| E hene, 12.07.2010, 09:59 PM |
MIGJENI: MËSUES NË VRAKË TË SHKODRËS
(Rreth dy letrave të rralla të tij)
publicist e studiues-Tiranë
" Ah , Migjen, Migjen, ta puthsha penën !...
Migjen, ti je yll shkëlqim madh, që iu shua
qiellit tonë letrar ".
( Nga kujtimi i “Mësuesit të Popullit”
Sali Morina, kushtuar Migjenit )
1.
Më duken me interest të veçantë dhe dokumentet e rralla, që janë publikuar në “Zemra Shqiptare”, nga Agron Luka, më 11 tetor 2009 dhe që ruhen në “Dosjen Migjeni”, të Muzeut Historik të Shkodrës.
Ndërsa në këtë shkrim do të ndalem , shkurtimisht, për rrethanat, në të cilat ai e nisi detyrën e nderuar të mësuesit dhe do të tregojmë përmbajtjen e dy letrave të panjohura të Migjenit. Ato lidhen me periudhën, kur ai ishte mësues në fshatin Vrakë, të rrethit të Shkodrës.
Me qenëse kishte kushte mjaft të vështira ekonomike dhe, nga kjo, në pamundësi për të vazhduar shkollën e lartë,(gjë që Migjeni e dëshironte aq shumë), i bëri një lutje Ministrisë së Arsimit për ta filluar punën si mësues. Në vijim të saj, me shkresën e kësaj Ministrie, nr. l574, datë 8 maj l933, dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, ai propozohej mësues në fshatin Vrakë të Shkodrës, "mbasi i naltpërmenduni ka krye Normale të Ballkanit". Siç duket, organet eprore kishin parasysh edhe shqetësimet e shumta, që kishte atje dhe për të cilat kishin besim se mësuesi Millosh Nikolla do t'i zgjidhte, bazuar në aftësitë e tij.
Kërkesa e Migjenit për t'u marrë me punë në arsim, u miratua me vendim të KM, nr. 874, datë l3 maj l933. Pasi u paraqit në shkollën e Vrakës, Migjeni nisi këtë shkresë në organin e tij epror arsimor: " Kam nderin me i njoftue asaj P.T. Inspektori se sot u paraqit në krye të detyrës titullari i kësaj shkolle dhe filloi mësimet rregullisht. Zv. kryemësuesi, Millosh Nikolla". Ndërsa drejtoria e shkollës "Skenderbej" në Shkodër, nga varej shkolla e Vrakës, dërgoi një njoftim në organet eprore të arsimit , ku thoshte se M. Nikolla e nisi detyrën e mësuesit në Vrakë, më 27 maj l933.
Kështu, Migjeni shërbeu disa kohë si mësues i shkollës shtetërore të Vrakës, ku pesë ditë në javë ishte programuar gjuha serbo-kroate. Ndërkaq, ai jepte dhe gjuhën shqipe, me një zell dhe kujdes të admirueshëm. Por u përball me probleme serioze, pasi mësuesit e mëparshëm e kishin zhvilluar mësimin vetëm në gjuhë të huaj. Shqetësimet e tij u pasqyruan edhe në shkresat, që ai u dërgonte organeve eprore të arsimit, tashmë si kryemësues i shkollës së Vrakës (emëruar një muaj pas fillimit të detyrës, bazuar në aftësitë e tij të shumta).
2.
Duke hulumtuar për jetën arsimore dhe figurat e mësuesve tanë atdhetarë, në Arkivin Qendror Shtetëror të Republikës së Shqipërisë kam gjetur edhe dy letra të Migjenit, për sa dimë ne ende të panjohura mirë. Ato lidhen me kohën, kur ai ishte mësues në fshatin Vrakë të Shkodrës (në vitin arsimor l933-l934). Janë të shkruara nga vetë dora e Migjenit dhe me atë shqetësimin e natyrshëm për çeshtjet, që kishte shkolla fillore, ku ai shërbente.
