E enjte, 06.02.2025, 03:30 PM (GMT)

Kulturë

Burhanedin Xhemaili: “Kroni i kreshtave tona”-monografi, autor Nazmi Beqiri

E diele, 20.06.2010, 03:54 PM


Burhanedin Xhemaili

 

Recension

 

“Kroni i kreshtave tona”-monografi, autor Nazmi Beqiri

 

     Çdo libër pa marrë parasysh formën dhe përmbajtjen, apo edhe zhanrin, nëse krijohet me përkushtim dhe dashuri, me gjuhë dhe lëndë të pasur, natyrisht se do ta ket vlerën estetike, sepse te lexuesi do të transmetohet si informacion i plotë dhe bindës. Prandaj, lirisht mund të konstatojmë se monografia e autorit Nazmi Beqiri i posedon këto vlera, jo vetëm pse i përkushtohet vendlindjes për të ndriçuar të dhënat faktografike se si e ruajtën identitetin kombëtar, gjuhësor, fisëror, si dhe të dhënat argumentuese për toponiminë dhe mikrotoponiminë e vendit, që në kohën e mëhershme aparatura serbo-sllave i kishte fabrikuar duke i sllavizuar po thuaj të gjitha emërtimet që rrënjët i kishin në gjuhën shqipe, por edhe për arsye të konceptit të lëndës që është i pasur edhe pse dallon pak për nga mbarështrimi dhe përmbajtja. Kështu, lirisht mund të themi se autori i kësaj monografie, nuk e formëson këtë përmbajtje duke u bazuar plotësisht në modelimet e kahershme, por ai do të strukturoj materialet e lëndës duke na dhënë si argumente të pranueshme të dhënat gojore të trashëguara brez pas brezi, edhe ate për gjithçka që lidhet me vendbanimin Kroni dhe më gjërë.

     Këto të dhëna të trashëguara në formë të tregimeve popullore, legjendave, anekdotave jo vetëm që i kundërshtojnë tezat triviale të emisarëve serb që i kishin sllavizuar emërtimet e vendeve në trojet shqiptare, por ato dëshmojnë se këto begati rrëfimore e kanë mbajtur gjallë jo vetëm vendbanimin Kroni por edhe tërë rrethinën e Karadakut. Gjithashtu përmes këtyre rrëfimeve mbresëlënëse që karakterizohen me fakte bindëse, dhe që korrespondojnë edhe me të dhënat historike të historianëve shqiptarë, marrim informacione të qëndrueshme për zanafillën dhe lashtësinë e këtij vendi dhe regjioni, për qëndresën e tyre heroike nëpër luftëra, e në veçanti për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, këngëve, tregimeve, dokeve e zakoneve që dëshmojnë për zanafillën e lashtë iliro-dardane.

     Autori i monografisë duke i mbledhur dhe shënuar të gjitha të dhënat gojore dhe të shkruara, dhe duke u bazuar në faktet reale që burimin e kanë te të dhënat e trashëguara, ka arritur të nxjerrë përfundime të qëndrueshme shkencore për lashtësinë e vendit, toponiminë dhe mikrotoponiminë, përkatësinë fisërore, historinë e banorëve të këtij vendi, vendin ku është mbajtur kuvendi, për delegatin e Kumnovës në Lidhjen e Prizrenit Mehmet Ali Bashi që shkurtimisht u quajt Mehmet Izvori, luftëtarët që kanë marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit, dhe për shumë ngjarje të tjera të banorëve të vendit dhe regjionit nëpër kohëra të rënda lufte.

       Autori emrin e vendbanimit Kroni e nxjerr në mënyrë të argumentuar duke u bazuar në pozitën gjeografike të vendit të pasur me kroje si psh.“Çafa e Kronit”, dhe shumë kroje të tjera që asnjëri nuk lidhet me “izvor” dhe po ashtu nxjerr përfundime se sllavët e përkthejnë gabimisht nga Krua në “Izvor” që do të thotë “burim” e që e ka kuptimin e lëndëve të para, si: burim lumi, burim nafte etj. Ndërsa kroni përdoret enkas për ujë, si ujë kroi. Se, kështu e ka patur këtë emër e dëshmon edhe Vasileviqi në shënimet e tij kur thotë se” Izvori kishte tjetër emër, Ruizvor”që do të thotë se pjesa e parë e emrit “Rui” pëson nga emri krua, kroi.

      Sllavizimi i toponimisë shqiptare është bërë me qëllime të njohura politike, dhe kështu ka vazhduar deri në kohën e monizmit kur sllavizoheshin emërtimet e qyteteve me origjinë ilire, rast konkret kemi edhe Shkupin si emërtim ilir që i sllavizuar shenohej edhe nëpër gazeta e libra në gjuhën shqipe.

      Kur flet autori për zanafillën e familjes dhe fisit, i bazuar në të dhënat gojore të trashëguara brez pas brezi, na përkujton Kumnovën qytetin e sotëm Kumanovë që ka qenë i shtrirë në zallishtë (sot fusha e Llopatit), dhe nxjerr përfundimin se fjala “kum” nga turqishtja do të thotë zallë, ku edhe kështu daton qyteti që nga koha e perandorisë osmane, dhe logjikisht e demanton tezën sllave se qyteti e merr emrin nga fisi “Kuman”. Për këtë të vërtetë jemi dëshmitarë të gjithë se qyteti më parë është thirrë Kumnova, saqë kemi edhe mbiemra të shumtë që i mbajnë shqiptarët këtu dhe gjithandej.

      Vlen të theksohet edhe një dukuri që e ka zbuluar autori i monografisë te shënimet e autorëve sllav që kanë rënë në kundërshtim me vetveten, bie fjala për shenimin e banorëve me përkatësi fetare pa hezitim i përmendin shqiptarët muhamedan, ndërsa shqiptarët katolik i përmendin si sllav, por harrojnë t’i shenojnë mbiemrat e tyre me prapashtesat:viç, ski, ov, që do të thotë se nuk kanë mundur t’ia fshijnë gjurmët e identitetit gjuhësorë dhe kombëtarë shqiptarëve, pavarësisht përkatësisë fetare.

 

16.06.2010

Kumanovë



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora