Shtesë » Shoqëria
SIDA / Infektohen çdo vit mbi 30 persona, neglizhohet testimi
E shtune, 01.12.2007, 02:59 AM
Nga Eglantina Bardhi
Nga dita nderkombetare kunder SIDA-s
Sipas specialistëve të ISHP-së aktualisht ka 251 të infektuar me SIDA, por mendohet se numri i tyre është rreth 1000
Sëmundja vdekjeprurëse e SIDA-s po gjen gjithnjë e më shumë terren në vendin tonë ndërkohë që diagnostikimi për virusin HIV është tepër i ulët. Ky është konstatimi i specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilëve, numri i të infektuarve këtë vit ka arritur rekord me plot 40 raste të reja. E ndërsa zyrtarisht numri total i rasteve të konstatuara me sëmundjen e SIDA-s aktualisht është 251 specialistët e ISHP-së mendojnë se ky numër është shumë herë më i lartë, por nuk janë zbuluar për shkak të testimit të ulët. Të dhënat u bënë të ditura nga ISHP-ja një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër SIDA-s.
Prevalenca
Testimi i ulët dhe diagnostikim pasiv, duke sjellë raste gjithnjë në rritje të të infektuarve me virusin HIV. Kjo vërehet tek të prekurit me HIV-AIDS në Shqipëri edhe pse sëmundja ka njohur përhapje të madhe dhe vdekshmëri. "Nëse para vitit 2000 kishte 7 ose 8 raste të reja në vit të infektuarish me virusin HIV këto 4 vitet e fundit ky numër është 3-fishuar",- pohojnë specialistët e ISHP-së, duke shtuar se kjo përbën një situatë shqetësuese. Megjithatë ata pohojnë se përhapja e sëmundjes, krahasuar me vendet e tjera evropiane mbetet e ngadaltë, ndërkohë që vdekshmëria sipas statistikave që nga viti '92 është 55 persona. "Ne kemi të dokumentuar shifrën 251 të të prekurve me HIV-AIDS, por mendojnë se ajo mund të jetë realisht 700 deri në 1000",- pohojnë specialistët e ISHP-së duke shtuar se dy vitet e fundit nuk janë bërë studime rivlerësimi, por ajo që mjekët kërkojnë është balanca mes parandalimit dhe trajtimit të të sëmurëve me AIDS. "Shumica e rasteve janë në stad simptomatik, ndërkohë që një pjesë tjetër është ajo e heshtura, ajo që ndodhet nën majën e ajsbergut",- shprehet mjeku infeksionit pranë QSUT-së, Arjan Harxhi.
Fenomeni
Nëse pak vite më parë sëmundja thuhej të ishte marrë nga emigrimi, tashmë sëmundja po qarkullon brenda vendit dhe po rrit numrin e të infektuarve në mënyrë të frikshme. Ky është konstatimi i specialistëve të ISHP-së, të cilët, pas gjurmimit të rasteve të reja që shfaqen çdo vit, vërejtën se sëmundja nuk është vetëm e importuar nga jashtë. Dukuri e re, po sipas të dhënave të fundit të ISHP-së, është shtimi i numrit të femrave të infektuara në vit me këtë virus. "Numri i femrave me HIV pozitiv ka ardhur në rritje, në mënyrë të veçantë pas vitit 2000. Femrat përbëjnë 29.5% të rasteve me HIV/AIDS në Shqipëri",- pohojnë specialistët e ISHP-së, duke shtuar se vlen për t'u përmendur se ky virus po prek sidomos moshat e reja dhe që vetëm këtë vit, numri më i madh i rasteve i përkasin grupmoshave 25-34 vjeç dhe 35-44 vjeç. Ndërkohë, sa i takon numrit të fëmijëve të infektuar nga HIV/AIDS është 17, ku, 12 prej të cilëve janë infektuar nëpërmjet transmetimit vertikal dhe 5 të tjerë përmes gjakut.
ISHP: Marrëdhëniet seksuale, fajtore për SIDA-n në 87% të rasteve
Rruga e transmetimit të sëmundjes vdekjeprurëse SIDA vazhdon të mbetet rruga seksuale me 87% të rasteve (heteroseksuale 77% dhe homo-biseksuale 10%). Të ndodhur përballë këtij fakti, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik këshillojnë të përdoren masa mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale. "Secili prej nesh mund te jetë pre e virusit vdekjeprurës e rëndësishme është që të gjithë të përdorin masa mbrojtëse, për të parandaluar një fatkeqësi të pashmangshme",- theksuan specialistët e ISHP-së. Ndërsa, sa i takon të infektuarve për shkak të transfuzionit të gjakut, po sipas specialistëve të ISHP-së, është 4 për qind.
Dhuna në familje, Kuvendi seancë të posaçme
TIRANË- "Dhuna Vret, nëse Ti Hesht! Ndal Dhunës në Familje!". Ky është mesazhi që përcollën dje në sallën e madhe të Kuvendit, 130 gra, përfaqësuese nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, politikës e shoqërisë civile. Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, gra përfaqësuese të fushave të ndryshme folën gjatë dje për dhunën në familje, duke treguar edhe rëndësinë që ka marrja e masave në këtë drejtim. Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndër të tjera tha se, sot nuk mund të jesh indiferentë ndaj asaj që po ndodh në shoqërinë shqiptare. "Jetojmë në një kohë sfidash të mëdha integruese dhe të monitoruara si asnjëherë nga partnerët tanë strategjikë, historikë dhe kulturorë, ndaj dhe të jeni të sigurt, se askush prej nesh nuk mund të thotë duke ngritur supet, se "s'isha aty kur ndodhi kjo dhe ajo" apo "se nuk e pata mendjen ngaqë isha i zënë me punë më të rëndësishme". Pra jetojmë në një kohë, kur s'ka më vend për alibi. E aq më shumë, jetojmë në një epokë kur vlerat esenciale të humanitetit po na cenohen prej armikut më të egër të tij: dhunës",- tha Topalli. Në vijim, përshëndetën me fjalët e tyre, këtë seancë të posaçme, juristja Aurela Anastasi, gazetarja Briseida Mema dhe aktorja e mirënjohur, Roza Anagnosti. Gazetarja, Briseida Mema në fjalën e saj u shpreh se, dhuna brenda familjes nuk mund të tolerohet as atëherë kur justifikohet me emrin e dashurisë apo të nderit. Ndërsa aktorja e njohur, Roza Anagnosti shprehu dëshirën se nga kjo sallë do dalin ligje, që ta përmirësojnë dhe emancipojnë shoqërinë shqiptare.