Kulturë
Shkrimtarët amerikanë i këshillojnë lexuesit Kadarenë
E hene, 21.06.2010, 07:51 PM
Jo detyrimisht duhet të jetë një libër rozë, me histori pasiononte dashurie, mundësisht me një fund të lumtur. Duket se për këtë verë, këta libra nuk janë në modë. Vetë shkrimtarët rekomandojnë lexuesit të lexojnë libra me histori tronditëse, udhëtime, magji e vampirë. Një ndër ta është edhe “Prilli i thyer” i shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, konsideruar si një libër i “hollë”, që të fut në refleksion, ku lexuesi nuk është futur më parë. “San Francisco Cronicle” sjell një listë rekomandimesh, për librat që mund të lexohen gjatë verës. Dhe ky nuk është mendim i një personi të vetëm, apo një seleksionim popullor. Ata që ofrojnë këtë listë janë pikërisht shkrimtarë nga San Francisc. John McMurtrie i cili ofron këtë listë, sjell fillimisht eksperiencën e tij personale. Kur ishte vetëm 19 vjeç e udhëtonte ishujve të Greqisë mori me vete në çantën e shpinës librin “Murtaja” të Albert Camus. Të gjithëve i ishte dukur një zgjedhje e çuditshme, madje pati nga ata që e quajtën të marrë. Por pas 25 vjetësh ai mendon se ajo verë me librin ekzistencialist kishte qenë ndër më të mirat. Ndërkaq librat që rekomandohen nga shkrimtarët e Area Bay në SF, i takojnë shkrimtarëve të ndryshëm dhe gjinitë gjithashtu. Ndonëse më së shumti janë romane, ka edhe ndonjë vëllim poezish mes tyre. Interesant është fakti që fama e Kadaresë ka mbërritur deri në këtë gji të largët dhe superlativat me të cilat përshkruhet romani i tij. Dhe është pikërisht Carolina De Robertis, autore e “Mali i padukshëm”, që rekomandon romanin “Prilli i thyer,” nga Ismail Kadare (1978). “Kjo kryevepër e hollë, tregon historinë e një djali të ri, të përfshirë prej ligjit brutal të gjakmarrjes, në malet shqiptare. Në këtë prozë të shkathët, të mrekullueshme, Kadare ju bën të mendoni mbi dhunën, në një mënyrë që nuk e keni bërë kurrë më parë”. Për të vijuar me të tjera rekomandime e këshilla nga të tjerë shkrimtarë. Tamim Ansary, autor i romanit “Fat i ndërprerë: Historia e botës përmes syve islamikë”, rekomandon romanin “Trinia e magjistareve,” nga Erika Mailman(2007), ngjarjet e të cilit janë vendosur në Gjermaninë e varfër mesjetare ku njerëzit besonin tek shtrigat.
Susie Bright, autor i “Të sfidoj: 30 joshjet e panjohura”, rekomandon: “Koha pagane: Një Fëmijëri amerikan,” nga Perks Micah (2001), ku rrëfehet për një shkollë të ndërtuar enkas për të rinjtë problematikë, të nxjerrë jashtë nga të gjitha institucionet e tjera. Dy prindërit që ngritën këtë shkollë rritën në mes të nja anarkie totale dy vajza dhe njëra prej tyre shkroi këto kujtime.
Terry Castle, autor i “Profesori dhe shkrimet e tjera”, rekomandon “Më të mirat: Poezi të reja dhe të zgjedhura” nga Ryan Kei (2010). Nëse keni kohë pa lexuar një libër me poezi, atëherë ky është momenti i duhur. Poezitë janë të shkurtra, por të nguliten menjëherë në mendje.
Michael Chabon, autor i “Burrëri për amatorë: Kënaqësitë dhe keqardhjet e një burri, babai, dhe biri”, rekomandon: “Anija e gjatë” nga G. Bengtsson Frans (1955). Një libër emocionues, i shkruar bukur. Një roman klasik i shkruar nga një romancier jo shumë i njohur suedez.
Dave Eggers, këshillon “Qielli i strehimit,” nga Paul Bowles (1949). Për shkak se ngjarjet shtrihen në shkretëtirën e Maroku, është një libër i këndshëm veror. Ndonëse nuk ka një fund të lumtur mund të lexohet teksa je i rrethuar nga rëra e plazhit.
Charlie Haas, autor i “Entiziastit”, rekomandon “Ditëlindja e Molly Fox,” nga Deirdre Madden (2010). Një roman i bukur irlandez, ku nuk ka një fabul, por vetëm një grua, e cila mendon gjatë një dite mbi miqësinë e saj me një tjetër grua, një aktore. Një libër i këndshëm, ku gërshetohet dashuria, politika, familja...
Diane Johnson, autore e “Lulu në Marrakech”, rekomandon “Kuzhina kineze: një roman rreth ushqimit, familjes, gjetjes së vetes” nga Mah Ann (2010), ku tregohet eksperienca e një kinezo-amerikaneje në Kinë. Udhëtim, dashuri, kulturë dhe në veçanti kuzhinë kineze të shpjeguar në detaje...
Devorah Major, autore e “Dritarja me xhama të kafenjtë”, i këshillon lexuesit të lexojnë librin “Hëna e verdhë” nga Rodos Parker Jewell (2008). Një roman që mbështetet mbi legjendën që tregon një histori seksuale të mbesës së imagjinuar të mbretëreshës vudu, Marie Laveau. Pasion, magji, varfëri, dhunë dhe një vampir afrikan...