Me shkresën nr. l0, datë 3 mars l934, si kryemësues i shkollës mikste ( të përzier) të Vrakës, Millosh Gjergj Nikolla e informonte drejtorinë e shkollës "28 Nandori" të Shkodrës: " mbi gjysmën e parë të vitit shkolluer". Mësimet kishin filluar më 25 shtator l933. Me shkrim dore dhe atë këligrafinë e bukur, karakteristike për Migjenin, aty shënonte se : " para fillesës së mësimevet, janë kenë regjistrimet" dhe se u paraqitën për mësim 245 nxënës. Më poshtë vijonte: "Por, tue marrë parasysh ngushtësinë e lokalit shkollor dhe kapërcimin e moshës së detyrimit shkollor, në marrëveshje me Inspektorinë e Arsimit në prezencë, me datë 5 Tetuer l933, në kohët e fundit... ky numër ende asht paksue në 98" ( dhe me shkrim, -shënimi ynë). Aty shtonte se i ndiqnin mësimet rregullisht 80 nxënës. Më tej vijonte se, siç dihej, ajo shkollë kishte qenë private, deri në mbylljen e tyre dhe se mësimet jepeshin në gjuhën e huaj. Ndërsa: "Mësimi i shqipes asht kenë i caktuem ka nji orë në ditë, por- defakto- as kjo orë në ditë nuk asht ekzistue,- se çdo aktivitet serioz prej nji mësuesit shqiptar asht kenë i penguem. E mjaftë asht prej këtyne mësuesve që kanë muejt me ia mësue fëmivet germat e shqipes dhe disi këndimin- vërte pa kuptim, por prap mund të shenjohet nji hap i vogël përpara".
Me interes është se Migjeni, në këtë dokument zyrtar, dëshmonte se katundi Vrakë përbëhej nga 6 lagje, fëmijët e tri prej të cilave: "kanë thye gjuhën për shqyptimin e shqipes jo me aq vështirësi të madhe, për arsye se kanë pasë marrëdhanie me malsorët n' anë t' Lindjes e t' Veriut, nsa tri lagjet e para janë fare t' izolueme...". Në mbyllje theksonte se, për të pasë sukses në kryerjen e detyrës së caktuar, kërkoheshin mjete mësimi , me numër të mjaftueshëm dhe të tërhiqeshin fëmijë në shkollën e Vrakës edhe nga katundet Shtoj i Ri e Shtoj i Vjetër: " e në këtë mënyrë, ky ndërlikim gjuhe dhe mentaliteti
Edhe letra tjetër, në formën e një shkrese zyrtare, të hartuar me shkrim dore, paraqet vlera njohëse me përmbajtjen e saj. Ajo mban numrin 20 dhe është shkruar më datën 8 qershor l934. Me anën e saj, Millosh Nikolla e informonte Inspektorinë e Arsimit në Shkodër për mbarimin e vitit arsimor nga nxënësit e shkollës së tij dhe konkretisht: në klasën e parë: regjistruar- 77, të rregullt- 27, kaluan -l0; në klasën e dytë: l9 - 6 - 4; në klasën e tretë: l3 - 7 - 4 ; në klasën e katërt : ll - l --; në klasën e pestë; l5 - 5 - 5. Aty sqaronte se vetë kishte qenë mësues i klasave III-V, ndërsa në dy të tjerat kishin dhënë mësim dy mësues të tjerë. Në detyrën e kryemësuesit, për M.Nikollën, vetë thoshte se: '' puna e të cilit- në përdorimin e ma të haptë të gjuhës shtetnore nga ana e nxanësvet- asht përfundue me sukses". Regjistrimet ishin bërë me l8 shtator dhe pas një jave kishin filuar mësimet rregullisht. Në pikën nr.6,të letrës së tij, shënonte se: " Gjendja e ndërtesës nuk asht e pëlqyeshme". Aty kërkonte dhe mjete mësimi, të cilat mungonin. Në fund të shkresës, kryemësuesi M.Nikolla tregonte se : " për javën e drunit ishin çelur gropa", por kishin mbetur ashtu, pasi nuk ishin dërguar fidanët e kërkuar . (
3.
Këto pak radhë, në përkujtim të Migjenit tonë të madh, po i mbyllim me një dokument tjetër arkivor, trashmë të përmendur edhe më parë. Në procesverbalin e bërë nga inspektori i arsimit, në shkollën e Vrakës, më l8 qershor l934, dokumentohej puna e tij e mirë si mësues. Aty thuhej: "Arkiva e shkollës - e mbajtur mirë; regjistri i përditshëm - i mbajtur mirë. Mësuesi - i përgatitun për mësimet e ditës; qëndrimi në klasë - i mirë. Punimet e nxënësve - qortue rregullisht". Vetëm "etapave" shabllone didaktike nuk u ishte përmbajtur mësues Milloshi...
Një vit më vonë, mësuesi Millosh Nikolla kishte shkuar për të vizituar bregdetin e Jonit të bukur, që ta qetësonte shpirtin e tij të trazuar. Atje ( në Delvinë) kishte takuar mësuesin atdhetar kosovar, Sali Morina. Mbresat e tij të pashlyera ,nga ai takim, ky do t'i hidhte më vonë në letër, me titullin " Takim me Migjenin" ( për sa dimë, ende të pabotuar). Aty, ai ka shkruar edhe këto fjalë aq kuptmplote, që i kishin dalë nga thellësia e shpirtit: "Ah, Migjen, Migjen, ta puthsha penën!... Migjen, ti je një yll shkëlqim madh, që iu shua qiellit tonë letrar".