E merkure, 05.02.2025, 09:40 PM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Raif Gashi

E enjte, 29.07.2010, 07:29 PM


Raif Gashi

(1961)

 

U lind më 20.03.1961 në fshatin Meshinë, Malësia e Gallapit, komuna e Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Tygjec, ndërsa shkollën e mesme në Dardanë. Studimet e filluara në Prishtinë iu ndërprenë në vitin 1981, për shkak të angazhimeve në rezistencën  kombëtare kundër okupimit serb. Me shkrime letrare filloi të merret qysh si nxënës i shkollës së mesme. Kryesisht shkruan poezi e herë pas herë edhe prozë. Disa herë është shpërblyer në konkursin letrar tradicional që e organizojnë komuna e Dardanës dhe klubi letrar “Nositi”, në kuadër të manifestimeve multikulturore  “Lulëkuqet e Prillit”.

Veprat letrare:

1. “Çiltërsia prej qelqi”, 2005,

2. “Mollë e egër”, 2008,

3. “Ecje nëpër etje”, 2010.

Jeton dhe vepron në Prishtinë.

 

 

KUSH...

 

Thepa të larta

ngreh në Evropën plakë

gjithmonë rrugë pa krye

kohët erdhën e shkuan

shtëpi me kalem s`ndërtuam

 

aty u mpreh shpata

për kokën e Sutës së vogël

aty u fik drita

e ti gjete të reja

në epokat trishtuese

 

 

AH GURI IM

 

Pështjellim i terratisur

Derdh ecje në etje

Kalorësi i lakmisë

Qeshet në udhëtimin e pafund

As emër

As shenjë

 

Shushullima e mpirë

Vargon gdhendjen e gurit tim

 

 

NUMRI I SHPRESËS

 

Një llambë neoni

mundohet të na ndriçojë

 

Pranë neonit telefoni

ku mund të thërras

numrin e lajmit numrin e shpresës

alo alo alo

numër i netëve të pakaluara

 

Këtu në këtë varr refugjatësh

e dhunuar

qan lumturia

 

 

THE SE IKE

 

Mesditë pa dritë

dhe si ike natë pa ne

 

The se ike

pa lindur dita

nata pa të parë

..................

The se do të kthehesh

ballëlartë

o ëndrra ime

baladë e gjatë

 

 

99 NËNAT

 

Në afërsinë kurbetçare

lumenjtë u tërbuan

orteku vinte nga kodra

...................

Hipa në kalë të bardhë

i menduar si në përralla

nesër çka do të vijë

... ...............

Dreqi doli në majë të kodrës

piu qumështin e mushkës së vogël

u vendos në prag të vatrës

 

 

MOLLË E EGËR

 

Çdo ditë

Pa dritë

Erë të vdekurish

Pluhur i njëjtë

Një përsëritje tokësore

 

Çdo natë

Terr i gjatë

Me nga një a dy të ngratë

I larë a i palarë

Po shkon

Vetëm me një lot

 

 

BRICAKU

 

Gur i bardhë bricak

Llavë vullkani të mbuloi

tërmetet t`i lëkundën themelet

e sot e shumë shekuj

balt nuk u bëre

 

Gur i bardhë bricak

zjarri të dogji në çdo dekadë

nuk u fike as sot

as sot e shumë mot

gjaku i derdhur

në bricak të kaliti

 

Gur i bardhë bricak

u fërkove

u tkurre

u thërmove

kurrë nuk u fundose

as sot

as shumë mot

baltë nuk u bëre

qëndro gur i bardhë

bricak

 

 

MAJA E PLISIT

 

Mbrëmje qielli kuqëloi

dielli perëndoi

nata afrohej

të gjithë do të  flinin

një lenë e lisit ra

në maje të plisit

 

Engjëjt bien të pushojnë

lojëra lozin vetëm djallëzitë

lindja e keqe po vjen

mushka do të pjellë

një lenë e lisit ra

në maje të plisit

 

Kur ka hënë

huti diç do të hajë

një lakuriq nate

me lëkurë të hollë

me sa më pak zorrë

një lenë e lisit ra

në maje të plisit

 

Baba plisbardhi

tashti luhet zjarri

vdekjet kurrë s`do t`i numërojnë

ilirikumi në zjarr

kurrë më lena e lisit

në maje të plisit

 

 

BARDHËZA IME

 

I gëzuar ta prita lindjen dritë

pa gëzim simbol trimërie

Bardhëz ike

të prita me ditë e shkoi një vit

ike pa kthim Bardhëza ime

unë babai yt ta pres rritën

edhe fustan të kam blerë

 

Pse

pse shkove

Bardhëza ime

sot një vit

365 ditë të zeza

 

E imja Bardhëz

je bërë e madhe

9 gusht 1992

shkrumb në jetë

sorkadhe

 

 

20 MARS

 

Po afrohet dita e madhe

një kasollë po bie

e flakë po digjet

hi në të u bëfsha

hiç s`e kam dert

 

atë ditë kur aroma

e lules së parë të vijë

e dimrit lamtumirë t`i themi

ikjen do ta kemi

edhe unë bashkë me ty 20 mars

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora