Shtesë » Lajme
BE dështon me Shqipërinë, Rama dhe Berisha zhgënjyen ndërkombëtarët
E shtune, 19.06.2010, 12:08 PM
Gallak: Nuk e kuptojmë qëndrimin e politikës shqiptare kur vendit i duhet integrimi
Nuk kaluan as 48 orë që nga çasti kur Ministrat e Jashtëm përfshinë në konkluzionet e tyre iniciativën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, deri në komunikatën e përbashkët të Daul dhe Schultz, të cilët hiqnin dorë nga përpjekjet e tyre për të ndihmuar dialogun mes partive shqiptare. “Jemi shumë të befasuar sinqerisht që një iniciativë e tillë, besoj se është hera e parë që dy grupet kryesore në Parlamentin Europian angazhojnë gjithë vullnetin e tyre politik, me mbështetje të plotë të Komisionit dhe Përfaqësueses së Lartë dhe që kjo iniciativë nuk u përdor, nuk hyri në punë, nuk u pranua pozitivisht nga partitë e përfshira. Për ne është e vështirë që të kuptohet kjo kur Shqipëria ka nevojë për stabilitet, kur Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës. Ndaj duhet reflektuar ndaj situatës së krijuar e duhet gjetur pa dyshim një rrugëdalje, sepse bllokimi aktual nuk çon asgjëkundi”, është shprehur Kristina Gallak, zëdhënëse e presidencës spanjolle. Në fund të mandatit, presidenca spanjolle tentoi disa herë që të përcillte mesazhe politike pozitive ndaj Shqipërisë veçanërisht për heqjen e regjimit të vizave, si në takimin e Sarajevës ashtu dhe në Këshillin e Ministrave që u mbajt në Luksemburg. “Shqipëria mori mesazhe shumë të mira nga Europa. Mori mesazhin e Liberalizimit të Vizave dhe që opinioni për kandidaturën po bëhet. Këto ishin mesazhe pozitive që presidenca spanjolle i mbështeti
Leterme: Do të mbështesim heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën
Pas zgjedhjeve të parakohshme në Belgjikë, vendi është përfshirë nga valët e krijimit të një qeverie të re. Sipas eksperiencës, formimi i një qeverie në Belgjikë mund të marrë disa muaj. Deri atëherë, është kryeministri në dalje Yves Leterme, që do kryesojë Presidencën belge dhe ministrat e tij kanë përgatitur të gjithë programin e gjashtë muajve të ardhshëm, duke përfshirë edhe dosjen e Ballkanit, për të cilën kjo presidencë pritet të luajë një rol kyç. Ndryshe nga negociatat politike plot surpriza në Belgjikë, Presidenca belge pritet të vijojë normalisht. Pyetje sesi do jetë Presidenca belge sipas jush, një sukses apo jo kryeministri Leterme, tha se “të shohim. Ne e marrim presidencën pas dy javësh dhe jemi të përgatitur për këtë. Javën tjetër do të takohem me grupet politike të Parlamentit Europian për të diskutuar programin. Pavarësisht nga evenimentet politike post-zgjedhore në Belgjikë që vazhdojnë aktualisht për formimin e një qeverie të re belge, mendoj, se është shumë e rëndësishme, që Belgjika të ndjekë rrugën e duhur dhe që të menaxhojë siç duhet presidencën rrotulluese të BE-së. Duhet të bashkojmë forcat, që Belgjika të arrijë një presidencë të suksesshme”. Ai ka theksuar se Belgjika është në favor të zgjerimit, por është një proces, ku vendet kandidate duhet ta meritojnë statusin e vendit kandidat. Dhënia e statusit të kandidatit apo hapja e negociatave të anëtarësimit do të bëhet mbi bazën e kritereve objektive. Gjithashtu ai ka theksuar se ata do ti mbahen qëndrimit për liberalizmin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjes nëse kushtet janë plotësuar. “Po. Nëse kushtet janë përmbushur, ne jemi partizanë të heqjes së vizave. Mendoj, se është një moment historik që të afrojmë vendet e Ballkanit dhe të bëjmë të mundur anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian, por sigurisht kur këto vende të jenë gati”, tha Letermen.
BE: Duam zgjidhje të krizës, tani e kanë në dorë mazhoranca dhe opozita
Pas Komisionerit për Zgjerim, reagon dhe Zyra e Përfaqësueses së Lartë te BE-së, Catherin Ashton e cila kishte mbështetur gjithashtu iniciativën e Parlamentit Europian në 20 maj. "Në mënyrë që të gjendet zgjidhja ndaj këtij ngërçi politik, dhe për të çuar përpara reformat që janë të domosdoshme për Shqipërinë që të bëjë progres drejt BE-së, tashme e ka në dorë qeveria dhe opozita që të gjejnë zgjidhjet, në mënyrë transparente e duke respektuar kushtetutën e vendit”, tha zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic. Pyetjes se çfarë pasojash do të ketë në të kundërt për Shqipërinë, zëdhënësja theksoi se BE është e shqetësuar për vazhdimin e ngërçit aktual politik pasi nuk nxit klimën e nevojshme për të çuar përpara reformat që kërkohen. “Për këtë arsye mbështetëm iniciativën lehtësuese të Parlamentit Europian, e cila na vjen keq që nuk mundi të ndihmojë për të sjellë një zgjidhje, por siç e thashë, tani varet nga qeveria dhe opozita që të gjejnë një rrugë bashkë sesi të ecin përpara. Mesazhi ynë është i qartë: Ne mbështetëm iniciativën e Parlamentit për të gjetur një zgjidhje. Tani i takon qeverisë dhe opozitës. Nevojitet që ata të punojnë bashkë për të përparuar”, theksoi Kocijancic. Reagimet e kabineteve të Komisionerit Fule dhe Përfaqësues së Lartë Ashton erdhën menjëherë pasi Parlamenti Europian hoqi dorë nga ndërmjetësimi për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri.
Projekt-rezoluta e PE: Shqipëria, në rrugë qorre politike
Komiteti për Punë të Brendshme në Parlamentin Europian pritet të votojë javën e ardhshme një projekt- rezolutë për Shqipërinë nisur nga kriza politike që po kalon vendi.Është pikërisht ajo rezolutë, e cila nuk u votua javën që shkoi ndërkohë që PE miratoi rezolutën për Bosnje Hercergovinën. Projekt-rezoluta për Shqipërinë është hartuar nga raporteri Nikolaos Kuntis, dhe siç mësohet, në përmbajtje të saj thuhet se gjendja aktuale politike në Shqipëri, është një rrugë qorre dhe pa krye. Projektrezoluta deri tani ka marrë mbështetjen e shtatë deputetëve ndërkohë që autori i saj shprehet në dokument duke thënë se: Shpreh shqetësimin e thellë për politiken në vend e cila është futur ne një rrugë qorre, pavarësisht se të gjitha palët kane hyre dhe bere betimin ne parlament. “Nënvizoj se funksionimi i institucioneve përfaqësuese, veçanërisht parlamenti, ka një rendësi themelore ne përmbushjen e kritereve politike te kërkuara nga unioni. i bëjmë thirrje aktoreve politike te marrin përgjegjësitë dhe te nisin një dialog politik konstruktiv”, thuhet në projektrezolutë. Më tej në këtë dokument, eurodeputetët shprehen se ndjejnë keqardhje që në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, para seancës plenare të 18 marsit 2010, mazhoranca dhe opozita nuk arritën një marrëveshje për ngritjen e një Komisioni Parlamentar për zgjedhjet e 2009. “Përsërisim se një zgjidhje për këtë rrugë qorre në të cilën ndodhet vendi, është princip themelor i demokracisë, përmes transparencës dhe dialogut. Nxisim mazhorancen dhe opozitën te bëjnë te gjitha përpjekjet për të arritur një dialog konstruktiv”, thuhet në projektrezolutë.