E merkure, 05.02.2025, 03:55 PM (GMT)

Kulturë

Kujtim Agalliu: Gratë e shekullit XXI

E diele, 01.08.2010, 08:55 PM


KUJTIM AGALLIU

 

GRATË E SHEKULLIT XXI

 

Tregim

 

Kur e nisëm këtë bisedë nuk e dinim se ç’rrugë do të merrte.

Ne zbritëm në Strugë dhe me kureshtjes e atij që shkon në qytet të huaj, filluam të shohim vitrinat e shitoreve majtas e djathtas. Rruga për te hoteli ku na prisnin ca miqtë tanë, shqiptarë të Maqedonisë, nuk ishte larg, por për ne që s’e njihnim qytetin edhe afër s’ishte.

Na qëlloi të kalonim para një dyqani fruta-perime, para se të dalim te kthesa drejt hotelit.

Arturi fjalëpakë s’e mbajti veten:

- Sa mollë të mira, shihni, shihni!

- Janë me OMGJ, - ja priti aty-për aty Koli, - nuk janë origjinale.

Mënyra e papritur se si e tha Koli këtë fjalë i bëri të tjerët të qeshin. Qeshi dhe Lena e vetmja shoqe që kishim në grup.

Ca metra më tej një grup vajzash, me sa dukej nxënëse shkolle, kaluan me potere. Përsëri Arturi, që sot po na çudiste me të vërtetë, tha:

- Sa të bukura qenkan dreqkat, - dhe hodhi sytë nga Lena se mos po ia merrte për të keq.        

- Janë me OMGJ, nuk janë natyrale, - tha përsëri Koli, që i kishte qejf të gërricurat.

Përsëri të qeshura. Edhe Lena qeshi. Unë s’e kishte mendjen aty. Mezi prisja sa të uleshim e të merrja një teke raki “Loza”, se më ishte tharë fyti. Rruga e gjatë më kishte lodhur.  Këtë herë ndërhyri Nesti:

- Pse edhe vajzat me OMGJ janë? Nga e di ti këtë?

            - Shumë e thjeshtë, - ia pret Koli, - për deri sa ushqehen me ushqime e fruta të tillë, ashtu do bëhen edhe ato.

            -  Përralla me mbret, - tha përsëri Nesti, që nuk para e ndante dot shapin nga sheqeri. Nuk para bënte dhe po ashtu s’i kuptonte mirë shakatë.

            - Eh, ç’të pjell mendja! Edhe këtë s’e kisha dëgjuar! – tha Arturi duke fshirë lotët me kurrizin e dorës. – Domethënë vajza janë me OMGJ, ndaj janë të bukura. 

            Miqtë tanë ende s’kishin ardhur. Mbase kishin ndërruar vend përderisa nuk i gjetëm aty.  Mua nuk m’u prit, por shkova drejt e në tavolinë.

            - Ulemi e presim ca. Si të çlodhemi i marrim në telefon, – u thashë. – dhe menjëherë thirra kamerierin që ishte shqiptar.

            Sapo u rehatuam erdhi porosia.

            -  Domethënë, Koli, ti thua se edhe vajzat e sotme janë me OMGJ. – Ha –ha -ha, qeshi Arturi.

            Qeshëm edhe ne, me përjashtim të Lenës. Dukej se asaj nuk i pëlqeu shakaja jonë e tejzgjatur.

            - Unë e besoj, edhe pse Koli e thotë me shaka, - thashë unë, pa çarë kokën nëse i pëlqente apo jo Lenës. Ata kthyen kokën të çuditur nga unë. Nuk e prisnin të ndërhyja, sidomos që gjatë kësaj bisede, për të shtyrë kohën, unë s’isha përzier fare. I dëgjoja në heshtje dhe mendoja çastin kur të uleshim se nuk po duroja dot pa një raki. Tani që e mblodha veten ia krisa:

            - Po juve, - vazhdova unë nën vështrimin kureshtar të tyre, - nuk ju ka rënë në sy asgjë në këto vitet e fundit? Hiç fare?

            Ata shqyen sytë. Ndoshta menduan se kisha dal nga binarët. Nesti tha me shpoti:

- Të zuri shpejt e uruara, ende pa shkuar në gjysmë të gotës.

Lena pati frikë se mos niste ndonjë sherr dhe ndërhyri:

- Nuk keni ndonjë muhabet tjetër ju?! E ç’na duhet ne janë apo nuk janë të bukura vajzat e sotme. Dhe në janë për vete të tyre janë. 

Mua në vend që të më ndalnin fjalët e saj, u kurdisa më shumë. Isha në formën time më të mirë të frymëzimit. Por kisha edhe një kunj për të nxjerr. Ndaj vazhdova pa e vrarë mendjen për Lenën. Ajo s’ishte e vogël që të turpërohej nga ato që do të thosha. I kishte veshtë të stërvitur.

- Unë ju pyeta nëse ju ka rënë në sy gjë këto vitet e fundit, por asnjëri nuk më ktheu përgjigje.

- Në ke gjë për të thënë, thuaje, - Nesti po nevrikosej vërtetë. Ai edhe shakatë i merrte për të vërteta. Arturi që sot ishte në formë të mirë tha:

- Mirë, na e thuaj ti se neve s’na shkon mendja. Pa, hë, si është kjo puna e OMGJ-së!

Kolit i ndritën sytë që iu gjend një përkrahës për idenë e tij. 

Edhe pa më nxitur Arturi unë, për t’i bërë edhe Kolit qejfin, njëlloj do ta çoja në fund atë që nisa të thosha:

- Miq të nderuar, të më falni, por edhe pse të bukura, vajzave të sotme, ngaqë ushqehen me OMGJ, siç tha dhe Koli, u mungon organi i pjellorisë (i bëra bisht fjalës së saktë ngaqë Lena ishte aty dhe kishte ulur kokën e pakënaqur).

Ata shqyen sytë. Isha marrosur me të vërtetë me ato që thashë, sipas tyre. Por edhe shaka donim të bënim sa të vinin miqtë tanë të Maqedonisë.

- Ja fute kot, - tha përsëri Nasi. – ka femër pa atë (ai u skuq edhe pse s’e përmendi fjalën e duhur)? E ç’kuptim do të kishte pastaj, si do të shtohej njerëzimi? Pastaj nuk i ke parë ti si janë dalldisur të rinjtë e sotëm?

Koli u shkri gazit. Lena ishte bërë dhé, por edhe që të ngrihej e të ikte i dukej mendim i nxituar. Unë vazhdova me timen:

- Kush të tha se s’e kanë? Por ai tani është shndërruar thjesht në një organ epshndjellës (fola si njeri kompetent, për t’i dhënë rëndësi asaj që po thosha dhe ta analizoja problemin në mënyrë shkencore.) Marrin ngacmime,  bëjnë seks si ato të shekullit të kaluar, kënaqen për vete, kënaqin edhe partnerin por... 

- Ore, po ky paska luajtur sot, - ndërhyri Nasi, por edhe kureshtja iu shtua për atë se ku do të dilja unë me ato që po broçullisja.

- Lëre, Nasi! Pa, hë, na e shpjego! – Arturi vazhdonte të ishte në humor.

Unë porosita nga një birrë për shokët, një teke tjetër për vete dhe vazhdova me buzën në gaz:

- ... por, po t’u ketë rënë në sy, po të keni pasur ndonjë rast tuajin apo të ndonjë të afërmi do të kishit vërejtur se asnjë nga këto vajza, vajzat e shekullit XXI, nuk realizon një lindje normale pas martese. Tetëdhjetë përqind e tyre lindin me operim. Unë, të dashur miq, nuk kam se si ta kuptoj ndryshe veç me mungesën e organit riprodhues (ia ndërrova emrin këtë herë). Po qe se nuk do të ishin ushqyer me OMGJ dhe po të ishin normale, ato do të lindnin si nënat tona dhe jo me operim.

Prisja të qeshnin me arsyetimin tim, por ata ranë në mendime. Ndoshta secili e kishte provuar mbi kurriz këtë fenomen që kishte marrë përhapje në vendin tonë këto kohët e fundit. Kjo i bënte më të besueshme fjalët e mia.   



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora