E enjte, 06.02.2025, 11:59 AM (GMT)

Kulturë

Robert Martiko: “Zhdukja misterioze e Besnik Memës”

E hene, 21.06.2010, 06:26 PM


Unë Luan Çipi nga Vlora, sot jam shumë i gëzuar që kam nderin tua jap unë lajmin e parë, fort gëzueshëm, për daljen nga shtypi të një romani të ri të Petraq Palit me titull “Zhdukja misterioze e Besnik Memës”.

 

Po ju paraqes parathënien, për të formuar një ide, për këtë roman mjaft interesant:

 

Dy fjalë hyrëse për romanin

“Zhdukja misterioze e Besnik Memës”

 

Nga ROBERT MARTIKO

 

Tashmë, pas vitesh të tëra leximi e familjarizimi me prozën altruiste të shkrimtarit Petraq Pali, jam në gjëndje t’i përfytyroj për bukuri ndjenjat dhe motivet letrare të këtij njeriu të dashur e miqësor, përherë të holla e fisnike, rreth një teme aq të spikatur e të rëndësishme të karakterit ndërkombëtar, siç mbetet përherë ajo e krimeve të kryera në diktaturë...

Njohuritë tona rreth ngjarjeve makabre të megavdekjeve të shekullit të kaluar, më të mëdhatë e regjistruara ndonjëherë në historinë  e njerëzimit, sigurisht shkojnë duke u rritur dita ditës. Pasi diktaturat, nga vetë natyra e tyre, kurrë nuk pushojnë së ekzistuari, duke marrë ose shpërdoruar jetë të panumërta qëniesh njerëzore... Aq sa shkrimtarit ose aktivistit të ndërgjegjes, kudo në botë, dy gjëra i mbeten: ose të bëjë sikur rreth tij s’ka ndodhur asgjë, ose të kërkojë me çdo kusht, hedhjen e dritës mbi krimin e organizuar shtetëror.

Libri i fundit i autorit Petraq J.Pali, i titulluar  “Zhdukja misterioze e Besnik Memës”, ka lidhje pikërisht me këtë temë. Aty bëhet fjalë rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve të saj tragjikë, të asgjësuar e masakruar me plot kuptimin e fjalës, gjatë gjysëm shekulli. Madje, më shumë nga çdo vend tjetër komunist në Europën Lindore.

Proza tërheqëse, gjatë leximit të së cilës ndien se librin nuk mund ta heqësh nga dora, ku përshkruhet fati i heroit kryesor, Besnik Mema, lidhet me historinë makabre të komunizmit. Hedh dritë mbi të padyshueshmit përgjegjës që ende qarkullojnë të lirë midis nesh. Sikur asgjë nuk ka ndodhur për ta. Jo pak herë të ndihmuar prej mendjelehtësisë amorale të mediave të komunikimit masiv, ndonëse janë pikërisht këta kriminelë të mbijetuar, që dikur kishin të drejtën e ushtrimit të dhunës ndaj jetës dhe vdekjes së bashkatdhetarëve të tyre.

Petraq Pali nëpërmjet romanit të tij të fundit “i “Zhdukja misterioze e Besnik Memës”i propozon lexuesit, të njohë një nga llojet më djallëzore të krimit të organizuar,  dhe pikërisht atë të shoqëruarin me hijen e misterit. Në çdo faqe të librit nuk është e vështirë të nuhatet e ndihet se sa e kotë dhe e pavlerë paraqitet për idetë e trutë e sëmura të inkuizitorëve ideja e jetës së njeriut. Aq sa të duket sikur je kthyer me qindra e mijëra vjet pas, në kohën e barbarizmit natyral e spontan të popujve të parë, primitivë.

Rëndësia etike e këtij libri qëndron në faktin se krimet e komunizmit kurrë nuk iu nënshtruan vlerësimit ligjor. As u vendosën me sens të thellë ndershmërie e ndjeshmërie në mikroskopin historik botëror e ,për pasojë ,edhe në atë moral. Pikërisht kjo është arsyeja që e përshëndes nga zemra daljen në qarkullim të romanit “Zhdukja misterioze e Besnik Memës”

 

 E konsideroj librin e mësipërm si një tentativë të ndershme për t’u ankoruar pikërisht në brigjet e një Ferri ose Bote të shkatërruar, të nëndheshme, së bashku me njerëzit e transformuar e përçudnuar që ai la pas.

Në këtë libër terrori i kuq paraqitet fare lakuriq, në një trajtë të egër, të verbër, amorale, shumëplanëshe... Familjarë të ushtarit të zhdukur, burgosen, torturohen e vriten pa faj, ushtari Besnik Mema shtrëngohet prej sigurimit te shtetit të zhduket nga atdheu pa lënë asnjë gjurmë, duke u dhuruar gjetiu si plaçkë tregu, apo ca më keq, si një llozhur apo gëzhutë e pavlerë imoraliteti. Intriga bëhet edhe me interesante kur, aksioni i romanit merr ngjyra erotike e tenton të shtrihet drejt oborresh aventurierësh e pseudo fisnikësh aziatikë, që nga pikëpamja etike nuk përfaqësojnë veç një botë seksuale vicioze e të sëmurë.

Përbën fakt të pakundërshtueshëm: fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore që provokuan Nurembergun, patën mundësinë të paraqisnin në gjyq një numër mjaft të madh fotografish e filmash për të demonstruar viktimat e panumërta në kampet Bergen - Belsen apo diku tjetër. Madje fotografoheshin në to edhe vetë kasapët nazistë në çastin kur kryenin krimin... Fjala vjen, tregohet një gjerman i cili pushkaton me gjakftohtësi një grua me fëmijën e saj në krah etj. Ndërsa për botën komuniste, së bashku me terrorin e organizuar shtetëror që mori jetën e miliona njerëzve në gjithë botën, nuk ekziston asnjë dokument i përngjashëm.

Libra të kësaj natyre prekin tela mjaft të lehtë e të ndijshëm shpirtërorë. Shkrimtari nëpërmjet tyre tregon se është futur brenda në lëkurën e dhimbjeve të viktimës e cila tretet, vdes, zhduket e largohet drejt një rruge pa kthim.

Nuk më mbetet veç t’i uroj autorit suksese të mëtejshme në rrugën e shqetësuar por të ndershme të artit human që ai ka zgjedhur me kaq ndjeshmëri e fisnikëri shpirtërore, pas rënies së murit të Berlinit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora