Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Historia, arkitektura dhe doket e ndërtimeve në Sulovë
E merkure, 21.07.2010, 08:58 PM
Banesë në kala
Historia, arkitektura dhe doket e ndërtimeve në Sulovë
Nga Pëllumb Gorica
Sulova, një zonë kodrinore e rrethit Elbasan është e banuar qysh në periudhat e hershme historike. Atë e vërtetojnë zbulimet, objektet arkeologjike, fortifikimet, dokumentet dhe toponimet e ndryshme. Është mëse e kuptueshme dhe e natyrshme, që një zonë, me një pozitë të tillë gjeografike, të mos mbetej jashtë vëmendjes së çdo bashkësie njerëzore. Gjatë antikitetit të vonë, në shekujt IV-VI, aty do të shfaqen karakteristika në ndërtimet me karakter fortifikues, (kala, kulla) rrugë, ura, por edhe në periudha të tjera të mëvonshme historike e sidomos në shekujt e parë pas pushtimit turk, ndërtimet fetare ishin të shumta.
Në këtë shkrim studimor do të flasim për banesat familjare në këtë zonë, të cilat nga një periudhë historike në tjetrën dhe nën ndikimin e faktorëve luftarakë, ekonomikë e shoqërorë kanë ndryshuar. Përmirësime ka edhe në materialet e përdorura, përmasat, shtrirja, orientime etj.
Banori i kësaj zone e deshi jetën dhe e lidhi edhe me banesën. E ndërtoi prej guri apo prej druri. E ndërtoi atje ku kishte gjetur tokë të përshtatshme, burim uji e mera për bagëtinë, por edhe për mbrojtje nga sulmet e pushtuesve, keqbërësve, apo edhe kafshëve grabitqare të egra. Dikur si fillesë të banimit mendohet të kenë shërbyer ndërtimet brenda kalave, kullave antike dhe pasi njerëzit janë siguruar në mundësitë e jetës në këto vende është kaluar në ndërtime, në terrene të hapura. Ka pasur banesa brenda rrethimeve të fortifikuara në kalanë e Qafës. “Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë një kompleks banesash (13 shtëpi banimi) brenda mureve rrethues të kalasë”. (Y Cerova, Iliria Nr 2, viti 1987, faqe 167). Ndërtimet aty kanë pasur shkaqe mbrojtëse, sepse jeta e pasigurt dhe njerëzit preferonin të banonin brenda mureve të fortifikuara megjithëse jo në kushte të përshtatshme. Në periudha të mëvonshme u ndërtuan jashtë këtyre fortifikimeve. Gojëdhënat tregojnë histori që lidhen me vendbanime të vjetra. Ndër më të njohurat janë ato që tregojnë për Klosin, një vendbanim i vjetër e me një shtrirje të gjerë në një pllajë poshtë kalasë antike të Qafës. Një gojëdhënë qarkullon: “Se shtëpitë ishin ngritur njëra mbi tjetrën, rrethuar me mure, përpjetë dhe tatëpjetë kodrës, me rrugë të ngushta dhe të pjerrëta”.
Zakonisht banesat u ndërtuan në vende të ngritura, zotëruese, me pamje dhe horizont të gjerë, në kodra dominuese, duke u dhënë edhe shpesh pozicione strategjike, në terrene të thyera mbi toka joprodhuese për të ruajtur tokën e bukës. Dihet nga historia se banesat ndërtoheshin në kodrat e larta me pyje të shumta.Toponimet me emra të vjetër në këtë zonë ruajnë dhe përcjellin karakteristikat e vendbanimeve të dikurshme, veçanërisht toponimet: Kloset, Vilza, Kisha, Goricë e Çalës, Bovisht, Skunaj, Guri i Bardhë, Lekri, Radësh, Zhavur, Mëhallë e Kuqe, etj. Banesa të vendosura në një parregullsi, në varësi të kushteve të terrenit, të grumbulluara, të rrethuara nga gjelbërimi i drurëve të ndryshëm frutorë e jo frutorë, mure e pengesa të tjera se jeta e pasigurt në periudha të caktuara e bënte edhe sulovarin të mbrohej më mirë. Tipar tjetër dallues, banesa larg njëra-tjetrës, pasojë kjo e mundësive që të ofronte terreni në kushte të kohës dhe karakterit të pronësisë, dykatëshe prej guri me mbulese me rrasa guri.
Mbizotëruese në periudhën e regjimit të Zogut ishin banesat njëkatëshe ndryshe përdhese prej gardhi lyer me baltë dhe të pashtruar, mbuluar me kashtë. Ky tip banesash ishte shprehje e varfërisë së popullsisë që mbizotëronte në Sulovë, sidomos në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Gjëndjen e këtyre banesave dokumentat e shtypi i kohës e nënvizonin. “Gjëndja ekonomiko-shoqërore dhe shëndetësore e kësaj prefekture nuk është e mirë, sidomos popullsia e krahinave Çermenikë, Dumre, Shpat, Mollas. Nuk kanë as shtëpi të mira, as jetesë të mirë dhe mungesa e komunikacionit, e arsimit i ka izoluar, i ka lënë mbprapa’’ (Letër drejtuar qeverisë në vitin 1925 nga Prefekti i Elbasanit Murat Pod Gorica).
Orientimi i banesave bëhej nga jug-perëndimi. Ky ishte dhe është rregull i përgjithshëm, por ka përjashtime në varësi të terrenit dhe përshtatjes së ekonomisë familjare. Ndërtimi i banesave të mira dëshmonte për forcën ekonomike të porositësve të tyre ku pasqyrohej edhe diferencimi klasor, por shumë nga ndërtimet kanë qenë njësoj.
Për ndërtimin e banesave vendimtare në çdo kohë kanë qenë ndikimet e mënyrës së jetesës dhe doket e popullit. Zakonisht ndërtoheshin në vende të kulluara, tokë me taban e që kishin fushëpamje, në toka jo prodhuese për të mos zënë tokën e bukës, me oborr, tërësisht apo pjesërisht nga kopshte me pemë jo e frutore nga më të ndryshme, të rrethuara me mure, por ka pasur edhe shtëpi të rrethuara pa mure veçanërisht në familje të varfra. Tokën për ndërtim e përcaktonin të moshuarit e fisit. Kushti i parë ishte të ruhej mos në atë vend ka pasur varre të vjetra, apo ka qenë vend i shenjtë. Por edhe troje që banorët e tyre ishin shuar nga fatkeqësi që u ishin ndodhur. Trualli për banesë duhet të ishte afër pronave, kërkesë me rëndësi ka qenë sigurimi i ujit të pijshëm se në mjaft raste largësia e burimeve diktonte transportin me krahë e kafshë ngarkese. Është e njohur në traditën popullore, që në zgjedhjen e trojeve për banim një faktor i rëndësishëm ka qenë mundësia e sigurimit të ujit të pijshëm.Sipas mënyrës popullore një truall konsiderohej i mbarë pasi nënshtrohej edhe disa provave më të përhapura sidomos ajo e vathëve të dhenve. Në truallin që mendohej për ndërtim tufa e bagëtive lihej tre net me radhë, nëse delet pushonin të qeta ai truall konsiderohej i mbarë dhe fillohej ndërtimi. Provë tjetër, me tre rrasa guri nëse ato mbusheshin me milingona konsiderohej përsëri i mbarë. Mbasi përcaktohej trualli fillonte grumbullimi i materialeve. Si materiale bazë janë përdorur guri dhe druri. Prania e gurit edhe sot është e dukshme që në krahinë nuk ka qenë asnjëherë problem. Bollëk gurësh nga rrënojat e vjetra por edhe të diktuara nga terreni, lartësitë shkëmbore, gurët e përrenjve. Përpara se të ndërtohej banesa apo diçka tjetër, guri duhej të gjendej sipas cilësisë së kërkesave të përdoruesit. Me gurë të gdhendur në mënyrë mjeshtërore përgatiteshin qoshet e pragjet, por edhe shkallët nga jashtë. Përdorej guri edhe për mullinjtë e blojës, për të larë rrobat e trasha, apo për të pirë ujë bagëtia, me gurë bëheshin edhe çezmat, ledhet e arave, vetulloret e ullinjve, penda mbrojtëse nga përrenjtë. Si material mbulimi përdorej rrasa e gurit, me rrasa guri shtrohej edhe para shtëpisë oborri, rruga, lëmenjtë e shirjes së të lashtave, kasollet e bagëtive, gardhecët e drithërave. Gati çdo gjë e ndërtuar apo e mbuluar më këtë material të fortë. Ndërtimi i gjithçkaje prej guri është një dëshmi i një pune të madhe e të mundimshme. Teknika e ndërtimit me baltë dhe gëlqerja e përzier me rërë lumi, ajo duke shërbyer si elementë lidhës dhe ka përbërë një traditë ndërtimi. Druri përdorej për trarët duke e mbushur çatinë me një katrahurë trerësh, çatmash, dërrasash të cilat janë përdorur shumë edhe për dyshemetë. Por edhe për dyer e dritaret. “Punimet e drurit dyer e dritareve qenë të punuara nga duart e ustait më të zotë e mjeshtrit Elmas Qosja nga Dragoti”, shkruan autori nga Gramshi Shyqyri Tafa në librin e tij “Në mes njerëzve të thjeshtë”, faqe 45. Në shumicën e familjeve tavanet mungonin, rrallë ka pasur suvatime, muret ndarës me kallama e thupra ose dërrasa. Hapësira në mes mbushej me gurë të bërë në copa të vogla. Në banesat e vjetra deri në periudhë e mbretërimit të mbretit Zogu nuk është përdorur suvaja në mure. Vetëm në vitet 30 të shekullit të kaluar u vu re prirja për të futur në përdorim suvatë e për të ndërtuar tavane e dritare të pajisura me xham, madje në ndërtimet e asaj kohe është vënë re në mënyre të natyrshme faktori klasor i pashkëputur nga faktorë të tjerë. Dhe shtëpi të tilla në atë kohë ishin një luks i rrallë, që jo çdo familje e pasur mund ti kishte. Tipi më i përhapur i banesave me dyer e dritare të ngushta, banesa me hajat, dykatëshe.
Themelet e banesave sipas besytnive hapeshin ditën e shtunë. Ndërtimi shoqërohej me ceremoni të shumta. Festohej kur nisnin punimet, por edhe kur hynte në shtëpinë e re. Zakoni i cili ishte aq i vjetër sa s`mbahej mend, kur hidheshin themelet therej një kurban, zakonisht therej dash. Në vitet moniste për mungese të dashit është therur edhe një këndes. Urohej “qoftë truall i mbarë”, “për hajër trualli i ri”,“ta gëzoni me fëmijë e të dashur” etj.
Për ndërtimin e banesave deri në vitet `50 të shekullit të kaluar, ustallarët më së shumti vinin nga krahina të tjera. Të moshuarit kanë çmuar punën shumë të mirë të ustallarëve nga Opari. Gojdhënat tregojnë se ata vinin në formë grupi, 5-6 vetë kryesisht në muajt e verës. Në të gjithë vendin, nuk ka mjeshtër më duarartë se ustallarët oparakë për punimin e gurit në ndërtim! Gurët i gdhëndnin me kujdes, i lidhën me llaç gëlqere të përzier me lesh dhie, mjeshtri që trashëgohej qysh prej ndërtimeve në periudhën e Arbërisë së herëshme.
Në formatin e një shkrimi të tillë është e pamundur të pasqyrsh të plotë historinë e ndërtimeve dhe arkitekturës së një zone, por me aq sa shkruajtëm shkurtimishi kemi thënë diçka.
Shteti i vjetër |