Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vilhelme Vranari Haxhiraj: Shqiptari që e do Shqipërinë qysh para krijimit të botës

| E diele, 01.08.2010, 08:59 PM |


Intervistë me Baki Ymerin -

SHQIPTARI QË E DO SHQIPËRINË QYSH PARA KRIJIMIT TË BOTËS

 

Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e problemit të Kosovës në veri të Danubit, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në kohën kur Kosova kishte nevojë për sensibilizimin e saj (1989-1999).

 

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj

 

Duke e njohur këtë njeri përmes punës së tij voluminoze në çështjet kombëtare dhe kulturore, në thesarin e tij poetik, publicistik dhe përkthimor, këtë intelektual të  shquar që të kujton rilindësit tanë dhe modelin e shqiptarit shembullor, në prag të 61 vjetorit të lindjes, marr guximin t’i parashtroj disa pyetje duke e pyetur:

 

Cila është kartëvizita Juaj sa i përket datëlindjes, vendlindjes, prindërve dhe  arsimimit?

 

   - Kam lindur në Shipkovicë të Tetovës më 1 gusht 1949, nga një baba shqiptar (Ajvaz Voka), dhe nga një nënë rumune (Aurelia Graur). Kam kryer gjimnazin pedagogjik në Tetovë, kam ushtruar profesionin e arsimtarit në vendlindje (1968/69), kam kryer studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969-73). Duke qenë i përndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, jam arratisur në Rumani (1973), kam vazhduar studimet e specializimit të rumanishtes në Vjenë (1974) dhe në Bukuresht (1975). Kam kryer fazën e parë të doktoratës në Universitetit të Bukureshtit (1996), ku kam mbrojtur të gjitha provimet dhe referatet me notën brio (10).

 

B. Y. në Kostinesht, në një manifestim kulturor
B. Y. në Kostinesht, në një manifestim kulturor
Ku jeton dhe punon Bakiu?

 

     - Jam duke jetuar në qytetin që mban emrin më të bukur të të folurit shqip. Kam ardhur për herë të parë në këtë vend më 1971, ndërsa nga viti 1993 jam vendosur përfundimisht në Bukuresht, në një garsonierë sentimentale, letrare dhe patriotike. Jam duke dhënë kontribut për identifikimin dhe afirmimin e vlerave demokratike të diasporës shqiptare, jam duke e botuar periodikisht Shqiptarin. Nuk ka nevojë të flas për vetveten, ngaqë kush flet për vetveten nuk e dëgjon askush. Ngase flet vepra, vepra është kurora e jetës, dhe flasin artikujt e botuar, sidomos te Zemra Shqiptare, një nga revistat më të famshme e blogosferës shqiptare, siç janë edhe revista tjera, si Tribuna Shqiptare, Dituria, Zëri i Shqipërisë, Gazeta Kritika  etj.

 

Cilat janë arsyet që zgjodhët Rumaninë si atdheun tuaj të dytë?

 

       -Jemi udhëhequr nga disa motive. Më kryesoret janë tri: 1. Ngaqë Rumania është atdheu i nënës sime dhe atdheu i poezisë. 2. Ngase Bukureshti është vatra e zjarrtë e rilindësve tanë dhe kryeqendra botërore e frymëzimit. 3. Ngase atdheu i poetit është dashuria. Dashuria e përforcon atdhedashurinë, puna dhe atdhedashuria e përforcojnë atdheun, duke e bërë kështu të pavdekshëm.

 

Çfarë gjeti Bakiu në Bukuresht, në lidhje me punën e rilindësve tanë, pa e harruar vendlindjen dhe prindërit e tij?

     

        - Sipas Avni Dervishit, „Garsoniera e B. Y. në Bukuresht është histori e gjallë e kujtesës shqiptare që duhet treguar brezave të tanishëm e të ardhshëm.” Kemi zbuluar, jo vetëm në arkivin e babait tim, një pjesë të fondit të Shoqërisë Shqiptare Drita, letra të vjetra me vlera të larta atdhetare, libra, broshura, fotografi, dokumente. Madje dhe dorëshkrime e dokumente për figura të shquara të Rilindjes sonë kombëtare, të cilat dikatatura i la në harresë. Erdhi koha të thuhet e vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët. Disa i kemi bërë publike në kuadrin e shkrimeve tona, disa ia kemi dhuruar njërës nga bibliotekat tona kombëtare dhe universitare, disa jemi duke i bërë të njohura përmes faqeve të librit “Drita Shqiptare e Bukureshtit”, i cili një ditë do ta shohë dritën e  botimit, së bashku me një libër tjetër mbi prindërit e mi.

 

Ballina librash
Ballina librash
Ju jeni publicist i shquar. Ju njoh përmes internetit dhe medias së shkruar. Ç’do të thotë publicistika për ju?

 

   - Ka kodra e kodra mes publicistikës sime dhe publicistikës së publicistëve të mirëfilltë, siç janë Arbën Xhaferi, Koço Danaj, Teki Dervishi etj. Sidoqoftë, shkrimet dhe konsideratat ndaj shkrimeve tona për rilindësit tanë që kanë jetuar dhe vepruar në Bukuresht, janë të panumërta. Mua dhe të tjerëve na duhet shumë punë dhe përsëri do të ngelet punë për të tjerët që do të vijnë pas nesh. Ne nuk mundëm të themi gjithçka të harruar apo të pavlerësuar. Koha është ajo që do t’i zbulojë dhe do të marrin vendin e tyre në kuadrin e kulturës apo atdhetarizmës shqiptare.

 

Ju gjithashtu jeni poet. Më pëlqen poezia juaj, por dua të di ç’vend zë poezia në jetën e krijuesit Baki Ymeri?

 

      -I thash një poeteshe shqiptare nga Belgjika (Elona Zhana, drejtore e revistës Albania), se ka nderin të njihet me shqiptarin që e don Shqipërinë qysh para krijimit të botës, dhe i pëlqeu ky mendim i nusërimit të ndjenjës me ndjenjë dhe fjalës me fjalë. Shqipëria historike zë vend primar, ndërsa poezia zë vend sekondar në jetën time, pas preokupimeve për botimin e Shqiptarit dhe përkthimin e poetëve tanë në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet. Të jesh poet do të thotë të jesh engjëll. Engjëll je vetëm atëherë kur të kaplon frymëzimi, pastaj shndërrohesh në njeri të rëndomtë, si unë/ti/ai/ajo/ata/ato. Na gëzon fakti që nuk jemi ngutur të botojmë çdo vit nga një vëllim poetik, si disa, ngase, të jesh poet i mirëfilltë nuk do të thotë se duhet të bëhesh skriboman.

 

Nga viti 1971 jeni marrë me përkthime nga shqipja në rumanisht dhe anasjelltas. Si përkthyes, ju lindi dëshira si nevojë jetike apo për njohjen e letërsisë shqipe nga lexuesi rumun?

 

     - Edhe njëra, edhe tjetra, dhe sidomos nevoja për njohjen e lirikës shqipe nga lexuesit e një vendi që shkon duke e kuptuar të vërtetën se ekziston një farefisni e lashtë mes shqipes dhe rumanishtes, mes trakasve dhe ilirëve, mes Shqipërisë historike dhe Rumanisë mike. Më impresionon fakti se Çabej dhe historiografët botërorë shkruajnë me admirim për pellazgët trako-ilirë. Mjafton të dihet fakti se rrënjët e këtyre dy fiseve të lashta, fati i vendosi në Ballkan. Nuk është keq të dish lidhjet e padukshme të lashtësisë, nga e cila mund të sypozosh se kemi të bëjmë me një trung të përbashkët, se pellazgët janë pararendësit e trakasve rumunë dhe ilirëve shqiptarë, dy popuj fqinj që kanë huazuar fjalë të përbashkëta nga i njëjti substrat. Ishte seç na ishte. Ishte një kohë e lashtë, kur Shqipëri përkufizohej me Rumaninë, para dyndjes sllave në Ballkan.

 

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me atdheun mëmë?

 

        -Atdheu mëmë për mua është Shqipëria e Bashkuar, Shqipëria Reale, një Shqipëri që shkon duke e u krijuar me djersëderdhje diplomatike e jo me gjakderdhje ballkanikse siç u konvenon disa kuajve të ultranacionalizmit enverist me konotacione shesheliste. Marrëdhëniet me këtë atdhe që shkon duke u bashkuar janë ekstraordinare, të jashtëzakonshme, gjë që justifikohet me përpjekjet tona për afirmimin e Atdheut të Skënderbeut në ishatdheun e dytë të rilindësve tanë.

 

Disa nga artikujt e B. Y. për Kosovën (1992-2009)
Disa nga artikujt e B. Y. për Kosovën (1992-2009)
Ç’mendon Bakiu për rënien e diktaturës komuniste (si antikomunist) dhe zhvillimeve demokratike në Rumani dhe Shqipëri. Cilat janë të përbashkëtat dhe të veçantat e zhvillimeve në Rumani dhe Shqipëri meqënëse ju u përkisni të dy shteteve.

 

       - Më duket se ajo që po ngjet këtu, po ngjet edhe te Ju. Globalizmi dhe integrimi evropian janë duke e bërë të veten, nga njëra anë, ndërsa në anën tjetër, si pasojë e kapitalizmit të egër dhe pandjeshmërisë së krokodilave të komunizmit në pushtet, në kohën kur qyteti lulëzon, shkon duke u shuar shpirti i fshatit që përfaqëson shpirtin e kombit. Në fshat janë mbyllur shtëpitë e kulturës, kinematë, bibliotekat. Varfëria shkon duke e bërë të veten si pasojë e korupcionit të ishkomunistëve që na u bënë brenda natës demokratë. Demokracia ka nevojë për hapje e tolerancë, dhe jo për mbyllje e totalitarizëm. Kriza mondiale shkon duke i mbyllur shtigjet e progresit, të standardit dhe mirëqënies. Zhvillimet “demokratike” ndërlidhen dhe janë evidente vetëm në fushën e mendimit të lirë, të modës perëndimore dhe kufinjve të hapur, por ekonomia shkon duke rënë, papunësia duke u rritur, kultura duke mos u vlerësuar si duhet. Me një fjalë, shkoi Jonuzi dhe erdhi Domuzi. Rrugëdaljen nga ky qorrsokak neokomunist ndoshta do të na e sjellin qeveritarët e ardhshëm!

 

Si është vlerësuar aktiviteti i Baki Ymerit?

 

      - Për kompletimin e kësaj pyetje duhet të drejtoheni gjetiu. Pas kësaj interviste të shkurtë mund të jepni disa nga 300 mendimet dhe urimet e dashamirëve tanë që janë botuar kohë më parë, ndërsa disa sosh dalin për herë të parë. Në këtë kontekst e falënderojmë dashamirëve tanë të panumërt që shfrytëzuan faqet e Facebocut për të na uruar ditëlindjen, edhepse Facebocu të merr më shumë kohë për komunikim se sa posta private të cilën po e bëj publike për admiratorët tanë: bukuresht@yahoo.com

 

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

    

           -Një vëllim poetik, një libër kushtuar Shipkovicës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, finalizimi dhe botimi i librit “Drita Shqiptare e Bukureshtit”, që mendoj se do të jetë me vlerë për lexuesin dhe studiuesn shqiptar të çdo moshe. Pastaj botimi i revistave “Shqiptari”, “Kosova” dhe “Shipkovica”. Edhepse Kosova nuk ka mjete për sponsorizimin e lobit shqiptar në Bukuresht, por edhe në botë, ndaj mos të na habisë fakti pse Rumania ende nuk e njeh Kosovën nën dritën e së vërtetës historike. Kjo ndodh sepse Rumania bie viktimë e propagandave serbe. Serbët lobojnë kundër Kosovës gjithandej në botë, ndërsa shqiptarët shikojnë siri kur sundon veziri, si në kohën e turkut. Na falni pse e politizuam një çik këtë intervistë, por qëllimi i politizimit tonë ka të bëjë me zgjimin nga gjumi të atyre që paguhen për të siguruar mjete për lobimin e Kosovës në botë, sidomos në këtë kohë kur Kosova mund t’ia thyejë edhe dhëmbin e fundit Serbisë, duke i bërë për vete edhe ato pak vende që s’e njohin pavarësinë e saj, sidomos Rumaninë e cila ka qenë gjithmonë mikja më besnike e Shqipërisë.

 

Z. Baki ishte kënaqësi që komunikova me ju për mes medias virtuale. Ndoshta ndonjëherë do ta pimë një kafe së bashku dhe do të këmbejmë mendime të drejtëpërdrejta. Nuk i dihet! Mali me malin s’piqen, por njerëzit takohen një ditë. Gëzuar ditëlindjen dhe faleminderit!

  

   - E nderuar qofshi dhe Zoti Ju bekoftë!

 

P. S. I nderuar lexues! Meqenëse në një bisdë nuk mund të thuhet gjithçka, unë për ju mora diçka nga media dhe po ua paraqes ashtu siç ishte e shkruar. Po kujtoj se dhe këta njerëz që punojnë për çështjen kombëtare kanë nevojë për vëmendjen dhe  vlerësimin e shtetit dhe politikës shqiptare. Edhepse disa elemente biografike përsëriten, këtu do të njiheni më mirë me jetën, krijimatrinë dhe veprimatrinë e zt. Baki Ymeri. Ju uroj lexim të këndshëm!

 

Le të shkëlqejë çdo shqiptar me shembullin e tij
Le të shkëlqejë çdo shqiptar me shembullin e tij
BIOBIBLIOGRAFI DHE MIRËNJOHJE (Fragment)

Baki Ymeri është i njohur si poet, përkthyes, eseist dhe publicist. Shkruan, përkthen dhe boton artikuj e studime mbi lidhjet farefisnore rumuno-shqiptare, përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë, shpifet, ndiqet, arrestohet (1975) dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë (1976). Arsyetimi i procesit të montuar politik ishte: bashkim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste. Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar, merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, afirmon diasporën shqiptare, bombardon mesazhet raciste të kriminelëve të gjuhës shqipe, shpifet nga serbofilët e Rumanisë dhe i fshikullon propagandat serbe në massmedian rumune, bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në veri dhe jug të Danubit, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, të gjitha aktivitetet i kryen vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash. Gjatë viteve të fundit ka përkthyer dhe botuar dhjetra poetë nga Kosova, Shqipëria dhe Diaspora shqiptare në gjuhën rumune.

               Baki Ymeri është autor i qindra artikujve për diasporën shqiptare dhe bashkautor i dy monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të Danubit:  Shqiptarët e Rumanisë (bashkautor, Tetovë, 1994), Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani (bashkautor, Shkup, 2004). Ai është njëherësh  njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujve mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë Drita, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prezent në disa antologji poetike, laureat mirënjohjesh të ndryshme*, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan (ABI): Njeriu i Vitit 2001. Jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, boton, udhëheq dhe shpërndan revistën Shqiptari/Albanezul dhe Kosova. Bibliografi lirike: Kaltrina (poezi, botim dygjuhësh shqip-rumanisht, Kriterion, Bukuresht, 1994), Dardania (botim dygjuhësh, Bukuresht, 1999); Zjarr i Shenjtë (Çabej, Tetovë, 2001); Lumina Dardaniei/Drita e Dardanisë (Muzeu i Litërsisë Rumune, Bukuresht, 2004), Rruga e Ferrit për në Parajsë (Bukuresht, 2005), Unë e shoh Sizifin (Tetovë, 2008) etj.

* Mirënjohje nga Kombet e Bashkuara (Qendra për të Drejtat e Njeriut), e nënshkruara nga Ibrahima Fall (Bukuresht, 21 tetor 1994), laureat i Urdhërit Kavalier i Mioricës në Fokshan të Rumanisë (2006), laureat i çmimit të Mirënjohjes për Kritikë letrare nga ana e Klubit të Shkrimtarëve “Drita” dhe Drejtoria e Revistës letrare “Pelegrin” në Athinë (2006). Mirënjohje (për donacion dhe bashkëveprim) nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (2007), Mirënjohje për përkthime letrare (Rëmniku Vëlçea, 2009), etj.

 

Mirënjohje nga Remzi Limani
Mirënjohje nga Remzi Limani
NJË MODEL JETËSOR QË T’I PËRKUJTON IDEALET E RILINDJES KOMBËTARE

Me poetin, përkthyesin dhe publicistin Baki Ymeri, njihem dhe bashkëpunoj prej rreth 10 vjetësh. Zëri i tij është i pranishëm në gjithë hapësirat shqiptare, sepse mendoj se ka tejet të zhvilluar ndjenjën qytetare të atdhetarizmit, dhe është një gazetar aktiv që reaksionon për probleme të ndryshme që lidhen me kulturën tonë, me politikat ballkanike, e më gjërë. Në përvjetorin e lindjes së tij do të ishte mirë që gjithkush nga ne të kujtohemi për një jetë të shkrirë për shqiptarizëm, për të mbledhur qindra materiale arkivore mbi të kaluarën e komunitetit shqiptar në Rumani, për të botuar qindra artikuj mbi diasporën shqiptare, për një njeri që jetën personale e ka shkrirë në funksion të kulturës kombëtare. Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e problemit të Kosovës në veri të Danubit, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në kohën kur Kosova kishte nevojë për sensibilizimin e saj (1989-1999). Bakiu është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë, dhe mbi të gjitha për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë, dhe vazhdon ta bëjë të frytshme. (Luan Topçiu, 2004)

GJITHMONË NË SHËRBIM TË SHQIPTARIZMIT

I dashuri Baki! E lexova me kujdes shkrimin mbi Biografiine Tuaj te bujshme. U mrekullova dhe ishte diçka me shume se e madherishme. Nuk i ndala dot lotet kur e lexova edhe Poezine Shipkovica  qe ishte nje pjese e mozaikut te humbur nder vitet e tmerrit por edhe te krenarise sone. Une Ju pergezoj duke iu deshiruar shendet dhe mireqenje Juve dhe te gjithe atyre qe Ju i doni dhe respektoni. Une i percjell te gjitha shkrimet Tuaja dhe ua dergoj atyre qe i dua dhe e respektojne fjalen e shkruar dhe i konsiderojne njerezit e pendes dhe shkences, misionare te popuullit qe i perkkasin, por edhe njerezimit. Paçi fatin e mirë dhe Ju priftë e mbara! (Prof. Dr. Isuf Dedushaj, 2008). 28/01/2009. Patriotizmi vullkanik i Petru Vullkanit (botuar në www.zemrashqiptare.net). Ka kohë që nuk kam lexuar një studim kaq të përkushtuar dhe të thelluar me dokumente e sintetizues në mendime, në faqen tuaj. Bravo Baki! Le të jetë kërkimi juaj, puna juaj dhe analiza juaj historike, etnike, etnografike e kulturore një sinjal i mirë i brezit të ri të studiuesve. Begzad Baliu (ekspert shkencor në Institutin Albanologjik të Kosovës).

         I dashur zoti Baki Ymeri! Artistët nuk zgjedhin vendin ku punojnë, por ata zgjedhin aktivitetin ta zhvillojnë për vendin dhe kulturën e vet. Dhe kultura shqiptare krenohet për veprimtarinë tuaj artistike që vazhdon në Bukuresht, qëndren e kulturës evropiane, por me punën tuaj, do të shtoja edhe qendrën e kulturës shqiptare. Për artistët e mëdhenj flitet pak. Edhe një poet është artist. Edhe një eseist është artist. Edhe një përkthyes është artist. E mbi të gjitha, ju jetoni në kryeqendrën e artistëve, ku u frymëzuan të shkruanin Eminesku, Eftimiu, Elena Gjika, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli...dhe pinjolli i ditëve të sotme - Baki Ymeri. Revista letrare "Shqiptari" që del paralel në dy gjuhë, rumanisht dhe shqip, është për t'u lavdëruar. Duke e dëgjuar intervistën Tuaj përmes Radios shqipe në Suedi, seç më  kapluan emocionet se Shqipëria ka pasur dhe do të ketë jo vetëm artistë të mëdhenj por edhe shqiptarë fisnikë, ndaj më lejoni të Ju përgëzoj për aktivitetet kulturore që i zhvilloni në të mirë të çështjes së kulturës shqiptare.  Përshëndetje nga një poet shqiptar që e çmon punën Tuaj kulturore! Adnan Mehmeti (Nga kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro/Amerikanë)

Të lumtë miku im! Ti je shndërrur në një dritare me plot dritë jete për letrat shqipe. Kontributi Yt tepër i çmuar do të shndërrohet në margaritarë që do të shkëlqejnë në gjerdanin e artit dhe të kulturës shqiptare. Kjo është e vërteta, miku im! Ti je njeri i lumtur ngase të ngrohin fjalët e rilindësve tanë që kanë vepruar në gjirin e komunitetit shqiptar të Rumanisë. Pa dyshim, dashuria për atdheun dhe njeriun, së bashku me ta do të të shpie edhe Ty në Parajsë! Qofsh i bekuari i Perëndisë! Remzi Limani (21/04/2010). Emri i akademikut Viktor Eftimiu ka hyrë në panteonin e njerëzve të mëdhej që ka nxjerrë populli ynë. Mirënjohës i jemi Z. Baki Ymeri, që me fjalën e goditur, me shprehjen e çiltër dhe të përpiktë - të rrëmben në shkrimet e tij. Në to, ndjenja, mendimi, veprimi dhe detyra e shqiptarit ngrihen në një shkallë të tillë që ngrohin e përtërijnë me sinqeritetin vëllazëror dhe bëhen obligim karshi SHQIPËRISË. Me respekt, Ksenofon Dilo (15/06/2009). Vlera te çmuara nga Rumania Shqiptare që na i sjell i çmuari, Asdreni i Ri, Baki Ymeri. Këtë punë titanike, aq voluminoze dhe aq të jashtëzakonshme, nuk e ka bërë asnjë shqiptar në dhe të huaj deri me sot. Me plot sinqeritet them: Ti je kampion i mërgatës shqiptare. Nderime të përjeteshme, Ilir Dardani.

          Bakiu bën një punë të mbare në shërbim të komunitetit ku jeton, dhe në shërbim të gjithë shqiptarëve që meritojnë të sakrifikohet dikush për ta. I kam parë artikujt, librat dhe revistën e botuar të tij. E përgëzoj ngase është duke bërë një punë të madhe për afirmimin e krijimtarisë shpirtërore të popullit shqiptar. E shpërbleftë Perëndia për kontributin e tij! Past një jetë të gjatë dhe qoftë i bekuar për jete! Paqë dhe shëndet për një Baki Ymeri që digjet për shqiptarinë! (Hajro Hajra). I respektuari Baki! Ne me siguri nuk njihemi, por për mua jeni bërë një shtyllë e fortë e kalasë kombëtare. Shkrimet Tuaja me vlerë dhe me interes të madh po i përciellim me vëmendje. Ajo që Ju me shkrimet Tuaja po e informoni Opinionin Kosovar dhe shqiptar në tërësi ështe me vlera të larta profesonale dhe shkencore. Ju përgëzoj duke Ju dëshiruar suksese në rrugët e shkencës. Ju priftë e mbara dhe paç fatin e mirë! (Isuf Dedushaj).

        I nderuar, ju falënderoj nga zemra për materialet që m’i keni dërguar. Këtë gjest e bën njeriu i madh ashtu siç jeni Ju. Xhelozia për një shkencëtar është vdekje, kurse alltruizmi që e posedoni ju tregon se shkenca është pasuri e të gjithëve e jo personale. Intereset e njerëzve janë të ndryshme. Secili mundohet që ta vëshrtrojë një aspekt ashtu ai siç e ka menduar, prandaj ndihmat si dhe dokumentacioni që qarkullon fiton gjallëri, jetë, dritë, kurse ato qe vjetërsohen në fasiklat po zverdhen  dhe një ditë si gjethe vjeshte bien dhe humben. Ju jeni shumë i madh, miku im, e madhështinë e tregoni jo vetem me shkrime, por edhe me  vlera të vjetra me të cilat dini ti pasuroni bibliotekat tona. Ju lumtë dhe Ju dëshiroj Shëndet dhe gjithë të mirat. (Avzi Mustafa, phd. 3/72010). Përshëndetje o Asdreni i Bukureshtit! Përshëndetje i dashur mik Baki! Uroj nga zemra të jeni shendosh dhe mirë ashtu si ju dëshiron zemra, uroj të ju punojë fati, shëndeti dhe penda juaj e artë. Më bëhet zemra mal o i madhi Baki kur lexoj diçka nga veprimtaria e jote e mrekullueshme. Jeni një Rilindës Modern i shqiptarisë. Përshëndetjet me të përzemërta nga Gjermania, për ju i nderuar, Pal Sokoli (25/05/2010)

         Nuk mundem të ta them se çka ndiej në këtë çast kur ma botove librin. Ndihma, dashurija, perkrahja e juaj për mua edhe për gjithë Shqiptarët është ndihmë, dashuri dhe përkrahje e shenjtë. Kudo që je të falënderoj shumë, shumë. Nuk di si të shprehem miku im i dashur edhe i respektuar të uroj shendet dashuri të gjitha të mirat në këtë botë dhe botën tjetër. Zoti ju bekoftë me familje dhe qofshi faqebardhë! Ju pershendet miku i juaj, Bahtir Latifi, 23/06/2010. Faleminderit Baki Ymeri, që me penën tënde magjike na i sjell pranë Rilindësit e Bukureshtit dhe të sotmit. Me mirënjohje të thellë, Kozeta Zylo (03/06/2010)Faleminderit Baki Ymeri, qe me penen tende magjike na sjell prane Rilindasit e Bukureshtit dhe te sotmit.
Me mirenjohje te thelle,
Keze Kozeta ZyloFaleminderit Baki Ymeri, qe me penen tende magjike na sjell prane Rilindasit e Bukureshtit dhe te sotmit.
Me mirenjohje te thelle,
Keze Kozeta Zylo
. Baki Ymeri është një personalitet i shquar dhe një emër i respektuar që do të mbetet i paharruar në historinë e rezistencës shqiptare për ekzistencën e kombit. (Ylli Dilo, 01/06/2010). I pashë të gjitha shkrimet e bëra nga ekselenca e Juaj për librin tim të përkthyer, me të cilat më binde se jeni krijues, intelektual, gjentil dhe njerëzor. Me një fjalë, një shpirt me një frymë amshimi në botën hyjnore të letërsisë. Të lumtë! Ju përkulëm me plot dinjitet para punës dhe mundit Tuaj dhe të jam mirënjohës në rrugën time të letërsisë, duke besuar se ma keni dhënë të mbarën.  Përjetë respekt dhe nderim të përzemërt nga Sadik Krasniqi (30/05/2010).

          I nderuari z. Baki, Çdo fjalë që do ju them më duket se po them shumë pak, ngase ju shumë më tepër po bëni për ne dhe për kulturën kombëtare. Ju bëni punë të mrekullueshme për popullin shqiptar. Zoti dhe Atdheu ju shpërbleftë! Ju priftë e mbara! Miqësisht, Sabile K. Basha (28/09/ 2009). Vëlla i dashur! Unë kaherë e kam formuar bindjen se Ju në Bukuresht, jatakun e Rilindësve tanë jeni duke e mbajtur me zjarr të pashuar. Ai zjarr i dikurshëm që i ngrohi zemrat dhe shpirtin tonë po vazhdon edhe sot të na ngrohë, kur  ende jemi në "hap e kurthë, kurthë e hap". Kam besim se veprimtaria  Juaj e ka bekimin e të gjithë shqiptarëve që janë të mbrujtur me gjak të pastër  shqiptari. Ju në Rumani, edhe të tjerët si Ju nëpër vende të tjera të botës jeni ata që e mbani të gjallë e të pashuar zjarrin gjithëkombëtar. O Zot, po të përgjërohem me tërë forcën që ia ke dhuruar shpirtit tim i ruaj këta shpirta, u jep shëndet e forcë! Bekoi o Zot! Ndihmoi në rrugën e tyre të shenjtë! Shenjtëroi me shenjtërinë Tënde! (Hysen Këqiku, 17 tetor 2009).

          EMBLEMË NDERI E ATDHETARISË SHQIPTARE

          Baki Ymeri duhet të ndihmohet ngase është në rrjedhë të çështjes kombëtare. Puna e tij është e çmuar dhe si e tillë duhet të vlerësohet, prandaj çdo ndihmë ndaj zotit Baki është ndihmë ndaj çështjes sonë. (Ali Podrimja), Baki Ymeri eshte zjarri i Shipkovices ne diaspore (Sali Bashota). Intelektual shqiptar si yll i pashuar në megrim (Nexhip Alpan). Baki Ymeri është poet dhe atdhetar. Jeta dhe sakrificat e tij, përherë ma përkujtojnë Nikolla Naçon e madh (Alush Kamberi). Bakiu është një penë e ngrohtë dhe e pastër shqiptare (Agim Shehu). Përkthyes i shkëlqyer i letërsisë, përhapës i zjarrtë i kulturës, bashkëpunëtor aktiv i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, dhe mbi të gjitha: mik besnik i revistës Shqiptari (Xhelku Maksuti). Shumë interesante shkrimet me vlera specifike që lexojmë herëpashere prej teje, për befasitë me të cilat i pasuroni këto faqe aq simpatike të Zemrës Shqiptare, o pendëarti Baki! Me këto që lexojmë, na e bën akoma më të bukur Bukureshtin e bukurive! Vazhdo të "germosh", ngase atje "fshihen” vlera të mëdha për kombin tonë, ngase atje është vendi ku jetuan e punuan patriotë të shquar, që gjithçka ia dedikuan Kombit tonë. Të uroj me shpirt suksese! Miqësisht, Eduard M. Dilo (05/01/2009).

Baki vëllai! Më gëzoi tepër paraqitja jote. Kisha patur fat që ta kisha qëlluar e-mailin. Dëgjo dhe vepro si ka bërë Konica: mos humb kohë të mereresh me trashëgimtarët e errësirës aziatike! Ty të kemi një Mitrush Kuteli, një Lasgush me frymë, shpirt e jetë në atë Bukuresht të bukur të rilindësve tanë, një zjarr i ri që po rindez dritën magjike të  një malli burrëror e te mençur të atdhedashurisë, të kulturës dhe njohjes së panshqiptarizmit në botë. (Nijazi Muhamedi). I nderuari Baki, Është më se e vërtetë që unë nuk dëshiroj të njolloset emri i atyre atdhetarëve që kanë kontribuar për Çështjen tonë Kombëtare. Njëri ndër ta je edhe Ti, dhe gjithmonë do të mbetesh i respektuar nga unë  dhe familja ime që ndan mendimet e njëjta me mua lidhur me veprimtarinë tënde, ngase ti je dhe do të mbetesh i respektuar për veprimtarinë që ke bërë dhe bën në interes të çështjes kombëtare. Gjithë të mirat ty dhe dashamirëve tu! Me respekt, Bardhyl Mahmuti (21 qershor 2009). Kushëriri im! Unë nuk jam letrar, gazetar apo aktor! Ju e dini profesionin tim. I kam lexuar të gjitha publikimet tua por mos ma mer për të madhe që nuk të shkruaj shpesh. Punoj dhe udhëtoj çdo ditë, punën e kam të rëndë  dhe me shumë përgjegjësi, megjithate gjej kohë dhe kënaqem kur hapi plikon eletronike dhe lexoj materialet që mi dërgoni Ju dhe dashamirët që Ju admirojnë anembanë botës. Punën dhe qëndrimin tënd i kam çmuar dhe përkrahur çdoherë. Krenohem që të kam dhe Zoti të shpërbleftë me të gjitha të mirat që i don zemra jote! Ti je emblemë nderi e atdhetarisë shqiptare, shembull i sakrificës individuale për afirmimin dhe përparimin e vlerave dhe vetëdijes kombëtare. (Xhever Ymeri, 22 mars 2009)

       Miku im i papërmbajtur, i pandalshëm, i pazëvendësueshëm dhe i pashtershëm! Nderimet për Ty si për Asdrenin e Lasgushin, si për Mid’hat Frashërin e Gjergj Fishtën. Puna e vepra Yte përjetë do të çmohet e respektohet nga të gjithë që kanë stërholluar nëpërdukjen e përtejshme të mendimit! Vepra Yte është drite e të gjithë atyre që e ushqejnë me admirim dhe dashuri. Miku im i madh! Përshëndetje, mirëqofsh e mirëvafsh si ta do zemra! E di se ke halle, por mos ma mer për ters se më rrallë të shkruaj, por kush mund të më bindë se s’e shkrive jetën si krejt rilindësit e tjerë për një Shqipëri më tjetër e për një njerëzi më ndryshe! Yt vëlla, Iljaz Osmani (25/05/2009). I nderuari mik! Të përgëzoj për kontributin që po jepni në shumë drejtime! Jam koshient për pozitën tuaj pa mbështetje institucionale, sepse do të duhej që Ju dhe miqtë tuaj që punojnë e veprojnë në Rumani të keni mbështetjen e Shqipërisë dhe të Kosovës për veprim më të sigurtë material e shoqëror, por historia e veprimtarëve po duket se është e njëjtë. Veprimtaria e juaj është më universale se sa puna të cilën e bëjmë ne në Prishtinë apo Tetovë, sepse prej nesh nuk kërkohet sikurse prej jush, sepse puna dhe kontributi i juaj është me ndikime nga më të ndryshmit. Përshëndetje dhe respekt nga Muhamet Aliu (23/07/2009).

         Zotëri i nderuar! Pas kaq kohësh që s’jemi parë gjeta edhe email-in e juaj duke ndarë kohë që të shpreh përshëndetjet e mia ndaj jush, për punën që beni në letrat shqipe dhe kontributin që jepni për Shipkovicën. Xhaxhi Baki! Po me rrënqeth dhe me jep krenari dhe guxim çasti kur lexoj artikujt tuaj, kur lexoj per xhaxhin Ajvaz dhe për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre për Shipkovicën dhe patriotizmin e pashoq. Janë vlera që më mbushin me dijeni, që dëshmon se kemi nevojë t’u përcjellim edhe gjeneratave tjera, edhe pse gjyshi im shpeshherë më ka rrëfyer për babain Tuaj të urtë, për një burrë modest, trim, punëtor dhe patriot, me të cilin mburren bashkëfshatarët tanë. Ju dëshiroj punë të mbarë dhe shëndet, ngase vepra juaj nuk shuhet kurrë dhe do të ndriçojë gjithmonë si flakadan për shqiptarët! (Mediar Leka, 2008).