Kulturë
Sabit A. Gashi: Prej vetëmohimit deri te ekzistencializmi
E marte, 29.06.2010, 06:54 PM
Prej vetëmohimit deri te ekzistencializmi
Nga Sabit A. Gashi
Kur njeriut i merret liria, atëherë i merret ajo që e karakterizon atë më së tepërmi. Prandaj në veprimet e tij të mëtejme ai do ta kërkojë lirinë për të tjerët duke e perceptuar atë pa lirinë primordiale të tij. Janë këto dy lloje lirishë, sikur dy personalitete, kuptimi i tyre është pothuaj transcendental. Siç tregojnë shembujt, kjo ndodhë në vazhdimësi me martirët. Por, a është fat i njeriut që për ta kërkuar lirinë, atij më parë duhe t'i merret ajo?! Njeriut kur t'i merret liria, ai tani atë e kërkon më shumë, bëhet i qëndrueshëm në kërkesën e vet, pothuaj i pathyeshëm, vetmohues, por jo i paprekshëm. Biografia jep protrotipin e këtij njeriu.
Libri i Shkëlzen Gashit "Adem Demaçi - biografi (e paautorizuar)" paraqet vazhdimin e përpjekjes së tij tashmë të njohur për promovimin e një kulture shkrimi për njerëzit dhe ngjarjet që deri sot janë përshkruar sipas një klisheje tejet uniforme: si të mëdhenj, të lavdishëm, viganë... Tani nga gjeneratat e reja, Demaçi do t'i nënshtrohet relativizimit sepse cilësimet e lartpërmendura janë dhënë në distancë të shkurtë kohore e me eufori, por edhe për servilizëm. Andaj, Shkëlzen Gashi i "pafytyrë" e percepton mirë këtë zbrazëti dhe në librin e tij mjeshtërisht apo dinakërisht, nuk bën cilësime. Pas këtij libri, jeta dhe vepra e Demaçit mund kuptohet ndryshe nga ç'është kuptuar, për shkak se martirizimi krijon bariera të përkohshme për cilësime të lira. Martirizimi padyshim se ka impaktet e veta në angazhimin e deritashëm politik të tij, gjë që askush s'ka pasë kurajo ta evidentojë, përveç autorit të kësaj biografie. Rastet diskrete nga një mendim në një mendim krejt tjetër, apo nga një filozofi në tjetrën, të cilat autori i përmbledhë me kujdes, e bëjnë librin të papërshtatshëm për fansat e tij dhe ata këtë e shprehin qosheve, por jo publikisht. Prandaj, sipas Gashit, "fansat" nga KMDLNJ-ja u munduan ta pengojnë botimin e këtij libri.
Demaçi në këtë libër është figura, ndërsa narracioni i autorit përfshin një kohë pothuaj një shekull, evoluimin e përpjekjeve për vetëvendosje përmes mungesës së lirisë së një personi. Autori në këtë libër Demaçin e merr vetëm si Harry Potter dhe përmes kësaj ure del në temat e tij të preferuara, siç është, ta zëmë, problemi i konceptit të vetëvendosjes në rastin e Kosovës.
Diku në libër përmendet Demaçi kur thotë "kam lënë ndjenjat dhe i jam drejtuar logjikës". Në kohën e formimit të Demaçit për vetëmohim, Sartri pothuaj nuk njihej tek ne (filozofi kjo që ekzistencës i determinon esencë) dhe, po ashtu, nuk njihej e përfolura "filozofia" e artit të të jetuarit, prandaj vetëmohimi ishte e vetmja zgjedhje për Demaçin dhe këtë ai shpesh e ilustron në shaka duke e krahasuar burgun si vend të punës. Sartri besonte se njeriu është shfaqë në skenë dhe se jeta e njeriut ka marrë kuptim me ekzistencën e tij, prandaj ka mundësi se jeta e Demaçit e merr atë kuptim në kohën e vuajtjeve të popullit të tij. Rupert Neudeck nga "Cap Anamur Committee" flet për Demaçin se si ai mbetet përherë i qëndrueshëm, por jo edhe njeri kreator i ndonjë politike të re pas tërë atij vetemohimit. Ky mendim nuk është pezhorativ sepse të huajt kanë kritere tjera të asesmentit, por duket tepër pezhorative nëse përkujtojmë se si një moshatar i tij i studimeve thotë për të se ai është i hargjuar njëmijë herë, dhe atë jo tepër vonë pasi martiri doli nga shpella platonike, derisa kolegu i tij atëbotë bënte jetë tepër modeste.
Siç tregon biografia, Demaçi studion letërsinë botërore në Beograd, e cila e mbush bagazhin e tij kulturor, e kjo vërehet në shkrimet e tij të para, të cilat dallojnë nga letërsia e porsafilluar në Kosovë për elanin nëpër kooperativa, e të shkruara nga shkrimtarët nën hije, sipas sugjerimeve të funksionarëve të kohës. Librat e tij u ndaluan, akt ky që etabloi në mendjen e lexuesve përcepcionin se ekzistojnë libra ku flitet për një të vërtetë tjetër të popullit tonë, e këtë percepcion e forcon me kohën edhe fakti se Demaçi kishte "pushuar" shumë pak pas daljeve nga burgjet. Kjo edhe më tutje mbajti gjallë percepcionin se nëse shkruhet si Demaçi, atëherë, çdo shkrimtar do të jetë kandidat potencial për t'u burgosë. Tani, sot është indikative se në vitin 2010, biografia e Shkëlzen Gashit për Adem Demaçin perceptohet nga kinsedashamirët e Demaçit pothuajse me terma të njëjtë siç është perceptuar romani i Demaçit "Gjarpijt e Gjakut"!
Duhet thënë se ndonëse Kushtetuta e vitit 1974, e shoqëruar me konceptin e pluralizmit të interesave vetëqeverisëse, fut një liberalizim në krijimtari, prapëseprapë kritika hermetike në Kosovë nuk do të shkruajë asgjë për letërsinë e Demaçit, e cila ishte letërsi origjinale, ashtu siç e ndiente Demaçi, pa frike dhe pa u bërë shtypshkronjë e askujt.
Demaçi pat deklaruar se burgimi i tretë ishte i mirëseardhur, pasiqë i ishin ngushtuar të gjitha lëvizjet, mendim ky që indikon një element tjetër të mohimit të esencës së jetës, dhe që i kundërvihet premisës së Sartrit, sipas të cilit, jeta nuk mund të ketë kuptim deri sa ne të mos i japim kuptim. Gjithashtu, në momente të caktuara, prej problemeve te jetës njerëzit ndjekim projektin fundamental sartrian, por më vonë dalin kundër vetë projektit. Kjo gjë pothuaj e përcjell Demaçin kudo, bazuar në mendimet diskrete të tij të sjellura nga autori i librit.
Viteve të fundit, Demaçi përmend shumë teknika nga filozofia e artit të të jetuarit. Një ndikim i filozofisë së re të cilën ai nganjëherë e quan kuantike. Këtë filozofi mund të supozohet se Demaçi e pranoi jo si filozofi për t'i ndihmuar në angazhimet e tij politike, por siç duket si filozofi të trendit e reinkarnimit. Kjo filozofi mund të jetë në rrethanat tona vetëm një deduksion xhuxh, që mund te asociojë me koncepte ekzistencialiste. Është lehtë për ta pohuar këtë influencë të këtyre teknikave spirituale te ai, edhe pse pohimi i tillë bie në domenin e një studimi dhe jo të një recensioni, ndërsa Shkëlzeni nuk merret me vlerësime në këtë biografi, por i ofron lexuesit shumë mendime diskrete të Demaçit që të asociojnë me këto pohime.
Demaçi, njeri me një të kaluar ta quajmë kondicionalisht të pazakonshme, pas daljes nga shpella platonike, i kthehet prapë shkrimeve, vrapojnë pas tij, i mirë e i keq, dhe pothuaj të gjithë i pret. Nuk janë të pakta rastet, siç na i sjellë autori i kësaj biografie, kur disa nga liderët politikë me të cilët u shoqërua Demaçi, i vlerësoi lart, më vonë i cilësoi krejt ndryshe, ndërsa për disa të tjerë, cilësime bënë edhe nga selia e Shoqatës së Shkrimtareve gjatë zgjedhjes së tij. Por, Shkëlzenit "zgjedhë" raste tjera të cilat atij i bëjnë përshtypje e që lidhen me konceptin e vetëvendosjes, Ballkaninë, Rambujenë…, e që e bëjnë librin të vlefshëm edhe për klasën e re politike që do të lindë.
Si do të veprojë tash e tutje Demaçi në politikë, duke e pasë parasysh moshën që ka? Në biografi theksohen lehtë angazhimet e tij në shumë organizime politike e jopolitike, shumë deklarata që dallojnë shumë me njëra tjetrën, e shpesh kontradiktore. Pothuaj nga të gjitha këto organizime Demaçi largohet pa paralajmërime formale. Ka mundësi se thelbi i tërë kësaj duhet kërkuar te mungesa e një filozofie politike të definuar dhe mbetja e tij edhe më tutje në filozofinë e lindjes. Kjo deri diku mund të shihet edhe nga intervista e tij dhënë në burg, kur thotë se "tani jam marksist-humanist".
Në biografi Shkëlzeni përmend dialektikën e Hegelit, ku Demaçi shprehet: "jam nda nga ndjenjat dhe i jam kapë logjikës dialektike". Më vonë, siç thamë, ai thotë se është marksist-humanist dhe së fundi ndikimet nga filozofia e transcendencës vërehen tej mase edhe në librat e tij të rinj, por edhe në diskutimet që të kujtojnë mësuesit spiritualë. Ai i hyn meditimit në një shoqatë dhe bashkohet në meditime. Ky kalim në këtë filozofi duket se paraqet atë që ai s'ka arritë ta kristalizojë, sepse vetmohimi zëvendësonte filozofitë më racionale, filozofitë nga të cilat do të mbante koherencën e mendimeve të tij. Por, nuk mund të thuhet se ai e pranon këtë filozofi teknikash spirituale. Apo ndoshta e pranon vetëm parcialisht dhe atë me siguri në sensin reinkarnues. Kjo mund të pohohet po të analizohen inkuadrimet e tij në parti, grupime, e organizime tjera, ku nuk qëndronte aq gjatë dhe dëshpërimet ndoshta i kërkonte në teknikat e artit të të jetuarit. Së paku këto mund të jenë shpjegimet standarde pse njerëzit i hyjnë kësaj shankhar filozofie. Po ashtu, po te analizohet libri i tij "Dashuria kuantike e filanit", njohësit mesatar të kësaj filozofie do të vinin në një përfundim të ngjashëm. Me ndjekjen e këtij transcendimi përmes këtyre teknikave spirituale, ndoshta mund ta bëjmë përshkrimin e plotë të këtyre kërcimeve nga vetëmohimi ne ekzistencializëm. Për këtë Shkëlzeni përmend pak, ndonëse kjo është mjaft indikative, mbase nga fakti se Shkëlzeni nuk ka gatishmëri për t'u marrë me këtë "new age philosophy".
Pas shumë shëtitjeve nëpër filozofi e koncepte, Demaçi vendoset në Sarandë ku pothuaj instinktivisht e gjeti zihatuaneon mesdhetare, e njohësit e mirë këtë kalim mund ta identifikojnë me këthimin kah projekti sartrian. Duket se kohë pas kohe ai bëhet më virtuoz, për të depërtuar në sferat e të qenit vetvetja, prej ku do të frymëzohet për librin "Dashuria kuantike e filanit".
Se fundi, Demaçi u zgjedh kryetar i një grupi të shkrimtarëve, ndërsa shumë të tjerë mbeten anash. Këtë post Demaçi e pranon në kohë të papërshtatshme t'u "prijë" shkrimtarëve për vepra të reja ! Sartri për veprime të tilla, flet se si ne si njerëz bëjmë përpjekje ta bëjmë veten Zot me shpresë se të tjerët do të na hyjnizojnë dhe do të na mbajnë nën vëmendje, pasojë kjo se ne nganjëherë, në këtë rast Demaçi, kur ballafaqohemi me ngarkesa, ndjekim projektin fundamental sartrian për ta ngritë vetveten përtej realitetit me të cilin konfrontohemi. Pra, projekti sartrian ka edhe një anë tjetër të medaljes: të tregon se kush je apo edhe se edhe të tjerët mund të tregojnë se nuk je ai që mendon që je.
Të vazhdojmë edhe pak me Sartrin: "Unë nuk jam çka jam-unë jam çka nuk jam", që do të thotë se ne kurrë nuk mund të jemi çka dëshirojmë të jemi sepse në këtë botë jemi për të tjerët dhe nëse në mënyrë legjitime nuk e arrijmë këtë status e respekt, atëherë, ne kurrë nuk do të jemi ata që dëshirojmë të jemi, por do të jemi vetëm ata çfarë të tjerët duan të jemi. Prandaj, Sartri përdorë thënien e tij të njohur "we will never be regarded how we wish to be regarded" sepse njerëzit përcaktojnë realitetet personale që i perceptojnë në mënyrë personale.
Në fund: si do të pranohet kjo biografi nga audienca? Umberto Eco ka shkruar shumë se si lexuesi e shkrimtari nuk do ta thonë kurrë të njëjtën gjë për librin, se lexuesi zbulon më tepër nga çka thotë autori, se nga botimi i një libri mund të hapen shumë debate e debatet të marrin kahje të ndryshme, etj. Prandaj, funksioni i librit del shumëdimenzional, funksioni zbulon edhe arësyet e të shkruarit të tij, bile edhe sagën groteske gjatë përgaditjes së librit: se libri duhet të mos bëhet publik (botohet) për t'u rregulluar disa gjëra në hierarki. Kështu pëshpëritej nga disa "fansa" të martirit. Flitet se Gashi ka një respekt ndaj Demaçit dhe ndoshta, së paku në ndërdije gjatë shkrimit të kësaj biografije, e ka ditur dilemën e Volterit: "Të gjallin respektoje, të vdekurit thuaja të vërtetën". Por, siç ndodhë me të papriturat e Shkëlzen Gashit, ai në fund zgjedh diçka tjetër, dilemën e Sokratit, siç kishte vepruar edhe me shkrimet e tija të mëpoarshme.
Krejt në fund; kjo biografi do të jetë një test edhe për vetë Shkëlzen Gashin, nëse ky kalim nga librat me intervista në këtë zhanër, e ka ruajtë apo jo kreativitetin e tij të mëhershëm. Por, poashtu ia vlenë të spekulojmë, se paradigma e vjetër e vetvendosjes, Shkëlzen Gashin e ka hedhë pak nga rruga në trotuar, andaj biografitë mund t'i shërbejnë si një pushim, në mos ngushëllim për paradigmën e re të vetvendosjes që s'po e sheh në horizont. Sido që të jetë, (pra, shakatë anash), ne në recensione duhet ta kultivojmë kritikën deri në maksimum, por gjithnjë në limite të një etike konvencionale. Libri shtron një dilemë, dilemën e shoqërisë së debatit, e nëse nuk e arrinë këtë funksion, atëherë nga sa u tha nga saga e librit, shkaku do kërkuar në thënjen e Ecos: " Këtu s'është puna për të vërtetën që na bënë të lirë, por për tepri lirie që do të bëhet e vërtetë".