga studiuesit e paktë që pat kaluar këtyre anëve është edhe Eqrem bej Vlora. Me një shpurë mbi 30 vetë, i shoqëruar nga kallauzë dhe nga një suvari i caktuar nga guvernatori i Beratit, ai pat dalë nga Berati në tetor të 1906-s. Objektivi i tij ishte studimi i krahinës rreth Tomorit. Zyrtarisht kishte deklaruar se po dilte këtyre anëve thjesht për gjah. Beu i famshëm kishte kaluar edhe në Vërtop. I kishte bërë përshtypje fshati për një fakt të vetëm: ky ishte i vetmi fshat ku kishte edhe banorë të krishterë, madje kishte parë këtu edhe një kishë. Pasardhës të kësaj popullsie banojnë ende në Vërtop. Njëri prej tyre, Llazar Hitollari, është bashkëmoshatar e mik i ngushtë me xha Bakiun. Xha Laku, sikurse e thërrasin në fshat, nuk para dëgjon mirë nga veshët, kështu që biseda me të është një alternim mes të bërtiturave tona të forta dhe përgjigjeve me zë të mbytur të xha Lakut. “Ne si origjinë jemi vllehë, ose çobanë, sikurse na thërrasin. Në shtëpi kemi folur gjuhën tonë, por tani nuk e përdorim më. Unë vetë e kuptoj, por nuk di tashmë të kthej përgjigje. Ndërsa të rinjtë nuk e njohin fare. Kemi pasur tri kisha. U prishën pas 1967-s – tregon xha Laku – të parët tanë janë marrë jetë e mot me blegtori. Prindërit punonin si argatë me tufat e beut. Kemi qenë nëntë fëmijë. Unë vetë mbaj mend që një pjesë të mirë të fëmijërisë time e kam kaluar te shtëpia e beut në fshatin Hoxhaj, që më vonë ia vunë emrin Bregas, kështu që mund ta gjeni me dy emra. Pastaj në 1953 ne u vendosmë këtu, morëm edhe tokë. Në 1956 u ndërtua kooperativa dhe pas kësaj kam punuar çoban me dhentë e kooperativës”. Xha Laku ka dëshirë ta kujtojë edhe një herë atë kohë kur kishte jetuar në shtëpinë e beut: “Këta ishin dy vëllezër, Avdul dhe Haki Kapinova, ose Salillari. Më kanë mbajtur në shtëpinë e tyre me gjithë të mirat. Unë vetë vija nga një familje e varfër. Pastaj ishin kohët kur ende shiheshin ndarjet në të krishterë e myslimanë. Këta, përkundrazi, as nuk e vinin re këtë gjë. Kurrë nuk kam dëgjuar një fjalë të keqe prej tyre, përkundrazi. Sikur të mos ishin ata, kush e di se si do të më kishte vajtur filli”. Në ditarin e tij të 1906-s, Eqrem bej Vlora ka shënuar një episod që lidhet me bejlerët e këtyre anëve. Në Kapinovë ai qëndroi një natë në shtëpinë e Shefik bej Kapinovës, i cili, sipas shumë gjasave, ka mundësi të jetë gjyshi i bejlerëve që mban mend xha Laku. “Pas kthimit në shtëpi – shkruan Eqrem Beu – nuk vonoi shumë dhe u shtrua darka. Gjërat e zakonshme: dash i pjekur në hell, disa ëmbëlsira, pilaf dhe fruta, por të gjitha veç të gatuara për merak. Siç e do zakoni, i zoti i shtëpisë nuk deshi të ulej në sofër, por t’u shërbente miqve në këmbë. Unë ngula këmbë që ai të zinte vend me ne. Gjatë darkës pleqëruam edhe rrugën që duhej të ndiqnim të nesërmen… Ndërkaq, në odat e tjera njerëzit kishin ardhur në qejf, rakia ua kishte zgjidhur gjuhën dhe shtëpia gjëmonte nga kënga. Secili përpiqej të dukej më i mirë se fqinji. Unë u gëzova që për të fjetur kishim zgjedhur një odë në krahun anësor të shtëpisë ku rrinin gratë. Kur sa po më zinte gjumi, dëgjoj të kërkëllasë dera. Instinktivisht dora u zgjat drejt revolverit ‘Manliher’ që e kisha nën jastëk. Për fat arrita të kuptoj nga format e rrumbullakëta trupore se prishësit e qetësisë ishin të gjinisë femërore. Zonjat, jo fort të mbuluara, po kërkonin shtresa fjetjeje në një sënduk të madh. Po pa harruar, megjithatë që ta vinin para një prove të rëndë gjumin e mysafirëve të tyre. Kur u zgjova të nesërmen, 8 tetor, ishte ende errët. Kishte rënë shi dhe një mjegull e dendur vishte qiell e tokë. Shkova buzë përroit dhe bëra tualetin e mëngjesit në rrjedhën e freskët -4 gradë Celsius, ndërsa ajri shënonte 9 gradë. U nisëm në orën 7 fiks. Sot karvani ynë ishte edhe më i madh, sepse i zoti i shtëpisë, bashkë me disa njerëz të tij, do të vinte me ne si udhërrëfyes…”.

