Kulturë
Lindita Agolli: Tempull Dashurie
E premte, 02.07.2010, 08:30 PM
LINDITA AGOLLI
(nga libri "Tempull Dashurie" Shtepia botuese "GlobusR" Prill 2010)
KUR LIND NJË DITË
Nata nuk lind, nata shtrihet ngadalë
Si grua shtatzanë me yje mbi bark
Gëlltit perëndimet, përgjumet mbi ujë
Të dashuruarve u sillet përqark.
Nata nuk lind, pret orën e shtërzimit
Dhe klith në sqepin e bulkthit nën çati
Derdh vesën përmbi gjethe e mbi bar
Që dita e bardhë të lindë përsëri.
Nata nuk lind, rrëzohet ngadalë
Si grua shtërzon që dita të dalë...
KOPSHTI I MARINËS
Pasdite në kopshtin e Marinës
Krahët e një pëllumbi do qëndisin dheun
Do derdhen aroma të kuqe nëpër shtat
E ngadalë do të të thonë
Se pëshpërimat i lind dashuria…
Pasdite në kopësht
Pa zë, e padukshme si një vegim
Do zbresë të të marrë përdore
Drejt ishullit vjollcë
Ku thyen figurën mendimi…
PËRGJYSËM
Do ikësh
Por flokëve të mi do tu mungojë foleja
Ku bashkë me dëshirat
U strukën netë psherëtimash
Dhe këngë të hershme.
Do ikësh
Por ishujve të trupit tim do tu mungojë dora
Që zbuti ulkonjën e pyllit
Dhe majat e kodrave të bardha ledhatoi
Nga ku u derdh ofshama.
Do ikësh
E bashkë me ty
Kuptimi do mbetet në udhë
Ndarë përgjysëm...
QYTETI IM
Vendlindja ime që gdhihesh mes shpresës dhe zhgënjimit
Nemitur mes pluhurit dhe mohimit
Mejhane barqesh që gushkuqojnë ditën dhe kukuvajkojnë natën
Mbetur peng në një sahat të vjetër që shtyp mesditën dhe mesnatën
Si vorbull qorrash që vijnë përqark
Gjakosin shikimin tim
Pa ditur kurrë se drita vjen nga larg
Atje
Pas shpatullës së Dajtit…
KRENARIA
Verini kapistrën dhe hiqmani sysh
Këtë mushkë zevzeke që thundrat ka mbërthyer
Në kokën time
E, nëse ato janë ngjitur pas kafkës, thyemani
O ndryshe, hiqmani fare kokën
Të sillem kuturu si bishëz
Pa fre…
EJA
Eja
Fli në shtratin tim
Përndryshe do endem jashtë
Gjithë natën si ulkonja
E humbur në pyll
Me gjinjtë tharë e me vikamën
Varur në çengel’n e hënës me vraga
Eja
Në shtratin tim të flesh
Përndryshe do endem s’di se ku
Netëve e ditëve pa kuptim
Pa strehëz
Pa sy
Pa duar
Nga zgavrat të më klithin lakuriqë nate
E të qajnë për endësit
E çarçafëve të vdekur.
Eja
Në shtratin tim të flesh
Përndryshe do ngrij atje jashtë
Derisa të vijë fryma jote…
FISNIKE
Të dua me urti, ngadalë e pa zhurmë
Pa britma patetike dhe pa ironi
Të dua si burim me gurgullimë të butë
E kthjelltë, e kaltër, e çmendur, në urti.
Të dua e vërtetë, pa përbetime boshe
Përmbi të tjerë nuk shkel të vij tek ti
Të dua thjesht, pa lot e ngashërime
Heshtur, pa fjalë, në fisnikëri.
Të dua si burim me gurgullimë të kaltër...
IMAZH
Përmbi kurrizin e së Dielës shaloi errësira
Të dyja u larguan çalë çalë për në Hades
Ra vesa e parë dhe unë
Zgjata dorën të kap argjendin e rrezes
Çastet mes gishtash rrëshqitën
Shtëllunga të shndrritëshme zhvendosën portretin tënd
Drejt dhomave të kuqe...