E merkure, 13.11.2024, 06:18 AM (GMT)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Ndërtimi i testamentit antologjik

E shtune, 19.06.2010, 05:56 PM


NDËRTIMI I TESTAMENTIT ANTOLOGJIK

 

Milaim Berisha: ,,TESTAMENT PËR SHQIPËRINË”, poezi të zgjedhura, botoi   “TOENA” - Tiranë, 2010

 

Nga Xheladin MJEKU

 

1. NDËRTIMI I TESTAMENTIT ANTOLOGJIK

 

        Milaim Berisha  për katër dekada sa është i pranishëm  me krijimtarinë e tij letrare, te lexuesit vjen me librin e tetë,  këtë herë me përzgjedhje të poezive   me titull “Testament për Shqipërinë”. Përpjekja  e autorit që të krijoi individualitetin personal në  ndërtimin e poezisë, pasurimin  leksikor, galerinë e figurave, metaforave  me përkushtim  dhe funksionalizimin e  tyre, në një mënyrë ose tjetër  kanë arritur  efektet e krijimtarisë së tij letrare. Kështu, Milaim Berisha përmbylltazi  me poezitë e librit “Testament për Shipërinë” aktualizon problemet e shumta ekzistenciale, në veçanti shtrirjen e tyre universale, biblike dhe  jetike të njeriut tonë gjatë shekujve. 

        Ndërtimi i kësaj përmbledhjeje të përzgjedhur të poezive në dhjetë cikle: ,,Ti lulëkuqe e gjakut tonë”, ,,Lumi dhe ëndrra”, ,,Dheshkronja”, ,,Trëndafila të pavenitur”, ,,Lot mbi Evropë”, ,,Quo Vadis, Atlantidë”, ,,Ngadhënjim mbi vdekjen”, ,,Shi, zogj dhe dashuri”, ,,Pranvera në Kosovë” dhe ,,Në vend të epilogut ose mbarimi i ëndrrës” - dëshmojnë përkushtimin serioz të realizuesit të kësaj antologjie personale, nga materia e gjithë krijimtarisë poetike të Milaim Berishës, duke i veçuar poezitë më të realizuara nga tetë vëllimet e botuara vite më parë: ,,Epshet e Gjakut”, ,,Pranë Burimit”, ,,Bukureza”, ,,Biografia e popullit tim”, ,,Testament  për Kosovën”, ,,Pranvera në Prishtinë”, “Fyell i lënë mbi një gur”, “Testament për Shqipërinë”, ku tematika  dominuese është  malli përvëlues për vendlindjen, bashkëfshatarët, për lagjën e fëmijërisë, për nënën, motrën, vëllain. Pastaj, shpalosen pamje idilike me përkushtim për fshatin, emocionet prekëse në çaste dhembjeje,  ndjenja shpitërore dhe melankolike të një mërgimtari, pavarësisht  pse autori  këtë angështi shpirtërore e përjeton në relacionet e jetës urbane, larg  përditshmërisë rurale. Ndjeshmëria kaq e hollë për vendlindjen, njerëzit, fatet, tragjeditë dhe  preokupimet e tyre, për mundin dhe sakrificat shekullore kundruall një torturimi, sa shpirtëror aq edhe fizik nga një pushtues i paskrupullt  - dëshmon bindshëm se sa ishte i lidhur autori për atdheun dhe njerëzit e tij, për kauzën tonë, për Kosovën, Çamërinë dhe Shqipërinë Etnike.

           Vetë titulli i kësaj vepre poetike “Testament për Shqipërinë” (botim i dytë i plotësuar), sugjeron dhe orienton lexuesin kah botëperceptimi i drejt i saj, e kjo do të thotë: përcakton kornizën e frymëzimit tematik e motivor, përthekon së afërmi semantikën tekstore dhe mbulon veprimin e saj transformues imagjinativ. Kjo është një botë poetike që lëviz midis rrymimeve klasike dhe moderne, midis reales e fiktives, por esencialisht e hulumtuar dhe e përjetuar me pretendim të përvetësimit të shumësisë së saj:  si hapësirë etnike e autorit, si reliev shkronjor e historik, dhe si realitet i mundshëm shpirtëror:

 

                                     “Shqipëri – atdhedashuria ime e parë

                                      Shqipëri – amaneti im i fundit.

                                      Ti je ëndrra dhe zhgjëndrra ime

                                      E bastisur në mes-Natë, e plagosur në agime.

                                      Shqipëri – Shkëmb midis malesh!

                                      Ti je etja dhe dashuria ime lotngrirë

                                      Mes jetës e vdekjes  në beteja gjaku e përtrirë.

                                      Shqipëri – Lumë që nuk ndalesh!”

 

 

2. STRUMBULLAR I VLERAVE KOMBËTARE  DHE UNIVERSALE

 

            Gjatë gjithë rrugëtimit të tij poetik autorin e preokupon  atdheu dhe liria.  Që nga libri i parë “Epshet e Gjakut” e këndej, poezia e Milaim Berishës përshkohet me frymën e atdhedashurisë dhe ngritjes kozmopolite të çështjeve të ndieshme të popujve tjerë, solidarizimin me kauzën e të përvuajturve kudo në botë, që konsiderohen si postulate qendrore, duke bartur bagazhin e  problemeve të shumta për njerëzimin, Mëmëdhenë, njeriun dhe lirinë, etj. Poezia programatike  “Testament për Shqipërinë” (2), prej nga del titulli i librit me poezi të përzgjedhura, edhe njëherë flet për  përkushtimin e autorit, për trungun e lashtë ilir, për dhimbjet shekullore dhe zjarrin prometian që të përjetësojë ëndrrat e lirisë: “E ndez zjarrin e Prometeut/T’i jap shpirt gjithë atdheut”, për të përmbyllur këtë mall nostalgjik me fuqinë shpirtërore prej birit të saj besnik deri në çastet e fundit të jetës, i bindur se:  

 

                                                “Dhe kur të bëhem shpuzë e hi

                                                Prapë të dua – Nënë Shqipëri!”

                                                                             

                                                                                  (“Testament për Shqipërinë”)

 

               Muza poetike e autorit herë shpërthen si vullkan, herë ndryn shpirtin krijues në dozën e shqetësimeve  për vuajtjet, torturat dhe  represionet mbi popullin e tij, herë u gëzohet peisazheve të bukura të vendlindjes, gjallërimit të jetës së bashkëfshatarëve, arsimimit të fëmijëve në mësonjëtore, në lojëra, fushave të gjelbruara, herë përshkohet nga një pamje e ngrysur, herë një ndrydhje shpirtërore për vuajtjet shekullore nga një okupim i paparë, me  kamuflime ideologjike totalitare... pastaj një jetë të re  plot gjallëri dhe pa brenga, mandej  një lumturi e brishtë -  mashtruese deri në pafundësi...

            Edhe poezia “Pranvera në Prishtinë”, që më vonë do të shëndrrohet në “Himn të dashurisë”,  dëshmon përkushtimin e autorit për  motivet dhe kërkesat  jetike të botës rinore, për dashurinë, për qytetin e “ngrohtësisë së parë”, pastaj  “vargjet për ardhmërinë”...  Përjetimi i kënaqësisë, duke  lexuar poezitë si kjo  me titull, sa simbolik, aq edhe aktual, sidomos kur kujtojmë jehonën e këngës që prej vitesh (1981),  është e pranishme gjithandej në familjet tona, nuk mund të konsiderohet vetëm si akt i rëndomtë i një lexuesi kurreshtar. Motive të këtilla takojmë pothuajse në shumë prej krijimeve poetike, që për tematikë kanë atdhedashurinë, mallin për mërgimtarët, për “Gjuhën shqipe”, për “Shqiponjën dhe flamurin”, për “Dardaninë”, për “Biografinë e popullit tim”, për “Këngën e të parëve” dhe për gjithçka që do ta ndjej në Uni-n e tij prej krijuesi me një sens të ndjeshëm  të perceptimit të fenomeneve të ndyshme, duke i ravijëzuar thellë në mendjet dhe shpirtin e tij të trazuar. Milaim Berisha shtjellon tema të mëdha, që reflektojnë ndjesi prekëse dhe emocionale,  duke u ngritur në rrafshin e niveleve të gjëra, me trajtim tematikash të një spektri universal në kuptimin e fjalës. Shembull të këtillë gjejmë te poezia “Dallëndyshet mbi Grabofç”, ku autori rrugëtimin e tij e fillon nga Malet e Trollit , nga një cep i vendlindjes – Grabovçi i Poshtëm i fëmijërisë, për të “nxituar n’për vise të Diellit”.

            “Poezia e Milaim Berishës është poezi e dhembjes, e tmerrit, e revoltës, e ironisë, e shpresës dhe e meditimit të thellë”, - shprehej ndër të tjera, prof. Latif Berisha sa ishte gjallë. Prandaj,  vetë ngulitjet e vargjeve, cikleve, motiveve,  mesave ruajnë vlerën sublime të mendimit intelektual, vlera këto të dëshmuara në rrafshin kombëtar dhe universal, duke krijuar   kështu xhevahire dhe figura në opusin e  krijimtarisë letrare të Milaim Berishës.

 

3. PËRJETËSIMI I FIGURAVE EMBLEMATIKE

 

        Në këtë kontekst, një përfshirje emblematike të figurave të shquara të krenarisë së lavdishme kombëtare, një galeri e tërë figurash historike, të portretizuara me nderim të  veçantë nga një krijues me  vizion të gjërë në frymën e ngritjes dhe kujtimit të tyre, në  epoka historike dhe situata  të dëshmuara, që ishin  forcë shtytëse e proçeseve të mëdha historike, të zhvilluara  në vazhdimësi me Bashkësinë Mdërkombëtare si dhe paraqitja e UÇK-së  në momente të caktuara , kishin  efekte pozitive me motivacion kushtrimi në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së plotë të Shtetit të Pavarur të Kosovës. Në fakt,  autori gjatë gjithë periudhës së tij krijuese  kishte preokupim parësor dhe shtytje hulumtimin e  rrënjëve të gjakut përmes këtyre figurave kombëtare dhe historike deri në zgjidhjen e fatit të  atdheut dhe Ditën e Lirisë. Liria dhe Atdheu te lexuesi vijnë me këngëtimet për Skënderbeun, Princin e Arbrit, Albanopolisin, Adem Jasharin, Lidhjen e Prizrenit, për Shqipërinë, Gurin e Plakës, për Kosovën, për popullin; pastaj portretizimin e  figurave të shquara si:  Naim Frashëri, Noli, Lasgush Poradeci, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Latif Berisha,  Mirko Gashi, Ymer Elshani, Kësulëbardhët, e shumë emra e figura të tjera,  si rezultat i punës së tij krijuese për dekada  të tëra.

 

                                                  “Natë. Skëterrë me gjysmëhënë

- Ca kreshnikë… dhe një nënë:

Po zbritnin nga mallet me bajrak

Të sillnin Nusen me duvak!”

 

                                                                                                         (“Guri i Plakës”)

  

        Kështu, fuqia e vargut është po aq sa edhe forca e shkëmbit, ka lashtësinë e kujtesës nëpër shekuj, duke përmbushur  hapësirën  letrare me dëshmitë e miteve, psalmeve ilire, legjendave, baladave, betejave, fitoreve... të përcjellë edhe në ditët tona.

         Përjetësimi i figurave emblematike  të krenarisë sonë kombëtare ishte dhe mbetet njëra ndër pretendimet e parreshtura të Milaim Berishës, për faktin se aty nis dhe brumoset gjithë delli frymëzues për qëndresën heroike, për ruajtjen e gjakut, atdheut dhe për ngritjen e themeleve të Pavarësisë.

 

 

4. SEMANTIKA E PËRMBYLLJES

 

          Poezia e Milaim Berishës gjithnjë ruan frymën e  mesazhit, varësisht kohës dhe rrethanave që diktojnë një situatë që do t’i përkushtohet ajo, duke konsistuar njëkohësisht edhe në ruajtjen e ndërtimit semantik , në ruajtjen dhe kultivimin e metaforës, simboleve, personifikimit, imazheve, e veçanërisht shquhet për përdorimin e toponimeve, të cilat e bëjnë edhe më të fuqishme shprehjen artistike  dhe letrare të poezisë së tij.

           Ka edhe shumë krijime tjera që qëndrojnë lartë me vlerën dhe  mesazhin e tyre, ku veçohen poezitë: “Duke pritur agimet”, “Matrapazët e pallateve”, “Kohë policore”, “Bukëpjekësit e Hasit”, pastaj elegjia “Doruntinë, moj Doruntinë” e shumë   tjera të ngjashme.

          Krijimet e përzgjedhura nga  opusi krijues i Milam Berishës, fitohet përshtypja se janë përballje me një rrugëtim të mundimshëm dhe të gjatë të të krijuarit art të mirëfilltë në kuptimin e plotë  të fjalës.

          Edhe më tutje,  këtij krijuesi të dëshmuar  sikur nuk i ndalet vrulli, nga fakti se edhe në këtë  libër hasim shumë poezi tjera që  janë botuar për herë të parë këtu (nëse ndonjëra nuk do të ketë pasur fatin e botimit në ndonjë  gazetë apo revistë), si: “Në emër të dashurisë”, “Frikë nga çlirimtarët”,  “Protestë” dhe ndonjë tjetër. Poezitë: “Vargje me diell”, “Herët a vonë”, “Tetovë, diell i dashurisë”, “Prometeu im”, “Dardania”, “Dialogu i Kaltrinës në Klinikën e syve” dhe  poezia që e përmbyll librin, “Happy end”  rezultojnë me dhuntinë dhe me muzën e tij në korrespondim të vazhdueshëm dhe premtues.

           Jeta në veprën e Milaim Berishës  është dramë. Drama është art. Arti është i përjetshëm!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora