Shtesë » Lajme
Nje jetë e re ne Amerike, Historia e rrallë e shqiptares që u shpëtoi pengmarrësve
E diele, 11.07.2010, 01:04 PM
Nga Ramon Bracamontes
Daniela Labinoti, viktimë e rrëmbimit, emigrante dhe avokate, ka një jetë me histori të dhimbshme dhe është vetëm 30 vjeç. Kur ishte adoleshente, në vendin e saj, Shqipëri, u rrëmbye me qëllimin që të përdhunohej e të shitej në Itali si skllave seksi.
Nxënëse e shkollës së mesme në Austin, ajo ishte aq e varfër, saqë nuk mund të paguante as 1.60 dollarë për drekën. Ajo hante ato çfarë mbeteshin nga dreka e shokëve të shkollës. Kur u transferua në El Paso në vitin 2005, si një avokate e re e licencuar, hajdutët kishin hyrë në apartamentin e saj në West Side. Ajo u kthye në shtëpi dhe ata ishin ende aty. "Nëse flet për fat të keq, gjithçka në jetën time ka qenë një fat i keq", - tha Labinoti, avokate e praktikave private. "E vetmja mënyrë është të eci përpara, jo duke analizuar jetën time dhe ato çfarë më kanë ndodhur. Pavarësisht gjithçkaje, unë mendoj se jam ende një njeri me fat", - thotë ajo.
Fat i keq
Vajza e quan veten me fat, sepse tetë muaj më parë mori kartën e shtetësisë amerikane. Me atë kartë ajo mund të banojë dhe të punojë në SHBA. Për pesë vjet ajo do të aplikojë për shtetësi të përhershme, diçka që e gëzon dhe ajo vetë mezi e pret. "Këtu dua të jem. Dua të qëndroj këtu", - thotë ajo. Çdo vit 2000 emigrantë nga 50 vende të ndryshme bëhen qytetarë amerikanë në El Paso. Çdo vit, një milion emigrantë bëhen shtetas amerikanë. Për Labinotin, pritja për shtetësinë amerikane tani e bën sakrificën e saj me vlerë. "Në Shqipëri, çdokush mendon se SHBA-ja është toka e mundësive. Është vendi ku gjithkush do të jetojë. Unë jam këtu. Ata që nuk kanë vuajtur, nuk e kuptojnë sakrificën". Vuajtjet e Labinotit nisin në mesin e viteve '90 në Shqipëri dhe janë të lidhura me tentativën për të shkuar nga regjimi komunist drejt demokracisë. Shqipëria është një vend i vogël, në kufi me Kosovën dhe Greqinë. Jo shumë larg nga Italia, në rrugë detare. Ekonomia e vendit u rrënua me rënien e firmave piramidale. Kjo solli për pasojë trazira dhe një luftë civile, gjë që e bëri Shqipërinë një vend ku nuk zbatohet ligji. Labinoti është rritur në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë dhe epiqendrën e luftës. "Ishte kaos, nuk kishte qeveri, nuk kishte asgjë. Vetëm dhunë. Njerëzit vriteshin përditë. Shumë të tjerë rrëmbeheshin. Sipas raporteve të Departamentit amerikan të Shtetit, disa nga vajzat e rrëmbyera iu shitën mafias në Itali dhe u detyruan të punonin si prostituta. Labinoti u rrëmbye në vitin 1997 nga dy persona, që e morën me forcë kur po dilte nga shkolla private. Ata e çuan në malet pranë Tiranës. Por ajo shpëtoi kur ata ndaluan. Një ditë të tërë e kaloi e fshehur, derisa u kthye në shtëpi. Pas kësaj, familja e vajzës nisi të mblidhte lekë për ta dërguar atë në SHBA. Nëpërmjet një rrjeti kombëtar të krishterë, prindërit paguan 7.000 dollarë dhe ajo u dërgua në Austin për të jetuar me një familje. "Kanë kaluar shumë vjet që kur më rrëmbyen dhe tani mund të flas. Nuk kam dyshime se do të më përdhunonin dhe do të më dërgonin të punoja si prostitutë. Ose do të më vrisnin. Profesori Cigdem V. Sirin në Universitetin e Teksasit, në El Paso, ekspert i konflikteve etnike, thotë se Shqipëria ishte e trazuar në atë kohë.
"Shqipëria ka shumë probleme dhe shpesh ka abuzime të të drejtave të njeriut", - thotë ai. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit në Europë janë vajza të moshave 15-25 vjeç. Nëntëdhjetë për qind janë shqiptare.
Një jetë e re
Pas mbërritjes në Austin dhe vendosjes te një familje pritëse, Labinoti u regjistrua në "Pflugerville High School" pranë Austin, sepse ajo tashmë ishte një studente në vend. Duhej të shkonte në shkollë, ose të dëbohej. Ajo nuk dinte anglisht dhe notat e shkollës që kishte bërë në Shqipëri nuk njiheshin. Megjithatë, ajo shkoi në shkollë dhe u diplomua në verën e vitit 1998. U regjistrua në Universitetin Lubbock. Bënte tri punë dhe nuk kishte jetë sociale, por ishte e vendosur të mbaronte studimet. Kur u diplomua në vitin 2002, ajo u regjistrua edhe në Texas Tech, që të ishte ende studente. Ajo mori diplomën në drejtësi në vitin 2005 dhe nisi të punonte me avokatët Jim Scherr dhe Sam Legate, ndërsa firma pranoi ta ndihmonte atë për çështjen e emigrimit dhe natyralizimit. Avokatët i dinë vuajtjet e saj. "Duhet shumë guxim për të bërë atë që bëri ajo. Prindërit e saj patën shumë kurajë ta dërgonin këtu vetëm dhe ajo kishte ambicien për t'ia dalë mbanë. Sot Labinoti është e martuar dhe po përqendrohet në krijimin e praktikës së saj ligjore. Ajo është e licencuar për ta praktikuar atë në New Mexico, Texas dhe gjykatën federale. Prindërit e saj janë në Lubbock, ku nëna e saj, Irma punon. I ati, Fatmiri e kalon gjysmën e kohës në Shqipëri, ku ata kanë një shtëpi. Ajo nuk është kthyer atje që prej vitit 1997. Por, do të shkojë këtë verë. "Jam e gëzuar, por edhe pak e frikësuar. Por ka një qeveri tani, ka struktura ligjore dhe rendi është vendosur. Nuk ka më kaos. Mezi pres të shkoj atje, por në fakt, shtëpia ime është Amerika tani", - thotë ajo.
"El Paso Times"