Fshati me dy emra

Kur bashkë me xha Bakiun po shënonim listën e emrave që përfshin Komuna e Vërtopit, ishim ngatërruar një copë herë. Komuna ka 11 fshatra. Neve herë na dilnin njëmbëdhjetë e herë dymbëdhjetë. Më në fund e gjetëm “hilenë”. Një fshat i komunës ka dy emra: Bregas dhe Hoxhas. Deri vonë, andej nga vitet ‘80 të shekullit të shkuar, fshati quhej Hoxhas. Pastaj (“diku lart” thonë fshatarët) nisën të mendojnë se mos vallë ky emër nuk ishte “i përshtatshëm për kohën”. Kishat dhe xhamitë ishin shembur, hoxhallarët kishin kohë që e kishin rruar mjekrën, pastaj po sikur ky emër të bënte paralelizëm me emrin e Enver Hoxhës? Kështu që fshati nga Hoxhas një ditë të bukur e pa veten të ripagëzuar me emrin, sigurisht më pagan e më gjeografik, Bregas, i cili zyrtarisht mbijeton edhe sot.
Hoxhasi është një fshat i vendosur mbi një breg që zbret butë poshtë në luginën e Osumit. Ndonëse bën vapë e madhe, shtëpitë e tij të mbajtura mirë dhe të rrethuara nga gjelbërimi na krijojnë një ndjesi të beftë freskie. Këtu takojmë rastësisht Shkëlqim Dostin, kryeplakun e fshatit. Shkëlqimi na kujton atë përshkrimin që këtu e 104 vjet më parë u pat bërë banorëve të këtyre anëve Eqrem bej Vlora. Biondë, shtatgjatë e të zhdërvjellët, me sy të kaltër, njerëzit e këtushëm i ishin dukur të ndryshëm, një racë e papërzierë, aristokratit që vinte nga Stambolli. Në fakt, familja e kryeplakut ka një origjinë tjetër. Të parët e tij kanë ardhur në këto anë në kohën kur Ali Pashë Tepelena në 1802 u hakmor keq ndaj banorëve të Kardhiqit dhe të Delvinës. Masakra e Hanit të Valaresë dhe ekzekutimi i krerëve kundërshtarë në Janinë janë nga ngjarjet më të njohura të asaj kohe. Dostët ishin ndër familjet më në zë të Jugut dhe kundërshtarë të betuar të Ali Pashës. Pjesa e familjes që i shpëtoi masakrës u zhvendos ndër vende të tjera. Një degë e tyre u vendos këtu, me sa duket e tërhequr nga afërsia me Beratin, pashai i të cilit kishte qenë kundërshtar i vendosur i Aliut.
Në Hoxhaj shtëpitë e bejlerëve, ato ku dikur xha Laku kishte kaluar fëmijërinë e tij, mbahen ende, madje janë në gjendje të mirë. Të ndërtuara në 1938, nga një usta Mahmuti nga Mokra, ato duken njësoj sikur të jenë ndërtuar dje.

Një fshat “kozmopolit”

Mbrakulla është një prej fshatrave më të njohur e më të mëdhenj të komunës. Dy miqtë tanë, Bakiu dhe Laku, na shoqërojnë për atje. Nga Vërtopi në Mbrakull nuk janë veçse pak minuta me makinë. Mbrakulla ka ende pallate, nga ato me tulla të kuqe dhe të pasuvatuara, që patën mbirë dikur në të gjithë Shqipërinë. Vetëm pak kilometra më në jug, në Poliçan, është ndërtuar një kombinat i prodhimit të municioneve. Tani ai punon akoma, por në vend që të montojë, çmonton municione. Kryesisht predha të kalibrit të rëndë. Ndërtimi i kombinatit mblodhi në Mbrakull njerëz nga shumë krahina rreth e rrotull, por edhe nga më larg, duke përfshirë edhe Gollobordën. Tani, si në shumë krahina të tjera, nga fshati kanë ikur e kanë ardhur shumë, por gjithsesi prezenca e pallateve, shakatë që i hedhin njerëzit njëri-tjetrit, hera-herës edhe ndonjë dialekt ndryshe, të gjitha këto bëjnë që Mbrakullën ta pagëzojmë si “fshati kozmopolit”. 
Në Mbrakull takojmë dy miq të tjerë, Fitimin dhe Fatmirin. Edhe me ta bisedojmë gjatë. Ajo që ende nuk kemi kuptuar, është nëse kjo zonë hyn në Skrapar, në Berat, apo është krejt më vete. Që ta kuptojmë këtë na duhet të bëjmë durim, sepse ka diskutime edhe mes vetë miqve. Ajo që arrijmë të kuptojmë është që zakonet, dialekti, mënyra e të kënduarit, veshja, dasmat, bektashizma, të gjitha janë njësoj si në Skrapar, por që vendasit e këtushëm nuk e quajnë veten skraparllinj, madje nuk janë dakord kur ndokush i ngatërron me ta. Për krahinën ka edhe një emërtim: Nahije. Por edhe kjo ngatërrohet hera-herës. Nahije e kujt? E Beratit, e Skraparit, e Tomorit? Mbetemi dakord që ta quajmë thjesht “Nahije” dhe vendosim të ecim një copë herë nëpër fshat.
Si kalojmë shkollën e madhe me 400 nxënës e pasi kemi kaluar një përrua gjysmë të tharë, mbërrijmë para një shtëpie të vjetër. Kjo është shtëpia e vjetër e Fitimit, që tani ka ndërtuar një të re edhe më afër xhadesë. Njësoj si shtëpia e bejlerëve, edhe kjo është ndërtuar nga Usta Mahmuti në 1938, me sa duket ustai do ketë qenë fort në modë asokohe. Shtëpia e ndërtuar me gurë të errët është krejt e heshtur. Vetëm një gjel deti i vjetër sheh me kërcënim nga këta të ardhur të pazakontë dhe na vihet mbrapa me kërshëri. Xha Laku qëndron ca më tej. Duket i prekur dhe shikimi i tij sikur ledhaton muret e një tjetër shtëpie të vjetër. “Këtu kemi banuar para se të vendoseshim në Vërtop”, na thotë pa i hequr sytë nga muret e vjetër. Fare afër nesh, pas disa kallamash që rriten në anë të përroit, duket vezullimi i Osumit.

Si shuhet një fshat

Përballë Mbrakullës, në faqen e një kodre shkëmbore, na tregojnë një si pllajë të zhveshur. Kështu nisim të mësojmë historinë e një fshati të zhdukur në dekadat e fundit: Malishovës. Miqtë tanë ruajnë një nderim të madh për banorët e këtij fshati të krishterë, që ata i quanin me emrin e osmanizuar, thjesht “kaurrë”. Sipas tyre, fshati dikur kishte afër 100 shtëpi, që u ngjasonin shumë atyre të Beratit. Rrugët e Malishovës ishin të gjitha të shtruara me kalldrëm dhe anash tyre ishin hapur kanale për të rrjedhur ujërat. Veshja, shkollimi, profesionet e banorëve të dikurshëm ishin krejt ndryshe nga ato të fshatrave myslimanë. Na thonë se ishin të krishterë që flisnin vetëm shqip dhe jo vllehë, me të cilët nuk bënin krushqira për shkak të pozitës sociale më të avancuar. Shkolla e parë shqipe në krejt krahinën është hapur pikërisht këtu nga një mësues vendas, Sotir Papa. Malishova ishte pronare e shumë arave në anë të Osumit. Këto punoheshin nga argatët që zbrisnin nga fshatra më të thellë. “Ishin të mençur, dinin të punonin e të jetonin dhe kishin rrahur që prej shumë kohësh kurbetin”, thonë fshatarët. Në qendër të fshatit lartësohej një kishë e madhe. Ky fshat nuk është më, madje çuditërisht nuk janë më as rrënojat e tij. Ikje ka pasur me sa duket që në kohën e Zogut, por më e madhja ka ndodhur sapo nisi të kryhej reforma agrare. “Ata e kuptuan se këtu nuk kishin të ardhme – thotë xha Laku – shumë prej tyre i shitën menjëherë tokat dhe tani ku nuk i gjen në qytetet e mëdha, në Tiranë, Durrës, Berat e Fier. Një gjë që ne të tjerëve as që na kishte shkuar ndërmend”. Fshatarëve u kujtohet edhe një personazh i çuditshëm që qëndroi në fshatin tashmë të boshatisur deri në krijimin e kooperativës. Ishte anëtar i PPSH-së. Kur u krijua kooperativa në 1956, ky nuk pranoi. Atëherë e përjashtuan nga partia dhe e larguan nga fshati. Kështu iku dhe banori i fundit i çuditshëm i një fshati të çuditshëm.
 

Në këto anë në 1906

Në 1906, Eqrem bej Vlora ishte nëpunës i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Stambollit. Dëshira e tij e pashuar për të udhëtuar e solli në tetor të 1906-s në një udhëtim nga Myzeqeja në Berat e deri në Tomor. Rrugës për në majë të malit pati përshkuar pikërisht një pjesë të krahinës, ku ne shkuam 104 vjet më pas. Më poshtë janë disa pasazhe nga ditari që ai mbajti gjatë këtij udhëtimi.

Rrugës për në Tomor

“…Më lart dhe në jug vërehen edhe parcela me drurë të lartë, kryesisht gjethorë. Arsyeja që ata kanë shpëtuar shpjegohet me popullimin e rrallë të zonës dhe mungesën e bagëtisë. Gjithnjë në ngjitje, lemë pas në të majtë fshatin e vogël të Hoxhajt dhe i drejtohemi Gradishtës. Përmbi atë grup të mbledhur shtëpish shihen ende rrënojat e një kështjelle të vjetër me të njëjtin emër, që ka një vend në legjendat dhe besëtytnitë popullore. As dhjetë minuta udhë më poshtë Gradishtës, në një vendbanim të vogël me emrin e bujshëm Çiglig, bëmë një pushim të shkurtër për të çlodhur kafshët. Ishte fjala për një tufë kasollesh që kishin vënë në mes një shtëpi guri punuar trashë. Çifligu është pronë e Shefik bej Kapinovës dhe, sipas matjes sime, ndodhet 300 metra mbi nivelin e detit.
Kur u nisëm përsëri, fill pas fshatit Vërtop, i vetmi në atë zonë me popullsi të krishterë dhe me një kishë, dhe pas përroit të Bargulasit, menduam ta shkurtojmë rrugën duke ia mbajtur nga kodrat e vogla sipër Çifligut. Por meqenëse shtegu rrihej shumë rrallë dhe vetëm prej këmbësorëve e për pasojë ishte i mbuluar me ferra, na doli krejt e kundërta e asaj që menduam: kur pas ndonjë ore të mundimshme arritëm buzë përroit, kafshët tona, të cilave ne kishim dashur t’ua kursenim rrugën e gjatë nëpër Bargulas, kishin kohë që na prisnin. Por rruga e mëtejshme na e shpërbleu me tepri. Sa më tepër i afroheshim Kapinovës, aq më e mahnitshme bëhej visorja. Bri nesh përroi zhaurinte gëzueshëm në shtratin e tij të ngushtë, duke nxituar të bashkohej sa më parë me lumin e Beratit që, atje thellë mes brigjeve të hirta të kodrave gjelbëroshe, shpaloste shiritin e tij blu…”.

Në Kapinovë

“…Pas kësaj ngjitjeje alpinistike arritëm pllajën e vogël të Kapinovës dhe çerek ore më vonë kalojmë pragun e shtëpisë së Shefik beut, që e zgjodhëm për të kaluar atë natë. Ishte ora 6 e mbrëmjes. Për një largësi pra, që në vijë ajrore nuk i kalonte 25 kilometrat, na ishin dashur plot 6 orë të mira… Shefik beu, njeri mjaft i pasur, na priti si s’ka më mirë. Shtëpia e tij ishte e ndërtuar me gurë të mëdhenj, të palatuar, ku drita hynte vetëm nëpërmjet ca dritaresh të ngushta të tipit të frëngjisë. Brenda ajo nuk ndryshonte nga shtëpitë e tjera. Kati përdhes me truall dheu përdoret si haur, një shkallë druri e lëvizshme të çon në katin e dytë që ka disa kthina gjysmë të errëta. Oda ku na futën ishte shtruar me postiqe dhe qilima shtëpie. Ne hoqëm armët dhe ia dorëzuam të zotit të shtëpisë. Sipas zakonit të mikpritjes, ky dorëzim armësh ka kuptimin që tani, për sa kohë ndodheshim aty, mund ta quanim veten anëtarë të familjes… Kapinova sot ka nja 60 shtëpi dhe afër 800 banorë. Dikur ajo ka qenë seli e një mydiri, gjë që ta kujton edhe sot emërtimi Nahija e Kapinovës. Bekimi i fshatit është padyshim përroi ujargjendtë që rrjedh përpara shtëpisë së mikpritësit tonë dhe nën hijen e pemëve të lashta, i vetmi burim uji për vaditjen e arave të dobëta të fshatit. Këto janë krijuar me dhé të hedhur nëpër tarraca të ndërtuara me një durim të admirueshëm… Me gjithë këto kushte varfërie, njerëzit këtu, nga pamja, janë për t’u pasur zili. Si rrjedhojë e vetëveçimit, njerëzit e këtushëm vijnë shumë pak në kontakt me elementët e huaj dhe i kanë ruajtur kështu të paprekura vetitë e tyre fillestare fizike dhe morale. Shefik beu dhe shtëpiakët e tij janë gjedhe të përkryera të kësaj kategorie. Rreth 1.80 metra të lartë, flokë dhe mjekërverdhë e me sy të çelët, ata edhe në moshë të thyer e ruajnë pamjen e shëndetshme dhe një zhdërvjelltësi të çuditshme…”.

Në Tomor

“…U futëm në të me ndjenja të përziera, duke qenë se në zonën rreth e përqark ajo nderohet nga të gjitha besimet. Bëhet fjalë për një mur rrethor, ndërtuar me gurë të mëdhenj të latuar dhe pa llaç, me një derë të ngushtë në anën juglindore dhe që quhet mekam e në arabisht ka kuptimin vend, apo në mënyrë të veçantë, vend pelegrinazhi. Në formën e sotme ndërtimi është i vitit 1880. Brenda peribolit nuk sheh gjë tjetër përveç një kamareje të punuar trashë në murin me gurë të mëdhenj, ku janë vënë dy qirinjmbajtës dhe një çini teneqeje. Ajo ka disa monedha, para flijimi, sepse mekami mbahet për vend i shenjtë si nga myslimanët, ashtu edhe nga të krishterët dhe askush nuk guxon ta profanizojë duke vjedhur paratë e pelegrinëve. Këtë profanues Tomori do ta ndëshkonte me rrufe. Më 15 gusht, ditën e Shën Mërisë, ky vend i humbur e larg botës gjallërohet. Më të shumtën janë dervishët bektashinj që vijnë këtu për t’u lutur, për të flijuar dhe për të mbledhur lëmosha. Midis shoqëruesve të mi ishin edhe disa bektashinj që guxuan dhe iu afruan murit gjunjazi. Sipas besimit të tyre, gjatë betejës midis imam Hysenit, djalit të kalifit të katërt, Aliut, dhe Jezitit, djalit të Muavijes, një vëlla për baba i të parit, i quajtur Abas Ali (Bir i Aliut me një grua tjetër) mundi të largohej nga kasaphana e Qerbelasë dhe pas peripecish të gjata të arrijë në majën e Tomorit, të cilën vendosi ta zgjedhë për prehjen e tij të fundit. Historia nuk thotë asgjë për një njeri të tillë. Të krishterët lusin këtu Shëmrinë, virgjëreshën. Në të gjithë vendin, te njerëzit e të dy besimeve është e përhapur beja ‘për Baba Tomor’. Siç është i përhapur edhe mendimi se këtu ka qenë vend kulti që nga lashtësia. Poeti ynë i madh, Naim bej Frashëri, në një poezi që trajton historinë e vendit, i ka dhënë një formulim poetik këtij mendimi…”.


(Eqrem bej Vlora, Ditar. Nga Berati në Tomor dhe kthim, Përktheu Afrim Koçi, “Koçi”, Tiranë 2003



(Vota: 4 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx