Kulturë
Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (III)
E diele, 01.08.2010, 06:26 PM
Çerkin Ismaili
Ethe të trishta
(Roman)
* * *
Kur i tërë kryeqyteti ishte boshatisur dhe birucat iu ishin kthyer pronarëve legjitimë dhe treni humanitar kishte arritur i djersitur në Stankovec, në kryeqytet kishte mbetur e paprekur dhe e pakërcënuar vetëm Mëhalla e Xhehenemve , që kryeqytetasit e quajnë Xhehenemli Mahalla, në të cilën pas aksioneve humanitare, gjeneral Gexha me brigadën e vet hyrën, duke hasur në miqësinë dhe ngrohtësinë tradicionale të mëhallës . Për të shprehur mirëseardhje e respekt tradicional, si rëndom, të parët e mëhallës , Lugati, Akun Bishti e Harun Bixhozxhia ndërmorën inisiativë që luftëtarëve të lodhur nga lufta dhe gjeneral Gexhës t’u pritnin mizat përderisa flinin. Përveç miza, mushkonja dhe gala armiq tjerë, thoshte gjenerali, nuk kemi në Mëhallën e Xhehenemve! Shiun , vetëtimat e breshërin nuk mund t’i ndalnin. As baltën nuk mund ta humbnin, por në shenjë hirësie dhe respekti të devotshëm ndaj gjeneralit, e tërë Xhehenemli Mahalla ishte rekrutuar në luftë kundër mushkonjave e galave , të cilat si për inat me ngacmime bizare dhe krratje monotone bezdisnin gjeneralin dhe ushtrinë e tij, që bënte pallën e sefasë dhe sevdasë. Kënga çetnike, rakia, të shtënat në qiell, pjerdhët e britmat krijonin atmosferë tragjikomike absurdi me efekte fobiste, që tmerronte Mëhallën e Xhehenemve, e cila praninë e gjeneral Gexhës e çmonte si pesë minutat e artë .
Lufta me mushkonjat, edhe pse ishte e ashpër, mizore dhe fare bizare, ishte e pabarabartë. Gjeneral Gexha pati urdhëruar Mëhallën e Xhehenemit që mushkonjave të vrara t’u përcaktohej edhe gjinia, ngase në statistikat e gjeneralit ishin skicuar rubrika të veçanta edhe për gjininë e viktimave të luftës. Për herë të parë Xhehenemli Mëhalla si aleate e pushtuesve doli e turpëruar nga lufta . Humbja e luftës me mizat e mushkonjat sa nuk e çmendi, sidomos Akun Bishtin, ndërsa gjeneral Gexha dhe ushtarët e tij zgërdhiheshin me përpëlitjet e xhehenemëve që përpiqeshin të shfarosnin mushkonjat dhe sidomos, kur i qiqërronin sytë nën bishtat e tyre për ta përcaktuar saktësisht gjininë e secilës mushkonj të vrarë! Akunët e gjorë, ndodhte që një orë të vraponin pas një mushkonje, kurse mushkonja e trembur dhe e kërcënuar për vdekje, në saje të krahëve që i kishte falë Zoti, prapë ndodhte të shpëtonte pa rënë viktimë e Xhehenemli Mëhallës!
Mbrëmjeve , xhehenemët para gjeneralit numëronin një nga një mushkonjat dhe galat që kishin vrarë gjatë tërë ditës, ndërsa gjenerali duke u ngërveshur me qesendi thoshte se xhehenemët nuk ishin stërvitur sa duhet si luftëtarë për misionin përfundimtar të shfarosjes së mushkonjave ,dhe si të tillë, nuk mund të trajtohen si aleatë të fuqishëm të gjeneralit. Xhehenemët brenda ditës mund të vrisnin deri në dhjetë mijë mushkonja , kurse mushkonjat, si për inat të xhehenemëve, shtoheshin në milona apo edhe miliarda. Pasi që gjenerali e pa të dështuar luftën e xhehenemëve me mushkonjat, solli formalinë dhe brenda pak minutash të gjitha i vrau , duke i përfunduar vuajtjet mizore të Akunëve të kryqytetit! Atasheu ushtarak i gjeneralëve ndërkombëtarë të akrediuar në kryeqytet vrasjen e mushkonjave me formalinë e cilësoi si skandal ekologjik dhe krim ndaj botës së insekteve …!
Rahila , gruaja e Akun Bishtit dhe Harun Bixhozxhisë, që njihej si zonja e parë e Xhehenemli Mëhallës dhe pretendente për zonjën e parë të kryeqytetit, ishte aq finoke sa edhe djallin ta fuste në shishe e t’i vurte kapak ose ta lidhte me flokë si Rahila e mitologjisë antike, Samsonin, herë pas here, ashiqare, i shkelte syrin gjeneral Gexhës, të cilin e ndizte flakë. Ndoshta gjeneralin nuk e lejonte morali prej ushtaraku me grada të larta që në prani të ushtarëve t’i nënshtrohej shkeljes së syrit të një gruaje, e cila nuk ishte vështirë të shquhej si kurvë me përvojë. Reagimet e dobëta epshore të gjeneralit, Rahilën e shqetësonin dhe sa nuk e çmendnin. Gati kishte filluar ta urrente gjeneralin dhe ta tradhtonte me ndonjërin nga ushtarët e tij. Ishte hera e parë që shkelja e syrit të Rahilës nuk e nënshtronte një burrë. Rahila u ndie e fyer, e thyer, e përbuzur, e mundur…! Për herë të parë ndjeu se kishte filluar të plakej. Ndjeu se perfomimi i saj kurvëror nuk e joshte as edhe një gjeneral që kishte lënë gruan në shtrat të ngrohtë, kur ishte nisur në luftë, sigurisht, duke pritur ndonjë hamshor të azdisur! Si histerike që ishte, Rahila duke u dridhur u
-Djem të rinj janë zonja Rahilë! Këta të gjorë kanë lënë nuset e reja në atdhe për ta mbrojtur këtë tokë të shenjtë ose të mallkuar për të cilën viktimizohemi që nga Car Lazari e Shën Sava e deri më sot! Këta mjeranë meritojnë ta kenë, së pakut gjatë natës, nga një trup femre afër, zonja Rahilë! Nuk ka rëndësi të jenë të ndershme apo kurva ! E rëndësishme është t’u zbutet shpirti! Jam koshient se unë dhe ushtria ime bëjmë luftë kurvash, prandaj edhe vuajmë për dashuri kuvërore, që nuk bie ndesh moralit të doktrinës ushtarake me të cilën përpiqemi të çlirojmë këtë tokë ! Unë e di se njerëzit dhe toka e këtij vendi më urrejnë…! E di se hapi im i vjen i rëndë kësaj toke , por në emër të shenjtërisë së apostujve të mi do ta shkel pa i ndier dhembjet e saj! Pasi vërejti se Rahila nuk ia vari as doktrinës së tij ushtarake , as apostujve të tij, as filozofisë së dhembjeve të tokës, gjenerali si i turpëruar, por me naze, iu kthye temës që preferonte Rahila.
-Pastaj…!? Edhe shpirti im ka pak nevojë të zbutet, zonja Rahilë! Kështu si shpirt egërsire që jam, dreçi e di ku mund të ndalet krimi im! Vetëm kurvat dinë t’i zbusin plagët e shpirtit tim! Por, mos u gënje se nuk e di se je kurvë...! Ndoshta edhe spiune e shumëfisht mund të jesh?! Nga lufta të gjithë, përveç kurvave dhe spiunëve, dalin humbës! Të thash se kurvë është edhe gruaja ime e cila për çdo natë ndërron hamshorët e KGB-së, ndërsa unë luftoj dhe vras njerëz të pafat në emër të shenjtërimit apo djallëzisë që pjell me shekuj në kokat e njerëzve të shtetit tim! Edhe burrat tuaj e dinë se je kurvë, ama ata, ndryshe nga unë, krijon karrierë me kurvërinë tënde...! Të lutem mëshirohu ndaj ushtarëve të mi... Rahilë! Pastaj, mëshira jote le të zgjohet edhe për mua! Unë jam ushtarak i devotshëm që të mirën e të keqen e ndaj me ushtarë e mi...! Dhe ... nëse nuk u mëshirohesh ndaj ushtarëve të mi, t’u sjellësh kurva, do të urdhëroj që i tërë batalioni të të shkordhejë, pastaj unë i fundit të lëpihem në trupin tënd si qentë e këtij qyteti që lëpijnë eshtrat, që u hudhin ushtarët e mi...! - tha në fund me një ton sa kërcënues po aq edhe ultimativ gjeneral Gexha.
Rahila edhe një herë me gishtërinj i xigiloi gjeneralit lakun e këmbës pasi që gjenerali ndërpreu lutjen e tij ultimative , që vinte herë si urdhër , herë si kërcënim. Rahila qeshi me zë të lartë, duke u kënaqur me fjalinë e fundit të gjerneralit:
- Ha! Haaa! Haaaaaaa!...Mos u merakos bukuroshi im trimosh! Ti akoma nuk e di kush është Rahila! Unë nuk jam grua e një burri! Grua me dy kurora jam! Ih...! Ti nuk më njeh mua as „artin“ e karrierës sime...! Uh! Sa shpirtërat i kam zbutur në karrierën time...!? Mua , më thonë se i kam përngjarë gjyshes time , Dalilës, ndjesë pastë, e cila gjithë brigadën e gjeneral Jankoviqit me vithet e veta e ka ndenjur për tokë në grykën e Lepencit...! Mbesë e Dalilës jam! Kam vithe, gjinj, bythë ... jo vetëm për brigadën tënde dhe për ty, por edhe për tërë ushtrinë e shtetit tënd! Ti nuk e di cilat janë konditat etike për të qenë nuse e Mëhallës së Xhehenemve, e sidomos, nuse e Harun Bixhozxhisë dhe Akun Bisht Kanit! Unë konsideroj se kurva është e denjë për respekt vetëm një herë në jetë, kur burri i saj tradhton atdheun , kurse gruaja i ndëshkon tradhtinë me kurvëri. Tradhëtia e burrit duhet të ndëshkohet me kurvërinë e gruas, është maksimë e filozofisë së Akunve, të cilën jo vetëm e respektoj, por e shpie në vend praktikisht. Kështu, burrat e mi , Haruni dhe Akuni si tradhtarë të rryer të popullit , i kontribuojnë çështjes së kurvërisë time...!
Derisa Rahila filozofonte për kurvërinë dhe moralin, gjeneral Gexha as që i kishte vënë veshin dhe as që i kishin lënë mbresa filozofemat e saj , që i dukeshin absurde. „ Edhe kurvë edhe filozofe!? Kurrë nuk kam parë këso gruaje! Burrë me dy gra kam dëgjuar të ketë, por për gra të martuara me dy burra nuk kam dëgjuar kurrë!“- mendoi gjenerali, duke matur me sy çdo vijë të trupit të Rahilës tek dridhej e përdridhej si haremkë në pallatin e sulltanit. Fjalët me afsh dashurie , lëvizjet ritmike, shkeljet lazdrane të syrit dhe xigilimet e lakut të këmbëve , i ndezën gjakrat zjarrë, ndërsa gjeneral Gexha për të mos rezultuar si i dështuar, para se t’i hidhet në përqafim Rahilës, nxori nga kutia një tabletë “Viagra” dhe e gëlltiti. Kundërmimi i djerësve të gjeneralit , që kishte muaj të tërë pa u larë, neveritën Rahilën, që përpiqej t’i shqitej nga kthetrat, ngase jargët nuk mund t’i duronte , duke u orvatur që tërë skenën ta minimizonte në një episod mahie, por aroma e parfumit dhe mishrave të lakuriqësuar dhe tableta e gëlltitur joshën gjeneralin si era e gjakut bishën dhe sa nuk e afiksuan, pasi që i shqeu këmishën...! Ndërkaq, para derës, ushtarët e gjeneral Gexhës të rreshtuar prisnin urdhërin e gjeneralit ta zbatonin me përpikmëri, derisa gjenerali nuk mund të dilte dot nga shtrëngimet e kurvës më me përvojë të kryeqytetit të okupuar!
* * *
Kohën kur kishin ardhur Akunët, kryeqyteti nuk e di saktësisht.As vetë Akunët nuk e dinë kur kanë ardhur, edhe pse përkitazi me kohën e ardhjes së tyre Akunët spekulojnë në mënyra të ndryshme. Nuk dinë, saktësisht, nga kanë ardhur, por historinë e tyre e lidhin me afrinë gjenetike të fiseve të mongolëve , që sipas Akunëve të kryeqytetit, kishin lidhje me mbretërinë e qenë apo të pa qenë të një farë Akun Kanit të Mangjurisë, e cila qenka zhdukur pas një lëngate që kishin sjellë në mbretërinë e tyre fantazmat e shpirtërave , trupat e të cilëve kishin mbetur pa u varrosur pas një lufte të ashpër midis fiseve nomade që në kohën kur ishte ndërtuar Muri Kinez . Kujtimin krenar për dinastinë, Akunët e kryeqytetit e mbajnë duke përtrirë emrin e mbretit të tyre, Akunit të parë ! Nuk mbahet mend që ndonjë brez i Akunve mos ta ketë pasur një njeri me emrin Akun. Kështu, Akun pas Akuni, Akunët e kryqytetit kanë Akunin monstrum të quajtur Akun Bishti. Patronimin Bishti Akunët nuk e pranojnë të jetë i tyre, madje ky patronim nuk është më i vjetër se njëzet vjet. Kur flitet në kryqytet, në mungesë të Akunëve , kryeqytetasit e përmendin edhe patronimin Bishti, ama në prani të ndonjë Akuni, bishti nuk guxon të përmendet se kërset belaja . I vëllai i Akunit, Haruni, njihet si bixhozxhiu më i njohur i kryeqytetit, të cilin kryeqytetasit herë me ironi e herë me respekt e quajnë Harun Bixhozxhia . Derisa Haruni nuk ishte shfaqur si bixhozxhi, qyteti nuk ka ditur ç’është bixhozi e as si bëhet bixhozi. Qyteti nuk kishte lojra bixhozi, nuk kishte as shtëpi publike, nuk kishte bordele ,nuk kishte as kazino, nuk kishte as bastore, nuk kishte as lojra lotarie, nuk kishte as Telebingo, nuk kishte as Star Bingo ...! Ndërkaq, Harun Bixhozxhia krenohet se nga bixhozi primitiv në kryeqytet ka ndërtuar bixhoz modern me të cilin kënaqen tifozët e bixhozit të kryeqytetit sikur kryeqyteti të ishte Las Vegasi i kazinove . Lidhur me zejen e vjetër të bixhozit dhe zejen më të vjetër të njerëzimit, kurvërinë, Harun Bixhozxhia me pasion rrëfen një anekdotë që lidhet me humbjen e dinastisë së mbretërisë së Akunëve : „Një mbret i dinastisë së Akunëve e kishte pasë humbur jo vetëm thesarin, por edhe mbretërinë në bixhoz e kurvëri dhe në shenjë dëshpërimi të madh e kishte mallkuar pushtetin dhe dinastinë e vet . Pas humbjes së pushtetit, skllevërit e oborrit mbretëror ishin rebeluar dhe kishin vrarë mbretin bixhozxhi, kurse familja mbretërore e lemeritur ishte arratisur nga oborri mbretëror, duke ikur kah sytë këmbët..
Akunët që ishin arratisur në drejtim të Karpateve ishin në numër më të madh, dhe në fillim , iu kishin rezistuar fiseve cincare të mbretit Cinc, por pasi që ishin mundur nga mbretëria e cincarëve ishin shndërruar në skllevër të tyre. Cincarët ishin të njohur si arixhinj, të cilët me tupan shetisnin deri te Deti Egje duke argëtuar fise të ndryshme me kërcimin e arinjve. Arigjinj më të njohur se cincarët, atëbotë nuk ekzistonin. Arigjinjve , me lejen e mbretit Cinc, iu kishin bashkangjitur edhe pasardhësit e mbretërisë së Akunëve të arratisur, që në simbiozë me arigjinjtë e Karpateve kishin arritur në Siujdhesën e Ballkanit.
Me të arritur në Siujdhesën Ballkanike, Cincarët dhe Akunët, fillimisht, ndërtuan disa kasolle buzë lumenjve në lugina të gjera , pastaj sollën edhe cincarë tjerë me arinj dhe tupana . Më vonë filluan lufërat me vendësit. Vendësit i përzurën në veri dhe atje formuan dinastinë e re të cincarëve dhe si toteme mbajnë në stemën e tyre ariun , tupanin dhe rrotën. Akunëve u pëlqeu klima malore dhe toka pjellore, edhepse nuk kuptonin gjë nga punimi i tokës. Pasi që ishin në numër më të vogël, iu përshtatën rregullave jetësore të vendasve, por edhe pse mësuan gjuhën dhe adetet e vendasve kurrë nuk u asimiluan. Në fillim ishin skllevër të bindur, por më vonë u bënë aleatë të të gjithë armiqve që mësynin të pushtonin tokat e tyre. Si aleat i pushtuesve osmanë , një akun kishte arritur të bëhet edhe sadriazem. Një tjetër subash. Lidhjet me dinastinë e cincarëve kurrë nuk i kishin harruar, por i kishin vazhduar me miqësi të reja brez pas brezi. Madje , të parët e Akunëve të kryeqytetit iu kishin bërë aleatë Vuk Brankoviqit për ta ndaluar Skënderbeun dhe ushtrinë e tij për të mos i dalur në ndihmë Janosh Huniadit. Pasi që mbreti Huniad kishte pësuar nga ushtria turke, si pasojë e mungesës së ndihmës së Kastriotit, Skënderbeu i zemruar kishte masakruar shumë Cincarë dhe kishte paraparë t’i shfaroste me fis e me farë Akunët tradhtarë!”
Akunët mburren se janë jo vetëm banorët, por edhe themeluesit e kryeqytetit. Që kur paskëshin ardhur, qyteti nuk ishte as fshat e lëre më qytet. ” Të parët tanë, rrëfen Harun Bixhozxhia, fillimisht kishin prerë ferrat, pastaj lisat e gjatë dhe kishin vrarë bishat që i sulmonin gjatë netëve . Luftërat me ujqërit e Ulpianës ishin të ashpëra , të cilat si fitore i kremtojnë akoma Akunët e sotëm të kryeqytetit, duke ruajtur ritin e luftës me bisha si skllevërit e Spartakut. Sipas stilit dhe shijes së Cincarëve kishin ngrehur kasollat e para mbi hunj. Por, jeta e të parëve tanë ishte e vështirë,sepse bishat nuk ishin shfarosur, por kishin ngrehur strofuj të rinj fare afër kasolleve të Akunëve ...!
Me të parë vendasit ngrehinat e kasolleve të reja afër Akunëve, kishin ngrehur edhe ata kasolle dhe ngadalë- ngadalë u themeluan lagjet e kryeqytetit...!”- rrëfente Harun Bixhozxhia me pasion dhe krenari për historinë e Akunëve.
Sipas Harun Bixhozxhisë, vendi ku Akunët kishin ngrehur kasollet ishte tokë me baltë të verdhë, që nuk shqitej dot nga këmbët, ndërsa uji i burimeve ishte i thartë! Një lëngatë që Cincarët dhe Akunët e quanin ”Prisht” kishte goditur të gjitha mëhallët që të bashkuara pretendonin të bëheshin qytet , kurse qyteti kryeqytet . Lëngata gati i kishte nxjerrë farësh të gjithë njerëzit e kryeqytetit.
Kur Mevla Çelebia e kishte vizituar vendbanimin e ri ishin formuar disa nga lagjet e sotme të kryeqytetit. Atëherë, qyteti që i përngjante tëbaneve të barinjve kishte edhe dy mbathtore kuajsh, një dyqan farkatarësh, madje edhe një han, në të cilin Mevla Çelebia dhe
Akunët në bashkëjetesë me Cincarët , sa nuk e kishin harruar gjuhën e vet , kurse gjuhën e vet e kishin përzier me gjuhën cince. Edhe krushqitë i bënin me Cincarë, por martesat kryesisht i bënin brenda hordës. Incestin familjar, para se të vinin Akunët, vendasit nuk e kishin njohur, por Akunët e përhapën në të gjitha mëhallët e qytetit. Në çdo katër vjet e zgjedhnin të parin e hordës, i cili saktësonte se cili djalë i hordës me cilën vajzë të hordës do të martohej. Çdo i dyti fëmijë i Akunëve lindej ose me të meta fizike ose me të meta mentale. Fëmijë me gunga në shpinë si të deveve të Saharasë, me brirë si bizonit, me sy si të çiklopit Polifem lindeshin në Mëhallën e Xhehenemit! Kasollet e tyre gumëzhinin si zgjua bletësh nga fëmijë të gjymtë, shurdhërmemecë, të verbër e të çmendur. Lëngata pas lëngatash i kishin ndjekur Akunët deri sa nuk kishin ndërprerë incestin familjar. Gratë e vajzat nuk i pengonin të bënin kurvëri, madje edhe sot mburrren kur ndonjë gruaje apo vajze të tyre i
Në kohën e qeverisë së Nikolla Pashiqit, i pari i hordës së Akunve , me dekret ishte emruar kmet i qytetit, domethënë si njeri i cili qëndronte në krye të elitës politike të qytetit që e qeveriste. Por, ditët e lumturisë së qeverisjes së Akunve nuk kishin zgjatur shumë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hitleri i kërkoi me pishë e me qiri t’i dërgonte në parajsën e Ausvicit apo të Mathauzenit, por Akunët kishin humbur pa gjurmë si shurra e pulës dhe u kthyen në qytet tek pas mbarimit të luftës. Si të përndjekur nga Hitleri, sapo lufta pati mbaruar, regjimi i kohës së administrimit ushtarak shumë nga Akunët i pati radhitur agjentë në shërbimin e intelegjencës së OZNA-së. Akunët me mish e shpirt e kryen misionin e tyre gjatë periudhës së administrimit ushtarak, sidomos në aksionet e OZNA-s për pastrimin e terrenit nga bandat balliste ! Gjatë intervenimeve ushtarake të OZNA-s patën pësuar shumë Akunë, ndërsa pas vdekjes së tyre, UDB-a si dëmshpërblim për sakrificën e etërve tinzarë, i pati pranuar të bijt e tyre në radhët e veta si agjentë me traditë dhe përvoja solide, tanimë të dëshmuara në vepra .
* * *
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në kryeqytet qenë përhapur thashëthëna se ishin shfaqur shpirtëra në trajtë fantazmash që rrahnin, vrisnin dhe çdo ditë keqtrajtonin qytetarët, por askush nuk guxonte të fliste hapur se regjimi i Titos kishte ndaluar me ligj bestytnitë. Kështu tregimet për shpirtërat fantazmët u harruan shpejt në kryeqytet. Pas shumë vjetësh tregimet për vampirët , së pari ishin dëgjuar në Mëhallën e Xhehenemve, kur i kishin rrahur deri në vdekje Akunin e Harunin dhe ishin kërcënuar se nëse nuk i ndërprejnë punët e spiunit do t’i vrisnin! Lajmi në trajtë kërcënimi kishte shkuar deri në instancat më të larta të qeverisë së kryeqytetit, e cila në fillim nuk i mori serioze rrëfimet e të keqtrajtuarve , duke i kuptuar si trillime të luftës speciale, me qëllim të fusnin panik në kryeqytet, por kur lajmi mori dheun se edhe Akuni e Haruni, që ishin të afërtë me qeverinë, kishin pësuar , qeveria e hakërruar u detyrua të gjente personin përkatës që mund ta shpëtonte qytetin nga katrahura e vampirëve , por pasi nuk mundi ta gjente lugatin përkatës në kryeqytet, u detyrua të shpallë konkurs urgjent, madje jo vetëm intern, por me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Lugati duhet të kishte mision special, i cili profesionalisht do të merrej me zbulimin dhe likuidimin e shpirtërave fanatazmë, që kryqyteti i quante vampirë që tanimë ishin shfaqur edhe në ambientet e qeverisë! Megjithatë, fjalën vampir nuk guxonte njeri ta përmendte në publik. Për vampirët mund të flitej vetëm në konspiracion. Nëpër zyra, kabinete, salla , toalete , hole e bodrume të pallatit të qevrisë dëgjoheshin rrapullima e hapa që trandnin personelin zyrtar, por nuk shihej gjë të lëvizte. Edhe fotografitë e Titos të varura nëpër mure të zyrave dridheshin dhe shpesh binin përtokë në një mijë cifla, por nuk dukej njeri, as hije as gjurmë njeriu! Nëpunësit të lemeritur ndërprisnin punën dhe ia mbathnin nga puna , por askush nuk guxonte ta bënte publike punën e vampirëve të përfolur që kishin hyrë në ambientet e qeverisë. Dridhja dhe rrëzimi i fotografive të varura të Titos në mure, pa i prekur njeri, futi panik në zemrat e nëpunësave të gjorë. Për ta zgjuar mëshirën e shpirtit të Titos, qeveria dhe partia urdhëruan që shpirtin e tij ta shenjtëronin. Popat e hoxhollarët betoheshin në Krisht, Allah e Muhamed se shpirti i Titos është i shenjtë dhe se nuk ia vlen që njeriu të frikësohet as nga fografia as nga shpirti i tij! Të parit të partisë i pati rënë ndërmend se për ta zgjuar mëshirën e shpirtit të Titos , i gjithë kryeqyteti duhet ta mësojë përmendësh betimin ndaj respektit dhe shenjtërimit të shpirtit tij! “Shoku Tito ne të betohemi...!” ishte avazi i këngës rituale të kryeqytetit që përzihej me ezanin e hoxhollarëve në minaretë e xhamive dhe kumbonaret në pirgjet e kishave! Njerëzit e lodhur me avazin e ritualit të betimit për Titon u mërzitën shpejt dhe tinëz e shanin Titon me gjithë shpirtin e tij , partinë e qeverinë! Megjithatë, fjala shkoi deri në veshët e të parit të qeverisë, që ishte edhe i pari i partisë, i cili si njeri i ditur që ishte , atypëraty konstatoi se qeveria dhe partia, si të ndotura që ishin, urgjentisht duheshin dezinfektuar dhe deratizuar nga minjtë, merimangat e milingonat. Erdhën ekipet e specializuara , të cilat me helm vranë minjtë, merimangat e milingonat, por megjithatë rrapullima e hapave misteriozë nuk ndalej dot, madje përveç rrapullimës dhe dridhjeve të dyshemeve nëpër skuta filluan të dukeshin dhe sa hap e mbyll syt të zhdukeshin silueta njerëzish, që u futnin tmerrin nëpunësave. Hije njerëzish u shfaqën edhe në kabinetin e të parit të partisë dhe në kabinetin e të parit të qeverisë , kurse afera e përfoljes së hijeve të vampirëve në qeveri u shpërnda në tërë kryeqytetin! Qeveria nën masa të rrepta sigurie mbajti seancë të jashtëzakonshme dhe miratoi vendimin që me urgjencë të gjendet lugati përkatës që do t’i luftonte vampirët dhe hijet e tyre , për të cilët, tanimë, flitej ashiqare, sa nuk e kishin çmendur tërë aparatin shtetëror.
Pas një javë pritjeje stafi përkatës profesinal shqyrtoi dokumentacionin e prezantuar dhe thirri në audiencë personin që përmbushte më së miri kushtet e konkursit dhe të nesërmen stafi i qeverisë i ngarkuar për përzgjedhjen e lugatit pranoi në audiencë pretendentin për të mësuar për imtësitë e elaborimit të projektit të tij për ndalimin e vdekjes me sy të hapur, mënjanimin e rrapullimës në pallatet e qeverisë dhe partisë dhe sidomos luftimin e siluetave që dukeshin e zhdukeshin . Pasi pinë nga një kafe në ambientet luksoze të qeverisë, kryetari i bordit drejtues , së pari hapi debatin për të dhënat biografike të pretendentit për lugat, pastaj pasuan edhe pyetjet konkrete të anëtarëve të stafit për mënyrën si do t’i shërojë ethet , senilitetin dhe rrokatjn e qeverisë dhe kryeqytetit.
-Quhem Dragan. Këtë emër ma ka ngjitur murgeshë Svetllana e Manastirit të Deviçit, por emri im real është Zunoji i Ri. Nëna ime reale , Trashja , më ka pagëzuar kështu, ndoshta për t’u shpëtuar përgojimeve të Lisgurit, pasi që e kishte përdhunuar nga babai im, çetnik Rasha, të cilin në shenj hakmarrjeje për dhunimin e nënës time reale e pati vrarë , burri legjitim i nënës time, Zunoj Zena , ballist në mal, diverzant që vinte nga shteti shqiptar dhe, në fund, azilant në Nju Jork. Nënë Trashja u mundua gjithnjë të më vriste. U mundua të më vriste derisa më mbante në bark. U mundua të më vriste pasi më lindi. U mundua të më vriste edhe burri legjitim i nënës time reale , por nuk mundi. Diçka magjike më ka mbrojtur nga nëna ime dhe burri i kurorës së nënës time. Instikti i hakmarrjes kundër çetnik Rashës, që dhunoi nënë Trashen dhe , për pasojë mbeti shtatzënë, si krimb e brente në zemër. Pasi nuk mundi të më vriste, nënë Trashja më mallkoi dhe më quajti lugat. Mallkimi i nënë Trashes më ndjek tërë jetën. Kuptoni, shoku kryetar, gur e dru shkrinin lotët e saj që me dhunë më kishte sjellë në këtë të mallkuar jete... jetë lugati më! Ju ndoshta nuk besoni, por unë ndiej çaste të tmerrshme shpirtërore kur kryej punën e lugatit, ama, nuk mund ta lë zanatin e mallkuar. Sa herë kam vdekur e si lugat jam ringjallur , kush nuk e di përveç meje. Sa keq, bord i nderuar, që nuk mundi të më vriste nënë Trashja! Sa njerëz do të shpëtonin pa përjetuar vuajtje nga dajaku im, nga krimi im! Por, kështu e do shteti dhe pushteti, ndërsa unë jam betuar se nuk do të veproj kundër shtetit e pushtetit.
Stafi i konkursit nuk kuptoi gjë nga shënimet biografike të pretendentit për lugat dhe nuk dinte a ishin mesele apo fliste të vërtetën. Paqartësia dhe absurdi ishin filozofia e Lugatit për të krijuar mjegull!
-Dragan, ku je lindur?- pyeti kryetari i komisionit?
-Në Lisgur?- u përgjegj pretendenti
-Ku gjendet ky Lisguri?
-Isha dy vjeç kur pop Jorda më shpuri në manastir , ndaj nuk di ku ndodhet . Ju thash se në manastir jam rritur me kërcënimet e popave të Deviçit që më quanin xhidi arnaut. Kam lexuar diku se fëmijëve që rriten me kërcënime për çdo ditë u vdesin qelizat e trurit deri sa truri t’u zvogëohet sa i peshkut ose i karkalecit. Më patën shpallur edhe të vdekur në zjarrin që i pati vënë manastirit murg Svetisllavi. Dritë me sy më kurrë nuk kam parë derisa më dërguan në Zemun, në institutin special për tredhje. Ndoshta mallkimi i nënë Trashës më ndjek tërë jetën! Më mallkonte e shkreta , jo si frut të barkut të vet, por sikur të isha i biri i gjarpërit! Kur bëja ndonjë sherr më mallkonte: ” O, të qoftë Zoti në Zemun tek bren miza hekur!” Atëbotë, nuk e dija as ç’është Zemuni as ku ndodhet, as ç’dreç zihet në të. Nuk e dija a është lodër apo përbindsh, por e kuptoja se ishte diçka i keq, sepse nëna hakërrohej, flokët i ngreheshin përpjetë, rrudhat i bënin rrëke në ballë kur përmendte Zemunin dhe pastaj zhgrehej në vaj. Një det lotësh e ka derdhur nëna ime e penduar që më ka lindur. Mallkim pas mallkimi lëshonte mbi kokën time dhe mallkimet , sigurisht, që kanë shkuar në vesh të Zotit dhe përfundova në Zemun, ku mësova zanatin e tredhjes së njeriut!?...
-Çfarë statusi familjar ke shoku Lugat?- pyeti kryetari i komisionit
-I pamartuar!- u përgjegj Lugati
- A ke qenë ndonjëherë i martuar?
-Nëntë gra i kam pasur, shoku kryetar.
-I ke tani?
-Të nëntat më kanë ikur, shoku kryetar- u përgjigj i ndruajtur Lugati.
-Ndoshta të kanë vdekur?!- dyshoi kryetari i komisionit.
-Jo, shoku kryetar, asnjëra nuk më ka vdekur. Të gjitha më kanë ikur. Nuk mund të jetonin me një kluon gjysmë njeri e gjysmë lugat! Prandaj , pa më thënë as lamtumirë, njëra pas tjetrës iknin.
-Fat i hidhur!- tha njëri nga anëtrarët e komisionit.
-A ke fëmijë?- pyeti kryetari i komisionit
-Më kanë thënë se hudumët nuk lindin fëmijë. Në të gjitha kishat e njohura kam kërkuar ilaq, por për mua nuk u gjend dot i mallkuari! Edhe në katedralën e Shën Pjetrit në Vatikan kam kërkuar ilaq! Edhe në Patriakanën e Stambollit edhe në Nazaret..., por ilaq për mua nuk u gjend, zoti kryetar! Të gjithë thonë se sojin tim e ka dënuar Zoti të zhduket.
-Tretmani juaj i tashëm seksual?!- pyeti anëtari i tretë i komisionit.
-Lezbik!- u përgjegj shkurt Lugati
-Nuk kuptoj ç’është lezbiku!-pyeti kryetari i komisionit.
-Paj, unë si hudum që jam, nuk jam i zoti për gra, ndërsa kur flej me gra, grave ua lëpijë gjinjtë bythën, kërthizën, ...! Ky është maniri i lezbikut.
-A të vjen ndot?
-Në fillim më vinte ndot, por me kohë jam mësuar.
-A gjen mjaft kurva lezbike?- pyeti nga kurreshtja përsëri anëtari i tretë i komisionit.
-Sa të dua , shoku kryetar! Shteti ynë , ju sigurisht që e dini, se është shtet kurvash dhe lugetërish, ku edhe burrat janë kurva e lëre më gratë!
-Më shumë kënaqesh në cilësinë e lezbikut apo të kastruesit t? pyeti nga kërshëria nënkryetari i komisionit.
-Më shumë më zgjon emocione lëpirja se tredhja e njerëzve, ama, shoku kryetar puna e tredhjes është profesion imi! Sa njerëz i kam tredhur në Bosnjë ...Sanxhak... në burgun e Nishit, Gradishkë, Goli Otok...?!
-Cilit nacionalitet i takonin të tredhurit?- pyeti kryetari komisionit.
-Armiqët e shtetit nuk kanë komb, shoku kryetar, por kur i tredhja në burgje të gjithë ishin njerëz që thonin se kur të vdesin do të vdesin me sy hapur për lirinë! Do të thotë se ishin armiq të përbetuar, ndërsa , për lirinë me sy hapur vdesin vetëm arnautët! Nuk ka komb tjetër në botë që është pa liri, shoku kryetar dhe që njerëzit vdesin me sy hapur!
- E mbarove institutin?- pasoi pyetja e kryetarit të komisionit.
-Dëshmon diploma! Me sukses të shkëlqyeshëm! –u përgjigj pretendenti për lugat të kryeqytetit.
-Cila është përvoja në punë dhe rezultatet e punës së gjertanishme?- pyeti kryetari i komisionit.
-Ju lutem shikoni referencat e shërbimit të intelegjencës së shtetit, por ju preferoj se duhet t’i mbani si material dhe dëshmi ”top sekret!”
Kryetari i komisionit i lexoi në heshtje vlerësimet e shërbimit të intelegjencës së shtetit dhe me lëvizje koke dhe gjestikulime aprovoi se rezultatet e punës së pretendentit ishin brilante, sidomos, në artin e tredhjes së njerëzve, që ka kryer pa dhembje të mëdha! Kryetari i komisionit i kënaqur me intervistën e kandidatit i propozoi komisionit ta zgjedhte Lugatin si person përkatës për ndjekjen dhe likuidimin e njerëzve që aspirojnë të vdesin me sy hapur dhe që mund të shfaqen si silueta në pallatin e partisë dhe shtetit!
Asnjëri nga anëtarët e komisionit për përzgjedhjen e Lugatit që do të parandalonte në kryeqytet vdekjen me sy të hapur dhe likuidimin e vampirëve nuk pati as pyetje as vërejtje, ndaj kandidatin e pranuan, duke i dhënë autorizime të pakufishme, jo vetëm për tredhje të kryeqytetit, por edhe për likuidimin e shpirtërave që kanë vdekur me sy të hapur këtu e njëqind vjet më parë, të bindur thellë se kryeqyteti dhe qeveria do të shërohen nga lëngatat e pareshtura të etheve dhe senilitetit , që vinte si pasojë e syve të hapur të të vdekurve. Komisioni aprovoi edhe kërkesën e Lugatit që t’i lejohet lezbizmi nëse mund të gjendet ndonjë kurvë në qytet duke i premtuar se po nuk gjeti vetë kurvën adekuate lezbike, qeveria do të shpallë konkurs, në bazë të ligjit të veçantë, për përzgjedhjen e kurvave , që qeveria kishte miratuar në bazë të preambulës së kushtetutës?!
Në kryeqytet, lëngata e etheve vazhdoi të manifestohej me zjarmi dhe të bënte kërdi. Doktorët thonin se ishin të pafuqishëm në luftë me lëngatën, prandaj në qeverinë e kryeqytetit qe alarmuar si mase urgjente sjellja e Lugatit për ta shpëtuar kryeqytetin nga lëngatat që sillnin nga ajo botë shpirtat e njerëzve që vdisnin me sy hapur që shndërroheshin në vampirë. Lëngatë pas lëngate godiste kryeqytetin e mjerë!
Kryelugati dhe lugetërit më të vegjël mbaheshin në konfidencë dhe jo vetëm që nuk do të guxonte t’i shohë njeri, por nuk guxonte njeri të mendojë se në qytet kishte arritur Lugati aq i kërkuar! Lidhur me vdekjet misterioze të njerëzve me sy hapur, shpirtërat e të cilëve konvertoheshin në fantazma nuk ishin pajtuar as priftërinjtë e Vatikanit, as murgjit e Patriarkanës së Stambollit e as myderrizët e Mekës dhe Medinës! Të gjithë thonin se lugetërit dhe lëngatat e etheve për të cilat çohej pluhur në kryeqytet ishin pjellë e bestytnive, ndërsa qeverinë e patën quajtur qeveri budallenjsh supersticiozë!
Specialistët e mjekësisë nga Instituti i Neuropsikatrisë u përpoqën me hipoteza e teza shkencore të shpjegonin shkencërisht fenomenin e mbetjes së syve hapur pas vdekjes së njeriut, por në kryeqytet nuk piu ujë, madje u hodhën poshtë si spekulime, ngase argumentet shkencore të doktorëve për qeverinë supersticioze ishin tejet të varfëra dhe si të tilla të pabindshme edhe për kryeqytetin. Doktorët pas shumë ekzaminimeve hospitalore të anëtarëve të qeverisë, duke egzaminuar kujtesën e të sëmurëve , sëmurjen e diagnostifikuan si sindrom harrimi si Sindromi i Alzheimer-it. Zyrat dhe kabinetet e qeverisë qenë mbushur si zgjua bletësh me psikologë, neurologë , falltorë e fallxhesha.
Psikologët duke studjuar kujtesën e qeveritarëve, përmes metodës së të vërejturat, kishin parë se të prekurit nga sëmundja e diagnostifikuar e humbnin memorien për çdo ditë e më shumë. Qeveritarët kishin probleme të mëdha gjuhësore . Nuk kishte qeveritar , madje as kryetari i qeverisë dhe partisë, që mund ta shqiptonte ose ta shkruante drejt fjalën Kushtetutë. Psikologët dhe defektologët u përpoqën, që bile kryetarit, t’ia mësonin këtë fjalë , por ishte e kotë. Një nga një i shqiptonin tingujt, por kryetari as nuk mund t’i lidhte tingujt as shkronjat në fjalë dhe prapë e shqiptonte Koshtitutë. Ngatërresën e tingujve dhe shkronjave i quante zablludë, ndërsa qeverinë Vlladë, qeverisjen Vlladavinë e tj.
Psikologu i kabinetit të kryetarit të qeverisë dhe partisë, doktor Zebek Zabuni që e kishiun sjellë në qeveri me mission të caktuar, që në ditën e parë të trajtimit mjekësor, kryetarit i pati dhënë detyrë ta mësonte alfabetin e gjuhës shqipe. Pastaj të mësonte cilat janë zanoret e cilat bashkëtingëlloret.
-Ja , kështu shoku kryetar do mësosh sot tridhjetë e gjashtë germat e alfabetit tonë. Pastaj do t’i mësosh shtatë zanoret dhe të mbeten njëzet e nëntë bashkëtingëlloret. Asistentja do të të ndihmojë!- tha doktor Zebeku Zabuni, një kokëtullac, të cilin kryeqyteti e mbante si doktorin më me renome në psikiatri!
-Ha, ha, ha!...- qeshi me zë të lartë Dudie hanmi, asistentja e kryetarit të qeverisë dhe partisë. Mos u bën edhe ti i marrë shoku doktor.Kryetari harron emrin e vet , kurse ti e ngarkon me gjithë këto detyra!
-Sindromi i Alzheimer kërkon të ekzaminohet nga fillimi , shoqja sekretrareshë.
-O, e ke të kotë, shoku doktor, që ky matuf që me të drejt e quan dërrasë, t’i mësojë tridhjetë e gjashtë germa!
-
-Eh, pra ç’është ajo Tabula rasa, shoku doktor .
- Letër e fshirë! Tru i fshirë! Do të thotë se kryetari është krejt i fshirë!- ngriti zërin doktor Zebeku.
- Ule zërin doktor! Këtu nuk je në spital me ato infermieret e gjora. Unë jam Dudia! Dudie hanmi më thonë! Nëse nuk e ke ditur, tash mbaje në mend! Këtu hahehet fasulja kokërr- kokërr, doktor tullaci. Unë vetëm e shtyp këtë buton dhe brenda tre sekondave ia behin këtu Akuni e Haruni ! As të flas nuk kam nevojë! Vetëm i luaj vetullat ose u shkel syrin dhe as gruaja jote nuk të njeh. Qeveri i thonë këtu doktor tullaci! Ani , po erdhën Ziban Ziu e Haram Harambashi, qysh janë mërzitur për zanatin qe pesëmbëdhjet vjet, që kur i diferencuan si rankoviçistë, besa nuk do ta njohësh në pasqyrë surratin tënd ! – u kërcënua sekretaresha , ndërsa vurte grim rreth syve dhe me pincetë shkulte qimet e vetullave.
Doktor Zebeku e pa veten të zënë ngusht si kurrë më parë. Parandjeu se një kob i zi i sillej , i mbështillej dhe i kurdisej, por nuk dinte si të dilte nga situata, në të cilën u ngatërrua. Kur iu kujtua se ajo ditë ishte e martë sa nuk u çmend. Të gjitha fatkeqësitë në jetë i kishin ndodhur në të martat. Pastaj , iu kujtua se e marta ishte edhe dita e trembëdhjetë e muajit, se ishte edhe java e trembëdhjetë e vitit, uli kokën, vuri gishtin në tamth dhe fare në mënyrë të shkujdesur, me laps grafik në letër të bardhë shgaraviste diç. Asnjë mendim , asnjë ide për shkarravitjen nuk e kishte . Dudie hanmi përpiqej t’i mësonte kryetarit alfabetin dhe herë pas herë pinte ndonjë hurp raki rrushi duke e përcjellur me ndonjë hurp kafeje. Kryetari, më në fund, arriti të radhisë germat e alfabetit deri në germën D.
Bravo shoku kryetar ! Bravo! Për sot mjafton! Dale të shohim nesër a ke mundur t’i mbash mend të gjitha! Pastaj shikoi doktor Zebekun tek shkarraviste me laps dhe i tha , pa të keq, se ishte suksesi më i madh në karrierën e saj, qëkur ishte sëmurë kryetari.
-Hë, si të duket shoku doktor?!-reagoi sekretaresha e entuziazmuar.
- Më duket se mjafton për sot! Sindromi Alzheimer nuk duron të ngarkohet shumë truri i të sëmurit. Rezultatet e ekzaminimit dhe reagimet e trurit të kryetarit sikur nuk flasin për Sindromin Alzheimer. As mosha e tij nuk nuk është adekuate që i sëmuri të vuajë nga ai mallkuar sindromi. Diagnozë e gabuar, shoqja sekretareshë. Gabova unë, gaboi defektologu, gaboi neuropsikiatri! Të gjithë gabuam! Ky njeri dhe kjo qeveri nuk janë për mjek! Shkenca e mjekësisë akoma nuk ka arritur ta studjojë trurin që nuk pranon sinjale nga shqisat. Ka elemente të skizofrenisë edhe kryetari edhe të gjitha ministritë e partia, por as skizofreni nuk është! Një dreç biçim sëmundje është, por ju e dini, zonja sekretareshë se aparatura e ekzaminimit na mungon, prandaj…?!
- Çka prandaj ?- pyeti asistente Dudia.
- Prandaj mungon edhe diagnostifikimi i plotë- tha doktori me një zë bindës për të përftuar nga rasti dhe kompetenca profesioniste.
- Pra, doktor si t’ia bëjmë me këtë matuf?- përsëri pyeti asistentja.
-Paj, nuk është kijamet se nuk i di germat. As Sinan Hasani nuk i dinte të gjitha germat e alfabetit shqip, por shkroi romane që u shpërblyen me çmimet më të larta. Është me rëndësi që kryetari t’i mbajë mend datat kur i konvokon mbledhjet, ditët e javës dhe muajt. Edhe të dijë të llogarisë është me rëndësi për kryetarin! Punët e rëndësishme i kryejnë partia dhe ministritë, shoqja asistente!- përmbylli bisedën doktor Zebeku.
-Numrat , ditët e javës, datat , muajt e vitet i kanë harruar fare, shoku doktor, ata mjeranët e ministrive! Është punë e kotë në qeveri të gjendet njeri që di të llogarisë. Dy dhe dy nuk dinë sa bëjnë këta derëzi.Tabelën e shumëzimit sikur mos ta kishin mësuar kurrë. I harrojnë udhët nëpër koridoret e pallatit.. Nisen për në kabinet , hyjnë në toalet, nisen në toalet , hyjnë në kabinet dhe aty pshurrnin. Shpesh ndodh edhe të dhiejnë në kolltuqet e tepihët komodë të kabinetit të partisë dhe qeverisë. Telashet më të mëdha me ta i kanë kamarierët e byfetit të qeverisë. Kërkojnë kafe dhe kur kamarieri u servir kafenë , thonë se kanë kërkuar raki rrushi. Kur u servirin rakinë e rrushit thonë se kanë porositur bozë, ndërsa kur u servirnin bozën harrojnë të kishin porositur diç. Gjatë bisedës janë plotësisht konfuz. Paqartësia është e vetmja filozofi e tyre politike. Madje, kur nuk i kupton njeri , mburren se kanë krijuar kurs të vetin politik, të cilin është vështirë ta kuptojnë të tjerët jashtë qeverisë. As në veshje nuk qëndrojnë më mirë, shoku doktor. Gravatën e lidhin rret qafës, ndërsa e varin në kurriz. Këpucën e djathtë e mbathin në të majtën , ndërsa të majtën e mbathin në këmbën e djathtë. Pastaj këtyre të gjorëve u shfaqën edhe halucinacione, probleme në urinim dhe jashtëqitje. Pshurrin në filxhana të kafesë e gotat me raki i mbushin me shurrë. Kur pinë shurrë të përzier me raki çuditërisht ndihen më mirë, prandaj kamarierët, si dilinxhi që janë, u preferojnë këtë lloj beter pije. Kur dhiejnë në pjata enëlarësit e byfetit sa nuk i nxjerrin zorrë e mushkëri duke vjellur, por nuk ua mban të reagojnë, sepse rendi shtëpiak ndalon rreptësisht përzierjen e kamarierëve në punët e kabinetit qeveritar!- fliste Dudie hanmi, derisa psikolog Zebeku mbaroi shkarravinën e tij , që i doli tamam si pikturat moderne që ekspozoheshin në Galerinë e Arteve të kryeqytetit. Vizatimi i doktorit ishte një portret anakronik, një figurë përbindshi me një sy, me qime e kthetra si të gorillës, me duar e kofshë si të asistentes Dudie.